Musa a.s. dhe faraoni – pjesa e dytë

Dr. Aid el-Karni

Në tregimin për Musain a.s. dhe faraonin nga kaptina Ta Ha, kemi arritur te fjalët e të Lartësuarit:
“Shko me argumentet e Mia, ti dhe vëllai yt, e mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje.” (Ta Ha, 42)
O Musa, lutja yte u pranua dhe Allahu të përcaktoi vëllain tënd për ndihmues dhe e bëri prej pejgamberëve të zgjedhur, andaj:
1. Mos u ndalni në thirrje në fenë e vërtetë dhe mos u frikësohuni nga askush, pa marrë parasysh mendjemadh dhe kryelartë që është.
2. Disa kanë thënë fjalët: “Mos e hiqni prej kujdesit të përmendurit ndaj Meje”, d.m.th. mos ndaloni nga përmendja e Allahut duke e falënderuar, lavdëruar dhe lartëmadhëruar.
Pra, o Musa, mos harro atë që ke marrur si obligim në vete, që Allahun ta falënderosh shumë, sepse vërtetë tesbihi dhe tekbiri janë ushqim për zemrat e njerëzve, ndërsa tahmidi dhe tehlili janë ushqim për shpirtrat e tyre.
Për këtë Allahu këshillon Musain dhe Harunin: Sa më shumë më përkujtoni Mua, sepse vërtetë do të kaloni nëpër ngjarje të rënda dhe të mundimshme dhe duheni që të sakrifikoni maksimalisht. Nëpër të gjitha këto peripeci do të mund të notoni vetëm nëse gjithnjë jeni në afërsinë Time dhe përherë më përkujtoni, vetëm Mua më falënderoni dhe vetëm nga Unë ndihmë kërkoni.
Pas kësaj hyrje, vie urdhëri i qartë:
“Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.” (Ta Ha, 43)
Pra, shkoni te ai dhe ta dini se ai është i padrejtë dhe zullumqar, por edhepse i ka kaluar kufijtë e padrejtësisë, zullumit dhe tërbimit, prapëseprapë:
“Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.” (Ta Ha, 44)
Allahu i madhërishëm këtu shpjegon një metodë shumë të suksesshme dhe efikase e cila me ndihmën e Allahut mund të realizojë rezultate konkrete në thirrjen e zullumqarit dhe kryelartit në adhurimin e Një Allahu. Serviroja fenë e vërtetë në mënyrë të bukur dhe me butësi, ndoshta Allahu do t’ia hap zemrën e tij dhe me mëshirën e Tij do ta udhëzojë.
Sa të bukura dhe madhështore janë këto fjalë, e në të njëjtën kohë aq të çuditshme dhe të pazakonta. Allahu, faraonin e quan zullumqar, kryelartë, gjakpirës, pabesimtar, inatxhi . . . por prapëseprapë, Ai urdhëron pejgamberët e Tij që të veprojnë ndaj tij me butësi, mos ta ofendojnë, mos ta lëndojnë, se mos ndoshta do t’i pranojë këshillat e tyre dhe përqafojë besimin e drejtë.
Kur Musai a.s. hyri te faraoni i tha: “Nëse përgjigjesh thirrjes sonë, Allahu pushtetin që e ke në duart tuaja do ta lë dhe do ta rritë edhe më shumë.” Këto në mes tjerash ishin fjalët e buta që Allahu e urdhëroi në versetet e mëparshme, e tërë kjo në mënyrë që faraoni t’i përkujtojë mirësitë e Allahut që ia kishte dhënë dhe dispononte me to. Disa njerëzve për fenë dhe rregullat e fesë nuk mund t’u flasësh përveç me metodën e “tergibit”, gjegjësisht nxitje për të besuar dhe bërë vepra të mira në mënyrën e përmendjes së shpërblimit që Allahu ka përgatitur për besimtarët, bukuritë dhe begatitë e Xhennetit, ndërsa disa njerëzve më lehtë është t’u ofrohemi me metodën e “terhibit” - frikësimit, kështu që përmenden dënimet e atyre që nuk i binden Allahut, tmerret e Xhehennemit dhe vuajtjet e banorëve të tij, etj. Për këtë është e domosdoshme që secili ftues (dai’) të jetë mendjeprehtë dhe intelgjent që të vlerësojë në çfarë mënyre dhe më së lehti hapen dyert e zemrave të njerëzve, në mënyrë që në secilën prej tyre të trokasë me atë metodë me të cilën mendon se më së lehti do t’ia hap.
Musai a.s. tha:
“Zoti ynë, ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë ose do t'i kalojë kufijtë kundër nesh.” (Ta Ha, 45)
Ndërsa Allahu vërtetë më së miri e di që faraoni është zullumqar dhe kriminel, andaj i këshillon:
“Ai (All-llahu) tha: "Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj (ç'do t'ju thotë) dhe shoh (ç'do të bëjë me ju).” (Ta Ha, 46)
Duke dëshiruar t’u thotë: “Nëse Unë jam me ju, përse frikësoheni? Nëse Allahun e keni ndihmues, nga kush frikësoheni? Nisuni me këtë qëndrim dhe bindje dhe mos u frikësohuni nga askush, sepse Allahu është me ju, u ndihmon dhe fuqizon.
Musai a.s. u frikësua tri herë: Herën e parë kur shkopi i tij u transformua në gjarpër, ndërsa Allahu e këshillon: “Merre, dhe mos u frikëso.”
Herën e dytë ishte kur hyri në pallatin e faraonit, Allahu atij dhe vëllait, Harunit, i këshilloi: “Mos u frikësohuni, Unë jam me ju kudo që jeni, Unë dëgjoj dhe shoh çdo gjë.”
Herën e tretë e ndjeu frikën para masës së madhe të njerëzve në duelin me magjistarët.
Kur i pa magjitë e tyre:
“E Musai ndjeu në vete njëfarë frike.
Ne i thamë atij: "Mos ki frikë, është më se e sigurt se ti do të jesh triumfues!” (Ta Ha, 67-68)
Hyri Musai a.s. në pallatin e faraonit, ndërsa Haruni a.s. qëndronte pranë tij. Musai a.s. fliste, ndërsa Haruni a.s. i ndihmonte dhe i jepte përkrahje. Ky zullumqar i madh i vështronte me kryelartësi dhe nënçmim, sepse veten e paramendonte zot dhe krijues, duke ia përshkruar atributet e Zotit vetes.
Këtë e bënte nga mendjemadhësia dhe tërbimi, ndërsa thellë në vete e dinte shumë mirë që Allahu është i vetmi Krijues i vërtetë dhe Kreator i kozmosit, siç i tha Musai a.s.:
“(Musai) Tha: "Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë!” (Ta Ha, 50)
Pasi që Musai a.s. e ftoi te Allahu, faraoni me cinizëm qeshte edhe atë edhe Harunin, duke i nënçmuar dhe nënvlerësuar, e më këtë anashkaloi dhe shkeli të gjitha normat e sjelljes së bukur të cilat vlejnë gjatë takimit dhe bisedës së atyre që kanë mendime kundërthënëse.
Faraoni, Musain a.s. e shikonte si bari me shkop në dorë. E shikonte si një njeri që ka ardhur nga shkretëtira ku nuk ka as civilizim e as kulturë, ndërsa veten e shihte si një njeri nën këmbët e të cilit është tërë bota.
Kështu veprojnë zullumqarët që nuk besojnë as Allahun e as ditën e Gjykimit, nuk falin namazin dhe nuk i frikësohen Allahut të madhërishëm. Dhe kjo sjellje dhe cilësi është karakteristikë e gjithë faraonëve deri në ditën e Gjykimit.
Ngriti zërin ky i mjerë nga froni ku ishte ulur, dhe në mënyrë cinike dhe nënçmuese e pyeti Musain a.s.:
“Ai (faraoni) tha: "E kush është Zoti i juve dyve, o Musa?” (Ta Ha, 49)
Sepse ai askë për Zot nuk njeh dhe në Zot nuk besonte, ndërsa Musai a.s. në përgjigje:
“(Musai) Tha: "Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë!” (Ta Ha, 50)
Duke dëshiruar t’i thotë: “A mund ta bësh ti këtë, pasi që pohon se je zot?”
Një komentues i Kuranit në përgjigjen e Musait a.s. ka thënë: “Betohem në Allahun që Musai a.s. me këtë përgjigje e la në disfatë faraonin.”

Fjalët:
“. . . Çdo sendi i dha formën e vet . . . ” (Ta Ha, 50)
- bartin aq shumë porosi saqë për këto do të shkruheshin vëllime të tëra librash, ndërsa fjalët:
“. . . Pastaj e udhëzoi atë!” (Ta Ha, 50)
- gjithashtu përmbajnë vëllime të tëra imazhe dhe pejsazhe. Allahu i madhërishëm çdo gjë e inspiroi, andaj edhe fëmiu i posalindur i cili nuk di asgjë, e inspiroi kah gjiri i nënës dhe e udhëzoi, kështu që ai di si ta thith qumështin. Ai e inspiroi bletën e cila fluturon mijëra milje për ta gjetur nektarin e ëmbël dhe përsëri kthehet në kosheren e saj. E inspiroi pëllumbin që të përcjellë letrat nga vendi në vend, nga qyteti në qytet e pastaj të kthehet në cakun e tij pa humbur apo bredhur. Shkencëtari dhe shkrimtari amerikan Cressy Morrison në librin e tij “Njeriu nuk ekziston në vetvete” thotë: “Vërtetë, mahnitem me bletën! Sikur në vete ka një radar nëpërmes së cilit gjen kosherën e saj.”
Por, Allahu i madhërishëm që moti ka thënë:
“Zoti yt i dha instinkt bletës: "Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë.
Pastaj ha nga të gjitha (llojet) frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara (e të mësuara) prej Zotit tënd ...” (En - Nahl, 68-69)
Sepse, vërtetë Ai është:
“Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë!” (Ta Ha, 50)
Dhe faraoni i disfatuar dhe i hutuar mbeti, shkatërrimi dhe pafuqia e tij u bë e qartë, por edhe pas kësaj ai bëri edhe një pyetje:
“Ai tha: "Si është gjendja e popujve të mëparshëm?” (Ta Ha, 51)
- në të cilën sipas urdhërit të Zotit, Musai a.s. u përgjigj:
“(Musai) Tha: "Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron.” (Ta Ha, 52)
Musai a.s. sikur deshi të thotë: “Përse ty të intereson kjo gjë? Çfarë dobie ti ke nga kjo pyetje që e parashtrove? Ti je vetëm një thërrmi në tërë kozmosin.
Kështu, Musai a.s. përsëri ngadhënjen, ndërsa ai mbeti në disfatë. E turpëoi para masës së gjerë dhe në tërësi luhati dhe shpjegoi paaftësinë e tij, si mësim për gjeneratat e ardhshme. Për këtë Musai a.s. deri në ditën e Gjykimit do të përmendet në vargun e pejgamberëve të sinqertë që ftuan në fenë e Allahut duke e përkujtuar emrin e tyre me shekuj.
Vëllezër të dashur, tregimi për Musain a.s. dhe faraonin përmban shumë mesazhe dhe mësime:
1. Mbajtja e fuqishme e fjalës “La ilahe il-lall-llah”. Për këto fjalë janë shpallur librat e Zotit dhe janë dërguar pejgamberët dhe lajmëtarët.
Për këto fjalë madhështore janë krijuar qiejt dhe Toka dhe për këto fjalë janë sakrifikuar pasuritë dhe udhëhequr luftërat. Për këtë, obligim yni është që këto fjalë t’i pranojmë fuqishëm, me këto fjalë të krenohemi dhe këto fjalë në çdo kuptim të sundojnë dhe udhëheqin jetën e secilit prej nesh, pa marrë parasysh qoftë ai sundimtar, gjykatës ose udhëheqës.
Këto fjalë duhet të ndikojnë te gazetari kur shkruan, te poeti kur shkruan vargje, te shkrimtari kur shkruan libra.
2. Çështja e namazit, sepse Allahu i madhërishëm në fillim të kaptinës Ta Ha i tha Musait a.s.:
“... Fal namazin për të më kujtuar Mua.” (Ta Ha, 14)
Vërtetë, feja islame themelohet në kryerjen e namazeve të obliguara, andaj feja pa namaz nuk mund të ekzistojë, mu sikur që namazi pa fe nuk mund të kryhet.
3. Besimi në ditën e Gjykimit, sepse nëse e anashkalojmë këtë pjesë përbërëse të besimit tonë dhe nuk e kemi vazhdimisht në mend, atëherë nuk do të ndiejmë as qetësi, as siguri, as rehati, as ekzistencë e as stabilitet.
Ata që e harrojnë ditën e Gjykimit, luftojnë në mes vete, i kanë zili njëri-tjetrit, shkatërrojnë qytete, hudhin raketa, vrasin të pafajshmit, e tërë kjo, sepse nuk besojnë në Ditën kur do të kthehen te Zoti i tyre dhe për çdo gjë veprim hollësisht do të japin llogari.
4. Besojmë në ndihmën e Allahut, sepse Ai vërtetë ndihmon mbrojtësit e Tij, ruan të dashurit e Tij, qoftë edhe nëse në shikim të parë duken se janë të mposhtur, dhe të shtypur dhe atyre do t’u takojë fitorja përfundimtare:
“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.” (Gafir, 51)
5. Duhet secili dai’ të njeh dhe zgjedh rrugët e zemrave të njerëzve, të mos jetë i vrazhdë dhe i ashpër në komunikim me tjerët dhe mos të luajë me ndjenjat e tjerëve:
“... Sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje...” (Ali Imran, 159)
Me një rast një beduin hyri te Harun er-Rrashidi, halifi i madh Abbasit, dhe i tha: “O Harun, dëshiroj të më dëgjosh, e kjo që dua të them është të folur i ashpër dhe i vrazhdë.”
Haruni i tha: “Pasha Allahun, nuk dëshiroj të dëgjoj.”
Beduini e pyeti: “E përse nuk dëshiron të më dëgjosh?”
Haruni iu përgjigj: “Për arsye se Allahu e dërgoi atë që ka qenë shumë më i mirë se ti (Musain a.s.) që t’i drejtohet atij që ishte shumë më i keq se unë (faraonit), të cilit i tha:
“Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.
Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.” (Ta Ha, 43-44)
Për këtë butësia në thirrje është tejet e nevojshme, sikur që është e nevojshme që secilit njeri t’i tregosh respekt aq sa e meriton me pozitën e tij dhe gjithashtu është e nevojshme të kesh kujdes për ndjenjat e tjetrit.
6. Myslimani nuk duhet frikësuar, sepse të gjithë shpirtrat janë në dorën e Allahut, furnizimi në thesaret e Tij, vetëm Ai jep jetë dhe vdekje.
Këto janë vetëm disa mesazhe dhe mësime që na sjellin tregimet për Musain a.s. nga kaptina Ta Ha. Tregimet për te janë të gjata, ndërsa ndodhitë ku ai është pjesëmarrës, janë të shumta. Të gjitha bartin mesazhe dhe përvoja të shumta që njeriut t’i japin fuqi që të vazhdojë në themelet e besimit të drejtë.
Për këtë në fillim e mbarim qoftë paqja dhe shpëtimi i Allahut në këtë pejgamber të ndershëm dhe fisnik.
Ndërsa sa i përket faraonit dhe suitës së tij, i Lartësuari thotë:
“Ata i nënshtroi zjarrit mëngjes e mbrëmje, e ditën e kijametit (u thuhet engjëjve): "Ithtarët e faraonit futni në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 46)



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.