Obligimet e prindërve ndaj fëmijëve

Mr. Muhidin Ahmeti

Bazën e familjes e përbejnë burri dhe gruaja. Lumturia dhe mirëqenia në familje dhe shtëpi varet, në radhë të parë, nga harmonia, fortësia e lidhjes së ndërsjellë midis dy anëtarëve kryesorë të familjes - burrit dhe gruas.

Kurora e dashurisë së bashkëshortëve, e njëkohësisht edhe vazhdimi i llojit të tyre, anë fëmijët, Që të jenë fëmijët e aftë të marrin përsipër obligimet të cilat i presin në jetë e njëherazi që me të vjetrit të kenë kujt t'ia dorëzojnë për ra ruajtur amanetin më të madh - fenë e lartë islame, prindërit kësaj duhet t'i kushtojnë vëmendje me kohë, sepse këtë e kërkon edhe Allahu xh. sh.
Ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në formimin e fëmijëve sikurse janë: shoqëria, mjedisi, shkolla, mediet, etj., por s'ka dyshim prindërit janë faktori më vendimtar, sepse familja është shkolla e parë, ndërsa prindërit janë mësuesit e parë dhe më të rëndësishëm prej të cilëve fëmija mund të mësojë më së shumti edhe gjëra të mira edhe të këqija,
Për detyrat e tjera me rëndësi në këtë drejtim na mëson vetë Pejgamberi a.s. Në një transmetim që e bën Ibni Abasi thotë se gjashtë gjëra janë synet (porosi) e Pejgamberit a. s. që të kryhen në ditën e shtatë pas lindjes së fëmijës: 1- Ngjitja e emrit, 2- Therja e kurbanit (akika), 3- Bërja synet (synetimi), 4. Shpimin e veshëve të vajzave, 5- Largimi i papastërtive (larja e rregullt e foshnjës) dhe 6. Qethja e flokëve të foshnjës dhe shpërndarja e sadakasë (lëmoshës) aq sa peshojnë qimet e qethura.
Një pyetje që shpesh shtrohet është:
Kur duhet filluar me edukimin e fëmijëve? Përgjigjja do të ishte si vijon: Me edukimin e fëmijës duhet filluar që nga momenti i lindjes ose edhe me herët. Një thënie e mrekullueshme thotë: "Fëmija edukohet njëzet vjet para lindjes se tij!". Porosia është e qartë - prindërit duhet të jenë të edukuar që të mund t'i edukojnë fëmijët e tyre.
Testi i pare i pjekurisë dhe i vetëdijes islame prindërore është dhënia e emrit fëmijës. Emri ka rëndësinë e vet. Tregon një personalitet të caktuar, traditën kulturore dhe shpirtërore. Shënon vlera të caktuara historike. Me qenë se emri përcakton njeriun, ai duhet të jetë i bukur, sepse e shoqëron njeriun nga lindja deri në vdekje, por edhe pas vdekjes. Besimtari, i vetëdijshëm për veten, të drejtat e vera dhe përkatësinë e tij fetare, i duhet patjetër t'i kushtojë kujdes emrit të vet dhe emrit të fëmijëve të tij. Askush nuk dëshiron të tjerëve t'ua imponojë emrat e vet, por kemi të drejtë të paralajmërojmë besimtarin për obligimin fetar të dhënies së emrit, ashtu si këtë e kërkon Pejgamberi i Zotit Muhammedi a.s: "Në Ditën e Gjykimit, ju do të thirreni me emrat tuaj, dhe me emrat e baballarëve tuaj. Andaj, emërtoni fëmijët tuaj me emra të bukur," (HZP,470)
Është çështje e lirisë dhe ndërgjegjes të secilit individë si do të veprojë në sferën e jetës personale. Sipas pikëpamjeve tashmë të përvetësuara të jetës, secili person përpiqet ta orientojë edhe familjen e vet. Dhënia e emrit fëmijës nuk është një gjë e parëndësishme. Me dhënien e emrit përcaktohet identifikimi fetar, por kryesisht edhe ai nacional. Ajo përkatësi fetare e fëmijës së porsalindur paralajmërohet m e dhënien e emrit, një emër i zakonshëm për mjedisin dhe frymën në të cilën dëshirohet të edukohet fëmija.
Emrat të cilët kanë përcaktim jo islam, nuk duhet dhënë fëmijëve myslimanë për shumë arsye. Një veprim i tillë tregon për imanin e dobët dhe pavendosmërinë e prindërve, sepse kjo është nënçmim dhe poshtërim i vetvetes, prindërve dhe paraardhësve të tij. Nuk është gjë e rrallë që një numër i konsiderueshëm i myslimanëve të sotëm, qoftë nga padituria apo nga kompleksi i inferioritetit, u japin fëmijëve më parë emra italianë, anglezë, gjermanë, amerikanë e shumë të tjerë në vend të emrave të prindërve të vet. Përpjekja për të dalë nga lëkura vetanake tregon për mungesë individualiteti por edhe primitivizëm.
Ai që mbartë emër të bukur islam nuk ka përse të turpërohet. As nuk ka nevojë që ta fshehë emrin e vet para dikujt. Kush e ka për nderë dhe privilegj që është mysliman, ai me siguri është krenar për emrin e tij islam.
Aktit të dhënies së emrit te fëmijës duhet dhënë plotësisht karakter islam. Kjo duhet të jetë një lloj feste dhe ditë e shënuar për prindërit dhe farefisin e fëmijës. Duke ndjekur traditën dhe synetin e Pejgamberit a.s., fëmija ditën e shtatë lahet-pastrohet, vishet mirë dhe parfumohet dhe i dorëzohet imamit ose ndonjë mysliman i tjetër të ditur, i cili me Bismil-lah dhe tekbir e merr prej nënës dhe me të kthehet nga Kibla, pastaj me një zë të lehtë ia këndon ezanin në veshin e djathtë dhe ikametin në veshin e majtë. Pas këndimit të Ezanit dhe ikametit imami do të ulët, do të këndojë një pjesë nga Kurani, pastaj do të bëjë duan, të cilën të pranishmit do ta përcjellin me fjalët "amin", e pas mbarimit te duasë - do të shprehet me zë të lartë emri i zgjedhur më parë nga prindërit, do t'i fërkohet fëmijës koka duke i dëshiruar jetë të gjatë dhe të hairit në Islam dhe do t'u urohet prindërve për djalin apo vajzën, për krenarinë e umetit islam. Për të gjitha këto Pejgamberi a.s. thotë:
"Kujt i lind fëmijë, këndojani ezanin në veshin e djathtë e ikametin në të majtin". Pejgamberi a. s. madje garanton që ai fëmijë të cilit i këndohet ezani dhe ikameti nuk do të sëmurët nga një sëmundje shumë e rrezikshme:
"Kujt i lind fëmijë dhe ai ia këndon ezanin ne veshin e djathtë dhe ikametin në të majtin, ai fëmijë nuk do të sëmuret nga epilepsia." (HZP, 1747)
Mënyra e këtillë islame e dhënies se emrit i obligon prindërit t'i edukoj në fëmijët në frymën e obligimeve solemne të dhëna para Allahut xh.sh. të shprehura në veshin e fëmijës. Po ashtu ditën e shtatë të lindjes është synet (praktika e Pejgamberit) të theret kurban për të porsalindurin. Për foshnjën mashkull theren dy kurbanë, sipas mundësisë, ndërsa për foshnjën femër një. Nëse nuk mund të theret kurbani ditën e shtatë, atëherë atë duhet bërë ditën e 14, 21, 28 ose kur të krijohen kushtet për to. Është synet, po ashtu që në ditën e shtatë me rastin e prerjes së kurbanit, të rruhet koka e foshnjës dhe të ndahen para (ne argjend) aq sa peshojnë flokët e tij të prera. Një obligim dhe detyre tjetër e prindërve ndaj fëmijëve është edhe synetimi i fëmijës mashkull. Kjo është dispozitë islame që daton qysh nga koha e Ibrahimit a.s.. Shkenca bashkëkohore e mjekësisë ka vërtetuar se synetimi është një akt higjienik i dobishëm dhe i rekomanduar, të cilin e praktikojnë shumë popuj të botës, gjë që i jep një rëndësi dhe një peshë edhe më të madhe këtij akti islam.
Përveç detyrave dhe obligimeve të përmendura, prindërit e kanë obligim t'u kushtojnë rëndësi dhe të bëjnë kujdes për pastërtinë, shëndetin dhe ushqimin e mirë të fëmijëve të tyre. Këqyrja e rregullt mjekësore është gjithashtu një obligim i prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Të gjitha llojet e tjera "të mjekimit": të hedhurit fall, shkrimi i hajmalive të ndryshme e të ngjashme, Islami i ndalon. Mënyra mjekësore e mjekimit (shërimit) dhe kontrollimit është rregull islame, e vërtetuar me praktikën e Muhamedit a.s.
Përveç kujdesit dhe edukimit fizik, prindërit e kanë obligim t'i kushtojnë rëndësi edhe zhvillimit mendor dhe psikik të fëmijëve të tyre. Meqë prindërit janë në kontakt më të drejtpërdrejt me fëmijët e tyre dhe fëmijët më së shumti i shikojnë pikërisht ata dhe veprimet e tyre, kjo do të thotë që prindërit duhet të jenë shembull në sjellje dhe nuk duhet t'u japin shembull të keq fëmijëve të tyre. Truri i fëmijëve është i pastër, i pangarkuar dhe i aftë të pranojë çdo gjë që i ofrohet dhe kështu çdo gjë që ata shohin dhe dëgjojnë prej prindërve të tyre, ajo regjistrohet në trurin e tyre. Prandaj, arsimimi i fëmijëve në Islam që nga vitet e para, madje edhe me fjalë edhe me vepra, është metoda më efektive, më ndikuese e edukimit të drejtë të fëmijëve. Me një mënyrë të këtillë edukimi, me siguri se do të arrijmë suksese të mira dhe do të vendosim themele të forta për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të fëmijëve. Në këtë mënyrë do të edukojmë pasardhës të denjë në shtëpitë tona dhe në vendet e punës, në xhami dhe në shoqëri. Atëherë do të mund të themi se e kemi përmbushur obligimin tonë islam dhe njerëzor në këtë botë, sepse amanetin e islamit e kemi dorëzuar në duar të sigurta të pasardhësve dhe trashëgimtarëve tonë.
Prindërit e kanë obligim që qysh në vegjëli t'ua bëjnë shprehi fëmijëve zbatimin e riteve (ibadeteve) fetare, para së gjithash faljen e namazit. Fëmijëve duhet t'u mësohet dhënia e selamit. Është shumë me rëndësi të theksojmë që prindërit nuk duhet të bëjnë dallim në mes fëmijëve në pikëpamje të dashurisë ndaj tyre dhe në aspektin e dhënies së peshqesheve. Muhammedi a.s. në këtë kuptim thotë: "Kini frikë Allahun dhe jini të drejtë ndaj fëmijëve tuaj." Ose në hadithin tjetër: "Silluni njësoj me fëmijët tuaj, qoftë fjala edhe për një gjysmë hurme."
Në edukimin e fëmijëve nuk duhet të jemi as shumë të rreptë as t'i përkëdhelim, dajaku fëmijën nuk e edukon, veçse e frikëson dhe përderisa fëmija ka frikë ai bindet dhe dëgjon, e porsa të zhduket frika vazhdon me të veten. Fëmija i përkëdhelur, po ashtu është shembull i edukimit të keq. Nuk guxojmë të lëshojmë fëmijën të bëjë çfarë të dojë, as nuk duhet ndaluar nga çdo gjë që e dëshiron, si kudo edhe ne edukimin e fëmijëve duhet pasur kujdes, maturi dhe urtësi.

Literatura:
1. Kur'ani - Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, përktheu H. Sherif Ahmeti, Medinë, 1992.
2. Hadithe të zgjedhura të Pejgamberit a.s., (Jakup Memiq)- Tetovë, 2003.
3. Ferhat Seta, Islamski brak, Prizren, 1992.
4. Prof Dr. Bekir Topaloglu. Gruaja në Islam, Stamboll 1997
5. Dr. Shefik Kurdiq, Kultura e sjelljes ndaj fëmijëve, familjes dhe farefisit, Prishtinë, 2004.
6. "Takvim '; Sarajevë, 1988.
7. "Zemzem", revistë e shoqatës së nxënësve të Medresesë "Gazi Husrev-Beg në Sarajevë, nr. 1/1985.
Ky punim botohet pakë ditë pasi autori Mr. Muhidin Ahmeti (2018-1962), u nda nga ne dhe kaloi në botën e amshueshme. Le të shërbej ky botim i këtij shkrimi si respekt, nderim dhe mirënjohje për hoxhën, studiuesin dhe njërin ndër bashkëpunëtorët më të vyeshëm dhe më të parë të revistës "Dituria Islame". Zoti e shpërbleftë me Xhenet!



Dituria Islame 333-334

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Hallo Admin Site ?s No Safe ! e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.