Dua hatmeje në Xhaminë e Madhe në Ferizaj

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni ef. Sinani, zëvendëssekretari i Kryesisë, Rexhep ef. Luma, si dhe nga zv.kryeimami i Kosovës, Fatmir ef. Iljazi, morën pjesë në duanë e hatmes, e cila u mbajt në Xhaminë e Madhe në Ferizaj.

Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, të pranishmit i përshëndeti kryetari i këtij Këshilli, Bujar ef. Hasani, i cili e përgëzoi dhe e uroi imamin e kësaj xhamie për punën e palodhshme që po bën me nxënësit e kësaj xhamie.

Në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnavës, një fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, Ajni ef. Sinani, i cili solli përshëndetjet dhe përgëzimet e Myftiut Tërnava përnxënësit dhe prindërit e tyre për këtë të arritur, si dhe e uroi hoxhën Mustafë Ahmeti për punën e tij. Ai ndër të tjerash përmendi hadithin e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve.”

Më pas, ligjëratën kryesore e mbajti kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i cili vlerësoi dhe çmoi lart punët dhe takimet e tilla. “Leximi i Kuranit do të jetë kurorë në botën tjetër për prindërit dhe mësuesit e këtyre nxënësve. Allahu e bëri këtë Kuran dritë dhe shpëtim për mbarë njerëzimin. Ai në një ajet kuranor thotë: “Vërtet ky Kuran udhëzon në atë rrugë që është më se e vërteta.” Të lumtë ata njerëz që në zemrat e tyre kanë mbjellë dashuri për Kuranin, ai do të jetë ndërmjetësues në ahiret për njerëzit që do të hyjnë në xhenet”, tha ndër të tjerash kryeimami Bajgora.

Ai ndër të tjerash përgëzoi prindërit, mësuesit dhe hoxhallarët tanë, të cilët arritën që të mbajnë gjallë dashurinë për fenë islame edhe në kohën kur po vuanim nga ateizmi dhe kur menduam se fesë i erdhi fundi.

“Hadithe të shumta flasin rreth vlerës dhe rëndësisë së mësimit të Kuranit përmendësh, por unë do ta veçoja një, i cili thotë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve.” Ne lusim Zotin që tubimet të tilla të bereqetshme të ketë gjithmonë në çdo kohë, ne dëshmojmë që zemrat tona pulsojnë me dashurinë për Allahun, andaj pikësynim i vetëm yni duhet të jetë arritja e kënaqësisë së Allahut. Lusim Zotin që këta fëmijë të jenë shkaktar që edhe familjet e tyre e edhe fëmijët e tyre në të ardhmen të kenë të dashur fjalën e Zotit”, përfundoi fjalën e tij kryeimami Bajgora.

Ceremonia e duasë së hatmes vazhdoi me shpërndarjen e certifikatave për nxënësit që kanë përfunduar leximin e Kuranit, e që ishin: Andi Elezi, Anita Spahiu, Elsa Terziu, Erza Kamberi, Ersan Jashari, Sara Neziri, Jetmira Thaqi dhe Fatnora Ceka. Duanë e hatmes e bëri hoxha i nderuar Adem ef. Hoxha, ndërsa në fund Këshilli i BI të Ferizajt ndau mirënjohje për imamin e kësaj xhamie Mustafë Ahmeti./bislame/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.