Domosdoshmëria e të lëxuarit të Kuranit

Pse duhet të lexohet Kurani? Cilat janë motivet që mund ta nxisin opinionin shqiptar të interesohet për Kuranin? Çfarë na ofron Kurani? A do të ndryshojmë apo do vazhdojmë të ngelim buzë paragjykimeve shekullore?

Pyetje të njëjta janë diskutuar edhe në rrethet e jomyslimanëve për Librat e tyre. Le t’i parashtrojmë disa arsye për këtë domosdoshmëri islame.
Çdo mysliman duhet të veprojë në përputhje me mësimet e Kuranit, si dhe t’i ftojë të tjerët për ta lexuar dhe ndjekur Udhëzimin Hyjnor.
1 - Kurani duhet të lexohet, sepse ai është baza dhe themeli i besimit islam, legjislatura dhe burimi themelor i mësimeve islame. Mund të themi se, nuk ka Islam pa Kuran dhe pa profet nuk mund të ketë një model perfekt të Islamit. Nuk mund të praktikohen parimet e Islamit dhe porositë e Allahut, nëse nuk lexohet Kurani. Qëllimi i zbritjes së Kuranit është për t’u lexuar, kuptuar dhe zbatuar në jetë. Kurani nuk është shpallur vetëm për t’u puthur apo për të shërbyer si nuskë që Allahu të na mbrojë prej rreziqeve. Kurani nuk është hajmali, por është receta më e përkryer që i nevojitet njeriut në çdo situatë.
Allahu thotë: “Ky është Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty atë që t’i studiojnë argumentet e tij dhe të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (es-Sad, 29)
Në një tjetër verset thuhet: “Ne të zbritëm ty, (o Muhamed) Librin (Kuranin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu…” (en-Nisa’, 105)
2 - Historia dëshmon se asnjë libër nuk ka pasur ndikim më të madh në jetën e njerëzimit, sesa Kurani. Po të vërehet ndikimi i tij tek gjeneratat e para të myslimanëve, do të shohim se arabët, nga njerëz të paqytetëruar e primitivë, u shndërruan në njerëz të zhvilluar. Nga njerëz analfabetë, u kthyen në njerëz të shkolluar, nga njerëz dogmatikë e me bestytni, u bënë njerëz racionalë me logjikë të shëndoshë, nga njerëz pasues e të shtypur, u ngritën në njerëz udhëheqës e sundimtarë. Kurani i shtyu arabët drejt civilizimit. Zhvillimi i çfarëdo disipline shkencore tek arabët, nuk mund të merret me mend pa Kuranin. Në sajë të këtij libri hyjnor, u përhap gjuha arabe në popuj të ndryshëm, të cilët, duke pranuar Islamin, pranuan edhe gjuhën e Kuranit dhe kontribuan në përparimin e civilizimit islam në gjuhën arabe. “Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërtetë (më e mira, më e drejta, më e qarta )…” (el-Isra’, 9), kurse profeti Muhamed (a.s.), thotë: “Me të vërtetë Allahu i lartëson me këtë Libër disa popuj (njerëz), e disa të tjerë i nënçmon.’’ (Myslimi).
Ndikimi i Kuranit është prezent edhe sot në botën arabe. Ai është faktori themelor në ruajtjen e gjuhës letrare të dhjetëra shteteve arabë. Arabishtja e Kuranit është gjuha esenciale e shkencave islame dhe gjuha diplomatike e tërë myslimanëve. Kurani dhe gjuha e tij janë faktorët kryesorë në bashkimin e botës islame, aq heterogjene në pikpamje kulturore, ekonomike dhe politike e aq të përhapur gjeografikisht.
Ndikimi dhe udhëzimi i Kuranit vihen re edhe në botën perëndimore. (Ket Stivens) Jusuf Islami, prej yjeve të muzikës moderne, vitet ‘70, në moshën 27- vjeçare pranon Islamin e shkak për këtë ishte leximi i përkthimit të kuptimeve Kuranore. Fadlullah Wilmont, një historian nga Australia, gjatë studimeve universitare ka vënë re ndikimin e Islamit në mendimin europian dhe kontributin e myslimanëve në shkencat e ndryshme.
Myslimanët kishin trashëguar urtësinë e lashtë të Egjiptit e Babilonisë, kishin përkthyer dhe ruajtur shumë njohuri nga shkenca dhe filozofia e Persisë dhe e Greqisë së vjetër, që përndryshe do të kishin humbur. Në sajë të kureshtjes dhe mendjes së vyer e të hapur, myslimanët kishin qenë të aftë të sillnin të reja nga shkenca dhe teknikat e Indisë dhe të Kinës. Kështu që, F. Wilmont u interesua për librin e shenjtë të myslimanëve, libër të cilin e gjeti në bibliotekën e universitetit ku studionte. Pasi vendos që ta lexojë Kuranin me një sy kritik, ngelet i ndikuar nga madhështia kuranore dhe pranon Islamin, duke arsyetuar si më poshtë: "Në Kuran nuk ka kundërshtime e kontradikta; Kurani nuk u bie ndesh të vërtetave shkencore; Kurani përfshin çdo aspekt të jetës". Kurani, i cili vazhdimisht thërret për kultivimin e shkencës, përmban shqyrtime të shumta shkencore me detaje shpjeguese, që janë tërësisht në përputhje me arritjet e shkencës bashkëkohore. Ekuivalentet e këtij lloji nuk ekzistojnë në shkrimet hebraiko-krishtere.(1)
“Sa herë që ne i drejtohemi Kuranit, në fillim na shkakton neveritje, dhe çdoherë sërish ai së shpejti bëhet tërheqës, na mallëngjen dhe më në fund na detyron ta nderojmë… Stili i tij, në pajtim me kontekstin dhe qëllimin e tij, është i rreptë, madhështor dhe i tmerrshëm – përgjithmonë i lartësuar – kështu që ky libër do të ushtrojë ndikim shumë të fuqishëm gjatë tërë kohës.’’ Johan Volfang fon Gëte (1794 – 1832)(2).
“Kurani, sipas mendimit përgjithësisht të pranuar, zë vend të rëndësishëm ndër librat e mëdhenj religjiozë në botë. Ndonëse është më e reja prej veprave më të rëndësishme që i përkasin këtij niveli të literaturës, ai nuk ia lëshon rrugën asnjë vepre tjetër në efektin e mrekullueshëm që ka ndikuar në masat e gjera të njerëzve. Ai ka krijuar një fazë gati të re të mendimit njerëzor dhe një tip të ri të karakterit. Ai së pari ka transformuar një numër të fiseve heterogjene në shkretë- tirën e Gadishullit Arabik në një popull heroik, dhe pastaj ka vazhduar të krijojë organizata të panumërta politike-fetare të Botës Islame, të cilat janë një nga format më të mëdha, në të cilat Evropa dhe Lindja duhet të llogarisin sot’’. George Margoliouth (1853-1924).(3)
3 - Kurani është i vetmi libër në botë, në të cilin ndodhen fjalët origjinale të Zotit të Gjithësisë, i pandryshuar, i pastër nga çdo ndërhyrje njerëzore. As pejgamber, as sundimtar, as qeveritar e as dijetar nuk kanë guximin të shtojnë apo pakësojnë, qoftë edhe një germë në Kuran. Origjinaliteti i pakundërshtueshëm i jep tekstit kuranor vend të posaçëm ndër të gjitha librat e Shpalljes. Tekstin e tij, ashtu siç është shpallur, e kanë mësuar përmendsh Profeti (a.s.) dhe shokët e tij dhe e kanë shënuar shkruesit e tij të afërt. Pra, që në fillim të shpalljes, Kurani përmban këto dy elemente të autenticitetit, që nuk i kanë as Teurati, as Psallmet e as Ungjijtë. Për dallim nga Bësëlidhja e Vjetër, në të cilën mund të gjejmë versione të ndryshme të të njëjtit tregim, kundërthënie, gabime historike, gjëra të pabesueshme dhe mospërputhje me njohuritë shkencore të vërtetuara mirë. Këto janë krejtësisht të natyrshme në të gjitha veprat njerëzore të lashtësisë.(4)
E njëjta gjë vlen edhe për Ungjijtë. Fantazmagoritë e Mateut, kundërthëniet e hapta mes Ungjijve, gjërat e pabesueshme, mospërputhjet me të arriturat e shkencës bashkëkohore, ndryshimet e vazhdueshme në tekste, bëjnë që Ungjijtë të kenë kapituj dhe fragmente që vetëm e zbulojnë imagjinatën e njeriut. Por, këto mangësi nuk e vënë në dyshim ekzistimin e misionit të Jezusit.(5)
4 - Kurani është zbritur për ne, njerëzimin. Ai është dhurata më e madhe që Allahu i ka dhuruar njerëzimit. Kurani nuk u drejtohet vetëm arabëve, në gjuhën e të cilëve është shpallur, ai i drejtohet njeriut si qenie njerëzore: “O njeri! Çka ju ka larguar juve prej Zotit tuaj’’. (el-Infitar, 6). “O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj Këshilla (Kurani) dhe Shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe Udhëzim e Mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57).
Është shpallur që t’u përgjigjet nevojave të jetës, t’u japë zgjidhje problemeve të jetës, t’i tregojë njerëzimit qëllimin e jetës në këtë botë dhe t’i mundësojë njeriut ta njohë vetveten. Në Kuran gjendet ilaçi i shërimit të ndjenjave egoiste dhe epshore që e robërojnë njeriun dhe e ulin atë me poshtë se kafsha. Në të gjendet çelësi i lumturisë dhe balsami i qetësisë shpirtërore. Paramendoni, nëse një udhëheqës apo një njeri shumë i dashur ju dërgon një letër ose një shkresë, a do ta lexonit atë letër? Sunduesi dhe Krijuesi i gjithësisë ju ka dërguar Kuranin, që jeta juaj të jetë më e mbarë, më e begatë, më e dobishme:
“Ne të shpallim Kuranin, që është Shërim dhe Mëshirë për besimtarët…” (el-Isra’, 82). Fjalët: Këshillë, Shërim, Udhëzim dhe Mëshirë, janë epitetet e Kuranit dhe mesazhet që ai përçon tek njerëzimi. Lexues i nderuar, nuk mund të përcillet mesazhi i saktë i Kuranit, nëse nuk e lexojmë dhe nuk e kuptojmë. Nuk mund të reflektojë Kurani në paraqitjen tonë, në mentalitetin tonë dhe në sjelljen tonë, nëse nuk e studiojmë atë. Në vitin 1895 ish-kryeministri britanik (W. E. Gladstone, 1809-1898), me Kuranin në duar ka thënë: “Nuk do të realizojë Britania asnjë nga qëllimet e saj ndër arabë e myslimanë, vetëm nëse heq sundimin e këtij libri nga ata. Nxirreni sekretin e këtij libri nga mesi i myslimanëve, do të rrënohen para jush të gjitha pengesat e tjera.’’(6)



1. Bibla Kurani dhe shkenca, Maurice Bacuille, Istanbul, 2007, fq: 135.
2. Cituar në T.P. Hughes, Dictionary of Islam, p. 526.
3. The Koran, New York, Everymans Library, 1977, fq. VII.
4. Bibla Kurani dhe shkenca, Maurice Bacuille, fq: 63.
5. Po aty, fq: 129.
6. Min revaiil-Kuran, Dr. Muhamed Seid el-Buti, Damask, 2002, fq,7-8.



Ma. Gilman Kazazi
Revista Etika 52

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.