Fjala e Myftiut të Kosovës, me rastin e promovimit të veprës “Ilmihal i zgjeruar”

- I nderur Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar efendi Spahiu
- I nderuar reis i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sulejman efendi Rexhepi
- Të nderuar udhëheqës e drejtues të Komuniteteve tonave fetare nga Shqipëria, Kosova e viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut
- Të respektuar autorë të veprës që po promovojmë sot
- Të nderuar pedagogë e studentë
- Të nderuar imam dhe efendilerë
- Vëllezër e motra

Kam kënaqësinë që sot në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, në emër të institucioneve dhe organeve të saja, si dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes e t’ju shprehi mirëseardhje në këtë aktivitet tonin, i cili organizohet në vigjilje të muajit të madhuar të Ramazanit, organizim ky që për sebep ka daljen në dritë të veprës “Ilmihal i zgjeruar”, projekt ky i ideuar, i realizuar e i finalizuar nga tri bashkësitë fetare islame shqiptare.
Rëndësia e kësaj vepre të cilën po e promovojmë sot, është e veçantë, jo për faktin se tek ne kanë munguar ilmihalë e doracakë për njohuritë bazike fetare, por si projekt dhe finalizim i përbashkët i bashkësive tona fetare, rikthen projektin e ulemasë sonë të cilët në fillet e literaturës islame në gjuhën shqipe, kur shkruanin e botonin, kishin për synim lexuesin e përbashkët të të gjitha trojeve tona, por që, siç dihet, një projekt i tillë nuk u realizuar dot për shkak të rrethanave shoqërore-politike e historike nëpër të cilat kaluam si popull dhe si vend.
Së këndejmi, “Ilmihalin” të cilin po e promovojmë sot, pas përkthimit në gjuhën shqipe të Kuranit, synon dhe është paraparë që të jetë vepra e cila do të ketë një shtrirje, lexim e përdorim në të gjitha xhamitë, bibliotekat, mejtepet dhe medresetë tona, jo vetëm për shkak të rëndësisë përmbajtësore që ka, por edhe për shkak se është botim i mbikëqyrur nga tri bashkësitë tona islame.
Kurse besimtarët tanë, tani e tutje, do të kenë në dorë një vepër për të mësuar gjërat themelore të fesë së tyre, dhe kjo do t’i shërbejë si atij besimtari që është në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër në trojet shqiptare, po ashtu edhe atij që është në Diasporën tonë.
Prandaj, botimin e këtij “Ilmihali” e quajmë si një të arritur të përbashkët të tri komuniteteve tona, por njëkohësisht e konsiderojmë edhe një projekt paksa të vonuar.

Të nderuar të pranishëm,

Sikur të na kërkohej që të jepnim një përkufizim të shkurtër për Ilmihalin si emër, si vepër dhe si përmbajtje, me pakë fjalë, do të thoshim se:
Ilmihali është doracakë kryesorë i cili shpjegon bazat themelore të mësimeve islame. Përmbajtja e një ilmihali është shumë domethënëse, e rëndësishme, sepse ai bënë fjalë për shartet e fesë islame dhe mënyrën e praktikimit të tyre. Ilmihali në të vërtetë paraqet një leksikon të bazave themelore fetare dhe të udhëzimeve për përshtatshmërinë e myslimanëve.
Në të vërtetë, vetë emri ilmihal e përmban gjithë këtë që po e themi. Sepse, sikurse e dimë, togfjalëshi “Ilmihal”, përbëhet prej dy fjalëve arabe: “ilm” (që domethënë “dije”, “shkencë”) dhe “hâl” – që domethënë “gjendje”, “situatë”, “moment”), me kuptim të gjerë të doktrinës islame, pra thënë ndryshe, “ilmihali është dije për hallin tonë, në pikëpamje të besimit dhe të praktikës së tij”.
Me një fjalë, ilmihali ka qenë dhe është simbol i arsimimit fillestar fetar; është sinonim i mejtepit dhe i muallimit.
Prandaj, një ilmihal, është po aq i rëndësishëm për një besimtarë që dëshiron të mësojë bazat e fesë së tij, po aq sa është e rëndësishme abetarja për dikënd që dëshiron të mësojë shkrim-leximin.
Prandaj, jo rastësisht, hartues dhe autorë të ilmihalëve janë institucionet dhe dijetarët përgjegjës dhe kompetentë.

Të nderuar të pranishëm,
Historikisht ndër ne janë mësuar dhe kanë qenë në përdorim disa ilmihalë. Koleksionet e dorëshkrimeve islame që kanë arritur deri tek ne, ruajnë një pjesë bukur të madhe të këtyre ilmihalëve, qoftë në dorëshkrim, qoftë të botuar. Tek ne, për shekuj me radhë është mësuar dhe ka dominuar “Vasijetnameja” e Imam Birgeviut, vepër kjo e cila ka pasur edhe ndikim tek autorët tonë të mëvonshëm që kanë shkruar ilmihale sipas këtij modeli. Më pastaj, dihet se janë mësuar dhe janë përdorur ku më shumë e ku më pakë, ku më shkurtë e ku më gjatë edhe “Ilmihali” i Muhamet Çamit, një pështatjee në gjuhën shqipe e “Vasijetnamesë” së Birgeviut, më pastaj “Vehbijja” dhe “Kitabut-Tenbihijje” të Tahir efendi Gjakovës, “Vasijetnameja” e Mulla Dervish Pejës, ”Huda Rabbëm” e hafiz Ali Riza Ulqinakut, “Mufessal Ilmihali” i Rexhep efendi Vokës së Tetovës, “Ilmihali” i hafiz Ibrahim Dalliut, “Ferrëfenjësi” i Said ef. Najdenit-Dibrës etj., pa i përmendur këtu edhe ata ilmihalë që janë mësuar dhe mbase vazhdojnë të mësohen nga pas Lufta e Dytë Botërore e këndej.
Sigurisht që midis këtyre do të ketë edhe autorë të tjerë që kanë shkruar apo kanë përkthyer ilmihal dhe na thotë mendja se të tillë ka edhe në dorëshkrime që presin dorën e studiuesve për të dalë në dritë dhe për t’u bërë pjesë e literaturës tonë.

Të nderuar vëllezër e motra

Pjesë e këtij vargu të gjatë të Ilmihalëve, tani është edhe “Ilmihali i zgjeruar”, i autorëve Ali Zaimi, Resul Rexhepi dhe Jusuf Zimeri, të cilin po e promovojmë sot. Ky botim, ç’është e drejta, përveç të përbashkëtave të përgjithshme me ilmihalët e tjerë, ka edhe disa veçori specifike të cilat i japin vlerë dhe e bëjnë më aktual.
E para, sikurse e thotë edhe vetë emri i tij, është një ilmihal më i zgjeruar si në aspektin përmbajtësor, po ashtu edhe në aspektin vëllimor.
E dyta, ky ilmihal është konceptuar që në radhë të parë u dedikohet fillestarëve, si çdo ilmihal tjetër, por ai do t’u hyjë në punë edhe të tjerëve që janë të interesuar të njohin bazat themelore të fesë islame, madje kjo vepër do t’ju hyjë në punë edhe nxënësve në medresetë dhe studentëve në fakultetet tona islame, pa e përmendur këtu rëndësinë e tij për punën praktike të imamëve dhe mualimëve tonë në mejtepe.
E treta, kjo vepër është shkruar në një gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshëm dhe me terminologji adekuate islame-shqipe.
E katërta, është punë e përbashkët dhe mund i tre autorëve, që deri më sot, tek ne është një risi në hartimin e ilmihalëve, prandaj dhe i përgëzojmë dhe i falënderojmë autorët jo vetëm për punën që kanë bërë, por edhe për këtë traditë të mirë që e kanë filluar.
Po ashtu, falënderoj edhe kryetarët e komuniteteve islame, haxhi Skënder Bruçajn, ish-kryetar i KMSH-së dhe Haxhi Sulejman ef. Rexhepin, Reisin e Maqedonisë së Veriut, të cilët pa asnjë hezitim mbështetën realizimin dhe finalizimin e këtij projekti.
Një mirënjohje të veçantë edhe të gjithë atyre që kontribuuan që ky Ilmihal të arrijë në duart e lexuesit myslimanë shqiptarë.

Të nderuar të pranishëm,

Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të saj, shprehim gatishmërinë dhe zotimin se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të përkrahim nisma dhe iniciativa për projekte të këtilla të përbashkëta.
Lusim Allahun xh.sh. që vepra të cilën po e promovojmë sot, të arrijë qëllimin tonë të dëshiruar dhe ky ilmihal të bëhet pjesë e pandashme e mejtepeve, bibliotekave dhe familjeve tona.

Duke ju falënderuar edhe një herë për praninë tuaj, ju përshëndes me selame!

Prishtinë, 17 prill 2019

Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.