Pulikthi, purqarku, fara e pulikthit (arab. hurf) (sallata franceze)

Pulikthi i kopshtit; gjuhëza - purqaku Lepidium sativum, Nasturtium

Imam Ebu Hanife ka thënë: "Pulikthi i kopshtit është bimë mjekësore, të cilën e ka përshkruar i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s." Kjo bimë e familjes së shtarcës, në gjuhën arabe quhet hurf. Njerëzit zakonisht e quajnë reshad, e ndër ta Ebu Ubejde e ka quajtur es-sufa'.

Në Merasil-in e Ebu Davudit është shënuar që Ibn Abbasi , r.a., ka cituar fjalët e të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., :"Sa dobi shëruese kanë fara e pulikthit dhe e alojes së bashku!"

Vetitë shëruese të pulikthit ujor gjenden në nxehtësinë dhe thatësinë e tij, që janë në shkallë të tretë. Fara e pulikthit ndihmon në mënjanimin e bubave të zorrëve, shëron sëmundjet e shkaktuara nga hurdhat, thanë formacionet e qelbëzuara të furunkulave, shëron të ënjturat, zvogëlon ënjtjen e shpretkës (lat. Splenomegalia), nxit epshin seksual dhe rrit sasinë e spermës.

Melhemi i bërë me pulikthin e kopshtit dhe mjaltit zvogëlon ënjtjet e shpretkës dhe ndihmon të sëmurët që kanë shpretkë të rritur. Fara e pulikthit e zier me kamfir, (1) vepron si ekspektorans (nxjerrje e këlbazës). Pirja e tretësirës së pulikthit të kopshtit ndihmon kundër thumbimit të insekteve, kurse tymi i pulikthit të kopshtit largon insektet.

Të fërkuarit e flokëve me ekstraktin e pulikthit të kopshtit mund të parandalojë (të ndërprejë) rënien e mëtejshme të flokëve. Vendosja e melhemit të përgatitur me pulikth të kërcejve të thekrës (epikotiledonare) dhe uthull mund të ndihmojë në shërimin e ishiasit dhe parandalon inflamacionin e fijeve nervore dhe ënjtjeve të nxehta gjatë kohës së rekonvalesencës. Vendosja e melhemit të përgatitur me farat e bluara të pulikthit të zbutura në ujë të njelmët ndihmon në pjekjen e të thatëve (furunkulave) nën lëkurë dhe mënjanon ata. Ngrënia e pulikthit të kopshtit ndihmon në përmirësimin e shëndetit të ligë, zvogëlon tensionin muskular, rrit oreksin, ndihmon të sëmurët astmatikë, zvogëlon vështirësitë gjatë frymëmarrjes, pastron mushkëritë, stimulon ciklin menstrual, zvogëlon dhembjet në rajonin lumbal dhe, përgjithësisht, ndihmon të sëmurët me ishijas. Pirja e tretësirës së përgatitur me fara të pulikthit të kopshtit shkrin këlbazën viskoze në gjoks dhe mushkëri dhe ndihmon pastrimin e këtyre organeve, ndërpren barkqitjet e shkurtra dhe vjelljen, si dhe zvogëlon sasinë e vrerit. Pirja e tretësirës në sasi prej pesë dramësh farë pulikthi nxit punën e zorrëve (peristaltika), mënjanon gazrat dhe zvogëlon dhembjet në veshka. Pirja e tretësirës së farave të pulikthit të bluara imët ndihmon të sëmurët lebrozë. Vënia e llapës me fara pulikthi dhe uthull në inflamacionet herpetike ndihmon shërimin e tyre, ndërsa fasho me po këtë tretësirë zvogëlon dhembjen e zakonshme të kokës që shkaktohet nga acarimet e mprehta. Lëngu që nxirret nga pjekja e farave të pulikthit ftoh natyrën individuale, sepse me pjekje lirohet vaji që përmbajnë farat. Larja e kokës me ujë të pulikthit të kopshtit heq papastërtitë dhe shpërlan lagështinë viskoze.

Galeni e ka krahasuar veprimin e farave të pulikthit me farat e sinapit, sepse që të dyjat kërkojnë të nxehen për t'u bërë të qarta vetitë e tyre mjekësore, dhe që të dyjat kanë veti të ngjashme mjekësore.

Pulikthi përmban një materie të hidhur, hekur, fosfor, squfur, kalcium-oksalat dhe jod dhe vitaminë E dhe glukozite. Prandaj kjo bimë meriton një kujdes të veçantë. Së pari, mund të përdoret me sukses te të sëmurët që kanë vështirësi në frymëmarrje, bile edhe ata që vujanë nga tuberkulozi; së dyti, mund të përdoret edhe te të sëmurët me diabet. Prof. Leon Bine ka vërtetuar se ekstrakti i pulikthit, që u është injektuar minjve eksperimentalë, parandalon rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të tumoreve. Mendohet se ka veti pastruese, vitalizuese, pastron gjakun, stimulon punën e shumë organeve vitale, shëron skorbutin (sëmundje që shkaktohet si mungesë e vitaminës C) etj. Është ilaç efikas për rregullimin e metabolizmit të çrregulluar. Edhe mjekët e kohës së vjetër, si Hipokrati, Diskoridi e të tjerë, e kanë përdorur këtë bimë si ilaç për mënjanimin e këlbazës te të sëmurët kronikë nga mushkëritë, në rastet e ngjirjes së zërit të këngëtarëve, artistëve dhe profesorëve, si dhe te dhembjet e grykës, fytit, laringut etj.



1. kamfir, lloj i kënasë (arab. hana).



MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED
Përktheu nga boshnjakishtja
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.