Kur pasioni kthehet në profesion

Punimet handmande kanë filluar të preferohen shumë kohëve të fundit. Por, përse po kthehen kaq shumë në trend?

Nuk besoj se ka një arsye të vetme specifike për këtë fakt. Kohët e fundit është vënë re ky përqëndrim i vëmendjes në produktet e ashtuquajtura “handmade”.
Njerëzit ndoshta janë të lodhur nga produktet industriale të prodhuara në masë. Nuk bëhet fjalë për produktet bazë të përditshmërisë, por për rastet kur vërtet kërkon një produkt të veçantë dhe ndryshe: për vetën ose për njerëzit e tu të dashur. E megjithatë, termi “handmade” ka marrë ngjyrime të ndryshme me kalimin e kohës. Një pjesë kanë tendencën t’i mendojnë produktet e punuara me dorë, si produkte me cilësi të ulët dhe të papajtueshme me kërkesat e tyre, ndërkohë që një pjesë tjetër e shikon si një profesion të veçantë dhe unik.
Pavarësisht faktit se çfarë përfshin ky nocion, ajo çfarë ka rëndësi të theksohet është “boom-i” që po shënon ky lloj profesioni dhe vlerësimi në rritje nga njerëzit për të gjithë punën mbi produktet e punuara me dorë.
Ndërkohë që artizanët në kushte te vështira vazhdojnë të punojnë me dashuri e pasion për të sjellë produktet e tyre unike, ajo çka duhet sjellë në vëmendje është se njerëzit të cilët kanë nisur aktivitetet e tyre për të sjellë produkte të veçanta në treg, duhet mbështetur dhe përkrahur për ecurinë në të ardhme. Dy prej tyre do t’i njohim këtu: Flora Kacmolli Allaisufi nga qyteti i Durrësit dhe Aurelda Dizdari nga qyteti i Shkodrës. Të dyja vijnë nga qytete me kultura dhe tradita shekullore, e ndoshta ky është një tregues se dashuria për të bukurën mbartin gjenet e tyre.
Dy zonja të talentuara dhe aktive, prej disa vitesh kanë nisur të merren me punimet artizanale, por njëkohësisht janë dy nëna dhe familjare të përkushtuara.
Falë kreativitetit dhe dizajnit mahnitës të punimeve të tyre, të cilat reklamojnë dhe i prezantojnë në rrjetet sociale, ato kanë filluar të kenë shumë kërkesa.
Në këtë intervistë do të njiheni gjerësisht me këto duararta, të cilat do të na zbulojnë pak nga sekretet se si i realizojnë punimet kaq interesante dhe të bukura.


Flora Kacmolli Allaisufi


“Jeta më ka mësuar që kur deshi roj te arrij diçka, më mjafton vullneti dhe këmbëngulja dhe ia arrij me ndihmën e Zotit.”



Si ka lindur tek ju pasioni për punimet handmade?


Dashuria për punët artistike, ka lindur te unë që në moshë të vogël, fare natyrshëm. Babai im ka patur dhunti për të punuar me drurin, xhamin dhe shumë materiale të tjera dhe krijonte me to punë artistike që unë sot
si arrij dot, por ai dhe pikturonte shumë bukur. Madje në ato vite të varfra mbaj mend muret e shtëpisë sime ishin imitim mermeri, të cilat
i pikturonte vetë im atë dhe të mbushura me punime të ndryshme druri dhe piktura që linin pa fjalë këdo që vinte për vizitë. Në momentet që gjente kohë të lirë dhe fillonte një punim, unë e shoqëroja duke e vëzhguar me admirim. E shikoja punën e tij si të paarritshme dhe përbrenda kisha një dëshirë të madhe të cilën shpesh e shprehja. Ah sikur të kisha marrë pak nga geni yt krijues! Dhe më vonë e kuptova që e paskam marrë. Sot i sheh ai punimet e mia dhe më pyet: Si e bëre këtë? Edhe këtë arrite ta bësh? Kjo ma shton kënaqësinë për të ecur përpara, duke mos llogaritur më asgjë si të paarritshme. Çdokujt Allahu i ka dhënë dhunti të veçanta, ne kemi detyrë për të zbuluar në cilën fushë fshihen dhuntitë tona.


Si nisët të merresh it me realizimin e punimeve artizanale, si lindi ideja?


Unë jam natyrë kreative. Kurrë s'më ka pëlqyer të hedh diçka poshtë pa e vlerësuar më parë, nëse mund ta fus në punë diku apo jo. Kur krijoja diçka, si fillim mendoja vetëm për fëmijët e mi ose thjesht për shtëpinë. Më pas kur pashë që këto punime artistike që bëja u pëlqenin nga familjarët, të afërmit dhe shoqëria, mendova t'i përkushtohem si punë dhe kreativitetin e mora seriozisht. Sot numëroj punime të shumta në materiale të ndryshme.


Sa lloje produktesh realizoni?

Punoj çdo gjë që më shkon në mendje, me materiale çfarë të më dalin përpara. Mund të them që punimet e mia deri tani janë të shumta dhe nuk mendoj të ndalem, duke krijuar përditë gjëra të reja.





Për cilat kategori produktesh janë kërkesat më të mëdha?

Nëse kërkojnë diçka të veçantë për dhuratë, preferojnë punime të personalizuara. Është bërë trend i kohës që dhuratat të cilat i porosisin për dikë në ditë të veçanta. t'i bëjnë të personalizuara madje dhe me një thënie
që dikur e kanë patur të vetën, apo një datë të caktuar etj. Sa më i imët dhe me detaje punimi, aq më i kërkuar bëhet. Por nuk mbeten mbrapa dhe punimet për shtëpi, qofshin këto në filigran apo pirografi.


Si e promovoni punën tuaj?

Nuk kam bërë diçka të madhe për të promovuar punën time të dorës për shkak se nuk jam e angazhuar me të në çdo moment. Unë kam edhe angazhime të tjera që kërkojnë kohën e tyre. Me punët artistike merrem
kur gjej kohë të lirë, por edhe kur me vjen frymëzimi për te bërë diçka të re. Punimet e mia i kam nxjerrë nëpër panaire brenda dhe jashtë vendit. sa herë kam qenë e ftuar. Në vitin 2017 kam patur kënaqësinë të marr pjesë me punimet e mia handmade, në një ekspozitë që u organizua në Hotel Plaza, aktivitet ky i Shoqatës Kulturore "Gruaja. Por, mendoj që reklamën më të mirë punës sime, ia bëjnë vetë punimet e mia. të cilat mundohem t'i perfeksionoj në maksimum. Dhe faleminderit Zotit që komentet për secilin punim deri më sot kanë qenë gjithmonë pozitive me superlativa.


A keni hasur vështirësi në punën tuaj? Cilat janë sfidat me të cilat përballeni?

Vështirësia ime e momentit është që s'kam një vend ku të punoj dhe ti reklamoj punimet e mia. Uroj që në të ardhmen të kem një vend ku aty të realizoj dhe njëkohësisht t'i reklamoj punimet. që njerëzit ri shohin nga afër dhe të japin vlerësimin e tyre, por dhe porosinë ta bëjnë pa hamendësime. Interneti ta jep mundësinë e reklamimit, por asgjë tjetër nga ato që unë dua. Llojin e punimit, materialin apo cilësinë e punës asnjëherë s'mund ta shpjegosh nga kompjuteri. Puna e pastër është ajo që vlerësohet përballë.


A është e vështirë gjetja e bazës materiale?

Disa materiale i gjej këtu, ato më të zakonshmet me të cilat punojnë dhe fëmijët. por shumë të tjera që janë të nevojshme për punën time i porosis me anë të internetit ose me anë të afërmve të mi jashtë vendit. Për disa lloje punimesh as bazat nuk arrij II gjej këtu ndonjëherë. Edhe nëse pas shumë kërkimesh i gjej, i marr me një çmim që jashtë mund të
blija 5 të tilla dhe të një cilësie jo shumë të mirë. Vështirësinë më të madhe e has me materialet e drurit, të cilin më duhet ta pres vetë me dorë duke përdorur sharrën e dorës apo daltat dhe limat e drurit për të fituar një formë te vogël. Këtu te ne nuk ekziston një vend ku mund të gjejmë materiale të tilla gjysmë të gatshme, të cilat do të na lehtësonin punën. Shpesh më është dashur të mendoj diçka tjetër dhe të realizoj diçka tjetër, për shkak të zëvendësimit të materialeve. Megjithatë edhe kjo vështirësi ka të bukurën e saj, sepse na ndihmon ne krijimtari ne artizanëve të vegjël.


Paraja apo pasioni: cili ju motivon mi tepër në punë?

Njeriun e motivon ajo që i mungon më tepër. E vërteta është që pasioni është ai që të shtyn të punosh. Pa patur pasion, s'mund të ngrihesh nga vendi dhe jo t’i hysh një pune, e cila kërkon orë të tëra përkushtimi për ta realizuar, madje dhe shumë dashuri për ta përfunduar. Ndërsa paraja pa diskutim është ajo që të motivon të ecësh përpara. Në bazë të saj t'i thur ëndrrat për të ardhmen e punës tënde. Ajo të ndihmon të zgjerosh biznesin tënd me sa më shumë punime, qoftë edhe prej materialeve cilësore të cilat bëhen dhe më të kërkueshme nga blerësit. Puna e dorës është e lodhshme, por këtu asnjëherë nuk paguhet për aq sa vlen në të vërtetë. Në përgjithësi njerëzit nuk ta llogarisin harxhimin e kohës dhe mundin qe ke shpenzuar.
Sinqeriteti është cilësia që admiroj më tepër, ndaj s'dua te tregohem egoiste dhe të them që punoj për pasion. Pasioni asnjëherë s'më ka munguar, por në momentin kur vendosa që artin tim ta ndaj me të tjerët dhe ta kthej ne një farë mënyre në mjet përfitimi për veten dhe familjen, unë do cilësoja si motivuese paranë, e cila merr pikënisjen nga pasioni dhe të lehtëson rrugën drejt suksesit.


Relativisht, sa kohë harxhoni për një punim?

Kjo varet nga lloji i punimit. Unë punoj me një sërë materialesh dhe nuk harxhoj të njëjtën kohë për të gjitha. Tjetër kohë kërkon puna
e drurit, tjetër puna me xhamin, tjetër guri, Komplet tjetër janë punët e personalizuara dhe ato më të imëta siç është filigrana. Ka patur punë që më kanë zgjatur 1 orë, ka dhe prej tyre që më kanë marrë kohë 1 javë e më tepër. Koha varion në bazë të punimit, madhësisë dhe materialit që përdor. S'ka minutazhë që mund ta masë kohën që harxhoj me punën e dorës. Më ka qëlluar shpesh ta nis për 1 orë dhe e kam parë veten të zbardhi dita tjetër e më ka gjetur duke punuar.


Cili mendoni se është çelësi i suksesit në punën tuaj?

Mbështetja te Zoti dhe falënderimi i Tij në çdo situatë. Ndihem e kënaqur me atë që më është dhënë dhe mundohem ne maksimum të shfrytëzoj atë çfarë kam. Nga ana tjetër vlerësoj mbështetjen e bashkëshortit tim në momentet që has vështirësi dhe konsultohem me të si mikun me të mirë, e kjo për mua është baza e çdo suksesi. Asnjëherë s'mërzitem kur nuk arrij aty ku dua me punën time dhe nga ana tjetër kurrë se humb shpresën të ngulmoj për të arritur atë që dua. Jeta më ka mësuar që kur deshi roj te arrij diçka, më mjafton vullneti dhe këmbëngulja dhe ia arrij me ndihmën e Zotit.


Sa ndikimi ka besimi në Zot në jetën tuaj dhe veçanërisht në aspektin
profesional?

Nëse besimi në Zot, ka zënë vend ne zemrën time, atëherë Ai jeton me mua çdo ditë, çdo moment dhe në çdo situatë, duke ia shtuar vlerën dhe bukurinë jetës sime, qoftë kjo në familje, në punë, në marrëdhënie me njerëz... etj. Kush e vendos Zotin përpara, asnjëherë s'do mbetet i fundit! Më pëlqen kjo thënie, ia vlen ta kesh motiv jete.


Mesazhi juaj për ata të cilët kanë pasione të tilla, por kanë frikë lë guxojnë?

Unë mendoj që nëse dikush është i dashuruar pas diçkaje, nuk pret të dëgjojë shumë këshilla, por provon çdo mënyrë për
të qenë afër me atë çfarë dëshiron. Puna e dorës nuk kërkon një buxhet të madh për të filluar, por pa diskutim kërkon një dashuri të madhe dhe një përkushtim, dhe që të dyja këto nuk kushtojnë aspak dhe nëse s'i ke vetë, nuk të jepen me anë të këshillave. Çdo njeri duhet të besojë te aftësitë e veta dhe duhet ta shfaqi dhuntinë që i ka dhënë Zoti. Kjo punë përveç kënaqësisë, s'të fal asnjë ndjenjë që ta vështirëson jetën. Te paktën kjo ka ndodhur me mua dhe kështu dëshiroj ta përjetojnë dhe të tjerët që kanë të njëjtin pasion.


Aurelda Dizdari


“Çelësi i suksesit në punimet e dorës është përkushtimi dhe cilësia”





Si ka lindur tek ju pasioni për punimet handmede?

Së pari ju falënderoj për intervistën!
Ndihem e vlerësuar nga ana luaj.
Ka ndodhur krejt rastësisht pasi gjithmonë më ka tërhequr arti dhe e bukura.


Si niset të merreshit me realizimin e punimeve artizanale, si lindi ideja?

Në fakt nuk e kujtoi mirë se cila ka qenë gjëja e parë që kam realizuar.
Çdo gjë ka filluar rastësisht me sajimin e gjërave të vogla. Normal që duke qenë e profilit biologe, kopshtaria më ka tërhequr gjithmonë dhe fillimet e mia ishin mbi ricklimin e gjërave, duke dekoruar pikënsht kopshtin tim. Pra kështu fillova nga pak të krijoj një ambient të këndshëm, i cili filloi t’i tërhiqte edhe miqtë e mi. Për mua riciklimi është shumë i vlefshëm dhe kreativ, ka më pak kosto dhe normal ka jetëgjatësi. Pastaj, kjo punë filloi të përhapej nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale. Me kalimin e kohës idetë dhe punimet filluan të zgjeroheshin.


Sa lloje produktesh realizoni?

"Nuk ka asgjë që s'bëhet" është një shprehje.
Ideja është që duke patur materialin bazë nuk është e vështirë të realizohet produkti.
U bënë pak a shumë 2 vite që merrem me punime dore. Nuk mund ta përcaktoj sesa lloje janë realizuar deri tani, normal janë bërë shumë dhe kreativiteti nuk ka kufi besoj. Gjithmonë kur e kam një element në dorë rri e mendoj se çfarë mund të realizohet me të, Më kujtohet para shumë vitesh kur kam qenë më e vogël, gjithmonë kur blija bizhu ose aksesorë, i prishja dhe i ribëja siç kisha dëshirë. Pra, më pëlqen shumë të sajoj.
Mund të theksoj faktin se më pëlqejnë produktet që realizohen me elementë krejt natyralë dhe rezultati është unik.





Për cilat kategori produktesh janë kërkesat më të mëdha?

Sot është bërë trend shumë puna e dorës për të dekoruar shtëpitë, institucione të ndryshme, gëzime familjare, si dasma, ditëlindje etj. Kërkesat më të larta janë në sezon festash, sepse njerëzit angazhohen më tepër, por edhe periudha tjetër nuk mbetet mbrapa.
Produktet që kërkohen më tepër janë të ndryshim. Duke filluar nga aksesorët për femra, produkte të personalizuara, dhurata e pastaj duke kaluar në gjëra më të mëdha si dekorimet e ambienteve.
Në përgjithësi kur do të realizohet një event, puna e dorës do të krijohet në set, pra disa elementë që do të zbukurojnë disa pjesë të vendit ku do të zhvillohet,
Kërkesë më të madhe kanë elementët dekoruese për festa (party).


Si e promovon i punën tuaj?

Sot për sot ndihmë e madhe për të gjithë personat që duan të promovojnë diçka është bërë interneti.
Në fakt mua më ka ndihmuar shumtë, sepse përveç punës së dorës kam kohë që të merrem me fotografinë.
Më pëlqen shumë fotografia makro, detajet, elementet, pra mbetem tek ky stil. Duke ndërthurur fotografinë së bashku me punën e dorës normal që ka më shumë rezultat në paraqitje.
Duke promovuar punën nëpërmjet internetit kanë filluar edhe shitjet e para. Normalisht që Shkodra njihet për punën artizanale dhe i jep përparësi nëpërmjet panaireve ku jam bërë pjesë e tyre herë pas here. Theksoj dhe jam mirënjohëse të gjithë personave që blejnë nga puna ime dhe më reklamojnë shpesh.


A keni hasur vështirësi në punën tuaj? Cilat Janë sfidat me të cilat përballeni?

Për momentin vështirësi nuk mund ta quaj, por duke qenë familjare normal nuk kam shumtë kohë në dispozicion, por avash avash çdo gjë.


A është e vështirë gjetja e bazës materiale?

Po, sepse gjithmonë kam qejf të realizoj diçka të veçantë, duke përjashtuar rastet kur të paraqesin një model. Është e vështirë për arsye, sepse në treg në përgjithësi gjërat janë të gatshme, por me pak durim edhe gjenden. Normal që edhe blerjet online të ndihmojnë, madje edhe udhëtimet i shtrytëzoj për të blerë gjithmonë gjërat që më nevojiten.


Paraja apo pasion: cili ju motivon më tepër në punë?

E gjitha kjo ka lindur nga pasioni dhe kështu do të vazhdojë gjithmonë.


Relativisht, sa kohe harxhoni për një punim?

Gjithmonë varet se çfarë do të realizohet. Ka punime që duan pak orë, ndërsa disa të tjera duan dhe ditë, por mundohem ta menaxhoj kohën me aq mundësi sa kam, sepse familja ka shumë angazhime.


Cili mendoni se është çelësi i suksesit në punën tuaj?

Përkushtimi dhe me kalimin e kohës fillon e perfeksionohet puna dhe cilësia e produktit. Besoj se duhet të pyesni ndjekësit e mi për këtë pyetje.


Sa ndikim ka besimi në Zot në jetën tuaj dhe veçanërisht në aspektin profesional?

Jeta Ime është e ndërtuar të ndjekë rrugën e Zotit. Besoj që kjo është vetmja mënyrë që të kem një jetë të shkëlqyer. Ky është çelësi i suksesit mendoj.
Të jemi gjithmonë falënderues ndaj Zotit për çdo që na sjell kjo jetë.


Mesazhi juaj për ata të cilët kanë pasione të tilla, por kanë frikë të guxojnë?

Unë mendoj se gjithmonë ndryshimi fillon nga vetja. Jetojmë në një vend paragjykimesh, ndoshta kjo është arsyeja që të pengon të hedhësh në hap të madh. Edhe pse brezi im ka bërë përpara shumë në sensin e mirë.
Sot jam kjo që jam falë dëshirave që kam ndjekur dhe jam përpjekur gjithmonë për t’i realizuar. Edhe pse kjo botë është kalimtare, pa diskutim njeriu duhet të jetë ambicioz për veten për aq kohë sa të jetojmë. Një njeri që ndjek pasionin është thjesht vetvetja.



Armida Plumbi
Revista ''Familja'', Shkurt 2018

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.