Ramazani dhe pranimi i lutjeve

“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai Më lutet Mua. Prandaj, për të qenë të udhëzuar, ata le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të Më besojnë Mua” (El-Bekare, 186)

Në kuadër të ajeteve paraprake ku obligohet agjërimi, dhe atyre vijuese, ku sqarohen dispozita të agjërimit, hasim një qasje mahnitëse dhe të çuditshme që depërton thellë në shpirtrat tanë, meqë shprehet një kompensim lehtësues ndaj vështirësive të agjërimit me shpërblim të shpejtë - me pranim të lutjeve tona. Ky ajet vjen pas dëshmisë hyjnore se Kur’ani, i cili është udhëzues për njerëzit, ka filluar të zbresë në Ramazan; kjo për të na sqaruar se devotshmëria që arrijmë përgjatë agjërimit, na bën të gatshëm për t’u pranuar duaja-lutja jonë, e cila nuk ka synim esencial pranimin e lutjes, por adhurimin e Krijuesit. Me fjalët e shprehura në këtë ajet të pranimit të lutjeve me plot dashuri, ledhatim, inkurajim, butësi dhe afërsi me Krijuesin, a thua si mund të ketë nga agjërimi lodhje dhe vështirësi?Allahu xh.sh. këtu ka përmendur shprehjen “robërit e Mi”, ndërsa përgjigjen ndaj tyre e ka shprehur drejtpërdrejt, dhe nuk ka përdorur shprehjen: “thuaju atyre”, por ka thënë drejtpërdrejt: “Unë jam afër”.

Allahu xh.sh. pranon lutjen pa asnjë lloj ndërmjetësuesi

Kështu, Ai, me Qenien e Tij të lartë, merr përsipër përgjigjen ndaj robërve të Tij me përdorimin e shprehjes “Unë jam afër”. Ai, gjithashtu, nuk tha: “Unë dëgjoj lutjen”, por shpejtoi duke thënë: “i përgjigjem lutjes së lutësit, kur ai Më lutet Mua”.(1)
Ardhja e përgjigjes hyjnore drejtpërdrejt për pyetjen e parashtruar për Muhamedin a.s. dhe jo nëpërmes shprehjes “thuaju (o Muhamed) atyre”, e cila largon afërsinë e lutësit me Krijuesin, - tregon qartë afërsinë e Allahut xh.sh. me rastin e përgjigjes-pranimit të lutjes pa asnjë lloj ndërmjetësuesi.(2)
Në këtë ajet shprehet qartazi premtimi i Zotit Fuqiplotë, që të pranojë lutjen e lutësit, një fakt i cili konfirmohet me përdorimin në origjinal të “idha” – “kur”, derisa lutja nuk përmban ndonjë mëkat apo shkëputje – prishje të raporteve familjare, prandaj Muhamedi a.s. thotë: “Nuk ka besimtar që lutet me ndonjë lutje, e cila nuk përmban ndonjë mëkat e as shkëputje të raporteve familjare, e të mos i japë Allahu një prej këtyre tri gjërave: (ose) ia shpejton pranimin e lutjes në këtë botë, (ose) ia deponon për Botën tjetër, dhe (ose) me atë lutje i largon një të keqe sikurse ajo (e mirë nga pesha)”.(3)
Derisa besimtari shijon kënaqësinë e agjërimit, atëherë falënderon Allahun xh.sh., prandaj në përputhshmëri me këtë fakt, Krijuesi atij i dhuroi këtë dhuratë me fjalët: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin ty për Mua Unë jam afër”, dhe ja, Allahu xh.sh. konfirmon se besimtari, meqë shijon madhështinë e agjërimit, falënderon dhe madhëron Atë.(4)
Muhamedi a.s. thotë: “Tre personave nuk u kthehet lutja mbrapsht: Agjëruesit derisa të hajë iftar, udhëheqësit të drejtë, dhe duaja-lutja e atij që i është bërë e padrejtë, Allahu e ngre atë lart dhe i hap dyert e qiellit e thotë: “Pasha krenarinë Time, do të të ndihmoj patjetër qoftë edhe pas një kohe”.(5)
Shprehja ‘robërit” ka për qëllim besimtarët që ndiejnë me plot sinqeritet se adhurimi i përket vetëm Allahut xh.sh. dhe ndiejnë kënaqësi e shfaqin përkushtim të plotë. D.m.th., “...kur ata të pyesin ty për Mua, Unë jam shumë afër...” anës shpirtërore të tyre, ”... kur ata ndiejnë sinqerisht adhurimin ndaj Meje, ndërsa Unë jam afër tyre me përkujdesje dhe mbikëqyrje”.(6)

Krijuesi bën thirrje besimtarëve që të agjërojnë Ramazanin

Allahu bën thirrje që t’i drejtohemi Atij me lutje, ngase Ai është afër besimtarëve dhe i pranon ato menjëherë.(7)
Transmetohet se shkak i zbritjes së këtij ajeti ishte rasti i betejës së Hajberit, kur besimtarët iu lutën Allahut xh.sh. me zë të lartë, e Muhamedi a.s. u tha: “O ju njerëz, mëshironi vetveten, ju nuk jeni duke lutur të
shurdhrin e as dikë që nuk është i pranishëm, ju jeni duke lutur Atë Që ju dëgjon dhe është afër jush, është me ju”.(8)
Me këtë rast Zoti Fuqiplotë premton pranimin e lutjes së besimtarëve, të cilët ndiejnë fuqishëm madhështinë e adhurimit ndaj Tij, ndiejnë sinqerisht afërsinë tek Krijuesi dhe vetëm tek Ai mbështeten për çdo gjë, sikur lutjet e tyre mishërohen me ta dhe ata luten, për se Allahu xh.sh. thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin ty për Mua, Unë jam afër”, prandaj, edhe ka përdorur në origjinal “idha” –“kur”, që dëfton konkretisht ndodhjen e pyetjes nga ana e tyre, meqë ata me atë rast vepronin me përkushtim dhe sinqeritet të plotë. Afërsia e theksuar në ajet, nuk ka për qëllim afërsinë nga aspekti i vendit, por nga aspekti i kënaqësisë dhe mëshirës së Allahut xh.sh. ndaj lutësit, ashtu siç thotë Ai: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmëni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”!(9)
Pjesa e ajetit “Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë” - tregon se lutja është adhurim-ibadet.
Se lutja është adhurim, këtë e vërteton edhe thënia e Muhamedit a.s., i cili thotë: “Lutja (duaja) është (truri) esenca e adhurimit”.(10)
Lutja paraqet adhurim ndaj Krijuesit, shprehje të dëshirës për të mirë, dhe lartësim të Krijuesit tonë.
Duaja - lutja bëhet dhe pranohet kur kemi plot sinqeritet, devotshmëri dhe i përmbahemi ligjit hyjnor të Allahut xh.sh. dhe me atë rast s’ka nevojë të ngrihet zëri, ngase Ai di dhe dëgjon çdo gjë, prandaj Ai e dëshmon këtë fakt: “Ne jemi më afër tij se damari i qafës së tij”.
Meqë lutja ka një rëndësi të veçantë, Allahu xh.sh. ka afruar tek Vetja e Tij ata që I luten, prandaj thotë: “Prandaj, ata, për të qenë të udhëzuar, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të Më besojnë Mua”, kjo, sepse duaja-lutja kërkon përgjigje, dhe derisa ti, o besimtar, kërkon përgjigje-pranim të lutjes, atëherë përmbaju ligjit të Tij dhe do ta marrësh përgjigjen pozitive nga Ai.
Njeriu besimtar duhet të kuptojë patjetër të mirën dhe rrugën drejt së mirës dhe të lutet për të mirë, sepse, nëse nuk përfillet kjo, atëherë dikush mendon se është lutur për diçka të mirë dhe ajo është jo e mirë, e personi i tillë mund të thotë: Përse nuk po më përgjigjet Allahu? Le ta dijë ky lutës se Allahu xh.sh. nuk i përgjigjet diçkaje kur lutësi ka menduar që po lutet për diçka të mirë, po e vërteta nuk është ashtu, Krijuesi thotë: “Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (por Zoti nuk i pranon lutjet e tij për keq), njeriu (nga vetë natyra) është i ngutshëm”.

Allahu xh.sh. di gjithçka rreth besimtarëve, i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve

Për t’u pranuar lutja jonë, doemos duhet t’i përmbahemi Ligjit të Krijuesit, ngase ajo nuk pranohet kur punojmë në kundërshtim me Ligjin e Tij, ashtu siç veproi një njeri në kohën e zbritjes së Kur’anit, ai iu lut Allahut xh.sh., por Muhamedi a.s., me atë rast, pati thënë: “Ushqimi i tij është nga e ndaluara (harami), veshmbathja është nga e ndaluara, ushqehet nga e ndaluara, e si t’i pranohet duaja të tillit”?
Besimtari i devotshëm, me rastin e lutjes nuk e bën qëllim kryesor pranimin e saj-përgjigjen hyjnore, por adhurimin e Krijuesit. Fuqiploti thotë: ”Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte (nuk do të kujdesej për ju), sikur të mos ishte lutja juaj”.
Derisa lutja ka vlerë të lartë, atëherë Allahu xh.sh. i ka bërë të afërt tek Ai ata që I luten, për se thotë: “Prandaj, ata, për të qenë të udhëzuar, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të Më besojnë Mua”. Në origjinal “(fe)ljestexhibu li” – “le t’i përgjigjen thirrjes Sime”, pjesëza “fe” sqaron kushtëzimin që mendohet në aspektin e përmbajtjes, që d.m.th.: “...nëse Unë jam afër tyre, atëherë i pranoj lutjet e tyre dhe pranoj adhurimin e tyre, ngase duaja është adhurim dhe kërkim ndihme nga Unë. E nëse Unë jam i tillë me ju, atëherë, përgjigjuni thirrjes Sime duke Më adhuruar vetëm Mua...”, duke qenë të devotshëm, duke vepruar me drejtësi, duke luftuar të keqen dhe padrejtësitë dhe duke rregulluar raportet ndërmjet jush. Të tillët le të Më besojnë Mua si të vetmin Krijues, i Cili ka krijuar dhe ka shpikur çdo gjë, le ta ndjekin Ligjin Tim hyjnor në çdo çështje dhe vetëm tek Unë të mbështeten. Kjo nënkupton se besimi i sinqertë në Krijuesin dhe zbatimi i Ligjit Tij në çdo sferë të jetës, është rruga e vetme e udhëzimit në këtë jetë.
Ja, Zoti Fuqiplotë, pasi i urdhëron besimtarët për agjërim dhe madhërim e falënderim ndaj Tij, sjell këtë ajet, i cili tregon se Allahu xh.sh. di gjithçka rreth besimtarëve, i dëgjon ata dhe u përgjigjet lutjeve të tyre. Ai konfirmon prerazi afërsinë e Tij me lutësit dhe premton pranimin e lutjeve të tyre.(16)
Ramazani me përkushtim rezulton devotshmëri, e devotshmëria rezulton pranimin e lutjeve tona!



(1) Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kur’an, v. I, f. 173, 1996, Daru esh-shuruk, Bejrut
(2)Tefsiru Esh-Sharavi, v.II, f. 781, pa vit botimi, Ahbarul jevm, Kajro
(3) Ruhul Meani fi Tefsir El-Kur’an el-Adhim ve es-seb’ul methani, Imam Alusi, f. 64, komentimi i xhuzit II, Ihja et-turathul arabijj, Bejrut. Ndërsa hadithi transmetohet në sahih nga Ebi Seidi
(4) Tefsiru Esh-Sharavi, f 780
(5) Tefsir El-Kur’an El-Adhim, Ibn Kethiri, v.I, f. 219 pa vit botimi, El Mektebetu Tevfikije, Kajro. Hadithin e transmeton Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Nisaiu dhe Imam Ahmedi në mesnedin e tij nga Ebu Hurejre
(6) Muhamed Ebu Zehra, Zehretu et-Tefasir, f. 562, pa vit botimi, Darul fikr el-arabijj, Kajro
(7) Gjithashtu transmetohet nga Ibn Ebi Hatim se një beduin (arab) e pyeti Muhamedin a.s.: A është Zoti ynë afër që ne t’i lutemi (me zë të ulët), apo është larg e ne ta thërrasim? Muhamedi a.s. heshti dhe nuk iu përgjigj. Pas pak Allahu xh.sh zbriti këtë ajet. Tefsiri i Ibni Kethirit, f.218
(8) Ahmed Mustafa El-Meragi, Tefsirul-Meragi, komentimi i xhuzit të II, f. 75, bo.I, 1946, Kajro.
(9) Gafir 60
(10) Zehretu Et-Tefasir, f. 562, hadithin e transmeton Tirmidhiu nga Enes bin Maliku.



Mr. Adnan Simnica

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.