Agjërimi nën hijen e ajeteve kuranore

“O ju që besuat, agjërimi (saum) ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183)

“Njeriu është mjek i vetvetes. Nëse trupi nuk është i pastruar, sa më shumë që ta ushqesh, aq më shumë do ta dëmtosh.” (Hipokrati, mjek grek)
Një nga lutjet e obligueshme themelore të fesë islame është edhe agjërimi gjatë muajit të Ramazanit. Ja se çfarë thotë Kurani i madhërishëm për rëndësinë e muajit të Ramazanit dhe agjërimin: “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.”

AGJËRIMI ËSHTË IBADET

Që me shfaqjen në tokë të njeriut të parë, midis shumë detyrash përkundrejt Krijuesit të tij ishte edhe agjërimi, që prej tij të kish dobi si trupi, ashtu edhe shpirti.
Meqë njeriu është qenie dualiste, i përbërë prej dy komponentësh, shpirtit dhe trupit, në të ndeshen interesat e shpirtit dhe të materies. Shpirti ka prejardhje hyjnore dhe është i pajisur me besim dhe ideale të larta, kurse trupi ka prejardhje tokësore; mu për atë ka edhe karakter material.
Allahu fuqiplotë, duke njohur natyrshmërinë e njeriut, aftësitë dhe dobësitë e tij, njerëzimit i dërgoi profet dhe i zbriti libër për t’i drejtuar në rrugë të vërtetë, ku nëpërmjet të dërguarve njerëzimit ia mësoi të besuarit në një Zot dhe si t’i zbatojë dispozitat dhe urdhrat e Tij.
Ibadetet në Islam janë të ndryshme; disa prej tyre shprehen me fjalë, si: lutjet e ndryshme, të përmendurit e Allahut (xh. sh.), thirrja në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, të mësuarit etj. Disa ibadete shfaqen me lëvizje trupore, siç është Namazi, apo materiale, siç është Zeqati, apo të dyja së bashku, si: Haxhi. Por, ekzistojnë ibadete që nuk janë as fjalë, as vepra, por janë vetëm përmbajtje, siç është agjërimi.
Është e natyrshme që Allahu i madhërishëm për ta zbritur Librin më të vlefshëm, krijesës më të dashur, të zgjedh edhe muajin më të mirë, që të jetë nikoqir për t’u obliguar në të ky ibadet vjetor - agjërimi.
Ramazani është muaji i nëntë sipas kalendarit islam, kurse muaji zgjat 29 ose 30 ditë bazuar në vëzhgimet pamore të hënës së re dhe sipas llogarive të shumta të hartuara në hadithe të Pejgamberit (a. s.).
Fjala Ramazan vjen nga arabishtja, që do të thotë vapë ose thatësirë. Për agjërimin islam, i Plotfuqishmi zgjodhi këtë muaj të bekuar, i cili në shpirtin e myslimanit zë një vend të posaçëm. Në këtë muaj zbritën ajetet e para kuranore, të cilat i barti shpirti besnik (Xhibrili) deri në zemrën e besnikut, Muhamedit (a. s.).
Agjërimi është ibadeti në të cilin manifestohet vullneti, respekti, si dhe vendosmëria e plotë e besimtarit me Krijuesin e tij, me qëllim të ngritjes së vetëdijes, duke harruar që të gjitha kërkesat trupore, të gjithë këtë e bën me të vetmin qëllim që të arrihet kënaqësia e Krijuesit.
Në anën tjetër, këtë e vërteton edhe shkenca, e cila flet për dobitë e agjërimit dhe ndikimin e tij në trupin e njeriut. Nga urtësitë e tij është që ta përgatit besimtarin që t’u bëjë ballë vështirësive dhe sfidave të jetës dhe të ngrejë vetëdijen e tij që të kryejë me sukses misionin e tij mbi tokë dhe përgatitjen e tij për shpërblimet në botën e ardhshme.

ADHURIMI ËSHTË DUKURI QË E VËRTETON BESIMIN

Sipas rregullave islame, adhurimi është pjesë elementare e cila duhet kryer sipas rregullave që kërkohen. Ibadeti është ai që e bën besimin të gjallë në shpirt, të ndjejë ngrohtësi dhe e shndrit atë.
Duhet të dimë se feja nuk i detyron njerëzit me pranga në dorë në adhurim, por ajo që i çon është devotshmëria, ngase kjo fe është fe e Allahut fuqiplotë. Mu për atë ky obligim i dedikohet vetëm Zotit të botëve.
Të gjitha parimet e Islamit, duke filluar nga besimi, adhurimi, etika, nuk janë kurrgjë tjetër përpos se mbulesë me të cilën vishet besimtari, që të demonstrojë adhurimin e tij komplet që ka ndaj Zotit.
Qëllimi i ibadeteve nuk është ashtu siç supozojnë disa skeptikë, se janë rituale trupore siç janë namazi, zeqati, agjërimi haxhi, ku pas këtyre ritualeve njeriu është i lirë, çka dëshiron bën.
Ai individ që mendon kështu nuk e njeh religjionin islam, ngase besimtari nuk është krijesë e Allahut vetëm në momentet e namazit, agjërimit, haxhit, por ai është në monitorim në çdo lëvizje dhe sjellje të tij. Një realitet të tillë më së miri na e përshkruan ajeti kuranor në të cilin thuhet: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i myslimanëve (i pari që pranoj dhe i bindem)!” (El En’am: 162-163)
Nëse njeriu do të arrinte ta kuptonte këtë realitet, atëherë me siguri do të dinte esencën e rregullës islame dhe dallimin e saj nga ligjet tjera. Do të kuptonte lidhshmërinë mes tij dhe kësaj rregulle. S’do mend se kjo është të nënshtruarit vetëm Zotit të madhërishëm.

NDIKIMI I IBADETIT NË JETËN E PËRDITSHME

Nga e sipërtheksuara arrijmë të kuptojmë se adhurimi sipas konceptit islam nuk është i ndarë nga jeta e përditshme, por adhurim konsiderohet çdo lëvizje e dobishme që e bën njeriu me qëllim të pastër. Në këtë mënyrë edhe vetë Muhamedi (a. s.) e prezantonte adhurimin. Këtë e ka vërejtur njëherë duke kaluar pranë një njeriu, i cili tërë potencialin e vet ia kishte kushtuar adhurimit, gjë të cilën edhe disa nga pasuesit e të Dërguarit e preferonin. Por, Pejgamberi (a. s.) nuk e kuptonte adhurimin ashtu siç e kuptonte ky person, si dhe disa nga shokët të cilët ishin shkurtpamës. Pejgamberi (a. s.) tha: “Kush kujdeset për të?!” Thanë: Të gjithë ne, o i Dërguar i Allahut. Me këtë rast Pejgamberi (a. s.) do t’u përgjigjet: “Të gjithë ju jeni më të mirë se ai.”
Nga ky ilustrim dhe shumë shembuj të tjerë mund të konstatojmë se një nga virtytet e larta të Islamit është se të gjitha punët dhe veprat që bëhen llogariten ibadet, nëse kemi qëllimin e pastër për Zot. Bujku, tregtari, inxhinieri, profesori, etj. punët e tyre që i kryejnë llogariten ibadet, nëse e kryejnë me qëllim të pastër.
Kurani famëlartë nuk i konsideron vetëm ritualet fetare ibadet, por përfshin çdo punë të mirë. Në të thuhet: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, lajmëtarëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.” (El-Bekare: 177)
Qëllimi i ritualeve fetare nuk është që të kthehemi kah lindja apo perëndimi, kah Xhamia e Kudsit - Palestina apo kah Qabja - Meka, apo dhënia e selamit në Namaz majtas e djathtas, por mirësi është të besuarit në Zot, në Ditën e Gjykimit, në Melaqe, në Profet etj., të cilën gjë e thekson ajeti në vazhdim.
Në bazë të të gjithë kësaj, stagnimi vetëm në ibadetet e përkufizuara dhe formalitetin e tyre, pa mos pas esencën, duke anashkaluar veprat tjera mbi të cilat risëndërtohet mbarë jeta për të cilat synon Islami, e gjithë kjo tregon largim nga vetë Islami, si dhe shlyerjen e vlerave të tij, gjë e cila është prezente në mesin e shoqërisë islame.
Obligimet që duhet kryer çdo mysliman janë të shumta dhe të llojllojshme. Nëse në sferën e ibadetit janë të pakta, ato në jetën e përditshme janë të shumta. Andaj, nga myslimani kërkohet që t’i kryejë të gjitha obligimet që ka ndaj Perëndisë, shoqërisë dhe vetes.

PËRKUFIZIMI I AGJËRIMIT

Agjërimi është një nga pesë shtyllat mbi të cilat sendërtohet Islami. Është një institucion edukativ – moral që synon edukimin fizik dhe shpirtëror të njeriut.
Kuptimi fillestar i fjalës arabe “saum” derivon nga folja s-v-m, me kuptimin ndalem dhe pushoj dhe me kuptimin figurativ përkorem, përmbahem dhe agjëroj.
Në ajetet e Kuranit të transmetuara në Mekë ky term potencohet vetëm një herë. Aty i urdhërohet Merjemit (r. a.) që të flasë nëpërmjet mbulesës me këto fjalë: “Dhe ha, pi dhe qofsh i gëzuar (tekstualisht: me sy të freskët)! Dhe kur të shohësh ndonjë nga njerëzit, thuaj: i kam lëvduar (premtuar, dhuruar) të mëshirshmit (Zotit) agjërim. Prandaj, sot nuk do të flas me asnjë krijesë njerëzore.” (Merjem: 26)
Përkatësisht, bëhet nga komentuesit e Kuranit në këtë pikë lidhja e termit saum (agjërim) me “heshtjen –samt”, si shenjë e përkorjes, e cila është karakteristike gjatë agjërimit islam dhe në të gjitha sferat e jetës së përditshme.
Agjërim në kuptimin gjuhësor do të thotë: shmangie dhe privim, ndërsa në kuptimin fetar me agjërim nënkuptojmë: privimi i vetvetes dhe ndalimin e saj nga ngrënia, pirja dhe nga marrëdhëniet intime prej nga agu i parë deri në perëndim të diellit, duke pasur si qëllim adhurimin e Allahut fuqiplotë.
Nga përkufizimi arrijmë të kuptojmë se me agjërim nënkuptojmë kontrollin e nefsit nga ana e individit, duke bërë nijet dhe duke filluar nga agimi e deri në perëndim të diellit. Gjatë këtij intervali kohor agjëruesi qëndron larg ushqimit, larg pijeve, larg përgojimeve, me një fjalë: larg të keqes dhe të kotës. Pra, me agjërimin kemi të bëjmë me kontrollin e nefsit, dëshirave, pasioneve e kështu me radhë.

HISTORIKU I AGJËRIMIT

Fenomeni i agjërimit është shumë i hershëm, njëherit lashtësia e agjërimit flet për rëndësinë e tij dhe për faktin se në shpirtin e njeriut përherë është ushqyer ndjenja për adhurimin e Allahut fuqiplotë në forma të ndryshme.
Agjërimi, ashtu siç shprehet edhe në Kuran, është një ibadet që ka ekzistuar edhe në fetë e tjera hyjnore para Islamit dhe që shkon deri në kohë shumë të vjetra, të cilën lashtësi e përshkruan ajeti i agjërimit “siç u është obliguar popujve para jush”.
Komentatori bashkëkohor Muhamed Reshid Rida gjatë komentimiti të ajetit 183 të Kaptinës II, ndër të tjerat thotë: “Allahu i madhërishëm na bëri me dije se agjërimi në Islam është detyrim, siç ishte detyrim edhe për popujt tjerë të mëparshëm dhe, në këtë mënyrë, është ruajtur kontinuiteti i institucionit të agjërimit në të gjitha fetë qiellore.”
Në studimet historike agjërimin e hasim si institucion shumë të vjetër. Agjërimi si parim bazë fetar ishte i njohur edhe për popullsinë çifute dhe të krishtere të Gadishullit Arabik. Megjithatë, as përshkrimet e kulteve fetare paraislame, as mbishkrimet dhe grafitet nga hapësira kulturore ku ka lindur feja islame nuk dëshmojnë për ndonjë origjinë arabe të të agjëruarit.
Agjërimi ishte i njohur dhe praktikohej edhe tek ithtarët e feve të shpallura të më- hershme. Është e ditur se Musai (a. s.) ka agjëruar 40 ditë para se ta pranonte Dhiatën e Vjetër (Teuratin). Po ashtu ka agjëruar Davudi, Jusufi, Isai (a. s.), si dhe shumë profetë të tjerë.
Në konfesionet e krishtera agjërimin e gjejmë në forma të ndryshme. Disa prej tyre distancohen nga të ngrënët dhe të pirët, disa nga mishi, nga dhjami etj. Të tjerët agjërojnë tërë ditën, disa nga mëngjesi deri në drekë, e kështu me radhë.
Për sa i përket agjërimi në Islam, ai është i një natyre krejtësisht tjetër nga ai që zbatohej më herët. Së pari, me agjërim kryejmë një obligim ndaj Zotit dhe i përgjigjemi urdhrit të Tij.
Njëherit, kjo është edhe esenca e vetë agjërimit. Me anë të agjërimit shprehim bindjen, devotshmërinë dhe sinqeritetin tonë ndaj Krijuesit.
Shtrohet pyetja se kur është bërë obligim agjërimi? - Nga e sipërtheksuara kuptojmë se i Plotfuqishmi e ka obliguar agjërimin për ummetin e Muhamedit (alejhi- selam) sikurse e ka obliguar atë për popujt që kanë qenë më përpara dhe për këtë ka thënë në Kuran: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare: 183)
Rregullat e para të dëshmueshme në Kuranin famëlartë mbi formën e agjërimit janë ato ajete të Kuranit që kanë zbritur në Medinë pas mërgimit (hixhra-s) së Muhamedit (a. s.). Por, formulimet e këtyre ajeteve janë përveç karakterit të tyre urdhërues, shumë të paqarta - koncize: “(Agjërim duhet mbajtur) një numër të caktuar ditësh.” (El Bekare: 183)
Si pasojë, përcaktimi i aspektit kohor të agjërimit u bë detyrë për jurisprudencën islame, për t’i plotësuar në përmbajtje thëniet pjesërisht pa detyrim të Kuranit dhe për t’i precizuar ato.
Muhamedi (a. s.) me pasuesit e tij në Medinë ndoqi në fillim ritualet e festës së ‘ashura-s’, të ditës së pajtimit për popullsinë çifute në Medinë dhe rrethinat e saj. Në këtë ditë agjërohej nga perëndimi i diellit deri në perëndimin e ditës tjetër dhe jo si në Ramazan, vetëm gjatë ditës. Sipas kalendarit lunar (hënor) islam, kjo ditë, ku agjërimi edhe në fenë islame ka mbetur një veprim i rekomandueshëm, bie më 10 të muajit islam Muharrem.
Në vitin e dytë pas mërgimit të Muhamedit (a. s.) nga Meka në Medinë (623-624) ishin ajetet e Kuranit në suren el Bekare, përkatësisht ajete 183-185 dhe 189, hapi i parë në rrugën e themelimit të praktikës së pavarur të re të agjërimit për Bashkësinë Islame, plotësimi dhe përcaktimi i rregullave rituale të së cilës do të mbetej detyrë e juridiksionit të mëvonshëm.
Struktura dhe radhitja e përmbajtjes së këtyre ajeteve tregojnë se ato nuk janë zbuluar njëkohësisht, por pjesë-pjesë, të cilën e konfirmon tefsirologu i njohur el-Baidavi, i cili nuk është i vetmi nga kuranologët me këtë pikëpamje.
Është fakt i pamohueshëm se myslimanët kanë agjëruar edhe para kësaj date, por jo në muajin Ramazan, ngase agjërimi në këtë muaj nuk ishte i detyrueshëm para zbritjes së ajeteve që flasin për obligueshmërinë e agjërimit. Më parë Pejgamberi (a. s.) agjëronte ditë të caktuara dhe atë tre ditë në çdo muaj: ditën e 10, 20 dhe 30 “(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara” (El-Bekare: 184).
Njëherit kjo ishte si parapërgatitje për myslimanët që, kur të zbresin ajetet që obligojnë agjërimin e këtij muaji, të jenë të përgatitur.
Në muajin Sha’ban të vitit të dytë hixhrij Muhamedit (a. s.) i zbresin ajetet kuranore të cilat obligojnë agjërimin e këtij muaji për mbarë myslimanët që plotësojnë kushtet për agjërim: “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.” (El-Bekare: 185)
Fillimisht, që nga viti i dytë hixhrij myslimanët agjërojnë muajin e Ramazanit si obligim të domosdoshëm. Ata e aplikojnë atë me një devotshmëri të panjohur më parë, me vullnet dhe dashuri, me një disiplinë të lartë e të pashembullt në historinë e agjërimit. Besimtarët e parë agjërimin e pranuan dhe e aplikuan me përkushtim të madh, si obligim i Zotit ndaj krijesave, duke iu përgjigjur thirrjes së ajetit kuranor: “O ju që besuat, agjërimi (saum) ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183)
Sipas ajetit kuranor, agjërimi është i tërë mirësi. Ushqen shpirtin dhe shëron trupin dhe vërteton sinqeritetin e zemrës, bashkon zemrat e besimtarëve dhe mbjell ndjenjën e mëshirës dhe të dashurisë. Islami, në dallim nga fetë tjera, shtron si kusht që agjërimi të vishet me sjellje të njerëzishme, ngase nuk ka për qëllim vetëm heqjen dorë nga haja dhe pija, por përmban një tërësi urdhrash dhe ndalesash. Agjërimin përpos termit “sijam”, në Kuranin famëlartë e hasim edhe me emra të tjerë, siç është për shembull nocioni “es Saihatu” dhe atë në dy raste.
Në kaptinën Et-Teube, ajeti 112, thuhet: “Et Taibune el abidune el hamidune es saihune .. - (Të Xhenetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë.”
Sipas egzegistëve të Kuranit, termi “saihun” ka për qëllim agjërimin. Njëherit është edhe më afër kuptimit të ajetit ku ka për qëllim esencën e agjërimit, ku qëllimi i agjërimit nuk është vetëm të distancuarit nga të ngrënët dhe të pirët, si dhe nga shfrenimi i epsheve kur neve agjërojmë, por ka domethënie dhe karakter më të lartë dhe ka për qëllim transferimin prej botës fizike në atë shpirtërore. Se agjërimi ka këtë qëllim, një domethënie të tillë e vërtetojnë edhe fjalët e Pejgamberit (a. s.) kur thotë: “Ka të atillë që nga agjërimi i tyre nuk kanë asgjë tjetër përpos urisë dhe etjes”, duke aluduar në ata që kanë humbur vlerën e agjërimit të vërtetë, ngase nuk kanë përmbushur edhe vlerat morale të agjërimit.
Agjërimi i Ramazanit dallohet nga agjërimi i feve të tjera si nga norma, si nga koha dhe për nga mënyra e të aplikuarit. Urtësia hyjnore është që ibadetet të bëhen sipas kalendarit hënor. Muajit hënorë në krahasim me muajt e kalendarit diellor lëvizin 10 ditë prapa. Kështu, duke qenë se agjërimi fillon çdo vit 10 ditë më herët, muaji i Ramazanit në rreth 33 vite i ka përshkruar të gjitha stinët dhe muajt e vitit. Duke pasur parasysh se midis rajoneve të botës ekzistojnë ndryshime të rëndësishme, ku në një kohë në hemisferën veriore kemi dimër, kurse në hemisferën jugore vazhdon stina e verës, në qoftë se agjërimi do të bëhej në një stinë të caktuar sipas kalendarit diellor, atëherë, myslimanët që jetojnë në disa zona do të agjëronin gjatë gjithë jetës në stinë të nxehtë dhe me ditë të gjatë, kurse një pjesë tjetër e myslimanëve do të agjëronin përherë në ditë të shkurtër dimri. Një gjë e tillë siguron që myslimanët të agjërojnë në stinë të ndryshme dhe të mësohen me vështirësitë e secilës stinë të vitit për t’i eliminuar disavantazhet.

SEKRETI I AGJËRIMIT

Nuk mund që ta kuptojmë sekretin e agjërimit përpos se të arrijmë të kuptojmë fshehtësinë e vetë njeriut. Atëherë parashtrohet pyetja se: kush është njeriu? A është vetëm me trup njeri, i përbërë prej grupit të qelizave, prej gjakut, prej mishit, prej dhjamit, prej eshtrave, prej sistemit nervor etj., apo edhe diç tjetër? Po, njeriu nuk është vetëm ky trup ku gjenden disa organe, por ai është shpirt i cili këtë trup e bën të lëviz. Me të ai logjikon, mendon, me të ndjen, percepton, shijon dhe ajo e bën atë që të studiojë tërë atë që e rrethon.
Shpirti është ai që kur Allahu (xh. sh.) ia dha njeriut, i urdhëroi Melaqet që t’i përulen atij. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta. dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjë- herë përuljuni atij (në sexhde).” (Sad : 71-72)
Ky është njeriu komplet me trup dhe shpirt. Siç ka nevojat trupi, po ashtu edhe shpirti ka nevojat e veta. Nëse njeriu u përgjigjet vetëm kërkesave fizike, atë më e gjykojnë instinktet e tij dhe bie në shkallën më të ulët. Nëse njeriu e njeh vlerën e shpirtit të tij, si dhe fshehtësinë e tij në të, ai arrin shkallën e lartë. Mu për këtë Allahu fuqiplotë njeriut ia obligon agjërimin që të çlirohet nga instinktet e tij dhe të lirohet nga burgu i trupit dhe ngacmimet e epshit dhe t’u përngjajë Melaqeve.
Me anë të agjërimit ngritemi në një shkallë në mes asaj njerëzore dhe engjëllore. I ngjajmë llojit njerëzor, ngase jemi të asaj natyre, ndërsa në veprime u ngjajmë melaqeve, ngase tërë ditën nuk hamë e nuk pimë. Për një gjendje të tillë na paralajmëron i Dërguari i Zotit, se lutja e agjëruesi në momentin e iftarit nuk refuzohet.

AGJËRIMI MBRON SHËNDETIN

Feja islame nëpërmjet institucioneve të saj ka trasuar rrugën e madhështisë e të dinjitetit njerëzor. Një nga këto institucione është agjërimi. Thënia e famshme e profetit tonë, Muhamed (a.s.): “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm” nxjerr në pah vlerat kuruese të agjërimit. Shprehja “do të jeni të shëndetshëm” paraqet formën maksimale kurative për agjëruesin, në favor të dy pjesëve përbërëse të njeriut, të trupit dhe të shpirtit.
Agjërimi si institucion fetar dhe si subjekt mjekësor është aq i vjetër, sa edhe vetë njerëzimi. Se agjërimi është i dobishëm për shëndetin, dëshmojnë edhe shumë studime si të shkencëtarëve islamë, ashtu edhe të tjerët.
Agjërimi si parandalim është shumë i efektshëm për shëndetin e njeriut. Njeriu duke agjëruar, ndryshon orarin e punës të organeve të tretjes, i lë të pushojnë organet e ushqimit. Ato pastrohen nga hedhja e mbeturinave të trupit, helmeve të tubuara nga konsumimi i ushqimit, ilaçeve, pirja e duhanit etj. Organizmi shpenzon dhjamin e tepërt, duke zvogëluar peshën e trupit, tensionin e gjakut; me të rregullohet frymëmarrja, forcohet tonusi i zemrës etj.
“Njeriu është mjek i vetvetes”, thotë babai i mjekësisë, Hipokrati. “Nëse trupi nuk është i pastruar, sa më shumë ta ushqesh, aq më shumë do ta dëmtosh.”
Duhet të kemi një gjë të qartë se Krijuesi i gjithësisë nuk e ngarkon krijesën më tepër se sa duhet dhe sa mund të bartë. Nuk kërkon prej tij më shumë se sa ai mund të realizojë.
Është absurde dhe e palogjikshme që të mendohet se Krijuesi do të ngarkonte krijesën e Tij me atë që do ta dëmtonte dhe do të ishte në disfavor të tij. Kësaj, njëherit, i referohet ajeti kuranor ku thuhet: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e më- vonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (El Bekare: 185)
Nuk është vetëm kjo: në agjërim ka edhe urtësi të tjera, të cilat shkenca ende nuk i ka zbuluar dhe do të mbeten si enigmë për të ardhmen, ngase agjërimi do të jetë i detyrueshëm derisa të ekzistojë gjithësia.
Agjërimi kultivon tek njeriu virtytin e çiltërsisë shpirtërore, për arsye se individi kur agjëron, këtë akt ia dedikon Zotit të gjithësisë. Individi që e kryen këtë ritual në mënyrë të përpiktë, pa dyshim është një njeri që mund t’i disiplinojë dëshirat dhe pasionet e tij nga ngacmimet instinktive materiale. Ky person karakterizohet si një personalitet me karakter të lartë devocioni.
Agjërimi njeriut i rikujton Allahun fuqiplotë dhe tek agjëruesi zhvillon ndjenjën e përgjegjësisë. Mbi të gjitha, agjërimi është sprovë e mirë morale që e pastron njeriun nga veset e këqija, që e largon individin nga veset e shëmtuara dhe mbjell tek ai zakone të mira.
Ai që agjëron dhe qëndron për një kohë të kufizuar larg të mirave që na i ka dhuruar Krijuesi e kupton edhe më mirë vlerën e këtyre mirësive. Qëndrimi larg mirësive që ia ka falë Perëndia njeriut ka për qëllim kuptimin, ruajtjen dhe falënderimin për Zotin, për gjithë këto mirësi që i ka falur. Kjo sprovë morale që vazhdon përgjatë një muaji rrënjos në zemër frikën ndaj Allahut.

ASPEKTI SOCIAL I AGJËRIMIT

Agjërimi përpos asaj që ka karakter fetar dhe moral, ka edhe karakter human. Besimtari në këtë muaj solidarizohet më tepër se kurrë. Ai është më afër të varfrit, ngase tërë ditën kalon me stomak të zbrazët dhe është i obliguar që në këtë muaj t’u japë Zeqat dhe sadekatul fitër të varfërve.
Ai që agjëron ndjen se si njerëzimi ka nevojë madje për një kafshatë bukë, për një gllënjkë ujë, se si i dobëti e i pamunduri është përballë Allahut, sado i fuqishëm qoftë dhe cilado qoftë pozita dhe posti i tij. Andaj, gjatë Ramazanit njerëzit tregojnë kujdes dhe i kushtojnë rëndësi edhe ndihmës ndaj të tjerëve, sidomos të varfërve.
E para në këtë aspekt është edhe aspekti social i Ramazanit, ku myslimani pikërisht në këtë muaj e jep Zeqatin. Madje, të ftosh dikë në iftar e forcon akoma edhe më shumë ndjenjën e miqësisë dhe të solidaritetit, ku nëpër qytete të ndryshme të botës islame shtrohen sofra të iftarit (maidetu er Rahman) për skamnorët.
Qëllimi është që gjatë muajit të Ramazanit të gjithë të jenë të qetë shpirtërisht dhe të lumtur. Një prej ibadeteve që kryhet gjatë këtij muaji është edhe namazi i teravisë. Teravia është një namaz që falet vetëm mbrëmjeve të Ramazanit dhe atë, pas faljes së namazit të jacisë.
Nuk është namaz i detyrueshëm, vetëm se falja e këtij namazi konsiderohet sevap. Sipas bindjeve tona, nuk mund të imagjinohet Ramazani pa falje të teravisë, edhe pse i Dërguari i Perëndisë ka munguar nga falja e tij, nga frika që mos të bëhet obligim për myslimanët. Ja imazhi që na e përcjell bashkëshortja e tij, Aishja (r. a.), kur flet për të Dërguarin e Allahut: “Kishte dëshirë që të kryejë diçka, por distancohej nga frika që mos të bëhej obligim për myslimanët.”

RAMAZANI, MUAJ I TRIUMFIT TË BESIMTARËVE

Ky muaj nuk është muaj i stagnimit, i shpenzimeve, i mbushjes së strajcave dhe stomakut. Aq më pak muaj i pushimit, i rehatisë dhe i gjumit, duke e ndryshuar orarin e ditës me të natës - ditën ta kalojmë në gjumë, kurse natën të lozim, të shikojmë telenovela apo të qëndrojmë para ekranit televiziv, me tavolinën e stërmbushur, apo duke lëvizur faqet e facebook-ut.
Nëse shfletojmë faqet e historisë sonë të shkëlqyer, do të kuptojmë se arritjet dhe ngjarjet më të mëdha të myslimanëve kanë ndodhur pikërisht në këtë muaj. Lirisht mund të themi se muaji Ramazan është muaj i ngjarjeve më të rëndësishme që njeh historia islame.
Është muaji kur triumfuan myslimanët, ngase më 17 Ramazan, vitin e 2 hixhrij, myslimanët triumfojnë për herë të parë kundër idhujtarëve në Bedër.
Në vitin e 8 hixhrij, po në Ramazan, myslimanët e çlirojnë Mekën. Në Ramazan të vitit 15 hixhrij ushtria myslimane korr fitoren e njohur në Kadisije kundër zjarrputistëve.
Një rëndësi të veçantë merr muaji i agjërimit të Ramazanit përmes thënies në Kuran, sipas së cilës pikërisht ky muaj ka qenë ai kur më 27 të Ramazanit të vitit 610, kur Muhamedit (a. s.) në të katërdhjetat e tij i zbresin ajetet e para të Kuranit famëlartë. Pra, Allahu (xh. sh.) e nderoi këtë muaj dhe e veçoi me dy gjëra: obligimin e agjërimit dhe zbritjen e Kuranit famëlartë.
Lidhur me këtë ngjarje Allahu Fuqiplotë thotë: “Muaji i Ramazanit është ai muaj në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja.” Kjo ndodhi festohet gjatë natës së 27 të Ramazanit si Nata e Përcaktimit Hyjnor, e cila natë në gjuhën arabe quhet ‘Lailatulkadr’.
Kjo festë është me orgjinë kuranore; përkujtimit të zbulesës së Kuranit i përkushtohet surja 97, kaptina e el Kadrit: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre, në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” Meqë nuk dihej me siguri nata e saktë e zbulesës së Kuranit, kjo natë festohet sot kryesisht natën e 27 të Ramazanit, por edhe në ditë të tjera me numër tek prej dhjetë ditëve të fundit të këtij muaji.
Pra, agjërimi është përgatitje e shpirtit për të lexuar Kuranin dhe për ta studiuar atë. Në agjërim shpirti gjen qetësi dhe përgatitet për të pranuar fjalët e Allahut të madhërishëm. Muhamedi (a. s.) i kushtonte rëndësi të madhe studimit të Kuranit në këtë muaj dhe për çdo natë i zbriste Xhibrili (a. s.), që t’ia mësojë leximin e Kuranit.

SI E PRESIN MYSLIMANËT RAMAZANIN?

Duhet të jemi të vetëdijshëm se obligimet fetare nuk janë stinore, por ato janë jetike dhe nuk pranojnë reduktim. Disa nga mosdija thonë se Ramazani fal mëkatet, pa bërë kurrfarë dallimi në mes mëkateve.
Prandaj, me të përfunduarit e tij vazhdojnë me avazin e vjetër. Më habit fakti që shumë myslimanë gjatë Ramazanit me tespihe në dorë me gojën plot shqiptojnë shehadetin, duke menduar se në këtë mënyrë bëhet dhikër - përkujtohet Allahu (xh. sh.). Por, me lamtumirën e Ramazanit ai fillon jetë tjetër dhe më nuk është ai myslimani i Ramazanit.
Vallë, a thua Ramazani vjen për t’i edukuar myslimanët vetëm në këtë muaj, apo për t’i edukuar ata që të jenë gjatë tërë vitit si në këtë muaj?! Çfarë vlere do të kishte Qabeja nëse nga ajo nuk shpërndahej drita e cila do të përfshinte tërë qytetet tjera të botës?! Çfarë vlere do të kishte Profeti sikur shkëlqesia e tij të mos e përfshinte tërë njerëzimin?! Ai nuk është i dërguar vetëm për mirësinë e vetvetes së tij, por mëshirë për të gjitha botët. Atëherë parashtrohet pyetja: çfarë vlere dhe çfarë rëndësie do të kishte Ramazani që myslimanët të ishin korrekt dhe t’u përkushtoheshin ritualeve fetare vetëm në këtë muaj, duke harruar se viti ka 12 muaj?! Për atë, bamirësia është mbikëqyrje dhe vështrim.
Mbikëqyrja e Allahut nuk ka të bëjë vetëm me një punë e të anashkalon të tjerat, por i ka nën mbikëqyrje të gjitha veprat, duke filluar që nga Namazi, kur myslimani është direkt në kontakt me Allahun, po ashtu edhe gjatë profesionit të tij të cilin e ushtron gjatë jetës.
Mirësia të cilën e arrin individi përmes agjërimit, përmes namazit, përmes leximit të Kuranit, ka një dimension të gjerë dhe i përfshin të gjitha veprat. Studio ajetin kuranor ku thuhet: “Ti nuk do të bësh asgjë, as nuk do të lexosh asgjë nga Kurani, as nuk do të punoni kurrfarë pune, e që Ne mos të jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të.” (Junus: 61)
Agjërimi nuk është thjesht të mbetesh pa ngrënë. Do të ishte shumë gabim nëse e vlerësojmë agjërimin vetëm në këtë aspekt. Shprehja “që të mbroheni”, që ndodhet në fund të ajetit të agjërimit, ku thuhet se agjërimi është obligim, flet për domethënien e agjërimit. Madje, i Dërguari i Allahut thotë se agjërimi është një mburojë: “Atëherë, ai që agjëron të mos thotë fjalë të këqija. Atij që kërkon ta ngacmojë dhe grindet me të t’i thotë dy herë se është me agjërim.” Ashtu siç e ruan mburoja të zotin nga armiku, në të njëjtën mënyrë e ruan edhe agjërimi njeriun nga të këqijat dhe gjynahet.
Ardhja e Ramazanit e ndryshon gati në tërësi jetën e myslimanëve mbarë. E tërë bota islame dhe të gjithë myslimanët kudo që janë e presin muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjithçka tek ta ndryshon, të ngrënët, të fjeturit e kështu me radhë. Të gjithë hanë syfyr gati se në një kohë dhe çelin iftar po në të njëjtën kohë. Sikur me u ushqye në një sofër. E tërë bota ndriçon nga ky mysafir i Allahut. Lexojnë Kuran, falin Namaz, japin lëmoshë, sadakatul-fitër etj. Janë humanë, solidarizohen me nevojtarët dhe janë më bujarë se kurdoherë tjetër. Edhe ne, si të gjithë myslimanët tjerë ndryshojmë jetën tonë gjatë Ramazanit.
Në kuadër të përgatitjeve për muajin e Ramazanit Bashkësia Fetare Islame bën një sërë përgatitjesh që besimtarëve t’ua plotësojë dëshirat e tyre. Organizon tribuna të ndryshme, lexohet Kuran, ligjëruesit mbajnë ligjëratat e tyre, si dhe vizitat që u bëhen xhamive nga ana e profesorëve të Fakultetit të Shkencave Islame dhe Medresesë. Me siguri se këto aktivitete nuk e shuajnë etjen dhe nuk do t’i përmbushin të gjitha dëshirat e xhematit në tërësi, por deri diku do të freskojnë etjen e tyre. Me një fjalë, ky muaj madhështohet si në mjetet elektronike, po ashtu edhe në ato të shtypit. Kjo më inspiron në thënien profetike: “Sikur ta kuptonin myslimanët urtësinë e agjërimit, do t’i luteshin Perëndisë që i tërë viti të jetë Ramazan.”
Qëllimi final i agjërimit, pra, është mirëqenia e njeriut dhe lumturia e tij në të dy botët. Agjërimi është i pastër. Ai pastron si trupin, po ashtu edhe shpirtin, si dhe individin, që është qeliza e parë e shoqërisë. A ka gëzim më të madh se sa kur besimtari çel iftar?! Këto momente i përshkruan i Dërguari Zotit në një thënie të Tij ku thotë: “Ai që agjëron ka dy gëzime: kur bën iftar, gëzohet me iftarin e tij dhe, kur të takojë Zotin e tij, do të gëzohet me agjërimin e tij.” Këtyre do t’u thuhet: “Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.” (El Haakatu: 23)
Agjërimi është institucion që e ngre vetëdijen, që e shton vullnetin, që e rrit shpresën, që e heq depresionin dhe që jep kuraje për jetë të lumtur në të ardhmen. Mirë se na erdhe muaj i pastrimit, muaj i mëshirës dhe muaj që largon njerëzimin nga mëkatet! Në fund, përfitojmë nga rasti që të gjithë besimtarëve kudo që janë t’ua urojmë muajin e shenjtë të Ramazanit, duke e lutur Allahun e madhërishëm që lutjet tona gjatë këtij muaji, si dhe dëshirat tona, të na i plotësojë.



Doc.dr. Abdylxhemil Nesimi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.