Ramazani, misioni dhe ndikimi i tij në jetën shpirtërore, individuale dhe shoqërore

Qëllimi esencial i fesë Islame është të sajuarit e lumturisë dhe prehjes shpirtërore ne Dynja dhe në botën e Amshueshme- Ahiret.

Por, një gjë duhet ta dimë gjithmonë se, nuk është lehtë t’ia arrijë këtij qëllimi, ose të përfitojmë këtë lumturi që na e garanton Islami. Krijuesi i Plotfuqishëm, Allahu xh.sh. ka parashtruar disa kushte, disa vepra e peripeci që njerëzit duhet t’i veprojnë, ose të largohen nga ato, gjithashtu të largohen edhe nga punët dhe njerëzit armiq të hapët apo të fshehur që bëhen shkas dhe i çojnë drejt këtyre veprave të ndaluara, në mënyrë që të jetojnë si rob të suksesshëm të Allahut në këtë botë dhe në Ahiret (Botën e Ardhme) ku do të vazhdojnë përgjithmonë frytet e saja. Kjo është lidhja kryesore e njeriut me Krijuesin, e cila duhet të jetë prezente në secilën kohë, qoftë kjo kohë e lavdëruar dhe që premton shumëfishim shpërblimesh nga Allahu, por qoftë edhe kohë sikur të gjitha kohërat tjera kjo lidhje duhet vazhdojë dhe të mbetet gjithnjë e gjallë e aktive.
Allahu i Madhëruar lidhjen e njeriut me Krijuesin e tij- Allahun ua ka mësuar nëpërmjet njerëzve të zgjedhur- pejgamberë, njerëz të cilët e kanë sjellë mesazhin e besimit të pastër dhe kryerjen e obligimeve të përcaktuara nga Allahu. Me kalimin e kohës këto të vërteta janë harruar apo janë zëvendësuar me të pavërteta dhe me adhurime të kota, andaj i Madhëruari Allah kohë pas kohe ka dërguar pejgamberë ashtu sipas nevojës së shfaqur, në mënyrë që t’ua mësojnë popujve njohuritë e harruara dhe të fshira nga kujtesat e tyre duke i përhapur ato në mënyrë të drejtë në mesin e njerëzve. Këto ibadete kanë qenë të urdhëruara për veprim qysh nga koha e Hz. Ademit a.s. e deri tek Pejgamberi jonë i fundit Muhammedi s.a.v.s., janë ibadete të ndryshme dhe në forma të ndryshme, por që ne vete secili ka ngërthyer porosinë, qëllimin dhe rëndësinë e njëjtë. Ibadeti- apo kryerja e veprave të urdhëruara nga ana e Allahut xh.sh. përmban një lidhje të fortë shpirtërore në mes njeriut dhe Krijuesit por njëkohësisht paraqesin rëndësi edhe në jetën shoqëroro- dinamike, ku janë rrjedhojë e funksioneve shumë të rëndësishme.
Andaj për t’ua përkujtuar njerëzve nënshtrimin dhe robërinë ndaj Allahut, cilësi që njerëzit e kishin lënë anash, në Ramazan të vitit 610, u shpall perjgamberi i Allahut, Muhammedi a.s., pejgamberi më i fundit në rruzullin tokësor, e ardhja e këtij të dërguari ishte që t’i zgjonte njerëzit nga kjo pakujdesi dhe boshllëk që i kishte rrethuar. Me përgëzimin dhe meritën e këtij zotëriu të kësaj bote dhe botës tjetër (Ahiretit), i gjithë njerëzimi kanë zbardhur në dritën e diturisë duke u larguar nga errësira dhe terri i injorancës. Për njerëzit tani zbriti libri i famshëm Kur’ani Famëlartë i cili u erdhi nëpërmjet më të dashurit të Allahut, Muhammedit s.a.v.s. në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe ky libër ishte, mbeti dhe do të jetë shërim (shifa’), dritë (nur) dhe udhërrëfyes (hidajeh) i tyre deri në ditën e mramë të Gjykimit (jevmul kijameh). Në Ramazan zbriti Kur’ani, por në këtë muaj gjithashtu për besimtarët muslimanë u bë detyrë e obligueshme (farz) edhe agjërimi i këtij muaji- Ramazanit, agjërim i cili ia shton edhe një vlerë dhe rëndësi tjetër këtij muaji. Pejgamberi a.s. gjersa ishte gjallë tregonte një kujdes të madh ndaj këtij muaji, gjatë këtij muaji ai shtonte edhe më shumë adhurimet (ibadetet) e tija ndaj Allahut, gjë që më pas ky ibadet është bërë shëmbëlltyrë për të gjithë besimtarët.
Padyshim se muaji i shenjtë i Ramazanit posedon një vend dhe piedestal të veçantë në jetën tonë kulturoro- shoqërore. Kur vjen ky muaj i bekuar, bile kur fillojnë të ofrohen ditët që paralajmërojnë ardhjen e këtij muaji, njerëzit- besimtar përjetojnë një emocion dhe ndjenjë të veçantë gëzimi. Zemrat tona janë më të buta, janë më të tronditura sepse përgatiten për një afrim më të madh tek Allahu i Madhëruar, secili e gjen veten në një formë të vet dhe vrapon sipas mundësive të veta në përgatitjen madhështore, për muajin e dedikuar ummetit. Kjo gjendje përjeton freskinë e vet dhe dallohet ndonjëherë me faljen e rregullt të namazit në xhami, me faljen e namazit të teraviheve, dëgjimin e leximit të Kur’anit Famëlartë nëpër xhamia (mukabele), ngrënien e iftarëve dhe ftesën nëpër iftare. Andaj, shikuar nga ky prizëm muaji Ramazan, është muaj i thirrjes (da’vetit) për besimtarët dhe për çdo vjet është një manifestim i ripërtëritjes shpirtërore për muslimanët. Në këtë muaj shtrohet sofra e Kur’ani- Kerimit, hapen dyert e mëshirë (rahmetit), faljes së gjynaheve (magfiretit), njerëzit përfitojnë shumë të mira dhe butësi (lutf ve ihsan), duke u bërë shkak që nëpër zemrat e tyre të formohet dhe të frymojë një klimë e pastër me një erë të këndshme behari nga fillimi, mesi dhe fundi i këtij muaji të bekuar. Resulullahu s.a.v.s. rreth kësaj thotë:
“Fillimi i këtij muaji është mëshirë (rahmet), mesi i këtij muaji është falje nga gjynahet (magfiret) dhe fundi është shpëtim nga zjarri i xhehennemit.”
Pastaj në hadithin tjetër thotë: “Kur të vijë muaji i Ramazanit hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e xhehennemit dhe lidhen (parapengohen) shejtanët.”
Gjallërimi dhe ripërtëritja shpirtërore, ringjallja e mirëfilltë shpirtërore, qëndrimi dhe shikimi i gjithëmëshirshëm është një respekt i veçantë për besimtarët gjatë këtij muaji. Për ata që kanë qenë të përgatitur dhe kanë pritur këtë muaj, tani më ju erdhën këto dita të shoqëruara me shpërblim të shumëfishtë. Ditët e mëshirës (rahmet), faljes (magfiret)….Këto dita krahasohen sikur ditët kur bie shi në tokën e tharë, buzët e së cilës janë të çara një kohë të gjatë nga thatësia e mbizotëruar, ndërsa bujku ka ngritur dhe drejtuar duart e tij drejt qiellit duke u lutur për shi. Për njëherë lëshohet rrëke shiu nga qielli, gëzimi i këtij çifçiu ngjason me ardhjen e muajit të Ramazanit për ne muslimanët.
Ramazani e rindërton dhe e rilind jetën e njeriut, ai gjithashtu i forcon lidhjet e tija me Allahun, sepse shtohet ibadeti dhe të përmendurit e Tij (dhikër).
Ramazani gjithashtu është një shkollë dhe një hap i ri që mëson kontrollimin e dëshirave të epshit dhe nevojave tjera njerëzore. Ramazani e ndryshon shoqërinë, e rikthen në formë të re, me një fjalë e sjell një formë të re jete në personalitetin e njeriut.
Ky muaj e zbardh zemrën e nxirë nga gjynahet dhe zemrën e cila ishte lodër e shejtanit, zemrën e fytyrën e cila kishte filluar të nxihet nga cytjet e shejtanit e kap për krahu dhe duke e tërhequr ia tregon sërish rrugën e drejtë të udhëzimit. Njeriun e sjell në vete dhe ia përkujton qëllimin e krijimit të tij. Kur njeriu ngrihet në këtë shkallë, d.m.th kur e merr veten atëherë e din Krijuesin e vet (Allahun xh.xh.) dhe shkakun e krijimit të tij (halk). Ai njeri i cili e din Krijuesin e tij, jetën e shikon dhe e kupton ndryshe, gjithashtu edhe gjithësinë dhe universin e sheh ndryshe. Për këtë njeri ma nuk është e nevojshme që të vrapojë pas llogaritjeve të vogla (hesab), sepse ai vrapon pas qëllimeve dhe vlerave të larta (ulvijj). Në këtë rast ai mendon se jeta (hajatun) është pasuria më e vlershme për të fituar botën tjetër (Ahiretin), ndërsa kjo gjithësi dëshmon ekzistimin e njëshmërisë së Allahut, fuqisë së plotë të Tij, bamirësisë së Tij të pafundme, mëshirës së Tij të pakufishme dhe argument për të gjitha cilësitë e mira të Allahut xh.sh.
Njeriut të mençur, Ramazani ia mëson të shikuarit e jetës nën perspektivën e Kur’anit. Vlerat e Kur’anit Famëlartë gjatë këtij muaji, janë më shumë të vendosura në zemrat e njerëzve dhe praktikohen më shumë nga shoqëria, në krahasim nga muajt e tjerë. Sepse ky muaj dihet se është muaj në të cilin u bë zbritja e Kur’anit nga Allahu i Madhëruar, andaj edhe i ngritet vlera dhe shenjtëria më shumë këtij Libri të Shenjtë përgjatë këtij muaji. Në Kur’an kjo përshkruhet kështu:
“Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin u bë zbritja e Kur’anit, udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejta ndaj të shtrembrës (të keqes).”(1)
Ai njeri i cili ia hap krahët dhe prehrin e tij këtij muaji, është pajtuar me vetveten. Ai i cili pajtohet me vetveten njëkohësisht është pajtuar me Krijuesin e Tij dhe me çdo gjë që ndodhet në këtë gjithësi. Të jetosh një jetë ashtu sikur që është ajo, apo të përballohesh me të ashtu sikur të ngjan, ose të formosh një shpirt të përsosur me një gjendje sikur që cekëm më lartë, nënkupton të jetosh një jetë të mbushur me begati dhe ditë të lumtura. Pra, Ramazani është muaji i cili i hap dyert e shpresës (umud) për besimtarët. Ai është ecje drejt të mirave dhe bukurive të shumta.
Njeriu (robi) është krijesë shumë me vlerë dhe paraqet rëndësi të madhe për Allahun. Nga ky shkak Allahu nuk dëshiron që njeriun ta lërë vetëm- kokë më kokë me gjynahet e tij. Allahu mundohet që ta nxjerrë robin e tij nga gjynahet duke e ndihmuar. Muaji i Ramazanit është një rast ideal i shpëtimit të robit nga prangat e gjynaheve duke aguar një rob i mirë dhe frytdhënës për veten dhe shoqërinë e tij. Personi i cili heq dorë nga imsaku e deri në aksham nga ushqimi, pijet dhe marrëdhëniet seksuale do të fitojë siguri të bëhet durueshëm (sabr) dhe do të forcohet përballë sprovave dhe mërzive, gjithashtu do të forcojë shumë vullnetin dhe dëshirat e tija. Ky përforcim i mundëson atij që të jetë i suksesshëm edhe në jetën e tij shoqërore. Agjërimi gjithashtu paraqet një të vërtetë tani më se të njohur, se ai është shërim për trupin. Pejgamberi a.s. rreth kësaj thotë me shprehjet e tija të qarta: “Agjëroni që të bëheni të shëndoshë.”(2)



[1] Suretul Bekare, 185.
[2] Keshful Hafa, II, 33.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.