Ramazani, muaj i humanizmit dhe unifikimit të radhëve të besimtarëve

Agjërimi është një urdhër i Allahut xh.sh., dhe si i tillë në vetvete ngërthen shumë dobi që njeriu përfiton, qoftë nga këndvështrimi shpirtëror, qoftë nga këndvështrimi biologjik, me kusht që të ruhet veçantia e tij si një adhurim i detyrueshëm për t'u zbatuar.

Agjërimi i muajit Ramazan është bërë farz në vitin e dytë të emigrimit (hixhretit) të Muhamedit a.s., në qytetin e Medinës, dhe kjo ndodhi menjëherë mbas një periudhe të shkurtër të ndryshimit të kibles nga Jerusalemi për në Mekë. Muhamedi a.s., agjëroi nëntë herë muajin Ramazan në nëntë vjet. Katër prej tyre ishin nga 29 ditë, ndërsa pesë të tjerët ishin nga tridhjetë ditë.
Në gjuhën arabe agjërimi shprehet me fjalët "savm" dhe "sijam". Kjo e fundit është fjala që përdoret edhe në Kuran. Ndërsa në hadithet e Muhamedit a.s., janë përdorur të dyja fjalët. Kuptimi etimologjik i fjalës "savm" është mbajtja e nefsit nga gjërat, qofshin këto edhe një fjalë, ndaj të cilave ai është i prirë; pra nënkupton frenimin e vetvetes. Ndonjëherë në Kuran kjo fjalë është përdorur edhe me kuptimin "të pushosh/të mos flasësh."
"Unë kam vendosur heshtje për hir të të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!" (Merjem, 27).
Në fjalorin e gjuhës arabe "Lisan'ul Arab" Savm quhet edhe era e qetë, si dhe dielli që është fiks në kohën e drekës. "Saim" quhen ata që nuk mund të ecin, sepse janë të palëvizshëm, si dhe ata që nuk mund të hanë. Kurse në aspektin terminologjik nënkupton mbrojtjen e atyre që janë të aftë për të agjëruar, duke bërë nijet, nga gjërat që e prishin agjërimin që nga agimi (imsaku) e deri në perëndimin e diellit. Pra, agjërimi është largim "në një kohë të caktuar" nga nevojat e stomakut dhe nga dëshirat seksuale, si dhe nga ilaçi dhe çdo gjë e ngjashme me të, që futet në stomak dhe në organet e brendshme të trupit. "Koha e caktuar" është koha që nga agimi (imsaku) e deri në perëndimin e diellit".(1)
Ashtu sikurse agjërimi që i siguron njeriut shumë dobi në planin individual, po ashtu ai jep kontribute të mëdha në formimin e një ambienti të lumtur në planin shoqëror. Marrëdhëniet që bazohen në parimin e respektit të ndërsjellë brenda strukturës sociale të krijuar nga njerëzit e shëndetshëm nga ana shpirtërore dhe trupore janë të rëndësishme, qoftë nga këndvështrimi i strukturës kulturore të asaj shoqërie, qoftë nga këndvështrimi i shfaqjes së nivelit të lumturisë. Shoqëria islame, siç shihet edhe nga kuptimi i fjalës, është një shoqëri ku midis anëtarëve të saj sundon paqja, qetësia, lumturia dhe rehatia. Nga kjo anë, në çdo parim dhe gjykim ne kemi mundësi të shohim elemente që e forcojnë këtë rregull themelor, pra që e forcojnë paqen dhe qetësinë.

Disiplinimi gjatë këtij muaji

Muaji Ramazan/ i agjërimit i bën njerëzit më të rregullt dhe më të disiplinuar në jetën e tyre. Ne shohim se të gjithë myslimanët që agjërojnë e çelin litarin në të njëjtin moment; as një minutë përpara dhe as një mbrapa, ashtu siç e nisin atë. Të gjithë anëtarët e shoqërisë e shijojnë së bashku vështirësinë e urisë dhe etjes. Këtu nuk ka dallim midis njeriut të pasur dhe atij të varfër, midis pronarit dhe punëtorit. Secili hyn në garë për të bërë punë të mira dhe për të rritur devotshmërinë. Zemrat që janë si gur dhe të mbyllura priren drejt mirësisë, zbuten dhe mallëngjehen. Në këtë muaj, shumë mohues, mosmirënjohës dhe kokëfortë, zemra e të cilëve s'ka mëshirë dhe dhembshuri, heqin dorë nga këto vese të këqija; shejtanët goditen me zinxhirë dhe nuk gjejnë vend për të përhapur të këqijat e tyre, si dhe dyert e Xhenetit hapen e ato të Xhehenemit mbyllen.(2)
"Çdo vepër e njeriut shtohet, e mira prej dhjetë deri në shtatëqind herë. Zoti i Madhëruar thotë: "Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë e shpërblej, sepse ai braktis kënaqësinë dhe ushqimin për Mua. Për' agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar, kurse i dyti në takimin me Zotin e tij. Era e keqe nga goja e agjëruesit është më e mirë te Zoti sesa aroma e miskut. " (Buhariu 4/103 dhe Muslimi 8/32)
Muhamedi a.s., vazhdimisht gjatë muajit Ramazan i inkurajonte dhe nxiste besimtarët në lutje dhe adhurim, i mbushte zemrat e tyre me begati dhe i frymëzonte shpirtrat me të mirat e agjërimit, teksa u thoshte: "Ju erdhi muaji Ramazan, muaji i begatisë, me të Zoti ju kaplon, ju zbret mëshirë, i mbulon gabimet, Allahu i përgjigjet lutjes, ju vështron duke bërë gara me njëri tjetrin në adhurime, dhe mburret me ju te engjëjt e Tij. Prandaj, shpalosni prej vetes suaj vepra të mira, sepse i humbur dhe i dëshpëruar është ai njeri që privohet nga mëshira e Allahut në këtë muaj." (Taberani)
Ka edhe nga ata njerëz që nuk shfrytëzojnë të mirat dhe bereqetin e këtij muaji, pra e privojnë vetveten nga kjo mirësi dhe urtësi. Ka edhe të atillë që nga Ramazani nuk ruajnë asgjë tjetër përveç kujtimeve më të zeza të mundshme. Si popujt, ashtu edhe individët, gjatë jetës së tyre të gjatë kanë nevojë për ushqim e rehati përmirësuese e ripërtëritëse.
Koha e pushimit dhe qetësimit është pjesë e rasteve definitive në historinë e individëve dhe shoqërive dhe, nëse dinë si ta shfrytëzojnë, gjejnë çelësin e të mirave të ardhshme, fitoreve në luftën dhe përhershmërinë historike. Shoqëritë dhe individët në Ramazan gjejnë rastin të reformojnë historinë e tyre, ngase ai prezanton periudhën shpirtërore. Ramazani është epiqendër për përforcimin e fuqive shpirtërore psikike e morale në jetën e popullit dhe individëve. Ky na e rikujton të vërtetën e qiejve dhe të Tokës, na armatos me fuqi ngadhënjyese dhe na nxit ta duam lirinë, nga e cila varet nderi i njerëzimit. Pra, Ramazani na dhuron "të vërtetën", "fuqinë" dhe "lirinë" gjatë ditëve të urisë dhe etjes. Kushdo që e kupton urtësinë dhe filozofinë e agjërimit, lufton për hir të së vërtetës me bindje të plotë, ngadhënjen dhe arrin qëllimin më fisnik të lirisë, gjegjësisht refuzon nënshtrimin dhe robërinë.(3) Sikurse Pejgamberi a.s., thoshte: "Edhe agjërimi, edhe Kurani, Ditën e Kiametit do të jenë ndërmjetësues për besimtarin. Agjërimi do të thotë: "Zoti im! Unë agjëruesin e pengova ditën nga ngrënia e pirja dhe nevojat e tjera të natyrshme, pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij." Edhe Kurani kështu do të thotë: "Unë kënduesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi, jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij." (Ahmed bin Hambeli, në Musnedin e tij)

Reflektimi dhe veprat e mira

Ramazani është muaji i faljes, agjërimit reflektimit dhe veprave të mira. "O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush prej jush është i sëmurë, ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfri, e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. (El Bekare,183-184)
Ja, pas njëmbëdhjetë muajsh përsëri mysafiri i Allahut, Ramazani, që po vjen në ambientet dhe sofrat e besimtarëve myslimanë. Muaj në të cilin myslimanët janë bashkë, dhe ndiejnë një atmosfere të ngrohtë; sa herë që arrin ky muaj i shenjtë sikur lind një shqisë e re njerëzore. E përgëzoj atë për të cilin Ramazani bën shefat, e po ashtu edhe Kurani, ngase, siç transmetohet prej të Dërguarit të fundit a.s., agjërimi dhe Kurani bëjnë shefat (ndërmjetësojnë) për njeriun në Ditën e Gjykimit; agjërimi do të dëshmojë duke thënë: "Vërtet robi për mua e ka lënë ushqimin, epshet"; kurse Kurani do të thotë: "Ai për mua ka lënë gjumin e natës ... ", - dhe atij njeriu do t'i bëhet shefat."(5)
Henry Stubbe (v.1676), duke shkruar një libër befasues, e mbron hapur Islamin. Si një rilindës, Stubbe shquhet si historian, bibliotekar, teolog dhe mjek. Libri i tij titullohet “An account of the rise and progress of Mahometanism with the life of Mahomet and a vindication of him and his religion from calumnies of the Christians". Ai në këtë libër jo vetëm që bën vlerësime të ekuilibruara rreth pejgamberit Muhamed, por thotë se Islami është një fe që përputhet më shumë me arsyen dhe natyrën njerëzore. Krahas kësaj, i drejton kritika të tërthorta teologjisë së krishterë dhe kishës katolike. Paragrafi në vazhdim e bën të qartë këtë pikë: "Shkurt, feja e Muhamedit konsiston në një fe e cila nga njëra anë nuk e rëndon besimin e njerëzve me koncepte të pakuptueshme, të vagullta e në përgjithësi kundër parimeve të arsyes e të gjykimit, dhe nga ana tjetër nuk i ngarkon ata me rituale të shumta e të lodhshme, të shtrenjta e plot besëtytni, por u ofron një mënyrë kuptimplote adhurimi. Kjo është rruga më e shëndetshme që u bën të mundur njerëzve të paguajnë detyrimin e tyre ndaj Zotit dhe njerëzve të tjerë".(6)
Në shekullin e VII, kur Islami u shfaq në skenën e historisë, Krishterimi ishte përhapur nga Evropa qendrore deri në Gadishullin Arabik. Të krishterët e parë që dëgjuan për Islamin dhe pejgamberin Muhamed ishin të krishterët e Lindjes, të cilët përbëheshin nga grupe të ndryshme etnike dhe sektare, si: sirianët, nestorianët, monofizitët dhe melkitët. Një nga problemet themelore të botës perëndimore të Mesjetës ka qenë privimi nga informacioni i mbështetur mbi burime të para, i shëndoshë e i besueshëm mbi Islamin dhe myslimanët. As kryqëzatat që vazhduan për më shumë se dy shekuj, as përvoja islame e Andaluzisë që vazhdoi për shtatë shekuj, nuk e zgjidhën këtë injorancë dhe mungesë të informacioni. Prirjet e përgjithshme dhe niveli i informacionit i publikut evropian dhe amerikan sot tregojnë se ky problem vazhdon ende.(7)

Përkushtimi i veçantë ndaj Krijuesit

Besimtarët si në asnjë muaj tjetër thellohen në devotshmëri e besim, dhe me një përkushtim ndaj Allahut Fuqiplotë i luten që të zbresë rahmetin e Vet mbi ne, dhe të na falë gjynahet dhe gabimet tona, si dhe me dritën e Kuranit të na e ndriçojë rrugën e kësaj bote dhe të na shpëtojë në ahiret. Besimtari rikujton se në këtë muaj kanë ndodhur ngjarje të mëdha të ymetit më të lavdëruar, siç janë: zbritja e Kuranit famëlartë, beteja e Bedrit, çlirimi i Mekës, çlirimet islame nëpër globin tokësor etj., që botës dhe njerëzimit i sollën paqe, njerëzi, moral, respekt dhe dinjitet për qenien njeri. Shumë familje myslimane përsëritin ritualin e njohur, syfyr e iftar, pra së bashku rreth sofrës bujare me miqtë e dashamirët. Këtë muaj e karakterizon humaniteti njerëzor, e solidariteti, paqja dhe mëshira janë në nivel më të lartë se në çdo muaj tjetër. Pejgamberi i Allahut i këshillonte edhe shokët e tij që të ishin bujarë, dhe i nxiste të vepronin ashtu. Në një hadith thuhet: "Bujari është pranë Allahut, Xhenetit e njerëzve, dhe është larg Xhehenemit. Ndërkaq, koprraci është larg Allahut, Xhenetit e njerëzve, dhe është afër Xhehenemit." (Tirmidhiu, Birr, 40) Ndërsa në një hadith tjetër, bujari nxitet kështu: "Allahu është Bujar, Bamirës, prandaj e do fort edhe bujarinë, edhe moralin e lartë ... " (Sujuti, Xhamiu' s-sagir, I, 60)

Për shtruesin e iftarit ka shpërblim të veçantë

"Ai që i shtron iftar një agjëruesi shpërblehet nga Allahu po aq sa shpërblehet edhe agjëruesi; duke mos pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit." (Tirmidhi, savm, 81)
Të gjitha dobitë e agjërimit arrihen kur njeriu arrin të frenojë vetveten, dhe ky është një ndër qëllimet e agjërimit. "Të gjitha dobitë sigurohen me agjërim, dhe vijnë në fuqi vetëm kur në shpirtin e besimtarit mbretëron" sundimi i vetes" gjë që përfitohet me triumfin e fuqisë mendore mbi fuqinë epshore. Këto dy fuqi: mendorja e epshorja, janë dy fuqi të vazhdueshme në shpirtin e njeriut, dhe përherë luftuese kundër shoqja-shoqes. Në rast se fuqia mendore triumfon mbi epshoren, njeriu është veprues në të mirë, e në gjithë punët e pëlqyeshme; e në rast se triumfon epshorja, atëherë njeriu është veprues ilegal."(8) Gjithashtu, agjërimi na mëson edhe të kontrollojmë vullnetin, epshin dhe pasionet. "Moralisht, se na mëson që të kontrolloj më vullnetin, epshet dhe pasionet, të durojmë vuajtjet e urisë dhe të etjes, e na bën të kuptojmë se sa vuan i varfri nga uria, e në këtë mënyrë e ndihmojmë me gjithë shpirt, se i ndjejmë vetë mundimet e urisë që i heq ai. Fizikisht, se hamë në kohë të caktuar, e kjo na rregullon stomakun. Sot shumë mjekë e porosisin agjërimin për shërimin e shumë sëmundjeve të stomakut."(9)
Edhe Hafiz Ali Korça, në fjalimet e tij tërhiqte, jep vërejtje që besimtari gjatë këtij muaji të ketë disiplinë dhe mirësjellje. "Çdo njeri q' agjëron kësi soj, atëhere dhe vetë e sheh fort bukur qi nuk është një soj si në Ramazan e në kohrat e tjera. Në Ramazan është m'i dhimçur, m'i dashun, më zemër bardhë, më shpirtmirë, dhe i kënd a si e si t'i bëj botës mirësi e nder. Por, në kohrat e tjera s'është kështu. Ka edhe disa njerës qi në Ramazan bëhen sersem dhe nuk dinë ç' punojnë e ç' flasin. Këtyre iu themi: "sikur të jesh para mbretit, a mundet t'a shash e t'i flaç me ashpërim?, Jo se ke frikë, po prej Zotit a nuk ke frikë që para Tij je kurdoherë?"(10)
Prandaj, ai pyet se a ka muaj më të madh se muaji Ramazan, duke vlerësuar se e karakterizon zbritja e Kuranit dhe agjërimi. "E ku ka muaj më të math se muaji i Ramazanit, që nd'atë muaj u mblodhën të dy nimetet më të mëdha si zbritja e Kuranit ashtu edhe agjërimi, që këto të dy nimete njerin e çojnë te Perëndija, këto e shpjenë muminin e vërtet në shkallën më të lartë të njerëzimit të vërtetë e të marifetull-Llahut. Kurani filloi të zbresë prej Levhi mahfuz. Fjalët që thohen se zbriti në qiellin e kësaj bote pastaj q'andej zbriti pak nga pak s'është e vërtetë, por drejt për së drejti, sa herë që e donte nevoja, zbriti pak nga pak po prej levhi mahfuzit me anën e engjellit Xhibril (a.s.)."(11)

Ruajtja e devotshmërisë

Shkencëtarë dhe filozofë myslimanë çështjet e ibadetit (adhurimit) i komentojnë duke u bazuar në urtësinë e kuptimit të adhurimit. Monoteizmi i urtësisë islame është në kontrast me çdo lloj blasfemie, dhe për të arritur në një pozitë të përsosmërisë nga ana e njeriut, duhet të shfrytëzohet burimi i quajtur ibadet/ adhurim. Kështu, kushti i parë për të arritur në një pozitë të tillë është ruajtja nga gjërat e palakmueshme, apo ruajtja e devotshmërisë. Sipas konstatimeve të filozofëve myslimanë pastërtia e brendshme përgatit programin themelor të adhurimit dhe, në realitet, njeriu duhet të kthehet në botën e brendshme. Kur thuhet bota e brendshme, kemi për qëllim të themi për ngritjen shpirtërore, duke iu përmbajtur rregullave dhe kodit të mirësjelljes dhe moralit. Sipas përshkrimit të sures 37 (El Haxh), gjatë therjes së kurbanit te Zoti arrin vetëm qëllimi e devotshmëria, dhe jo mishi apo lëkura. Prandaj, edhe opinioni i parë që vjen nga filozofët myslimanë gjatë komentimit të ibadetit është kuptimi thelbësor apo ezoterik i urtësisë së ibadetit, dhe nga ana e tyre kjo llogaritet si kushti i parë për të adhuruar a për t'u lutur. Në qoftë se gjatë adhurimit nuk mbizotërojnë dashuria dhe vullneti, atëherë s' do të kemi rezultate nga adhurimi që kemi bërë.

Përfundim

Është ky moment fetar që na katapulton në një rrafsh tjetër debatesh për emancipimin tonë si civilizim në kërkim të formulës për të përparuar dhe për të zhvilluar, e për të ngritur vetëdijen shpirtërore dhe përgjegjësinë që kemi para Allahut. Agjërimi është një sakrificë e përkohshme, por mesazhi është fare i prekshëm edhe për ata që kanë fare pak shkollë të kohës së sotme.
Myslimani duhet të jetë më i ndjeshëm. Duhet të jemi më solidarë. Duhet të jemi më pak egoistë. Duhet të bëjmë më shumë si shoqëri për të papunët, të varfrit, invalidët, të sëmurët, jetimët, skamnorët etj. Nga ky muaj njerëzit duhet të dalin fitues, dhe më të fortë shpirtërisht e më të skalitur për t' u ballafaquar me sfidat dhe të papriturat e jetës.


__________________________
(1) Vehbe Zuhajli, El fikhu'l islami ve ediletuhu, v. 2. f. 566. Dare'l fikr, botim i III, 1989, Damask.
(2) Ali Çelik, Ditari i Ramazanit i pejgamberit tonë, Logos-A, 2011, Shkup, f. 23.
(3) Mustafa Sibai, Rregullat e agjërimit dhe filozofia e tij, f. 32, Logos-A, Shkup, 1999.
(4) Sejid Kutb, Fi dhilalil Kuran, Dar Eshuruk VI. 1. f. 168,1992, Kajro.
(5) "Hutab Shaih El-Kradavi", vëllimi 1, f. 213, mektebetu vehbe, Kajro, 1997.
(6) Gibbon, The declne and Fall of the Roman empire (New York: Harcourt, 1960), f. 693.
(7) Ibrahim Kallën, Islami dhe Perëndimi, Logos-A, Shkup, 2011, f. 47.
(8) Kultura Islame, viti V, nr. 12 (60) gusht-1944, Alsar, Tiranë, 2012, f. 340.
(9) Imam Vehbi Ismaili, Vepra 5, Logos-A, 2009, Shkup, f. 228.
(10) Hafiz Ali Korça, Vepra 12, Logos-A, 2006, Shkup, f. 235.
(11) Po aty, f. 244.


Rexhep Suma (PHD)

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.