Porositë e luftës së Bedrit

Allahu xh.sh. e kishte parapërgatitur me kohë Muhamedin a.s. për atë që e priste, për amanetin më të madh që do ta bartte mbi supet e veta, amanet që do ta ndërronte përjetë rrjedhën e historisë njerëzore.

Krahas disa toponimeve (Mekës, Medinës, Uhudit), Bedri është një vend i vogël, 150 km në jugperëndim të Medinës. Ky vend ka pasur nderin të përmendet në Kuran: "Allahu ju ndihmoi juve në Bedër, kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës kini frikë Allahun!" (Ali Imran, 123)
Shkaku i përmendjes së ngjarjes së Bedrit në Kuran është fitorja e myslimanëve në betejën po me këtë emër, më 17 Ramazan të vitit të dytë sipas hixhretit.
Në këtë betejë Allahu i Madhërishëm ndihmoi myslimanët përmes ushtrisë së Tij, të cilën nuk e di kush pos Tij. Për këtë na rrëfen në Kuranin famëlartë, ku thotë:
"Allahu ju ndihmoi juve në Bedër, kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës kini frikë Allahun! Kur ti u thoshe besimtarëve: "A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t'ju vazhdojë ndihmën me tre mijë melekë të zbritur? Po, nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t'ju vijnë tash në këtë moment, Zoti juaj jua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej melekëve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar." (Ali Imran, 124-126)
Duhet theksuar se kjo ishte beteja vendimtare për Islamin, Muhamedin a.s. dhe pjesëtarët e tij, e që e zhvilluan me idhujtarët mekas dhe aleatët e tyre. Ishte një betejë që me ndihmën e Allahut mbaroi në dobi të myslimanëve.
Muhamedi a.s. me shokët e tij ka udhëhequr shumë beteja të cilat i ka kurorëzuar si ngadhënjimtare, siç është ajo e Mekës, e Hunejnit, e kujtesa për to nuk ka mbetur edhe aq e freskët në jetën individuale dhe shoqërore të myslimanët siç është rasti me ngjarjet në luftën e Bedrit. Pse është kështu?
Pyetja është aktuale sidomos me rastin e shënimeve që i kushtohet kësaj ngjarje gjatë Ramazanit. Shënimi i ngjarjes së Bedrit nuk është i karakterit lokal, por është shënim universal, sepse anekënd botës besimtarët islamë në këtë ditë organizojnë akademi e manifestime në Ramazan. Në këto manifestime përkujtohet ngjarja e Bedrit, përkujtohet Muhamedi a.s. me shokët e tij, si simbole të vetëdijes islame, guximit dhe solidaritetit.
Për një çast të mundohemi që ta rikthejmë ngjarjen e amshueshme të Bedrit, ku do të shohim dy taborë të ballafaquar mes veti. Njëri, që është shumë më superior, i përbërë nga idhujtarët mekas dhe aleatët e tyre, dhe me 900 luftëtarë, kurse tabori tjetër, që është shumë më i dobët, i përbërë nga myslimanët, dhe me 315 luftëtarë, në krye me pejgamberin Muhamedin a.s., me një armatim të dobët por me një iman të madh e të fortë në Allahun e Plotfuqishëm. Beteja zgjati një ditë, dhe qe e përgjakshme, e lodhshme dhe vendimtare. Fitorja ishte në anën e myslimanëve.
Ky ishte moment shumë i gëzueshëm për myslimanët e Medinës. Me fitoren e kësaj beteje u rrit autoriteti i misionit të Muhamedit a.s., personalitetit të tij dhe shoqërisë së porsaformuar myslimane. Pas kësaj fitore pasuan marrëveshjet për paqe me fiset që ende nuk e kishin pranuar fenë e që jetonin në Medinë e rrethinë. Vazhdoi shpallja e ajeteve kuranore. Në to myslimanëve u tërhiqej vërejtja që fitorja në Bedër nuk guxon t'i mashtrojë. Kjo rrugë është e vështirë, e rëndë dhe e gjatë, mirëpo jashtëzakonisht e vlerësuar te Allahu. Si rrjedhojë dhe flijim në këtë rrugë është premtuar shpërblim i shumëfishtë: "Ata që luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre, Allahu i gradoi me një shkallë më të lartë mbi ata që qëndruan pa bërë gjë." (En Nisa, 95)
Për t' u përgjigjur në pyetjen e parashtruar në fillim, për rëndësinë e fitores në Bedër, patjetër duhet të kihen parasysh ngjarjet që i paraprinë ndodhisë së Bedrit. Para së gjithash duhet vështruar frymën e pjesëmarrësve në ngjarjet e kësaj lufte në të dy taborët, posaçërisht taborit mysliman.

Thirrja e Muhamedit a.s. kah vlerat morale

Fillimi i shpalljes së Kuranit dhe qasja aktive e Muhamedit a.s. për t'i thirrur njerëzit në Islam nënkuptonte një epokë të re, e cila do t' i jepte domethënie ekzistimit të njeriut dhe orientimit të tij në kohë dhe hapësirë. Ndryshimet që i paralajmëroi Islami depërtuan thellë, dhe në mënyrë kualitative ndryshuan personalitetin e individit dhe bënë ndryshime bazike në marrëdhëniet e bashkësive njerëzore. Thirrja e Muhamedit a.s. kah vlerat morale dhe idetë e mëdha drejtuar shoqërisë me-kase, e cila politikisht dhe ekonomikisht ishte shumë e fortë, fillimisht nuk u pranuan. Kryeneçësia tradicionale e idhujtarëve mekas i dha një rezistencë të madhe idesë së Islamit, e cila e synonte freskimin e shoqërisë dhe shkatërrimin e idhujtarisë duke lejuar që nga tradita të merret vetëm ajo që ishte pozitive dhe vitale.
Konflikti në mes të vjetrës dhe të resë, besimit në një Zot me besimin në shumë zota të rrejshëm, ishte i pashmangshëm. Konflikti në mes të drejtës dhe të padrejtës, tiranisë me njeriun, vetëm se kishte shkrepur në jetën individuale, familjare dhe shoqërore në përgjithësi.
Muhamedi a.s. gjatë veprimtarisë së tij trembëdhjetëvjeçare në mesin e shoqërisë mekase, me një numër të vogël besimtarësh përjetoi presion të natyrës morale
e materiale. Që nga fillimi gjeneratën e parë të myslimanëve filloi ta përcjellë një luftë jo e barabartë. Pastaj pasoi hixhreti-emigrimi, pra jo ikja, sepse lufta duhej të vazhdonte duke e ndërruar mesin/vendin dhe duke i freskuar radhët. Kulmin e solidaritetit njerëzor, muhaxhirët e gjetën te myslimanët e Medinës, pasi që në emër të fesë e cila u ishte rrezikuar në vendlindje - në Mekë, braktisën gjithçka që kishin. Në këto ngjarje erdhi në shprehje jo vetëm misioni pejgamberik, por edhe aftësia organizative dhe njerëzore e Muhamedit a.s. Ai e bëri vëllazërimin në mes muhaxhirëve dhe ensarëve, gjë e cila rezultoi konsolidimin e forcës së bashkësisë së porsaformuar myslimane. Pos kësaj, u vendosën marrëdhënie të mira edhe me fiset tjera në Medinë dhe përreth saj.
Muhamedi a.s. ishte i vetëdijshëm se lufta do të fillonte, dhe vërtetë mekasit dhe aleatët e tyre të mbushur me urrejtje ndaj Islamit, dhe duke pasur frikë për interesat e tyre tregtare, do të organizonin ekspeditën e parë ushtarake kundër myslimanëve në Medinë. Idhujtarët ishin shumë më të fortë për shkak të numrit dhe armatimit të madh të tyre, të udhëhequr nga aristokratët e fryrë që ëndërronin fitoren dhe shkatërrimin përfundimtar të Islamit dhe myslimanëve. Mirëpo, idhujtarëve nuk u kishte shkuar mendja se do të ndesheshin me luftëtarë që kishin besim të paluhatshëm në Allahun xh.sh., të cilët kontributin, mundin dhe jetën e tyre ishin të gatshëm ta vënë në shërbim të idealit islam, ngase ishin të vetëdijshëm se luftonin për idenë e vërtetë, për drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor. Ata niseshin nën udhëheqjen e Pejgamberit të tyre të dashur, i cili ishte i zgjedhur nga të barabartit.
Krahas gjithë përgatitjeve dhe strategjisë, Muhamedi a.s. dhe besimtarët tjerë nuk harruan që sinqerisht t'i drejtohen Allahut xh. sh., me lutje për ndihmë, sepse vetëm Ai është Ndihmëtar i vërtetë. Në këtë drejtim është shtuar edhe fuqia dhe fshehtësia e fitores së myslimanëve në Bedër, pra derisa ishin ndjekës të Dëshmisë-Shehadetit në fjalë e në vepër.
Më lart theksuam se suksesit të Bedrit i ka prirë një luftë e gjatë, arenë e së cilës ishin marrëdhëniet e njerëzve, zakonet dhe sjelljet e tyre. Kjo është e përgjithshmja e kësaj ngjarjeje, e cila i lidh të gjitha gjeneratat e myslimanëve në çdo kohë e në çdo vend. Fuqia që vepron në njeriun, lufta e brendshme dhe ngadhënjimi i bujarisë e nxitën Muhamedin a.s. që pikërisht në Bedër t' i thotë këto fjalë: "Po kthehemi nga beteja e vogël në betejë të madhe, në luftë me vetveten" .
Është më se e nevojshme që të ndalemi e të shqyrtojmë realitetin dhe jetën tonë fetare, të shohim se sa jemi praktikë. Sa në të vërtetë e njohim vetveten dhe të afërmit, sa i kushtojmë kujdes jetës së mbarë të kësaj bote, dhe sa jetës së amshueshme.
Me keqardhje themi se ndodh që shumë herë kur i afrohemi Kuranit marrim vetëm ato pjesë ose ajetet që në momentet e caktuara na konvenojnë, për të realizuar ndonjë qëllim, kurse pjesët tjera nuk merren parasysh. Edhe ne si besimtarë kemi Bedrin tonë, sepse lidhja ekziston. Nëse ngjarja e Bedrit kishte për qëllim themelimin e idesë islame, parimeve, mësimeve etj., atëherë Bedri ynë është zhvillimi i idesë islame, pra të bëhet në ndërtimin e kuadrove institucionale.
Mendojmë se Ramazani i bekuar me ibadetet e tij, me atmosferën e jetës së përbashkët, do të ndihmojë që të forcohemi edhe më tepër, dhe veten tonë ta vëmë në funksion të Islamit. Në këtë mënyrë e kryejmë amanetin për ruajtjen e Islamit në këto treva, por në të njëjtën kohë do të tregojmë shembull të mirë ndaj gjeneratave të reja, që edhe ata të vazhdojnë në rrugën e njëjtë dhe të kontribuojnë atëherë kur e kërkon nevoja.
Për rëndësinë dhe vlerën e fitores së Bedrit kuptojmë edhe nga fjalët e Pejgamberit a.s., i cili thotë: "Të rënët dëshmorë në luftën e Bedrit janë shehidë, dhe më të mirët ndër myslimanët" .
Allahu i mëshiroftë të gjithë ata dëshmorë në këtë luftë, sepse i hapën rrugën Islamit, të ecë me hapa të sigurt në përhapjen e kësaj feje ndër zemrat e miliona njerëzve në mbarë rruzullin tokësor.


Literatura:

1. Kurani i përkthyer nga H. Sherif Ahmeti.
2. Safi Rrahman El Mubarekfuri, Er-Rehik El Mahtum, Bejrut, 1988.
3. Bashkim Aliu, Muhamedi a.s. pishtari ndriçues, Shkup, 2000.
4. Hëna e Re, Shkup, 1996.



Xhafer Fejziu

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.