Personaliteti i njeriut dhe Ramazani

Vlerat e agjërimit janë të amshueshme dhe për këtë shkak formojnë personalitet që është i fuqishëm në këtë botë dhe në botën tjetër. Vlerat e tilla nuk kanë vetëm afat kohor të kësaj bote, por edhe të botës tjetër, e cila do të jetë e amshueshme.

Rregullat islame nuk do të ekzistonin vite me radhë sikur të ishin vetëm teori që kanë të bëjnë me ndikimin teorik. Rregullat e tilla asnjëherë nuk kanë qenë rregulla të një periudhe konkrete, ashtu siç janë rregullat e formuara nga truri i njeriut.

Ndikimi periodik formon edhe botëkuptime periodike dhe në raste konkrete, nën ndikimin e teorive të tjera, vazhdojnë së ekzistuari për një kohë të caktuar.

Rregullat islame nuk janë fryt i mendimit njerëzor, por janë të inspiruara nga Kurani famëlartë dhe nga hadithet e Pejgamberit (a. s.).

Rregullat e tilla kanë burim hyjnor dhe për këtë shkak është vështirë të limitohen brenda kufijve të një periudhe kohore, sepse burimit i tyre është hyjnor, ashtu siç është dhe ndikimi hyjnor, sepse aplikimi i tyre realizohet në emër të Zotit të madhërishëm.

Rregullat që fillojnë nga ky parim nuk mund të jenë nën ndikimin e mendjes së kufizuar të njeriut apo të një shoqërie konkrete, ashtu siç thuhet për ndikimin e mendimit helen në mendimin njerëzor apo për ndikimin e humanizmit dhe të renesancës në mendimin evropian pas shekujve të tërë të dominimit të mendimit kishtar gjatë skolastikës.

Pra, rregullat e vëna nga mendimet e njeriut nuk formuan personalitet të fuqishëm te njeriu, sepse ishin nën ndikimin e kohës. Ato shpesh ndryshonin pas një kohe efektive, e më vonë mësoheshin si pjesë e historisë së njerëzimit dhe, kështu, nga aktualiteti, shndërroheshin në thesar historik.

Rregullat që janë pjesë e së kufizuarës nuk mund të kenë vlerë mbikohore…

Në mesin e rregullave të tilla që kanë burim hyjnor dhe që ndikojnë në formimin e një personaliteti të fuqishëm dhe të paluhatshëm është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit.

Agjërimi nuk është shpikje e vullnetit të njeriut dhe për këtë shkak nuk i lejohet që të ndërhyjë në të. Ai nuk ka të drejtë të modifikojë një obligim të tillë sipas vullnetit të tij, sepse, sipas urdhrit hyjnor, obligimi i tillë nënkupton një orar specifik të kohës së myslimanit brenda një periudhe të caktuar kohore gjatë vitit, përkatësisht brenda muajit të Ramazanit.

Nuk di se ka ndonjë rregull që aplikohet në mesin e njerëzve në këtë mënyrë ashtu siç aplikohet agjërimi dhe nuk di se ndonjë obligim mund të ketë aq ndikim formues në personalitetin e njeriut, ashtu siç ndikon agjërimi i muajit të Ramazanit.

Sipas Kuranit famëlartë, shpallja e Kuranit zbret në muajin Ramazan, në këtë muaj fillon agjërimi dhe në këtë muaj është nata më e madhe, Nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj…

Pra, të gjitha karakteristikat e tilla kanë vlera që nuk mund të gjenden në asnjë kod tjetër dhe, për këtë arsye, është shumë e natyrshme të formojë një personalitet me vlera që janë të amshueshme, përkatësisht që janë në dobi të njeriut në çdo kohë dhe në çdo vend.

Personaliteti i njeriut mysliman është pasqyrë e vlerave të mëdha, të cilat i përshkruan edhe vetë Kurani famëlartë, e për të cilat flasin edhe hadithet e Pejgamberit (a. s.).

Personaliteti i formuar me vlera të tilla nuk mund të mposhtet në asnjë mënyrë, sepse ngritja e tillë është mbështetur mbi parimet hyjnore, të cilat janë në favor të njeriut.

Vlerat e agjërimit janë të amshueshme dhe për këtë shkak formojnë personalitet që është i fuqishëm në këtë botë dhe në botën tjetër. Vlerat e tilla nuk kanë vetëm afat kohor të kësaj bote, por edhe të botës tjetër, e cila do të jetë e amshueshme…

Njeriu i cili pranon agjërimin si obligim hyjnor dhe si rregull jete, brenda një periudhe të caktuar përfiton personalitet që do të ketë mundësi të ballafaqohet me sfidat e jetës.

Personaliteti i agjëruesit është i fuqishëm dhe asnjëherë nuk mund të mposhtet, sepse është i formuar nga vlerat që janë të fuqishme e që nuk mund t’i mposhtë asnjë krijesë.

Personaliteti i agjëruesit është ndryshe nga ai që nuk agjëron, sepse lumturia që vërehet në fytyrën e agjëruesit nuk mund të gjendet tek ai që nuk agjëron. Agjëruesi i frikësohet Zotit edhe kur është në jetën private, edhe në jetën publike. Për agjëruesin nuk ka jetë private, sepse jeta e tij tërësisht është e mbikëqyrur nga Zoti i madhërishëm. Pra, jeta private e agjëruesit është njësoj si jeta publike, sepse si parim jete e ka ajetin kuranor: “Kudo qe kthehesh, aty gjen Allahun.”

Agjërimi nuk e lejon njeriun të ketë personalitet labil dhe të nënçmuar. Ai është i fuqishëm para urisë e etjes, posaçërisht gjatë vapës së madhe verore.

Agjërimi nuk e lejon njeriun që të ketë jetë rutinë, ashtu siç e ka para fillimit të agjërimit, sepse e frymëzon që të jetë më i lidhur me aktivitete konkrete, me vepra fetare dhe me ndihma shoqërore.

Po të mos kishte personalitet të fuqishëm fetar me vlera fetare, agjëruesi do të konsiderohej vetëm si njeri i uritur…

Njeriu që agjëron ndjen në vete se përmes kësaj vepre kryen një mision nga Zoti, e që është pjesë e misionit të cilin as kodrat nuk e pranuan për shkak të përgjegjësisë së madhe. Pra, njeriu i tille përfiton nga uria e etja dhe nuk dëmtohet, përpos nëse është i sëmurë, sepse mëshira e Zoti nuk lejon që njeriu të dëmtojë veten. Agjërimi e shëndosh trupin dhe në asnjë mënyrë nuk e dëmton, sepse rregullat e Zotit janë për ta mbrojtur njeriun, e jo për ta dëmtuar…

Personaliteti i tillë i njeriut nuk kënaqet vetëm me praktikimin fizik të këtij obligimi, por edhe të atij shpirtëror, sepse, sipas rregullave të Islamit, çdo vepër fizike ka edhe vlera shpirtërore.

Personaliteti i agjëruesit nuk do të ishte i plotë nëse ndahet nga vlerat e devotshmërisë së shtuar gjatë këtij muaji të bekuar.

Pra, agjëruesi nuk guxon të ketë personalitet të gjymtë, sepse nuk përputhet me natyrën e obligimit që ka burim hyjnor. Asnjë obligim islam, përfshi dhe agjërimin, nuk formon diçka të gjymtë…

Me këtë obligim nuk mund të krahasohet asgjë nga kjo botë, sepse çdo gjë e kësaj bote ka vlerë të kufizuar. Personaliteti i formuar nga ky obligim nuk jeton në një botë të ëndrrave dhe në ekstazë, por bëhet më aktiv dhe më energjik dhe një natyre e tillë energjike e personalitetit të tille vërtetohet me pjesëmarrje masive nëpër xhami, me iftare familjare e kolektive, me kontribute vullnetare, me dhënien e fitrave, me aktivitete solidare, me namazin e natës, me disponim të këndshëm shoqëror dhe me ndihmat për të varfrit…

A thua ka ndonjë faktor tjetër që formon personalitet të tillë, përveç agjërimit të Ramazanit?!!!

Çdo obligim është në favor të njeriut, sepse buron nga Ai që e ka krijuar njeriun dhe që përkujdeset për mirëqenien e tij.

“Zoti e pranoftë agjërimin“, është parimi kryesor mbi të cilin mbështetet personaliteti i agjëruesit. Bile, ky është edhe synimi përfundimtar i çdo agjëruesi, sepse: vetëm për Atë agjëron, vetëm Atij i beson, vetëm tek Ai gjen mbështetjen dhe vetëm me rëskun e Tij ha iftar…



Dr. Muhamed Mustafi
Ligjërues i gjuhës arabe – fonetikë dhe morfologji në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.