Zekati dhe sadaka’ul-fitri, detyrë prioritare e myslimanëve.

Siguroni pasuritë tuaja me dhënien e zekatit” (Hadith)

Zekati bënë pjesë ndër shtyllat e Islamit, përkatësisht ndër shartet e Islamit, me të cilin iradet ne tregojnë përkatësinë tonë për Islamin dhe për bashkësinë muslimane. Zekati është iradet unikal në të gjitha aspektet e tij. Edhe pse e një rangu më poshtë, edhe sadakat’ul-fitri ose zekat’ul-fitri është detyrim fetar, që tubohet nga muslimanët, kurse shpërndahet po aty ku edhe zekati.
Dijetarët muslimanë zekatin (dhe format tjera të dhënies, kontributit material) e përkufizojnë si ibadet material, i cili përbëhet nga dhënia e saktë e sasisë së caktuar nga pasuria në dobi të fondit të përcaktuar me Kur’an. Ky fond në vendet muslimane quhet Bejt’ul-mal, kurse te ne, vendet me pakicë muslimane, organi kompetent për grumbullimin e këtij fondi dhe distribuimin e tij është Bashkësia Islame.
Zekati është detyrim fetar dhe bazë e shoqërisë, të cilën e mbanë afër dhe pamundëson mekanizmat shfrytëzues, si kamat etj.
Kur’ani e përmend shumë herë, por me emërtime të ndryshme, sikur zekat, sadaka etj.

Ja disa ajete kur’anore:

“Të cilët u besojnë gjërave të padukshme (në bazë të argumenteve mendore) dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që Ju kemi dhënë,” (El-Bekare, 3)
“Bëni namaz dhe jepni zekatin, e çfarëdo të mirë që bëni do ta gjeni te Allahu, se Allahu, me të vërtetë, sheh mirë atë që punoni.” (El-Bekare, 110)
“Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zekatin, për ata ka shpërblim te Zoti i tyre; për ta nuk ka frikë as pikëllim.” (El-Bekare, 277).

Zekati njihet edhe te pejgamberët pararendës

Zekati si institucion bamirësie, ndihmese të varfërve dhe nevojshmëve, ka ekzistuar edhe më herët. Ai nuk është i panjohur edhe për popujt tjerë. Pejgamberët në vazhdimësi i kanë porositur popujt e tyre me zekatin dhe dhëniet e ndryshme. Këtë e shohim nga jeta e pejgambereve të mëhershëm dhe popujt e tyre. Disa pejgamberë drejtpërdrejt lidhen me format materiale të bamirësisë. Ja disa ajete të tilla.
Duke folur Allahu xh. sh. për Ibrahimin a.s., Is’hakun a.s. dhe Jakubin a.s., Kur’ani thotë:
“Dhe Na, i kemi bërë ata udhëheqës, të cilët udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe u kemi shpallur atyre që të punojnë vepra të mira, të bëjnë namazin dhe të japin zekatin, e vetëm neve na kanë adhuruar.” (El-Enbija’, 73).

Për Ismailin a.s. Kur’ani thotë:

Allahu xh. sh., duke folur me gjuhën e Isait a. s., kur ai ishte në djep, tha:
“Më ka bërë të lavdëruar kudo që të jem, dhe më ka rekomanduar që të bëj namaz dhe të jap zekatin gjatë tërë jetës.” (Merjem, 31).

Edhe Pasuesve të Librit Allahu xh. sh. iu thotë:

“… e janë urdhëruar ata që t’i luten vetëm Allahut, që sinqerisht, si besimtarë të vërtetë, të predikojnë fenë dhe të bëjnë namaz, dhe të ndajnë zekatin; e kjo është feja e drejtë.” (El-Bejjina, 4-5).

Zekati në periudhën mekase

Zekati u obligua për muslimanët qysh në periudhën mekase, por për shkak të rrethanave të përkeqësuara në Mekë, zekati filloi të realizohet vetëm në Medinë.
“Do të thonë: ‘Nuk kemi pas kryer namazin dhe të varfrit nuk i kemi ushqyer,’ ” (El-Mudeththir, 43-44).
“Kurse në pasurinë e tyre kanë pjesë edhe ata që lypin edhe ata që nuk lypin.” (Edh-Dharijat, 19).
“Edhe ata që në pasurinë e tyre kanë një pjesë të caktuar.” (El-Me’arixh, 24).
Edhe pse këto ajete të periudhës mekase, megjithatë nuk munden të sendërtohen në praktikë.
Zekati në periudhën medinase
Tashmë cekëm se zekati u obligua qysh në Mekë, por zbatimi i tij filloi në Medinë, sidomos pas ajeteve që plotësuan ajetet mekase. Zekati, krahas ibadeteve tjera konsiderohet çelës i hyrjes në islam dhe çelës për mbijetimin e bashkësisë muslimane:
“Por nëse pendohen dhe kryejnë faljen dhe japin zekatin, i keni vëllezër për nga feja.” (Et-Tevbe, 11).
Muslimanët janë të vetëdijshëm se mohimi apo zhvlerësimi i këtij detyrimi na privon nga e drejta e të qenit musliman. Shembulli i veprimit energjik të Ebu Bekrit r. a. ndaj atyre që mohuan dhënien e zekatit është i qartë. Ai përdori forcën kundër atyre fiseve që refuzuan dhënien e zekatit pas vdekjes së Muhammedit a. s. Me këtë rast tha fjalë të mëdha:
“Pasha Allahun, do të luftojë kundër atij që bën dallimin ndërmjet namazit dhe zekatit. Për Zotin, kush refuzon vetëm një dhënie (d.m.th. një deve ose dele në emër të zekatit) të cilën e ka bërë gjatë jetën së Muhammedit a. s. unë do të luftojë kundër atij.”
Synimi kryesor i këtij ibadeti është bindja ndaj urdhrave të Zotit të lartësuar, duke zbatuar ibadetet e tij. Zekati ndonëse në shikim të parë na varfëron, ai në fakt na pasuron; ai është pastërti e pasurisë nga e drejta e tjetrit në të dhe pastërtia e shpirtit. Pasuria me dhënien e zekatit pastrohet nga e drejta e tjetrit, kurse shpirti pastrohet nga koprracia, vetjakja dhe lakmia pas të mirave të kësaj bote.

Kur’ani është i qartë:

“Thuaj: “Zoti im furnizon nga robërit e vet kë të dojë dhe ia ngushton, çka do që ju të jepni (dhuroni) Ai atë e kompenson. Ai është furnizuesi më i mirë”.” (Sebe’, 39).
“… e çka e jepni për zekat me dëshirë që t’i afroheni Allahut, e po ata janë që i shumëfishojnë veprat e tyre”. (Err-Rrum, 39) .
Ajetet i sqaron edhe më hadithi i Muhammedit a. s., i cili tha:
“Kur ta ndash zekatin, nga pasuria jote ke mënjanuar të keqen e tij.” (El-Hakim).
“Ruajeni pasurinë tuaj me dhënien e zekatit”. (Ebu Davud).
Nga hadithi vijues kuptojmë disa veçanti rreth zekatit dhe dhënieve materiale në përgjithësi. Enes ibn Maliku përcjell se një njeri nga fisi Beni Temim erdhi te Pejgamberi s.a.v.s., duke i thënë:
“O Pejgamber i Zotit, unë kam pasuri të madhe dhe familje të madhe, dhe më udhëzo si të veproj me pasurinë time? Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ndaje zekatin nga pasuria jote, sepse ai të pastron; kujdesu për familjen tënde, mos e harro të drejtën e të varfrit, fqinjit dhe lypësit!” (Ahmedi).
Baza kur’anore-sunetike e grumbullimit dhe shpërndarjes
Zekati bazohet në Kur’an dhe Sunet. Zbatimi i kësaj detyre nuk është vetëm çështje personale, por me interes publik dhe si e tillë është trajtuar edhe në kohën e e Muhammedit a. s. por edhe të halifëve të drejtë.
Kur’ani i urdhëron Muhammedit a. s. saktësisht:
“Merr nga pasuria e tyre sadakë, me të cilën do t’i pastrosh ata dhe me të cilën do t’ua rrisësh veprat e mira.” (Et-Tevba, 103)
Kjo urdhëresë tregon se zekati dhe format tjera të dhënieve materiale nuk janë të sferës vullnetare, as të veprimit individual, por të organizuara nga prijësit fetarë. Këtë e shpjegon dhe ajeti tjetër kur’anor, i cili saktësisht tregon shpërndarjen e mjeteve të grumbulluara:
“Zekati u takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, edhe atyre që e tubojnë, edhe atyre zemrat e të cilëve duhet përfituar, edhe për lirimin e robërve, dhe të ngarkuarve me borxhe, edhe për hir të rrugës së All-llahu, edhe udhëtarëve – musafirë, si obligim nga All-llahu. Kurse All-llahu i di të tëra dhe është i urtë.” (Et-Tevbeh, 60).
Organizatori i grumbullimit të mjeteve bënë shpërndarjen sipas këtyre grupeve, duke i dhënë prioritet fondeve të caktuara, varësisht rrethanave të bashkësisë. Këtë aktivitet do ta zhvillojnë njerëzit e angazhuar për këtë detyrë, që në këtë rast është “edhe atyre që e tubojnë”.
Edhe halifët e drejtë më vonë vepruan në këtë frymë. Qytetari ka për detyrë t’ia dorëzojë vlerën për zekat organizatorit, qoftë ajo pasuri e fshehtë (para, flori etj.) apo e hapur (kafshë, prodhimet bujqësore etj.).
Nëse shteti islam, përkatësisht institucionet muslimane nuk e kryejnë këtë detyrim fetar, siç ka ndodh në kohë të dekadencës muslimane, e në shumë vende muslimane edhe sot e gjithë kohën, detyra dhe përgjegjësia për këtë nuk hiqet dhe ne këtë detyrim duhet ta kryejmë individualisht. Kjo, praktikisht domethënë, unë si besimtar duhet ta gjejë organizatën time fetare dhe t’ia dorëzojë atë që vlerësohet si zekat, sadakë apo kurban. Shembulli i Bashkësisë Islame të ish-Jugosllavisë është mundësia më e mirë si duhet menduar e vepruar.

Si duhet të sillemi ne karshi zekatit e sadakave

Në vendin tonë, por edhe në vendet përreth organizimin e tubimit dhe shpërndarjes së zekatit dhe ndihmave tjera e bënë Bashkësia Islame. Ky organizim është nga koha kur Bashkësinë Islame të Jugosllavisë shkencërisht e intelektualisht e udhëhiqte Husein Gjozo, intelektuali më i madh dhe më me ndikim i shekullit XX në Ballkan. Ai propozoi kurse Bashkësia Islame qëndroi pas mendimeve të tij që zekati, sadakat’ul-fitri, kurbani etj., të grumbollohen dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar, në mënyrë që muslimanët të mbijetojnë me mjetet e veta, pasi pasuria e vakëfit u konfiskua apo dëmtua nga shteti në masën më të madhe. Me këtë veprim kishte dy dobi: zbatimi i praktikës sa më burimore të këtyre institucioneve në rrethana e kushte bashkëkohore. Përkundër rezistencës, aksioni dha rezultate të paimagjinueshme. Filloi zhvillimi i Bashkësisë Islame dhe institucioneve arsimore të saj.
Të gjithë besimtarët muslimanë në vend dhe jashtë kanë për detyrë të bashkangjiten me këtë aksion dhe ta ndihmojnë atë drejtpërdrejt apo tërthorazi, me pjesëmarrjen e vet dhe me ndihmesën për realizimin e tij më të mirë. Këto kontribute nuk kemi të drejtë t’i shkapërderdhim andej-këndej, sipas prirjeve personale, por përjashtimisht në Fondin e Bashkësisë Islame të vendit. Me këtë na obligon edhe Kur’ani:
“O besimtarë! – binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit; dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.“(En-Nisa‘, 59).

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.