Dimensioni social i zekatit

Sedat ef.Islami

Falënderimet i takojnë Allahut, që obligoi Zekatin si pastrim për shpirtrat dhe shtim të pasurive, ndërsa për shpenzim në rrugën e Tij caktoi kompensim të menjëhershëm dhe shpërblim të madh në botën e mëpastajme. Dëshmoj se nuk ka zot pos Allahut, Ai është Një dhe i vetëm, është Sunduesi, i Madhi, i Lartësuari! Po kështu dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij, i cili ngadhënjeu me tiparet më të përkryera njerëzore dhe cilësitë më të çmuara. Paqja mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, familjen, shokët dhe gjithë ata që me dinjitet i pasojnë ata deri në amshim!

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Zekati është tri llojesh:
1) Zekat për shpirtin, e që nënkupton pastrimin e tij nga mëkatet dhe morali i urryer. Allahu këtë na e mëson në Kur’anin Famëlartë, ku thotë:
Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! 8. Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. 9. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.” (esh-Shems, 7-9)
2) Zekat i trupit, e që ka të bëjë me dhënien e Zekatit të Fitrave, për çdo të gjallë, si pastrim nga mëkatet dhe gabimet eventuale…
3) Zekat i pasurive, i cili është edhe bosht i temës sonë të sotme.
Zekati është obligim islam. Në fe, ka një pozitë të rëndësishme; është shtylla e tretë e Islamit[1], ndërsa si obligim njihej edhe tek popujt – profetët e mëhershëm[2]. Për të na shpalosur rëndësinë e zbatimit të tij për myslimanin dhe shoqërinë islame, Kur’ani na bën me dije se si obligim është aq me peshë, saqë edhe jomyslimanët do të merren në pyetje për të.
… Për idhujtarët është mjerim i madh, 7. Të cilët nuk e japin Zekatin dhe mu ata e mohojnë botën tjetër.” (Fussilet, 6-7)
Pra, Zekati duhet dhënë patjetër, ngase, nëse Allahu merr në llogari edhe jobesimtarët për të, atëherë besimtarët nuk mund t’i shpëtojnë kësaj assesi. Kjo i ngjan si të thuash një urdhri që lëshohet ta zëmë për të ndëshkuar të gjithë ata që vjedhin nga radhët e adoleshentëve, e që nënkuptohet, se nëse si urdhër vlen për këtë brez ende të paformuar të shoqërisë, atëherë për personat e rritur dhe juridik, vlefshmëria e tij dhe aplikimi për ta është i padiskutuar.
Sot, nuk do të flasim për argumentet e dhënies, format dhe sasinë e dhënies së Zekatit, jo, çështjen duam ta diskutojmë nga një prizëm tjetër. Duam ta nxisim dhënien nëpërmjet përkujtimit të një elementi tepër të rëndësishëm të tij: elementit social. Sot, do të flasim pse është e rëndësishme dhënia e Zekatit në aspektin social, sa i kontribuon mirëqenies dhe harmonisë shoqërore, sa ndikon në ruajtjen e rendit dhe stabilitetit në shoqëri, e të ngjashme.

Të nderuar vëllezër!
Zekati nuk është thjesht një obligim që kryhet me një kalkulim të thjesht: ke ka, duhet të japësh ka. Assesi. Ai, sikur të gjitha adhurimet tjera, në thelb, fsheh mësime shumë me rëndësi, të cilat, siç thamë, nga aspekti social do t’i trajtojmë sot, në këtë hutbe –me lejen e Allahut të Madhëruar!
Kështu, fillojmë me përmendjen e disa prej imazheve të këtij aspekti të rëndësishëm të Zekatit:

Stabiliteti ekonomik

Zekati, në thelb, është një e drejtë shoqërore, të cilën Islami e ka miratuar për tu ndihmuar njerëzit ndërmjet vete. Këtë parim e gjejmë në hadithin e Muadhit [Allahu qoftë i kënaqur me të!], të cilit, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam!] me rastin e dërgimit në Jemen, i kishte thënë:
“…nëse ata të respektojnë (praktikojnë namazin), atëherë ua bën me dije se Allahu ua ka obliguar një lëmoshë në pasurinë e tyre, e cila merret prej të pasurve të tyre për t’iu kthyer të varfërve të tyre…” (Transmetim unanim.)
Kjo është filozofia e Zekatit në Islam; merret prej një grupi njerëzish, që janë privilegjuar prej Zotit, madje edhe pa dashjen e tyre në rast se refuzojnë ta japin, dhe iu kthehet të tjerëve që nuk kanë, për të mos i lënë në mëshirën e fatit. Por, jo vetëm këtij qëllimi i shërben ai. Zekati, edhe pse ka sfond social, megjithëkëtë, nuk mëton të krijojë raste sociale. Përkundrazi. Zekati tenton që të ndihmojë njerëzit për tu pavarësuar, për të fituar bukën nga djersa e tyre, për të krijuar kushte që ata vet ta mbajnë veten e tyre. Në kuptim të një prej sektorëve në të cilët bëhet shpërndarja e Zekatit, dhe të cilët janë përmendur në Kur’an, në kaptinën et-Teubeh, 60, respektivisht në sektorin e të varfërve, dijetarë dhe mendimtarë klasikë e bashkëkohorë kanë përmendur se hyn edhe ndihma për tua mundësuar atyre fillimin e ndonjë pune a biznesi, që do t’i pavarësonte ata nga Zekati.
Por, nëse nuk jepet Zekati, atëherë rendi ekonomik shoqëror do të pësojë për të keq, ngase të varfrit do të shtohen dhe bashkë me ta edhe problemet. Ky veprim i tyre nuk do të shpëtojë pa u sanksionuar edhe nga Allahu, i Cili mbase do të ndëshkon që të gjithë me gjëra që do ta thellojnë edhe më shumë varfërinë. Fjala është për ndaljen e shiut, i cili është burim jetik për jetën e njeriut. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam!] ka thënë:
“…dhe nuk ndodhë ta ndalojnë dhënien e Zekatit, e të mos iu ndalet shiu nga qielli. Sikur të mos ishin kafshët, (kurrë) nuk do të iu zbriste shi…” (Transmeton Ibni Maxheh në Sunen ndërsa Albani thotë se hadithi është i mirë –hasen.)

Stabilizimi shoqëror

Stabilizimi shoqëror arrihet nëpërmjet dy elementeve që sjell Zekat:
1) Realizimi të harmonisë bashkëqytetare nëpërmjet pastrimit të pjesëtarëve të shoqërisë nga vetitë e urryera. Në koment të ajetit:
Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…“ (et-Teubeh, 103)
…disa mendimtarë myslimanë kanë thënë se Zekati pastron të pasurin nga koprracia dhe lakmia ndërsa të varfrin nga urrejtja dhe smira për të pasurin.
Zekati arrin të përçojë më së miri vëllazërinë myslimane, ngase ndihmesa bëhet pikërisht për ta dëshmuar këtë aspekt. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam!] ka thënë:
“Besimtari për besimtarin është sikur ndërtesa, pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën!” (Transmetim unanim!)
Ky element është zbuluar edhe nga një studiues sirian, Dr. AbduRrahim Senkar, i cili nëpërmjet një studimi në terren, kishte ardhur në përfundim se Zekati, si organ shoqëror, dallon nga organet në botën perëndimore, për shkak se përveç aspektit material, synon edhe këtë shpirtëror.
Ky aspekt i Zekatit përfshin patjetër edhe jomyslimanët që jetojnë në Shtetin islam, pasi që edhe ata përfitojnë nga ky fond, qoftë për tu afruar më afër Islamit, siç flet ajeti 60 i kaptinës et-Teubeh, apo edhe për të përmbushur thjesht nevojat e tyre qytetare. Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!] kishte urdhëruar përmbushjen e nevojave të një moshuari jomysliman nga Zekati me arsyetim se sa ka qenë i ri dhe i fuqishëm për pune, ka kontribuar për këtë fond me pagimin e taksave, andaj sot Shteti duhet t’ia përmbushë nevojat e tij.
2) Realizimit të sigurisë dhe rendit shoqëror nëpërmjet sigurimit të aspektit material, që është i domosdoshëm për jetesën normale të qytetarëve. Allahu thotë:
(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. All-llahut i takon përfundimi i çështjeve.“ (el-Haxh-xh, 41)
Pra, e japin Zekatin ngase jeta shoqërore nuk mund të zhvillohet ndryshe vetëm se duke përmbushur obligimet që kemi ndaj saj.
3) Kursimin e shoqërisë nga format e devijuara dhe të shthurura të raporteve ndërmjet vete. Nëse nuk funksionin mekanizmi i Zekatit, atëherë njerëzit, që është normale të kenë nevojë për njëri tjetrin edhe në këtë aspekt, do të detyrohen për të përmbushur nevojat e tyre t’i nënshtrohen formave të ndaluara të marrëdhënieve, si kamata, fajdeja, kreditë, apo edhe të vjedhin, plaçkitin, grabisin, etj. Omer Ibn Abdul Azizi [Allahu qoftë i kënaqur me të!], duke u mbështetur në ajetin 60 të kaptinës et-Teubeh, kishte nxjerrë një dekret që obligonte Arkën e Shtetit të paguante borxhet e atyre që nuk mund t’i paguanin ato. Se sa e rëndësishme është kjo kuptojmë sot kur të shohim se si protestat dhe problemet shoqërore vijnë pikërisht për shkak të pamundësisë së kthimit të borxheve.
4) Zekati bën dhe ruajtjen e nderit të besimtarëve të sinqertë, të cilët përkundër varfërisë që kanë, nuk e shprehin atë, kështu që një njeri i pamatur mund t’i konsideroj për pasanikë. Thotë Allahu:
(Jepni) për të varfërit që janë të angazhuar në rrugën e All-llahut dhe nuk kanë mundësi të gjallërojnë me tokë, duke qenë se ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata i njeh nga vetë pamja e tyre (të rraskapitur), por nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit. Pra çkado që të jepni nga pasuria, s’ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë.“ (el-Bekare, 273)

Zekati dhe kultivimi i moralit të mirë

Ruajtja e nderit është objektivë islame, të cilën mundohet Islami ta realizoj edhe nëpërmjet Zekatit. Omer Ibn Abdul Azizi [Allahu qoftë i kënaqur me të!] kishte nxjerrë një dekret për të ndihmuar nga Arka e Shtetit të gjithë ata që duan të martohen por nuk kanë mundësi materiale.

Zekati dhe imazhi i një organizimi të mirëfilltë shtetëror

Zekati arrin të reflektojë dhe organizimin shtetëror, pasi që një nga sektorët e tij ka të bëjë edhe me udhëtarin. Ka qenë traditë që Shteti të ndërtojë bujtina për udhëtarët dhe të huajt, dhe kështu të sigurojë ata nga rreziqet e natës, çfarëdo të jenë ato.

Të nderuar vëllezër!
Këto janë vetëm disa imazhe të një dimensioni të këtij adhurimi madhështor në islam, ndryshe, dijetarët dhe mendimtarët myslimanë kanë përmendur edhe dimensione tjera shumë të rëndësishme të tij, të cilat dashtë Allahu do tua sjellim herëve tjera. Por, ajo që duam ta diskutojmë para se të ndahemi ka të bëjë me një pyetje që shpesh e parashtrojmë:

Pse (ende) nuk e japim Zekatin?

A mos vallë kemi frikë pakësimin e pasurisë?! A nuk pamë se si Allahu ka bërë që ky adhurim të luajë rolin e një filtruesi të pasurisë.
Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat)…“ (et-Teubeh, 103)
Shtimi i pasurisë dhe të mirave në këtë ajet ka kuptime dhe domethënie të rëndësishme, dy prej të cilave do të dija t’i veçoj:
1) Pastrimi i pasurisë nëpërmjet largimit të asaj që është e dëmshme dhe e cila, edhe pse duket sipërfaqësisht se e shton pasurinë, në fakt e shkatërron atë. Shembulli i kësaj është shembulli i bimëve, të cilat mbijnë afër njëra tjetrës, disa prej të cilave duhet hequr për të lejuar bimën kryesore të rritet.
2) Deponimi – ruajtja e pasurisë nëpërmjet dhënies në rrugën e Allahut. Këtu mbase qëndron dhe sekreti i betimit të Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] se pasuria me dhënie nuk pakësohet. Tirmidhiu transmeton në Sunen nga Ebu Kebshe el-Ennemariu [Allahu qoftë i kënaqur me të!] se ai ka dëgjuar Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] duke thënë:
“Për tri gjëra iu betohem dhe ua them një hadith, andaj mbajeni në mend: Pasuria e robit nuk pakësohet nga Zekati!…” (Albani thotë se hadithi është sahih – autentik.)

O rob i Allahut!
Të është betuar Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] se nuk të pakësohet pasuria nga Zekati ndërsa ti ende dyshon dhe heziton ta japësh atë! Çfarë të bën kaq të ngurtë? Përse nuk e jep Zeaktin? A kurrë nuk ke menduar për gjendjen tënde? Nëse të ka dehur dynjaja dhe të ka humbur mendja fare, atëherë për ta mësuar të vërtetën, shih se çfarë thotë Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]:
“Iu ka mashtruar grumbullimi i pasurisë. Tha (Profeti): Thotë njeriu: ‘Pasuria ime! Pasuria ime!’ po çfarë tjetër ke ti o njeri nga pasuria jote përveç asaj që e ngrëne dhe harxhove, asaj që e vishe dhe e vjetrove, apo e ke dhënë lëmoshë dhe e deponove (për Ditën e Llogarisë)?!”(Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu ndërsa teksti është i Muslimit.)
Këto janë destinimet e pasurisë sate: ndalu dhe mendo për secilën veç e veç dhe vepro pastaj si të duash. Vepro, si ta merr mendja ty, por nëse të dhimbset pasuria dhe je xheloz për të, atëherë përfille këtë këshillë profetike dhe ruaje pasurinë tënde. Po, ruaje, por duke e dhënë atë në rrugën e Allahut ngase kështu bëhet ruajtja e saj në fe. Këtë botëkuptim të ruajtjes së pasurisë na e ka mësuar i Dërguari i Allahut, Muhammedi [alejhis salatu ves selam!]. Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të!], siç transmeton Tirmidhiu në Sunen, rrëfen se kishin therur një dele ndërsa Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] pasi që kishte urdhëruar të shpërndahej lëmoshë për hire të Allahut, e kishte pyetur Aishen:
“Çfarë ka mbetur prej saj? Asgjë, me përjashtim të një krahu – iu përgjigj Aisheja. Paska mbetur e tëra, me përjashtim të atij krahu – ia ktheu ai.” (Albani thotë se hadithi është sahih – autentik.)
Pra, siç mund ta shohim, Muhammedi [alejhis salatu ves selam!] pasuri të harxhuar nuk e llogariste atë që është dhënë, ngase ajo deponohet tek Allahu për ditën kur do të kemi nevojë më së shumti.

Kërcënimi për ata që nuk e japin Zekatin

Injorimi i këtij adhurimi kaq madhështor, me këto urtësi dhe këtë pozitë kaq të lartë në fe, sigurisht se duhet të ndëshkohet, ngase, mospërmbushja e këtij obligimi ka pasoja jo vetëm për individin, pro edhe për shoqërinë. Nga këtu gjejmë Kur’anin tek ua tërheq vërejtjen njerëzve që nuk e japin Zekatin se mund ta pësojnë keq. Thotë Allahu:
…Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e All-llahut, lajmëroi për një dënim të dhembshëm.“ (et-Teubeh, 34)
Ky kërcënim vjen edhe nga një aspekt tjetër, ai i mospranimit të kësaj vepre, nëse nuk bëhet në kohën e duhur. Nëse sot ke mundësi ta japësh dhe nuk e jep, ende pa dalë nga kjo botë, do të pendohesh, ama atëherë do të jetë tepër vonë. Ja çfarë thotë Allahu i Madhëruar:
Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: “O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!” 11. Po, All-llahu kurrsesi askë nuk e shtyn për më vonë, kur atij t’i vijë afati i vet. All-llahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni.” (el-Munafikune, 10-11.)

Vëllezër!
Jepni Zekatin e pasurive tuaja para se të jetë vonë, ndryshe atëherë do të pendoheni por pendimi më nuk do të vlen!



—————————————–
[1] Ashtu siç qëndron në hadithin Omerit [Allahu qoftë i kënaqur me të!]: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla…” (Buhariu dhe Muslimi)
[2] Shih: el-Enbija, 73.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.