Në ShqipërI besimtarët myslimanë festojnë festën e Fitër Bajramit

Mijëra besimtarë myslimanë falën sot namazin e Fitër Bajramit në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë dhe mijëra të tjerë në sheshet kryesore të çdo qyteti të vendit.

Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të sabahut.

Më pas programi i Bajramit filloi me këndimin e një pjesë nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli imami i xhamisë së “Et’hem Beut”, z. Elton Karaj.

Ceremonia vazhdoi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili përcolli për të pranishmit urimet dhe përshëndetjet e kësaj dite gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

“Fitër Bajrami është ditë shprese, ditë gëzimi dhe solidarizimi. Bajrami është ftesa nga zemra në zemër, për të folur më shumë me njëri-tjetrin, për t’u dashur, për të sheshuar keqkuptimet, mosmarrëveshjet, mëritë dhe zënkat, për të falur e toleruar. Të nderuar besimtarë, ta gëzojmë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë dhe me shpresën te Zoti që ky muaj të na ketë bërë më të mirë, më afër krijuesit e njerëzve. Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur. Le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, vëllazëri, miqësi dhe dashuri, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit”- tha z. Spahiu gjatë fjalës së tij.

Në ligjëratën e rastit, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Lauren Luli, pasi uroi të pranishmit për Fitër Bajramin u fokusua tek kujdesi dhe vëmendja ndaj familjes dhe rinisë.

“Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, sot është dita që të rifreskojmë edhe një herë seriozitetin me të cilin duhet të kujdesemi për gjënë më të shtrenjtë e të çmuar që Zoti na ka falur, familjen. Kurrsesi nuk mund të tolerojmë asnjë kërcënim që i afrohet qelizës më të vogël por më të rëndësishme të shoqërisë. Familja është e shenjtë dhe me shenjtërinë e saj nuk guxon askush të luajë e ta nëpërkëmbë atë për përfitime të ndryshme vetjake. Sepse kjo do të sillte një dëm, rikuperimi i të cilit do të na kushtonte shumë të gjithëve. Prandaj më lejoni që thirrja ime ti drejtohet jo vetëm të pranishmëve por edhe më gjerë, mos e kërcënoni të ardhmen tonë. Ta ruajmë rininë tonë nga veset si alkooli, droga, imoraliteti, mashtrimi, kumari që janë viruse shkatërruese të mirëqenies së një shoqërie” – tha ai.

Më tej u bë falja e namazit të bajramit nga Kryetari i Komunitetit, H. Bujar Spahiu, për të vazhduar më pas me hytben e Fitër Bajramit e cila u mbajt po nga kryetari i KMSH-së.

Gjatë hytbes, Kryetari Spahiu, u lut për më shumë paqe, kënaqësi, gëzim dhe harmoni mes njerëzve të shoqërisë sonë.

“Festimi, urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Në vazhdën e kësaj tradite, i uroj besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta gëzojnë këtë festë me familjen, farefisin, miqtë dhe fqinjët. I lutem Zotit me dëshirën më të madhe, që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve paqe, kënaqësi, gëzim dhe harmoni. Le të sjellë kjo festë më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit” -tha ai ndër të tjera gjatë hytbes.

Ndërsa moderatori i programit, Drejtori i Kulturës në KMSH, z. Dorian Demetja, u shpreh se Bajrami është dita ku kujtojmë njëri-tjetrin, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren.

Më pas besimtarët e pranishëm në shesh u shpërndanë për të festuar me familjet dhe të afërmit e tyre./kmsh/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.