Vlera e kërkimit të diturisë dhe vlera e dijetarëve (I)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Elementet bazë të nxënësit të dijes

1. Sinqeriteti
2. Puna me diturinë dhe largimi nga mëkatet
3. Thjeshtësia
4. Respektimi i dijetarëve dhe i tubimeve të diturisë
5. Durimi në kërkimin e diturisë
6. Konkurimi (garimi) në kërkimin e diturisë
7. Vërtetësia dhe besnikëria
8. Përhapja e diturisë dhe mësimdhënia e saj.
9. Përmbajtja e vetes nga lakmia e kësaj jete.
10. Kujdesja për kohën dhe shfrytëzimi i saj.
11. Studimi i diturisë nga frika e harresës.
12. Dinjiteti dhe turpi.
13. Shoqëria e mirë.


Vlera e kërkimit të diturisë dhe vlera e dijetarëve.

1. Ajetet kuranore që flasin për vlerën e kërkimit të diturisë dhe vlerën e dijetarëve.

Allahu thotë, duke sqaruar vlerën e dijetarëve dhe pozitën e tyre të lartë:
“Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”.
“Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri”.
Argument tjetër që vërteton vlerën e diturisë dhe kërkimin e saj si detyrë, është fjala e Allahut ku urdhëron të Dërguarin e Tij: “Dhe thuaj, Zoti im, më shto diturinë”.
Allahu e ka nderuar diturinë e dijetarët dhe u ka dhuruar mirësi të plota, Ai thotë: “Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, i është dhënë një e mirësi e madhe. Këtë nuk e kupton kush tjetër, përveç të mençurve”.
Muxhahidi thotë: “Fjala “ia dhuron urtësinë”, nënkupton diturinë dhe thellimin në fe (fikhun)”.
Nga faktet që e përforcojnë rëndësinë e diturisë dhe domosdoshmërinë e kërkimit të saj është fjala e Allahut: “Atëherë, dije se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, kërko falje për mëkatin tënd, për të besimtarëve e të besimtareve”.
Pra ka filluar me diturinë para punës, siç ka thënë imam Buhariu.
Allahu thotë: “Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët”.
Dijetarët janë ekspertët e perceptimit të pastër dhe kuptimit të thellë.
Allahu thotë: “Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, të cilat nuk i kupton askush përveç dijetarëve”.


2. Hadithet e ndershme të përcjellura për vlerën e kërkimit të diturisë dhe pozitën e saj.

- Muavija tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, e bën të ditur në fe”.
- Ebu Musa Eshariu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shembulli i mesazhit që më ka dërguar Allahu me udhëzim dhe dituri, është si shembulli i shiut që bie në një fushë. Në të ishte një pjesë pjellore që e thithi ujin, mbiu barin dhe sanën e shumtë. Gjithashtu kishte gropa ujëmbajtëse, me të cilat Allahu u bën dobi njerëzve, pinë prej saj, ujisin dhe mbjellin tokat me të. Ky shi ra edhe në toka të djerra, që nuk e mbanin ujin, në të cilat nuk mbin bari. Ky është shembulli i atij që mëson fenë e Allahut, i bën dobi ajo, me të cilën më dërgoi Allahu, mësoi dhe ua mësoi të tjerëve, ndërsa shembulli i atij që nuk ngre kokën (për shkak të refuzimit apo injorancës), nuk e pranon udhëzimin e Allahut, me të cilin u dërgova (është si toka djerr)”.
- Ebu Derda tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush ndjek një rrugë, duke kërkuar diturinë, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhenet. Engjëjt lëshojnë flatrat e tyre për kërkuesin e diturisë, (dhe) këtë e bëjnë nga kënaqësia për shkak të veprimit të tij. Për dijetarin kërkojnë falje çfarë ka në qiell dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është si vlera e hënës ndaj planetëve të tjera. Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Profetët nuk kanë lënë për trashëgimi (as) ar dhe (as) argjend, por kanë lënë diturinë. Kush kapet pas saj, është kapur tek gjëja e duhur”.
- Abdullah ibnu Mesudi tregon, se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën një njeriu, që dëgjon ndonjë gjë prej nesh dhe e përcjell ashtu sikur e ka dëgjuar. Ndoshta i informuari e kupton më mirë se ai që e ka dëgjuar”.


3. Fjalët e përcjella për vlerën e kërkimit të diturisë nga sahabët dhe selefët.

- Aliu thotë: “Dituria është më e vlefshme se pasuria. Dituria të ruan, ndërsa pasurinë duhet ta ruash. Dituria është gjykatës, ndërsa pasuria është e gjykuar. Mbledhësit (magazinuesit) e pasurisë kanë vdekur, ndërsa mbledhësit e diturisë mbesin gjithmonë. Sytë e tyre mungojnë, ndërsa personaliteti i tyre rron në zemrat e njerëzve”.
- Ibnu Mes’udi, kur shikonte të rinjtë që kërkonin dituri, thoshte: “Mirëserdhën burimet e urtësisë, pishtarët që shporrin errësirën, arnuesit e rrobave (rregulluesit e shoqërisë), ngjallësit e zemrave, qëndruesit e shtëpive (ata që e shfrytëzojnë kohën për të mësuar) dhe misku i çdo fisi”.
- Muadh ibnu Xhebeli thotë: “Mësojeni diturinë, pasi ajo është frikë ndaj Allahut, kërkimi i saj është adhurim, studimi i saj është lavdërim ndaj Allahut, ndjekja e saj është xhihad (përpjekje), mësimi i saj dikujt që nuk e di është lëmoshë (sadaka), dhënia e saj familjarëve është afrim tek Allahu. Dituria është shenjë që dallon të lejuarën nga e ndaluara, fanar që ndriçon rrugën e banorëve të Xhenetit. Dituria është shoqëruesi në vetmi, shoku në udhëtim, pëshpëritësi kur je i izoluar, ajo është fakt për lumturinë dhe fatkeqësinë. Ajo është armë ndaj armiqve dhe zbukurim për miqtë. Allahu me dituri lartëson njerëz, të cilët i bën udhëheqës të së mirës dhe prijës që meritojnë të ndiqen, pasi njerëzit kërkojnë mendimet e tyre. Gjithashtu veprat e tyre duhet t’i kesh shembull. Engjëjt kanë dëshirë të qëndrojnë në shoqërinë e tyre dhe me flatrat e tyre i mbulojnë. Për ta kërkon falje çdo gjë e njomë dhe e thatë, peshqit në det dhe larvat e tij, egërsirat dhe bagëtitë e imëta. Kjo ndodh, sepse dituria është jetë për zemrat e paditura, ndriçues i mendjes nga errësirat. Njeriu me dituri arrin vlerat e të përzgjedhurve dhe gradë të larta në këtë jetë dhe në botën tjetër. Meditimi në të vlerësohet si agjërim, studimi i saj vlerësohet si namazi që falet natën, me të mbahen lidhjet familjare dhe me të njihet e lejuara dhe e ndaluara. Dituria është udhëheqëse e punës, ndërsa puna është vartëse e saj, e cila u dhurohet fatmirëve dhe u ndalohet njerëzve fatkeq”.
- Umer ibnu Hatabi thotë: “Njeriu del nga shtëpia e tij i ngarkuar me mëkate sa mali i Tuhames (mal në Arabinë Saudite). Kur dëgjon diturinë frikësohet, kthehet tek Allahu dhe pendohet.
Kur largohet për në shtëpinë e tij, nuk i mbetet asnjë mëkat. Asnjëherë mos i lini mexhliset (tubimet) e dijetarëve”.
- Ai gjithashtu thotë: “O njerëz! Mësoni diturinë, Allahu ka mantelin e tij që e do. Kush kërkon diturinë, Allahu e mbulon me mantelin e Tij.
Nëse njeriu bën një mëkat, Allahu e qorton që të mos ia heqë mantelin e Tij, me qëllim që të vdesë i mbuluar me të”.
- Ebu Derda thotë: “Të mësoj një problem fikhu, është më e dashur për mua sesa falja gjatë natës”.
- Hasan Basriu thotë: “Të mësoj një pjesë të diturisë dhe t’ia mësoj atë një muslimani, është më e dashur për mua se e gjithë dunjaja në shërbim të rrugës së Allahut”.
- Imam Shafiu thotë: “Pas mësimit të shkencës së trashëgimisë, nuk ka gjë më të mirë se kërkimi i diturisë”.
- Ndërsa vargjet që janë thurur për vlerën e poezisë janë të shumta dhe nuk mund të numërohen.
Rregullat e mirësjelljes së kërkuesit të dijes.

- Hatib Bagdadi përcjell nga Malik ibn Enes, se Ibnu Sirin ka thënë: “Ata mësonin udhëzimin praktik, ashtu siç mësonin diturinë”.
- Maliku përcjell nga Ibnu Shihab, se ky i fundit ka thënë: “Kjo dituri është edukata, me të cilën Allahu edukoi të Dërguarin e Tij, ndërsa i Dërguari i Tij edukoi popullin e tij. Dituria është amanet i Allahut për të Dërguarin e Tij, që ai t`ua mësonte atë njerëzve. Kush dëgjon diturinë, ta parashtrojë si argument mes vetes dhe Allahut”.
- Ibrahim ibnu Habib tregon, se i ati i ka thënë: “Biri im! Shoqëroi juristët dhe dijetarët, mëso prej tyre dhe përfito nga morali, sjellja dhe rruga e tyre. Kjo është më e dashur për mua, sesa të mësosh vetëm hadithin”.
-Ibnu Mubarek thotë: “Muhal’led ibnu Husejn më tha: “Ne jemi më shumë nevojtarë për moralin e mirë, sesa mësimin e tepërt të hadithit”.
- Zekerija Anberi thotë: “Dituria pa moral është si zjarri pa dru, ndërsa morali pa dituri si shpirti pa trup”.
- Malik ibn Enes tregon, se nëna e tij i thoshte: “Shko tek Rabia dhe mëso sjelljen para diturisë”.

1. Sinqeriteti

Allahu thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë“.
Allahu thotë: “Kush është që dëshiron fitimin e botës tjetër (ahiretin), Ne do t’ia shtojmë fitimin e tij, e kush e dëshiron vetëm fitimin e kësaj bote, Ne ia japim, po në botën tjetër ai nuk ka pjesë (hise)”.
I Dërguari i Allahut ka sqaruar, se punët e mira nuk pranohen pa nijet dhe sinqeritet. Buhariu dhe Muslimi përcjellin: Umeri tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) duke thënë: “Veprat janë sipas qëllimeve (nijeteve, motiveve, synimeve) dhe çdo njeri shpërblehet për atë që ka pasur për qëllim. Kush emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi është për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kush emigron për fitim të kësaj jete apo për martesë, emigrimi i tij është për atë që ka pasur për qëllim”.
Ebu Daudi dhe të tjerët përcjellin: Ebu Hurejrah tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai që mëson një dituri që (e cila) në vetvete është shkak për kënaqësinë e Allahut, por nuk e mëson vetëm për qëllime të kësaj bote, ditën e Kiametit nuk e nuhat (do ta nuhasë) erën e Xhenetit“.
Aliu (r.a) thotë: “O ju mbartës të dijes! Punoni me të. Dijetar është ai, që punon me diturinë e tij dhe dituria e tij pajtohet me punën që bën. Do të ketë njerëz, që mbartin diturinë, por ajo nuk i kalon qafat e tyre. Dituria e tyre nuk është si puna që kryejnë, e fshehta e tyre nuk është si ajo që bëjnë publikisht. Ata ulen nëpër tubimet e diturisë, duke u lavdëruar me njëri-tjetrin. Një person i tillë zemërohet me atë që është ulur afër tij, nëse ky i fundit frekuenton tubime të tjera. Punët e këtyre nuk ngrihen aspak tek Allahu”.
Sufjani thotë: “Atij që i shtohet dituria dhe njëkohësisht lakmia për dunjanë, Allahu e largon atë”.
Khatib Bagdadiu me vargun e tij nga Ibnu Semaku tregon, se Sufjan Theuriu ka thënë: “Gjëja më e vështirë që kam shëruar, është qëllimi (nijeti), sepse ai është i paqëndrueshëm”.
Bishr ibn Harith po rrëfente një hadith. Më pas përmendi vargun e përcjellësve dhe tha: “I kërkoj falje Allahut! Kur përmendet vargu i përcjellësve, në zemër lind mendjemadhësia”.
Ubejdullah ibnu Ebi Xhaferi thotë: “Nëse dikush flet në një mexhlis (tubim) dhe mahnitet me ato që thotë, duhet të heshtë dhe nëse heshtja e mahnit, duhet të flasë”.
Imam Ibnu Xheuzi tërheq vëmendjen, duke thënë: “Djalli ia mvesh (të vërtetën) këshilluesit, duke thënë: ” Një person si puna jote nuk mund të këshillojë, sepse këshillën e mban ai që është i zgjuar”… Në këtë mënyrë shejtani e shtyn atë drejt përtacisë dhe kështu ai nuk këshillon më.

2. Puna me diturinë dhe largimi nga mëkatet.

Dituria e dobishme është ajo dituri që pasohet nga puna, ndërsa i dituri që nuk vepron me diturinë e tij, do të pyetet për të Ditën e Kiametit.
Allahu thotë në Kuran: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni”!
I Lartësuari thotë gjithashtu: “A po i urdhëroni njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni?”
Allahu thotë në Kuran: “Kini frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send“.
Ebu Berzeh Eslemiu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ditën e Kiametit, këmba e njeriut nuk lëviz, pa u pyetur për katër gjëra: për jetën se si e ka kaluar, për diturinë se çfarë ka punuar, për pasurinë se ku dhe si e ka shpenzuar dhe për trupin e tij ku e ka konsumuar“.
Muslimi shënon se Usama ibnu Zejd tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ditën e Kiametit sillet një burrë dhe hidhet në zjarr. I dalin zorrët e barkut dhe me to rrotullohet, ashtu siç rrotullohet mokrra e mullirit. Banorët e zjarrit bashkohen dhe i thonë: “O filan! A nuk ishe ti që urdhëroje për të mirë dhe ndaloje nga e keqja?! Thotë: “Po! Urdhëroja për të mirë, por nuk veproja dhe ndaloja nga e keqja, por e kryeja atë“.
Ebu Derda thotë: “Kam frikë se Ditën e Kiametit të më thuhet:”A mësove apo qëndrove i paditur? Do të them: “Mësova”. Atëherë çdo ajet i Kuranit që është urdhërues dhe ndalues vjen dhe më pyet për obligimin e tij. Ajeti urdhërues më thotë: “A ke urdhëruar”, ndërsa ajeti ndalues më thotë: “A ke ndaluar”. Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga dituria që nuk bën dobi”.
Ai gjithashtu thotë: “Mos u bëj dijetar, përderisa nuk punon me diturinë”.
Khatib Bagdadiu me vargun e tij shënon, se Hasan Basriu ka thënë: “Kur njeriu kërkonte diturinë, ajo pasqyrohej në frikën ndaj Allahut, në veprimet, gjuhën, shikimi dhe në dorën e tij”. Bishr ibn Harith thotë:”Nëse dëshiron të mësosh diturinë, mos bëj mëkat”.
Kasim ibn Abdurrahman tregon, se Abdullahu ka thënë: “Mendoj se kur dikush harron diturinë, shkak për këtë është kryerja e ndonjë mëkati”.
Allahu thotë në Kuran: “Ata i ka nënshtruar djalli dhe është bërë shkak që porositë e Allahut të lihen në harresë“. Allahu thotë në Kuran: “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, ua mbuluan zemrat e tyre “.
Allahu e ka quajtur diturinë dhe adhurimin jetë. Allahu thotë në Kuran: “O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të dërguarit, kur ju ftojnë për atë që ju jetëson (ju ngjall)”.
- Aliu thotë: ‘Dituria thërret për punë. Nëse punon, ajo të përgjigjet, përndryshe ikën”.
- Habib ibn Ubej Er’Rrahbi thotë: “Mësojeni diturinë, kuptojeni dhe përfitoni prej saj, por mos e mësoni që të zbukuroheni me të. Kam frikë se do të shikoni, se njerëzit do të zbukurohen me dituri, ashtu siç zbukurohet njeriu me rrobën e tij”.
- Fudajl ibn Ijjadi thotë: “I dituri është injorant, përderisa nuk punon me atë që di dhe nëse punon me diturinë, është dijetar”.
- Bishr ibn Harith thotë: “Dituria është e mirë për atë që punon me të, por sa e dëmshme është për atë, i cili nuk punon me të!!
- Malik ibnu Dinar thotë: “Kur dijetari nuk punon me diturinë, këshilla që bën për të tjerët shkëputet nga zemra, ashtu siç shkëputet pika e ujit nga shkëmbi i lëmuar”.
Diskutimin tonë e mbyllim me këshillin e imam Gazaliut drejtuar kërkuesve të diturisë. Ai thotë: “Sikur të studiosh njëqind vjet dhe të mbledhësh një mijë libra, nuk e je i përgatitur për të fituar mëshirën e Allahut, nëse nuk punon. Allahu thotë: “Njeriut i bën dobi vetëm ajo çfarë ka punuar“. Allahu thotë: “E kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë“.
“Dije se dituria që nuk të largon nga mëkatet dhe nuk të afron në bindje ndaj Allahut, nuk të largon dot nesër nga zjarri i Xhehenemit. Nëse nuk punon sot dhe nuk i kompenson ditët e kaluara, nesër, në Ditën e Kiametit do të thuash: “Na kthe o Zot, që të punojmë punë të mirë”.

3. Thjeshtësia

Thjeshtësia është cilësi e dukshme nga cilësitë e besimtarëve në përgjithësi dhe e kërkuesit të dijes në veçanti. Allahu e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij të jetë i thjeshtë, i butë dhe tolerant ndaj tyre. Allahu thotë në Kuran: “E të jesh i butë ndaj besimtarëve që të pranuan ty“.
Allahu ka sqaruar, se mendjemadhësia dhe kryelartësia ndaj robërve të Tij janë cilësi, që Ai i urren. Allahu thotë në Kuran: “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet“.
Ijad ibn Humar tregon, se i Dërguari i Allahut thotë: “Allahu më ka shpallur: “Jini të thjeshtë, që të mos u lavdëroni njeri tjetrit dhe që të mos i bëni padrejtësi tjetrit”.
Abdullah ibnu Mes’udi tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai, në zemrën e të cilit ka mendjemadhësi sa atomi (thërrmija më e vogël)”.
Ebu Hurejra tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Një burrë po ecte i zbukuruar dhe i krekosur, duke u mahnitur me veten e tij dhe me flokët e krehura. Në moment Allahu e fundos tokën bashkë me të dhe ai zhytet në thellësitë e tokës deri Ditën e Kiametit”.
Umeri thotë: “Mësoni diturinë, ndërsa asaj mësojani dinjitetin dhe butësinë. Jini të thjeshtë ndaj atyre që mësoni, jini të thjeshtë ndaj atyre që ju mësojnë. Mos u bëni dijetarë kryeneçë, mos e zëvendësoni diturinë tuaj me injorancë”.
Muxhahidi thotë: “Diturinë nuk e mëson ai që është shumë i turpshëm (i qullët) dhe ai që është mendjemadh”.
Fudajl ibnu Ijad thotë: “Allahu e do të diturin që është i thjeshtë dhe e urren të diturin mendjemadh. Ai që është i thjeshtë ndaj Allahut, Allahu i dhuron urtësinë”.
Mesruku thotë: “Mjafton për njeriun si dituri frika ndaj Allahut dhe mjafton për njeriun si injorancë mahnitja me atë që di”.
Aliu thotë: “Ai që ka fjalë të buta, e meriton dashurinë”.
“Sëmundja e diturisë është vetëpëlqimi dhe zemërimi
Ndërsa sëmundja e pasurisë është shpërdorimi dhe grabitja”.

4. Respektimi i dijetarëve dhe i tubimeve të diturisë.

Allahu na ka urdhëruar që të respektojmë shenjtëritë e Tij. Allahu thotë në Kuran: “Pra, kështu: Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për tek Zoti i vet“.
Allahu thotë gjithashtu: “E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave“.
Allahu thotë në Kuran:”O ju që keni besuar, mos ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju. Ata që ulin zërat e tyre pranë të dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh“.
Allahu thotë në Kuran: “E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me shpifje dhe me një mëkat shumë të madh“.
Ebu Hurejrah tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: Allahu thotë: “Kush më dëmton të devotshmin (uelij), i kam shpallur luftë“.
Khatib Bagdadiu shënon, se Shafiu dhe Ebu Hanifja kanë thënë: “Nëse dijetarët nuk janë evliatë (të devotshmit, të përkushtuarit) e Allahut, atëherë Allahu nuk ka evlija”.
Ebu Musa Eshariu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nga madhërimi i Allahut është respektimi i plakut, i mbartësit të Kuranit që nuk është ekstremist dhe lëshues dhe respektimi i mbretit të drejtë“.
Ibnu Abbasi tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk është prej nesh ai, që nuk mëshiron vogëlushin, nuk respekton të madhin, që nuk urdhëron për të mirë dhe nuk ndalon nga e urryera“. Në një përcjellje tjetër qëndron: “Nuk është prej nesh ai, që nuk respekton të madhin, nuk mëshiron të voglin dhe dijetarëve tanë nuk ua di vlerën“.
- Prijësi i besimtarëve Ali ibn Ebi Talib thotë: “Ndaj detyra e nxënësit ndaj mësuesit është: nëse të tjerëve u jep vetëm selam, atë ta përshëndesë edhe me përshëndetje të tjera. Të ulet para tij dhe të mos bëjë shenjë me dorë në prezencë të tij. Të mos e lëvizë syrin para tij dhe të mos i thotë: “Mendimi i filan personi është i ndryshëm nga mendimi yt”, gjithashtu asnjëherë të mos e përgojojë atë”.
- Ai gjithashtu thotë: “Nga e drejta e mësuesit është, që të mos e pyesësh shumë, mos e komento përgjigjen e tij, nëse nuk është në gjendje të përgjigjet, mos këmbëngul, kur të ngrihet, mos e kap për rrobe, mos i përhap të fshehtat e tij, mos e përgojo…dijetari është si hurma, duhet të presësh kur të bjerë ndonjë gjë prej saj”.
- Ebu Selemeh tregon: “Abdullah ibn Abbas u nis drejt Zejd ibn Thabit, duke i kapur frerët e kafshës mbartëse. Zejdi i tha: “Largohu o djali i xhaxhait të Pejgamberit”! Ibnu Abbasi tha: “Ne kështu veprojmë me dijetarët dhe të moshuarit tanë”.
- Hasan ibn Ali i thotë djalit të tij: “Biri im! Kur të ulesh me dijetarët, mundohu të dëgjosh sa më shumë dhe jo të flasësh. Mëso se si të dëgjosh mirë gjithashtu edhe të heshtësh. Askujt mos ia ndërprit të folurën pa mbaruar edhe nëse flet shumë gjatë”.
- Imam Shafiu thotë: “E ktheja fletën e librit në prezencë të imam Malikut, në atë mënyrë që të mos e dëgjonte zhurmën e saj”.
- Ibnu Sirin thotë:”Kjo dituri është fe, prandaj shikoni nga kush e merrni atë”.
- Ibrahimi thotë: “Kur nxënësit vinin për të kërkuar dituri tek ndonjë mësues, shikonin pamjen, namazin dhe gjendjen e tij, më pas merrnin diturinë prej tij”.
- Imam Ebu Bekr Axheriu thotë: “Nëse kërkuesi i diturisë do që të marrë pjesë në tubimet e dijetarëve, duhet të ulet me edukatë, i thjeshtë në vetvete, të flasë me zë më të ulët sesa zëri i tyre, t`i pyesë me thjeshtësi, pyetjet më të shumta të jenë rreth diturisë me të cilën adhurohet Allahu. T`iu tregojë se ka nevojë për diturinë e tyre, nëse përfiton prej tyre t`iu thotë: “Kam përfituar shumë nga kjo dituri”. Duhet të kujdeset rreth shkaqeve që ndjellin zemërimin e tyre dhe t`iu kërkojë falje, nëse ndodh diçka e tillë. Nuk duhet të bëjë pyetje, që i vë ata në vështirësi, duhet të jetë i butë në çdo gjë, nuk duhet t`i kundërshtojë, duke treguar se është më i ditur se ata, por shqetësimi i tij të jetë kërkimi dhe përfitimi prej tyre “... /vazhdon/



Rushit Musallari

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.