Vlera e kërkimit të diturisë dhe vlera e dijetarëve (II)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

4. Nëse nxënësi dëgjon nga dijetari një hadith apo çështje që e di, nuk duhet që të flasë apo të përgjigjet, por të heshtë dhe të dëgjojë.

Selefët e dinin rëndësinë e këtij problemi. Prej tyre përcillen rrëfime të shumta, nga të cilat po përmendim:
- Muadh ibnu Said tregon: ”Ishim në tubimin e Ata ibn Ebi Rabbahut, kur një burrë filloi të rrëfente një hadith, ndërsa një tjetër filloi t’ia kundërshtonte hadithin. Atau tha: “I lartësuar qoftë Allahu! Ç’janë këto sjellje kështu? Ç’janë këto fjalë! Unë po e dëgjoja atë që po tregonte hadithin dhe e dija më mirë se ai, por unë po e shfaqja veten se nuk e dija”.
- Khalid ibn Safuan thotë: “Nëse shikon një dijetar hadithi, që rrëfen një hadith që e ke dëgjuar, apo rrëfen një ndodhi që e di, mos u bëj pjesëmarrës në rrëfimin e saj, në mënyrë që të mos vihet në pah, se ti e dije, pasi kjo është mendjelehtësi dhe sjellje e keqe”.

5. Ndalimi nga debatimet e shumta në dituri.

Debatimi në dituri shumë herë bëhet shkak për grindje, polemika, zemërime dhe I Dërguari i Allahut e ka ndaluar debatimin, nëse nuk është në çështjet e pëlqyera.
Ai thotë: “Devijimi i një populli të udhëzuar fillon kur ata debatojnë mes tyre“.
- Disa nga selefët kanë thënë: “Kur Allahu ia do të mirën dikujt, i hap portën e punës dhe i mbyll derën e debatimit. Kur Allahu ia do të keqen dikujt, ia mbyll portën e punës dhe i hap portën e debatimit“.
- Maliku thotë: “Debatimi në dituri e shtrëngon zemrën dhe bëhet shkak për ofendim”.
- Hasan Basriu dëgjoi disa njerëz duke debatuar dhe tha: “Këta njerëz janë mërzitur nga adhurimi. Fjala e tyre nuk ka peshë dhe devotshmëria u është pakësuar, prandaj debatojnë”.
- Në lidhje me këtë imam Shafiu thotë: “Me çdo person që kam folur (debatuar) kam dashur që ai të arrijë qëllimin, çështja e tij të jetë e drejtë, të jetë i ndihmuar dhe mbrojtja e përkujdesja e Allahut të jetë mbi të. Kur kam debatuar, nuk e kam vrarë kurrë mendjen, nëse Allahu e ka sqaruar të vërtetën me gojën time apo me gojën e tjetrit”.
- Ibnu Xheuzi paralajmëron nga zbukurimet, që Iblisi u bën dijetarëve dhe nxënësve me anë të debatimit. Ai thotë: “Ndonjërit prej tyre i vërtetohet çështja në gojën e kundërshtarit, por me kokëfortësi nuk tërhiqet, gjoksi i tij shtrëngohet, sepse ishte kundërshtari që e gjeti të vërtetën, ndoshta përpiqet ta kundërshtojë edhe pse e di se ajo është e vërteta. Kjo është poshtërsia më e madhe, pasi debatimi është vendosur për zbulimin e të vërtetës.
Imam Shafiu thotë:”Kur debatoj me ndonjërin dhe ai refuzon argumentin, është person pa vlera. Ndërsa nëse e pranon argumenti, e konsideroj si personalitet”.

6. Ndalimi nga pyetjet dinake.(1)

Imam Gazaliu thotë: “Kush bën pyetje, duke pasur mëri dhe urrejtje, sado që t`i përgjigjesh me përgjigjen më të mirë, më të pastër dhe më të sqaruar, aq më shumë i shton atij urrejtje, armiqësi dhe mëri. Më e udhës është, që të mos i kthesh përgjigje fare, t`i kthesh krahët dhe ta lesh të vuajë me sëmundjen e tij.
Allahu thotë: “Andaj, ti largohu prej atij që ia ka kthyer shpinën Kuranit dhe që nuk do tjetër vetëm se jetën e Dunjasë!”
Imam Neueui thotë: “Ai që bën pyetje të pështjelluara dhe sfiduese, nuk meriton përgjigje”.

7. Ndalimi i shpifjes (fyerjes) ndaj dijetarëve.

Është për të ardhur keq, kur debatimi për çështjet mospajtuese të kthehet në inat vetjak dhe ngadhënjim ndaj “kundërshtarit”, shoqëruar me sjellje të keqe, rënia në fyerjen e nderit të muslimanëve sidomos dijetarëve, duke hulumtuar në gabimet dhe zbulimin e fajeve të tyre.
Kush i jep liri gjuhës ndaj dijetarëve, duke i fyer apo nënçmuar, Allahu do ta sprovojë para vdekjes së tij me vdekjen e zemrës: “Prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit), se ata do t’i zërë ndonjë telash, ose do t’i godasë dënimi i idhët“.

8. Durimi në kërkimin e diturisë.

Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij kanë urdhëruar për durim në shumë vende.
Allahu thotë në Kuran: “Dhe ti ji i durueshëm, se Allahu nuk ua humb shpërblimin bamirësve“. Allahu i ka lavdëruar durimtarët e sinqertë, të cilët durojnë për kënaqësi të Allahut, i Cili thotë në Kuran: “Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam, ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundimin më të mirë“. Durimi gjatë bindjes së Allahut (gjatë kryerjes së adhurimeve) është nga manifestimet më të dukshme, për të cilat Allahu na ka urdhëruar, Ai thotë: “Ai është Zot i qiejve dhe i tokës dhe çka ka midis tyre, pra Atë adhuroje, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i durueshëm. A di për Të ndonjë emnak (adash)?!” Jahja ibnu Kethir ka thënë: “Nuk mësohet me trup të shlodhur”, ndërsa në një përcjellje tjetër thuhet: “Është e pamundur të mësohet, pa lodhur trupin”. Ibnu Abdul’Berri shënon, se Xhabir ibn Abdullahu merr vesh, se një hadith që nuk e dinte, ishte tek Abdullah ibn Unjes Ensariu. Atëherë u nis për tek ai, duke udhëtuar një muaj për në Sham, vetëm për të dëgjuar hadithin e të Dërguarit të Allahut nga ai.
Përcillet se Ibnu Abbasi ka thënë: “Informoheshim se një hadith është tek njëri prej shokëve të Pejgamberit. Po të doja, mund të dërgoja dikë që të vinte dhe ai do të vinte e do të më rrëfente hadithin, por unë shkoja tek ai, qëndroja para derës së tij, derisa dilte dhe më pas më rrëfente hadithin”.
Malik ibn Enes përcjell nga Jahja ibn Said, se Saidi ka thënë: “Unë udhëtoja net e ditë të tëra, duke kërkuar një hadith”.
Shabiu thotë: “Nëse dikush udhëton nga cepi i Shamit në cep të Jemenit për të dëgjuar një urtësi, nuk do të thosha se udhëtimi i ka vajtur kot”.
Khatib Bagdadiu shënon se Xhunejdi ka thënë: “Ai që kërkon diçka me seriozitet dhe sinqeritet e arrin, nëse nuk e arrin të tërën, arrin një pjesë të saj”.
Fadl ibn Said ibn Eslem thotë: “Njëri vendosi të kërkonte dituri por nuk mundi, kështu vendosi që të braktisë kërkimin e saj. Ai kaloi pranë një burimi që binte nga maja e malit mbi një shkëmb dhe pa se uji kishte lënë gjurmët e tij mbi shkëmb, duke e gërryer. Ai tha: “Uji edhe pse i butë e ka gërryer shkëmbin që është i fortë. Për Zotin unë do ta kërkoj diturinë”. Ai e kërkoi dhe e arriti atë”.
Nga faktorët që e shtyjnë kërkuesin e diturisë të durojë, është kënaqësia që ndjen nxënësi në kërkimin e saj. Imam Mauradiu thotë: “Ditura është kompensimi i çdo kënaqësie, zëvendësues i çdo epshi…kush veçohet me diturinë, nuk e ndjen vetminë, kush shoqërohet me libra, nuk e ndjen mungesën…nuk ka shok si dituria dhe nuk ka mik si butësia“.
Në një hadith fisnik, Enesi tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Dy kategori nuk ngopen asnjëherë; kërkuesi i diturisë dhe kërkuesi i pasurisë“.

9. Konkurrenca (garimi) në kërkimin e diturisë.

I Dërguari i Allahut e ka vlerësuar pangopshmërinë në dituri dhe dëshirën për të si nevoja të besimit dhe cilësi të besimtarëve, madje ka lajmëruar, se kjo është rruga e besimtarit, derisa ai të hyjë në Xhenet”.
- Imam Ahmedi thotë: “Diturinë e kërkoj deri në çastin kur vdes”.
- Hasan Basriu u pyet: ” A është logjike që një njeri tetëdhjetë vjeçar të kërkojë diturinë”? Ai tha: “Po! Nëse është logjike të jetojë”.
- Ibnu Bistamit i thanë: “Sa shumë i jep rëndësi hadithit?! Ai tha: “Vallë a nuk dua të jem unë nga familja e të Dërguarit të Allahut?!”
Nga këshillat që Lukmani, i urti, i ka bërë të birit, është: “Biri im! Shoqëroji dijetarët dhe ndiqi pas. Allahu ringjall zemrat me dritën e urtësisë ashtu siç ringjall tokën e vdekur me shiun e pareshtur”.
Kur Muadh ibn Xhebelit iu afrua vdekja, ai tha: “Mirë se vjen ti o vdekje! Mirë se erdhe o mik, por ke ardhur në kohë skamjeje! O Allah! Ti e di se unë nuk kam dashur të jetoj në këtë jetë për të shijuar gurgullimën e lumenjve, as për të mbjellë pemë, por kam dashur të qëndroj në këtë jetë për shkak të mundimit në një natë të gjatë (namazi i natës) , për etjen në një ditë të nxehtë (agjërimi i ditës) dhe ndjekjen e dijetarëve, duke udhëtuar për tek tubimet e përmendjes së Allahut (tubimet e diturisë)“.
Said ibnu Xhubejr thotë: “Njeriu është dijetar, përderisa vazhdon të mësojë, ndërsa kur të braktisë mësimin me arsyetimin se i mjafton ajo që ka mësuar, është më injoranti”.

Pyetja është çelësi i diturisë.

Shumë herë kërkuesi i diturisë qëndron i paqartë dhe i dalldisur para shumë çështjeve. Në këto raste ai e ka për detyrë, që të pyesë të diturit, por këtë ta bëjë duke u sjellë mirë dhe duke qenë i thjeshtë me ta. Allahu ka thënë: “Ju pyesni dijetarët nëse nuk dini“.
Ibnu Abbasi tregon ndodhinë, kur një burrë kishte çarë kokën në një udhëtim. Ai ishte ngritur n mëngjes dhe kishte qenë xhunub. Shokët e tij i thanë se ai duhet patjetër të lahej dhe se nuk dinin ndonjë lehtësim për të. Kështu ai u la por vdiq nga uji që i hyri në plagë. Kur e informuan të Dërguarin e Allahut, ai tha: “E kanë vrarë, i vraftë Allahu, kur nuk dinë përse nuk pyesin, shërimi i paditurisë është pyetja“.
Aishja thotë: “Allahu i mëshiroftë gratë e Ensarëve! Ato nuk i pengonte turpi që të pyesnin rreth çështjeve të fesë së tyre”.
Abdullah ibn Mesudi thotë: “Shtimi i diturisë është kënaqësi, ndërsa hapi i parë i diturisë është pyetja”.
Ibnu Abbasin e pyetën: “Si e ke fituar diturinë?” Ai tha: “Me gjuhë që pyet dhe mendje që logjikon”
Ibnu Shihabi thotë: “Dituria është magazina, çelës për to është pyetja”.

Dashuria ndaj librave të diturisë.

Imam Ibnu Xhuezi thotë: “Zelli (vullneti, vendosmëria) tek dijetarët e mëparshëm ka qenë shumë i lartë. Fakt për këtë janë përpilimet voluminoze, që janë ajka e punëve të tyre. Megjithatë shumë prej punimeve të tyre kanë humbur, sepse zelli i nxënësve u dobësua. Këta nxënës filluan të kërkojnë përmbledhjet dhe jo veprat voluminoze…rruga e nxënësit të përsosur është kërkimi i diturisë dhe shfletimi i librave…O Zot! O Zot! Po ju këshilloj të lexoni jetën e selefëve dhe shfletimin e veprave të tyre…unë po ju flas edhe për gjendjen time, nuk ngopem nga shfletimi i librave, kur shikoj një libër që nuk e kam parë ndonjëherë, më duket sikur kam gjetur një thesar”.
Mbetet të sqaroj patjetër diçka: Disa nxënës mendojnë, se bëhen dijetarë duke lexuar libra, prandaj nuk kanë nevojë të mësojnë tek dijetarët dhe të marrin prej tyre. Por ky është gabim i hatashëm. Shafiu thotë: “Ai që mëson nga librat, humbet dispozitat fetare”.
Dijetarët selefë thoshin: “Sprova më e madhe është dijetari i fletës”. Kjo do të thotë: “Ta bëjë librin dijetarin që e mëson dhe të mjaftohet me të”.
Diskutimin tonë e mbyllim me këshillën e imam Shafiut drejtuar nxënësve të tij, ku thotë:
“Vëllai im! Diturinë nuk e arrin pa gjashtë gjëra
Që do t`i tregoj të shkoqitura dhe të sqaruara
Zgjuarsi, zell, përpjekje, thellim
Shoqërimin e mësuesit dhe kohën e gjatë”.

10. Vërtetësia dhe besnikëria.

Allahu thotë: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo“.
Buhariu shënon, se Aliu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos gënjeni për mua! Kush gënjen për mua, do ta djegë zjarri”, ndërsa në një përcjellje tjetër thuhet: “Le të përgatisë mbështetësen e tij prej zjarri“.
Taberaniu shënon, se Ibnu Abbasi tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Këshillohuni në dituri, mashtrimi i ndonjërit në dituri është më i keq se mashtrimi në pasuri, Allahu do t’ju pyesë për këtë në Ditën e Kiametit “.
Një burrë shkoi tek Kasim ibn Muhammedi Ibn Ebi Bekri dhe e pyeti për diçka, por Kasimi ia ktheu: “Unë nuk e di”. Burri i tha: “Mua më dërguan tek ti dhe unë nuk njoh tjetër përveç teje”. Kasimi i tha: “Mos shiko mjekrën time të gjatë, as njerëzit e shumtë rreth meje. Unë nuk e di atë që më pyet. Për Allahun! Për mua është më e dashur të më presin gjuhën, sesa të flas atë që nuk e di”.
Sujan ibnu Ujejneh dhe Sahnun ibn Said thonë: “Njerëzit më guximtarë në fetva janë ata që kanë më pak dituri”.
Hejthem ibn Xhemil thotë: “Kam qenë pjesëmarrës kur Malik ibn Enesi është pyetur për 48 çështje dhe për 32 prej tyre ai tha: “Nuk i di”.
Maliku thotë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut viheshin në siklet, kur pyeteshin dhe asnjëri prej tyre nuk përgjigjej, derisa merrte mendimin e tjetrit, edhe pse gjykonin drejt dhe ishin të pastër. Atëherë ç’mund të thuash për ne, që i kemi zemrat tona të mbuluara me mëkate?!!
Kur imam Maliku e thoshte këtë për veten e tij, si është halli ynë sot, ku disa prej nesh pretendojnë se kanë arritur diturinë e plotë dhe se i kanë gjetur fundin?!
Ibnu Salahu ka sqaruar, se fetvaja pa dituri shpie në devijim dhe gënjeshtër në çështjet e të lejuarës dhe të ndaluarës. Kjo hyn në thënien e Allahut: “Mos i thuani asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim. Kanë një përjetim të vogël (në këtë jetë), e do të kenë dënim të padurueshëm“.

- Kthimi tek e vërteta kur qartësohet se ka gabuar.

Imam Maliku rrëfen: “Ibn Hurmuzi jepte shumë pak fetva dhe ishte shumë i rezervuar. Kishte raste që kur jepte fetva, më vonë e ndryshonte atë”.
Hasan ibn Zijad u pyet për një çështje dhe gaboi në dhënien e përgjigjes, por pyetësi nuk e dinte se dijetari kishte gabuar. Hasani punësoi një tellall, që të thërriste: “O njerëz! Hasan Ibn Zijadi më datë kaq është pyetur nga dikush për iks çështje. Ai që ka marrë këtë fetva të Hasanit, le të kthehet tek ai”. Hasani nuk dha fetva për ditë me radhë, derisa erdhi pyetësi, të cilit ia bëri të ditur se kishte gabuar dhe se e vërteta ishte ndryshe…”.
Nga këshillat e imam Axhuriut është: “Nëse pyetet për një problem që nuk e di, mos të ketë turp të thotë që nuk e di…nëse jep fetva për një çështje dhe kupton se është gabim, të mos rezervohet që të kthehet, nëse thotë ndonjë fjalë dhe dikush që është më i ditur, apo njësoj apo më pak i ditur, ia refuzon

- Ruajtja nga kopjimi në provime dhe punime shkencore.

Është një gjëmë e madhe dhe rrezik i zi, kur dëgjon se disa kërkues të diturisë kopjojnë nëpër provime në shkolla, institute dhe universitete, duke ia përcjellë provimin njëri-tjetrit, apo një copë letër, të cilën e bën shuk dhe në to janë përgjigjet e sakta të provimeve. Me anë të saj ata arrijnë notat e dëshiruara për diplomim. Ata marrin diplomën, vlerësohen si të ditur dhe meritojnë të qëndrojnë në ballë të tubimeve shkencore!!

11. Përhapja e diturisë dhe mësimdhënia e saj.

Nga moralet që janë detyrë për kërkuesin e diturisë, është përhapja e diturisë mes njerëzve. Pra ai nuk duhet ta fshehë atë apo të tregohet koprrac me të. Allahu na ka paralajmëruar, që të mos e fshehim diturinë dhe ka kërcënuar me dënim. Ai thotë: “Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe mallkuesit“.
Allahu urdhëron të Dërguarin e Tij që të përhapë shpalljen që i zbret, duke i thënë: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revalatën-risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve)”.
Uthman ibn Affan tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve“.
Hafiz ibn Haxheri thotë: “Nuk ka dyshim, se bashkimi mes mësimit të Kuranit dhe mësimdhënies së tij është plotësim për të dhe për të tjerët. Është bashkim i dobisë për vete dhe dobisë për të tjerët, prandaj shprehet me fjalët “më i miri”.
Sehl ibnu Sadi tregon, se i Dërguari i Allahut i ka thënë Aliut: “Për Zotin! Nëse Allahu udhëzon një njeri në dorën tënde, kjo është më e mirë për ty se pasuria më e vlefshme“.
Për këtë Dahak ibn Muzahim thotë: “Porta e parë e diturisë është heshtja, e dyta është dëgjimi i saj, e treta është puna me të dhe e katërta është mësimdhënia dhe përhapja e saj”.
Abdullah ibnu Mubareku thotë: “Ai që është koprrac me diturinë, sprovohet me tre gjëra; ose vdes dhe bashkë me të vdes edhe dituria e tij, ose e harron atë ose bëhet servil i pushtetit”.
Ibnu Mesudi thotë: “Studiojeni hadithin mes jush, pasi forconi njëri-tjetrin”.
Dikush e pyeti Abdullah bin Shedadin për një hadith dhe ai tha: “Allahu të mëshiroftë! Sa hadithe m`i ringjalle në zemrën time”.

Mbrojtja e diturisë nga mendjelehtët.

Aliu thotë: “Foluni njerëzve me gjëra që i kuptojnë! Mos doni vallë që njerëzit të përgënjeshtrojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij“.
Kethir ibnu Murrah Hadremiu thotë: “Për diturinë ke detyrime ashtu siç ke detyrime për pasurinë. Mos ua trego diturinë injorantëve, mos e pengo diturinë ndaj atyre që e kërkojnë, pasi bën mëkat, mos fol me urtësi me mendjelehtët, pasi do të të përgënjeshtrojnë”.
Abdul’Melik ibn Umejr thotë: “Nga humbja e diturisë është rrëfimi i saj atyre që nuk e meritojnë”.

12. Përmbajtja nga lakmia e kësaj jete.

Allahu thotë: “O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos u mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë juve ndaj Allahut ai i mashtruari (shejtani)”.
Ebu Saidi tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Jeta e kësaj bote është e ëmbël dhe e gjallë, Allahu ju ka bërë zëvendës në të dhe ju shikon se si do të veproni. Ruhuni nga (mashtrimet e) jeta e kësaj bote dhe ruhuni nga gratë“.
Ebu Saidi tregon: I Dërguari i Allahut u ul në minber dhe ne u ulëm afër tij. Ai tha: “Pas meje, kam frikë nga mirësitë dhe bukuritë e dunjasë që do t’i keni në duar“.
Ibnu Umeri tregon: “I Dërguari i Allahut më ra shpatullave dhe më tha: “Jeto në këtë jetë si të jesh i huaj apo si udhëtar“. Ibnu Umeri thoshte: “Kur të ngrysesh mos e prit mëngjesin, kur të gdhish mos e prit mbrëmjen, përfito nga shëndeti para se të sëmurësh dhe përfito nga jeta para se të vdesësh“.
Kab ibn Malik Ensariu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Dy ujqër të uritur që lëshohen mbi një kope, nuk janë më të rrezikshëm se sa kujdesi i njeriut për t`u pasuruar dhe fisnikëruar me anë të fesë“.

13. Kujdesja për kohën dhe shfrytëzimi i saj.

Koha është më e shtrenjtë se floriri, sepse është vetë jeta. Nxënësit të diturisë nuk i shkon që të humbasë kohën e tij në dëfrim dhe gjëra të pavlera. Ai nuk mund të kompensojë kohën e humbur, pasi as orët nuk e presin. Ai që është i shkujdesur me kohën e tij, do të pendohet, ashtu siç pendohet i sëmuri për ditët e shëndetit dhe gjallërisë.
Ibnu Abbasi tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shumë njerëz janë mashtruar me dy mirësi: me shëndetin dhe kohën e lirë“.
Disa nga selefët thonë: “Nëse vjen për mua një ditë, ku dituria që më afron tek Allahu nuk shtohet, dielli i asaj dite për mua është i pavlefshëm”.
Muhammed ibn Uasia Ezdiu tregon: Ebu Derda i shkruan Selmanit duke thënë: “Nga Ebu Derda për Selmanin! Vëllai im! Shfrytëzoje shëndetin dhe kohën e lirë, para se të të bjerë ndonjë sprovë, që askush nga njerëzit nuk mund ta kthejë mbrapsht”.
Është thënë: “Dituria nuk ta jep një pjesë, pa iu përkushtuar tërësisht”.
Imam Neueui, në diskutimin e tij rreth moraleve të kërkuesit të diturisë, thotë: “Duhet që të jetë i kujdesshëm, të mësojë gjithmonë, gjatë gjithë kohës, natën dhe ditën, në udhëtim dhe në vendbanim. të mos harxhojë nga koha e tij në kurriz të diturisë, por vetëm sa për nevoja, për ngrënie dhe gjumë, apo për pushim për të larguar bezdisjen apo gjëra të ngjashme me to. Nuk është i zgjuar ai që arrin shkallën e trashëgimtarëve të profetëve dhe më pas e humb atë”.

Shfrytëzimi i kohës në moshën e rinisë.

Atau Saibi tregon, se një burrë ka thënë: “Po qëndronim ulur me Hudhejfen, kur aty pranë kaloi një person. Hudhejfe i tha: ” O filan! Ç’të pengon të ulesh me ne?” Ai tha: “Për Zotin, nuk më pengoi asgjë të ulesha me ju, por nuk u ula për shkak të të rinjve rreth teje”. Hudhejfa u zemërua dhe i tha: “A nuk e ke dëgjuar Fjalën e Allahut “Thanë, dëgjuam një djalosh që i përmendte (idhujt), ai quhej Ibrahim” dhe Fjalën tjetër “Ata ishin djelmosha, që besuan në Zotin e tyre“, a nuk është e mira vetëm se tek të rinjtë?!
Tregohet se Ahnaf ibn Kajs dëgjoi njërin duke thënë: “Mësimi në vegjëli është si gdhendja në gur”, Ahnafi tha: “I madhi logjikon më shumë, por e angazhon zemrën (më gjëra që e dobësojnë mësimin)”.
Alkameh thotë: “Atë që e kam mësuar përmendësh në rini, më duket sikur e shikoj në letër”.
Jezid ibn Habib tregon, se Hasani ka thënë: “Na sillni të vegjlit, pasi ata i kanë zemrat të zbrazëta dhe mësojnë atë që dëgjojnë”.
Abdullah ibnu Mubarekut i thanë: “Sikur po të mundojnë shumë fëmijët që të kemi sjellë”. Ai tha: “Prej tyre pres më shumë sesa prej jush. Sa do të jetoni ju! Ndërsa për ata shpresoj në Allahun, se do të jetojnë gjatë’.

Kujdes nga zvarritja (shprehja “do të…”).

Nga shkaqet e humbjes së kohës është zvarritja e njeriut, duke vonuar punën e sotme për nesër. Mirëpo ai nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër, ndoshta nesër angazhohet, duke mos ditur se çfarë do të bëjë.
Selefët kanë tërhequr vërejtën nga zvarritja, duke e konsideruar atë si defekt shkatërrues.
Hasan Basriu thotë: “Ruhu nga zvarritja, ajo që të ndodh sot, nuk të ndodh nesër. Nëse ke një të nesërme, vepro në të siç ke vepruar një ditë më parë, nëse nuk ke të nesërme, mos u pendo për atë që nuk ke vepruar sot”.
Katade tregon, se Ebu Xhildi ka thënë: “Fjala “do të“, është një nga ushtarët e djallit”.
Kërkuesi i diturisë duhet të shfrytëzojë shanset, të përfitojë sa të mundet nga kohët që përjeton, pa i vonuar për më vonë, pasi ndoshta më vonë nuk mund ta shfrytëzojë si duhet.

Kohët e aktivitetit dhe mendja e kthjellët.

Aliu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “O Allah! Begatoje popullin tim në mëngjes herët“.
Ismail ibn Ebi Uejs thotë: “Nëse dëshiron të mësosh, fli herët, ngrihu para mëngjesit, ndize qiriun dhe studio, pasi nuk do ta harrosh asnjëherë mësimin, në dashtë Allahu”.
Imam Hatib Bagdadiu thotë: “Dije se për të mësuar përmendësh ka kohë, që duhet t`i ruash, nëse do që të mësosh. Për mësimin përmendësh ka vende, që duhet t`i frekuentosh, koha më e mirë është mëngjesi i hershëm, më pas mesdita, pastaj pasdreka, por jo koha e darkës. Studimi natën është më i vlefshëm sesa studimi gjatë ditës”.

14. Studimi i diturisë nga frika e harresës.

Aliu thotë: “Vizitoni njëri-tjetrin dhe studioni mes jush hadithin. Mos e braktis atë derisa të vjetërsohet”.
Ibnu Abbasi i thoshte Said ibn Xhubjerit: “O Said! Eja të shkojmë tek pema e hurmës. O Said! Më trego hadithet”. I thashë: “Të tregoj hadithe dhe ti je me mua?! Më tha: “Nëse gabon, ta saktësoj”.
Said ibn Abdul Azizi qortonte studentët e Euzaiut, duke iu thënë: “Habitem me ju! Përse nuk mblidheni dhe të studioni me njëri-tjetrin (atë që keni mësuar nga Euzaiu)”!!
Ali ibn Hasen ibn Shakik tregon: “Isha me Abdullah ibn Mubarekun në xhami në një natë të ftohtë dimri. U ngritëm që të dilnim dhe kur vajtëm tek dera e xhamisë, më kujtoi një hadith dhe i kujtova një tjetër. Vazhduam t`i kujtojmë njëri – tjetrit hadithe, derisa erdhi myezini dhe këndoi ezanin e sabahut”.
Ebu Abdullah Xhafer ibn Muhammed tregon: “Zemrat janë tokat, dituria është bima, ndërsa studimi i saj është uji. Nëse uji shkëputet nga toka, bima thahet”.
Zuheriu thotë: “Diturinë e zhduk harresa dhe lënia e studimit të saj”.
Khalil ibn Ahmed thotë: “Studioje atë që ke në gjoks, që unë të kujdesem për atë që është nëpër libra”.

15. Dinjiteti dhe turpi.

Xhabiri tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu i do moralet e larta dhe i urren gjepurat“.
Umer ibnu Hattab thotë: “Mësojeni diturinë, mësojini asaj qetësinë dhe butësinë”.
Maliku thotë: “Është detyrë për atë që kërkon diturinë, të jetë me dinjitet, qetësi, frikë-respekt dhe të jetë ndjekës i atyre që kanë kaluar para tij (selefët)”.
Imam Axheriu përcjell nga Sufjan ibn Ujejne thënien: “Nëse dita ime është dita e një mendjelehti dhe nata ime është nata e një të padituri, atëherë ç’dobi kam nga dituria që kam shkruar?!!

16. Shoqëria e mirë.

Allahu thotë: “Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi“.
Prandaj i Dërguari i Allahut ka nxitur në zgjedhjen e shokëve të mirë dhe përfitimin nga shoqërimi i tyre.
Ebu Hurejrah tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj shikoni se më kë shoqëroheni“.
Ebu Said Khuderiu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shoqërohu vetëm me besimtarë dhe nga sofra jote të hajë vetëm i devotshmi“.
Ebu Musa Eshariu tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është si shembulli i mbartësit të parfumit dhe fryesit të zjarrit (farkëtarit). Mbartësi i parfumit mund të ta dhurojë, ta shesë apo e pakta prej tij ndjen erë të këndshme. Ndër fryesi i zjarrit ose të djeg rrobat ose ndjen prej tij kundërmim (erë të keqe)“.



Përgatitur nga: Rushit Musallari
________________________________________
1) Ato janë pyetje, me anë të të cilave kërkohet të korruptohen dijetarët, duke qenë më vonë shkak për ngatërresa dhe përçarje. Në Sunenin e Ebu Daudit (3656) është një përcjellje, që i Dërguari i Allahut ka ndaluar nga pyetjet dinake.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.