Edukimi i fëmijëve – art dhe dituri

Puna me fëmijët është art, i cili u mungon shumë prindërve në faza të caktuara të jetës.

Prindërit shpesh pyesin cila është mënyra më e mirë e edukimit të fëmijëve?
Është fakt se vetëdija e fëmijëve rezulton nga marrëdhënia jote ndaj tij. Nëse i bën me dije se është “fëmijë i mirë”, atëherë i ke bërë me dije se e do. Kjo do t`ia bëjë mendimin për vete si i mirë, njeri i ndershëm, i rëndësishëm në këtë botë. Nëse je i padurueshëm me të dhe e bën me dije se “nuk është fëmijë i mirë”, nëse vazhdimisht e kritikon, ai do të rritet në këtë frymë. Do të ketë mendimi negativ për veten, e që në fund do të kalojë në depresion, melankoli, rebelim dhe revoltë.

MËSOJE Ç`ËSHTË GABIMI

Kur e sheh që fëmija bën diç që ti nuk e dëshiron apo diç që nuk është e pranueshme, bëje të kuptojë që kjo nuk është mangësi tek ai si njeri, por vetëm gabim në këtë veprim. Thuaj: “Ke bërë diç që nuk është e mirë”, në vend që t`i thuash: “Ti nuk je fëmijë i mirë”. Dhe thuaj: “Nuk ke vepruar mirë me vëllain tënd”, në vend që t`i thuash: “Je fëmijë i keq”.

LARGOHU NGA KONFLIKTET E ASHPËRA

Është me rëndësi që prindërit të dinë se si me kohë të reagojnë me butësi dhe vendosmëri me ndjenjat e fëmijës. Nuk duhet pasur konflikt të ashpër me fjalë apo goditje, as grindje në mes nënës dhe fëmijës. Duhet që atij t`i komunikohet me vendosmëri se atë që ka bërë është e keq dhe e papranueshme dhe se nuk je i kënaqur me këtë.
Kjo nuk do të thotë që prindërit duhet të jenë tepër të butë dhe ta lënë fëmijën të bëjë çfarë të dojë. Natyrisht, duhet të ekzistojnë orientime të qarta rreth asaj çfarë është e pranueshme e çfarë jo. Fëmija ka të drejtë të paraqet hidhërimin e tij nëpërmes qasjes apo bisedës, por asnjëherë nuk duhet lejuar t`i thyejë gjërat nëpër shtëpi apo t`i godasë shokët e tij dhe vëllezërit.

DUANI FËMIJËT TUAJ, POR ME MENÇURI

Edukimi nuk mund të zhvillohet pa dashuri. Fëmijët, të cilëve edukuesi u ofron dashuri dhe kujdes ndiejnë afërsi më të madhe dhe e dëgjojnë me vesh dhe me zemër. Për këtë është e nevojshme që prindërit të përpiqen t`i duan fëmijët e tyre, e jo të bëjnë veprime që do t`i urrejnë. Nuk duhet t`i nënçmojnë, t`i dënojnë pandërprerë, t`i lënë anash, t`ua kufizojnë lirinë dhe mos t`ua plotësojnë kërkesat e tyre të arsyeshme. Nëse ndonjëherë duhet t`i dënojnë, le ta bëjnë me urtësi, në mënyrë që të mos zhduket dashuria pa të cilën nuk ka edukim. Por kjo dashuri nuk do të thotë se fëmijët duhet të mbizotërojnë me çdo gjë në shtëpi ose shkollë, të bëjnë çdo gjë që dëshirojnë, pa pengesa dhe rend. Kjo nuk është dashuri. Kjo është dobësi dhe parregullsi. Dashuria e Pejgamberit, s. a. v. s., ndaj sahabëve nuk e ka penguar t`u japë detyra të caktuara, por edhe t`i dënojë kur kanë gabuar dhe shkelur rregullat fetare. Por kjo nuk e ka zhdukur dashurinë e sahabëve ndaj Pejgamberit të tyre, por përkundrazi e kanë dashur dhe respektuar.

NDEROJE BASHKËSHORTIN TËND

Për ta fituar njeriu respektin e fëmijëve të tij, duhet ta përjetojë dashurinë dhe respektin e bashkëshortes së tij. Bashkëshortja e mirë është ajo që çdo moment fëmijëve iu bën të ditur se sa i rëndësishëm është babai i tyre. Ajo i nxitë në dashuri dhe respekt ndaj tij dhe vazhdimisht përsërit vlerat e tij dhe cilësitë e bukura. Ajo i thotë fëmijës: “Sillu kështu, se këtë e dëshiron babai juaj”, “Mos e bën këtë se babai juaj do të hidhërohet”.

DHURATA – QOFTË EDHE NJË EURO

Nëse dëshiron të jesh shok me fëmijën tënd, duhet të dish se goja është më e zgjuar se truri. Një kuti ëmbëlsira është më e vlefshme, se një libër i ri. Një palë rrobe janë më të dashura, se një bisedë e bukur. Babai i mençur është ai i cili hyn në shtëpi me dhurata apo ndonjë lodër. Mos të harrojë prindi se në këtë botë ekzistojnë gjëra që janë të parealizueshme, por te fëmija janë të realizueshme. Ne nuk do ta fitojmë shoqërimin e tyre, përderisa nuk do ta shohim botën me sytë e tyre.

DËGJOJE FËMIJËN TËND

Kur vjen fëmija të bisedojë me ty për atë që i ka ndodhur në shkollë, mos e lë anash. Biseda jote në atë moment nga perspektiva e tij është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër që të preokupon ty. Ai dëshiron të thotë çfarë ndien ose të shprehë gëzimin e tij për shkak të lavdërimit që e ka marrë atë ditë në shkollë.
Përkushtoja vëmendjen birit tënd kur të thotë se atë ditë ka marrë notën më të lartë në ndonjë provim. Trimëroje që të përparojë, në vend se t`i thuash se kjo nuk të intereson fare.
Nëse biri yt, një ditë vjen nga shkolla dhe të thotë se dikush e ka rrahur, ndërsa ti e pyet: “A je i sigurt se mos ndoshta ti e ke filluar rrahjen?”, atëherë ia ke mbyllur dyert e bisedës me birin tënd. Në sytë e birit tënd je transformuar nga një mik i cili kërkon ndihmë në një gjykatës, i cili gjykon dhe dënon. Bile, biri yt mund të paramendojë si një gjykatës jo të drejtë, i cili dëshiron të akuzojë dhe tregojë pafajësinë e sulmuesit.
Kur fëmija u drejtohet prindërve, ata duhet të tregojnë interesim dhe dëshirë për zhvillimin e bisedës. Duhet larguar çdo mundësi të kritikës ose mosinteresimit ndaj asaj që flet fëmija.

LUAJ MË FËMIJËT

Pejgamberi, a.s., ka luajtur me fëmijët dhe është sjellë me butësi ndaj tyre. Është e njohur se si ka vepruar me nipat e tij me fëmijët e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi, a. s., e ka përqafuar Hasanin në praninë e Akre b. Habis et-Temimiut. Akre i tha: “Unë i kam dhjetë fëmijë dhe asnjërin nuk e kam përqafuar”.
Pejgamberi, s. a. v. s., u kthye kah ai dhe i tha: “Kush nuk ka mëshirë, nuk do t`i tregohet mëshirë”. (Muttefekun alejhi)
Muaviu, r. a., ka thënë: “Kush ka fëmijë, le të bëhet fëmijë me ata”.
Pejgamberi, s. a. v. s., ka luajtur më fëmijët, i ka përkëdhelur në kokë, për çfarë fëmijët kanë ndier dashurinë dhe ngrohtësinë. Abdullah b. Xhaferi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “I Dërguari i Allahut, s. a. v. s., më ka përkëdhelur në kokë duke më thënë: “O Zoti im, jepi Xhaferit trashëgimtarë”. (Hakimi)
Ai i ka përkëdhelur fëmijët edhe në fytyrë, siç përmendet në Sahihun e Muslimit.
Xhabir b. Semure ka thënë: “Jam falur me Pejgamberin, s. a. v. s. Pas namazit ai shkoi te familja e tij. E pritën dy fëmijë dhe ai i përkëdheli në fytyrë një nga një”.
Nesai shënon se Pejgamberi, a. s., i ka vizituar ensarët. U jepte selam fëmijëve të tyre dhe i përkëdhelte në kokë.

LËRJU FËMIJËVE DIÇ (PAK) LIRI

Gjëja më e rëndë në institucionet dhe shkollat tona, siç thotë një edukator, është kontrolli i pandërprerë, i cili te fëmijët krijon shtrëngesë dhe barrë. T`i lëmë fëmijës pak liri dhe të mundohemi që ta bindim se liria do t`i merret nëse e keqpërdor.
Mos e kontrollo dhe mos e kufizo. Nëse e prish rendin, përkujtoje se ekziston kontrolli.
Fëmija ka motive të mëdha që të luftojë për lirinë e tij. Ai lufton që babai ta lërë t`i shfrytëzojë lodrat si të dëshirojë, por mos t`i mbathë çorapet si duhet.
Fëmija, në realitet ka nevojë ta doni dhe ta ledhatoni, e jo ta kufizoni. Atij i duhet përkujdes i përzier me besim. Ai dëshiron ta mësosh në çdo gjë të re, por mos ta urdhërosh në këtë.
Shkurtimisht, mos lejo që fëmija të bëhet objekt i brengës së tepruar.

JEPI URDHRA, POR ME MENÇURI

Urdhrat duhen të jenë të prera. Toni i zërit të babait dhe nënës duhet të flasë për përgatitjen e tyre për t`i ndihmuar fëmijës. Kur fëmija i hedh lodrat nëpër dysheme të dhomës, nëna duhet t`i thotë: “Eja që së bashku t`i mbledhim lodrat.” Ajo fillon t`i mbledhë lodrat, ndërsa fëmija menjëherë vjen t`i ndihmojë. Fëmija shpesh nuk përgjigjet ose qan dhe bërtet kur nëna me ton kërcënues kërkon nga ai t`i lajë duart apo të hyjë në banjë. Mirëpo, nëse fëmijës me ton të butë i urdhërohet, ai mund të përgjigjet me lehtësi. Sa më shumë që insistohet, fëmija ndien më tepër mosdëgjueshmëri dhe neveri ndaj asaj që kërkojmë nga ai.
Disa prindër lavdërohen me atë se fëmijët e tyre i dëgjojnë dhe nuk veprojnë atë që u ndalohet.
Të tjerët ndaj fëmijëve sillen sikurse ndaj gjërave pa shpirt. Disa i ngarkojnë fëmijët mbi mundësitë e tyre dhe u japin detyra të cilat nuk mund t`i kryejnë. Të gjitha këto janë tejkalime. Në këtë edukim nuk ka urtësi. Slogani i të cilit është “Rruga e mesme është më e mira.”

KRITIKONI RRALLË

Keni kujdes, baballarë dhe nëna, të drejtoni sa më pak kritika automatike që nuk janë të domosdoshme. Mundohuni që fëmijëve mos t`iu impononi kontroll të ashpër. Fëmija nuk është send të cilin mund ta drejtojmë si të duam. Ai ka mënyrën e tij të jetës dhe rregullimin e gjërave. Përse ta ngulfatim fantazinë e tyre?
Fëmija shpesh ballafaqohet me pyetje dhe urdhëresa të shumta: “Përse po qesh kështu? Përse po ec ashtu? Foli mirë fjalët! Mos luaj me flokët! Shko dhe pastroji dhëmbët!” etj ...
Të gjitha këto ndikojnë te fëmija dhe shkaktojnë tek ai shqetësim e humbje të vetëbesimit. Shpesh ndodh që fëmija i parë të bartë barrën më të rëndë të edukimit dhe kontrollit të ashpër nga ana e prindërve. Vetëm atëherë prindërit ndiejnë që kanë mësuar mjaft nga përvoja me fëmijën e parë dhe të dytit i japin më shumë liri.
Nëna duhet të zhvillojë artin e të folurit të qetë me fëmijën, kështu që do t`i bëjë disa pyetje për të parë se çfarë përgjigje do të fitojë. Ajo do t`ia kultivojë traditën që të mos e ngre zërin, kur të flasë, të mos e ndërpresë bisedën e tjetrit, etj.
Do ta pyesë, p.sh.: “Çfarë do të bësh sikur ta shihje fëmijën e lënduar në rrugë?” Çfarë do të bësh nëse e sheh që vëllai yt i rrah të tjerët?” Fëmijët, me të cilët prindërit bisedojnë rrallë, rriten me më pak vetëbesim, sesa fëmijët, me të cilët prindërit bisedojnë në mënyrë të qetë.

SJELLJA E FËMIJËVE TUAJ ËSHTË SHPREHJE E SJELLJES SUAJ

Kur prindi bërtet se lodhet shumë dhe nuk merr shpërblimin e duhur për atë lodhje dhe nuk e duron padrejtësinë në këtë botë, kjo në trurin e fëmijës do të thotë se njeriu është sakrificë e gruas dhe më mirë është të jesh i pamartuar. Ndërsa kur nëna bërtet që mashkulli është e vetmja qenie që kënaqet në botë dhe shfrytëzon tërë mundin e gruas, kjo për vajzën d.m.th. se femra duhet ta urrejë burrin dhe mos ta respektojë. Për këtë, ajo kur të rritet do t`i shmanget jetës bashkëshortore.
Kur djali e sheh babin se si e nënçmon nënën, mendon se kjo është mënyrë e drejtë e sjelljes ndaj saj.
Përderisa, kur vajza e sheh nënën se si e nënçmon babin apo sillet keq me të, themeli i sjelljes së saj ndaj njerëzve do të jetë nënçmues dhe i ashpër.


REZUME:

Sjellja e prindërve ndaj fëmijëve duhet të ketë disa parime të caktuara. Nuk duhet ta lavdërosh djalin për diçka që dje e ke kritikuar; nuk duhet kritikuar për diçka që dje e ke lavdëruar. Bëhu pedagog i vërtetë që ta edukosh në mënyrën më të bukur fëmijën në kohën e sotme.



Përgatiti: Prim.med.dr.sci. Ali Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.