Rëndësia e diturisë

Argumentet nga Kur’ani:

“All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë”.(1)
Lexues i nderuar, vër re këtë rënditje: All-llahu, xh.sh., fillon me dëshminë e Tij; në pozitën e dytë vendos melekët, e pastaj menjëherë ata njerëz që u është dhënë dituria. Me këtë qartazi shprehet nderi dhe pozita e lartë e cila nga ana e All-llahut, Krijuesit të botëve, i jepet njeriut si bartës i diturisë.
“….All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri…”.(2)
Ibn Abbasi, All-llahu qoftë i kënaqur me të, duke folur për pozitat e larta të cilat All-llahu, xh.sh. u jep dijetarëve, thotë: “Njeriu i ditur është mbi besimtarin e zakonshëm deri në 700 shkallë. Distanca në mes secilës prej këtyre shkallëve është rruga prej 500 viteve”.
“…Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? … "(3)
“….Po All-llahut ia kanë frikën nga robt e Tij vetëm dijetarët, …..” (4)
“….Thuaj: "Mjafton që All-llahu është dëshmitar midis meje dhe midis jush dhe (është dëshmitar) ai që ka njohuri të librit (të shpalljeve)"(5).
“E ai i cili kishte dituri nga libri tha: "Unë ta sjell atë ty sa çel e mshel sytë (këtij i tha: Sille!)!" (6)
Fuqia këtu është kryesisht e lidhur me dituri.
“E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: "Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë…”(7)
Ajeti tregon se njohuria jonë për Ahiretin është e lidhur me dituri.
“Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush, pos dijetarëve.” (8)
“Madje kur u vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë muslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t'ia linin atë (përhapjen e lajmit) Pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do dinin të nxjerrin përfundime….”(9)
Pejgamberëve u lejohet që vetë të zbulojnë rregullat sipas rrjedhës së ngjarjeve, dhe menjëherë pas të dërguarve të All-llahut, ky obligim dhe kjo mundësi i jepet dijetarëve (ulemave).
“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë – d.m.th. diturinë – dhe petk zbukurues –d.m.th. bindjen (jekin). Po petku i devotshmërisë -d.m.th turpi- është më i miri” (10)
“Dhe duke e ditur mirë Ne do t'u rrëfejmë atyre (për atë që punuan)…” (11)
“Ne u sollëm atyre (mekasve) një libër (Kur'anin) që ua shkoqitëm në baza të diturisë….”(12)
“Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria…”(13)
“E krijoi njeriun. Ia mësoi atij të folurit (të shprehurit, të shqiptuarit).” (14)


Argumentet nga hadithi (tradita)

“Kujt, All-llahu, xh.sh., i dëshiron mirësi, e udhëzon në kuptimin e fesë dhe i jep inspirim kah Udhëzimi i drejtë” (15)
“Njerëzit e ditur janë trashëgimtarët e të dërguarve të All-llahut”. (16)
Është e njohur se nuk ka pozitë më të lartë se pozita e pejgamberllëkut. Ngjashëm me këtë, nuk ka nder më të madh se trashëgimi i kësaj kategorie të llojit njerëzor.
“Për njeriun e ditur kërkon falje çfarë ka në qiej dhe në Tokë”(17)
Pra, a mund të ketë pozitë më të mirë dhe më të bukur se ai për të cilin luten dhe ndërmjetësojnë te All-llahu, xh.sh., melekët në qiej dhe në Tokë?
“Urtësia të ndershmin e bën edhe më të ndershëm, ndërsa robin e ngrit në pozitën e mbretërve”(18), Pejgamberi s.a.v.s. nëpërmjet këtij hadithi ka paralajmëruar se dituria–urtësia ka dobi të shumta për besimtarin në jetën e kësaj bote, e dihet se Ahireti është më i dobishëm dhe i përjetshëm.
“Dy karakteristika nuk mund t’i gjejmë te hipokriti (munafiku), e këto janë sjellja e bukur dhe njohja e fesë” (19)
Në këtë hadith nuk duhet dyshuar nga shkaku se disa juristë dhe teologë të kohës sonë posedojnë sjellje të hipokritit. Këtë çështje do ta shpjegoj më vonë. Juristi (fakihu) në rend të parë duhet të preferojë Ahiretin në krahasim me dunjanë. Bota tjetër është më e mirë. Grada më e ulët e një dijetari është të kuptojë se Ahireti është më i mirë se dunjaja. Kur kjo njohuri dhe vetëdije të jetë e ngulitur te fakihu (juristi islam), ai do të jetë i pastër nga çfarëdo hipokrizie dhe syfaqësie (rija).
“Njeriu më i mirë është besimtari i ditur–alim. Kur të tjerëve u nevojitet, ai i shërben dhe i pasuron, dhe kur të tjerët nuk kanë nevojë për ndihmën e tij, ai pasuron veten”. (20)
“Imani është i zhveshur. Devotshmëria është petku i tij, turpi zbukurimi i tij, ndërsa dituria fryt i tij” (21)
“Njerëzit më të afërm në shkallën e pejgamberllëkut janë dijetarët (ulematë) dhe luftëtarët në rrugën e Zotit (muxhahidët); dijetarët (ulematë) udhëzojnë në rrugën në të cilën kanë thirrur të dërguarit e All-llahut, ndërsa muxhahidët me armë kanë luftuar për këtë rrugë”. (22)
“Vdekja e fisit të tërë është më e lehtë se vdekja e dijetarit (alimit)” (23)
“Njerëzit janë sikurse xeheroret (minierat) e arit dhe argjendit. Të zgjedhurit në injorancë, do të jenë të zgjedhur edhe në islam, me kusht që të arsimohen në fe”. (24)
“Në ditën e Gjykimit do të peshohet dhe vlerësohet ngjyra e dijetarëve me gjakun e martirëve (shehidëve)”. (25)
“Kush i mëson dyzet hadithe dhe u transmeton ithtarëve të ummetit tim, do të jem dëshmitar dhe ndërmjetësues i tij në Kijamet” .(26)
“Kush nga ummeti im i mban në mend dhe i praktikon dyzet hadithe, në Ditën e Gjykimit do ta takojë All-llahun, xh.sh., si alim dhe fakih”. (27)
“Kush mëson fenë e All-llahut, xh.sh., Ai do t’i japë atë që dëshiron dhe do ta furnizojë nga nuk e mendon” .(28)
“All-llahu, xh.sh., i shpalli Ibrahimit, a.s.: »O Ibrahim, Unë çdo gjë di dhe i dua ata që dinë”. (29)
“Njeriu i ditur është delegues i All-llahut xh.sh. në Tokë”. (30)
“Kur dy kategori të njerëzve të Ummetit tim janë në rregull, është në rregull edhe populli, por kur këto prishen, prishet edhe populli - pushtetarët dhe dijetarët (ulematë)”. (31)
“Nëse në jetën time vie një ditë në të cilën nuk e kam rritur diturinë që më ofron tek All-llahu, xh.sh., mos m’u paraqittë mirësia e lindjes së Diellit atë ditë”. (32)
Në disa hadithe Muhammedi, s.a.v.s., diturinë e rangon jo vetëm mbi ibadetin (adhurimin), por edhe mbi shehadetin (dëshminë)!
“Përparësia e njeriut të ditur ndaj adhuruesit është e ngjashme me përparësinë time mbi njeriun më të ulët në mesin e sahabëve të mi”. (33)
Shiko lexues i nderuar, se si Pejgamberi, s.a.v.s., krahason dhe ngrit diturinë në shkallën e profecisë, ndërsa aktivitetin e adhurimit, nëse nuk është i gërshetuar me dituri, e vë në shkallën më të ulët.
Vërtet, ibadeti nuk mund të izolohet nga dituria, sepse njeriu adhurues posedon dituri mbi ibadetin. Mos t’ishte ajo dituri nuk do të kishte as ibadet!
“Epërsia e njeriut të ditur mbi ibadetçiun gjason me epërsinë e shkëlqimit të Hënës së plotë mbi yjet e tjerë”. (34)
“Të drejtën e ndërmjetësimit në ditën e Gjykimit do ta kenë: pejgamberët, pastaj dijetarët (ulematë), më tej shehidët”. (35)
Dijetarët (ulematë) këtu janë përmendur pas pejgamberëve, dhe para shehidëve, por është e njohur mirë në cilën shkallë vendoset shehidi!
“Nuk ka mënyrë më të mirë me të cilën All-llahu, xh.sh., mund të adhurohet sesa nga mësimi i fesë. Një dijetar është më i rrezikshëm për shejtanin se njëmijë adhurues. Çdo gjë ka fundament dhe fundamenti i islamit është njohja teologjike”. (36)
“Në fe më e mirë është ajo që frymon me lehtësi; forma më e mirë e ibadetit është në mësimin e fesë”. (37)
“Përparësia e besimtarit–dijetar mbi besimtarin–adhurues është për shtatëdhjetë shkallë”. (38)
“Ju jetoni në kohën në të cilën ka shumë që e studiojnë dhe e kuptojnë Kur’anin, pak ka recitues dhe ligjërues, pak ka që kërkojnë, dhe shumë që japin. Praktika është më e dobishme se teoria (dituria). Por do të vijë koha në të cilën do të ketë pak të tillë që do ta kuptojnë Kur’anin, ndërsa shumë të cilët për të do të flasin, pak do të ketë që japin, ndërsa shumë që do të lypin. Në atë kohë përparësi do t’i jepet teorisë ndaj diturisë mbi punën dhe praktikën”.(39)
“Dijetari është 100 shkallë më lartë se adhuruesi. Largësia në mes dy shkallëve është 70 vjet”. (40)
Është thënë:
- O i Dërguar i All-llahut, cila është vepra më e mirë? – U përgjig:
- Njohja e All-llahut, xh.sh. – Më tej u pyet:
- Cilën njohuri e kupton? – U përgjigj:
- Njohjen e All-llahut, xh.sh.” – I thanë:
- Të pyesim për veprat e na përgjigjesh për diturinë,- për çfarë Muhammedi, s.a.v.s., tha:
- Vërtet me pak punë dhe aktivitet me besim në All-llahun, xh.sh., ka dobi, por shumë mund dhe përpjekje do të jetë e pavlerë pa njohje dhe besim në All-llahun, xh.sh.” (41)
“All-llahu në ditën e Gjykimit do t’i ngjallë njerëzit dhe dijetarëve (ulemave) do tu thotë:
- O dijetarë (ulema), ju kam dhënë dituri sepse e kam ditur që do të jeni besnikë dhe meritues të bartjes së këtij amaneti. Nuk ju kam dhënë dituri për t’ju dënuar me të. Hyni (në Xhennet – vër. përkthyesit), ju kam falur” .(42)
E lusim All-llahun që të kemi përfundim të mirë.


Fjalë të urta (el-athar)

Imam Aliu i ka thënë Kumejlit: “O Kumejl, dituria është më e mirë se pasuria. Dituria të ruan ty, ndërsa ti e ruan pasurinë; dituria është udhëheqës, ndërsa pasuria e nënshtruar; pasuria duke u shpenzuar pakësohet, ndërsa dituria shtohet”.
Imam Aliu gjithashtu ka thënë: “Dijetarit i është dhënë përparësia mbi atë që agjëron, mbi atë që falet, bile edhe mbi vet muxhahidin. Kur dijetari vdes, mbetet zbrazëtirë e pazëvendësueshme. Këtë zbrazëti mund ta mbushë vetëm dijetari i cili vie në vendin e tij”.
Imam Aliu në një varg të tij thotë, “që lavdia e vërtetë u takon vetëm dijetarëve (ulemave) që udhëzojnë në rrugë të vërtetë të atyre që e kërkojnë, dhe që vlera e secilit njeri është për aq sa ai i afrohet diturisë, dhe që injorantët janë armiq të dijetarëve (ulemave).
Atëherë fito me dituri që të jetosh i gjallë përgjithmonë, dmth. të gjithë njerëzit vdesin, përveç dijetarëve - ata mbesin të jetojnë.”
Ebu el-Esvedi thotë: “Nuk ka gjë më fisnike dhe me vlerë se dituria. Udhëheqësit sundojnë dhe udhëheqin masat, ndërsa dijetarët (ulematë) udhëheqin sundimtarët”.
Ibn Abbasi, All-llahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Sulejmanit, djalit të Davudit, paqja e Zotit qoftë mbi ta, i është ofruar të vendosë në mes diturisë, pasurisë dhe pushtetit. Zgjodhi diturinë, dhe më pastaj fitoi pasuri dhe pushtet.”
Ibn Mubareku u pyet: “Kush janë njerëz?” U përgjigj: “Dijetarët (ulematë)”. Më tej u pyet: “Kush janë udhëheqës të vërtetë?” U përgjigj: “Adhuruesit”. Më tej u pyet: “Kush janë të mjerët?” U përgjigj: “Ata që Ahiretin ia përcaktojnë dunjasë. Dituria është veti me të cilën njeriu dallon nga kafshët. Vlera e njeriut është në fuqinë e personalitetit dhe karakterit të tij. Nuk është në fuqinë fizike, sepse deveja është më e fuqishme se ai; as në madhësinë e trupit të tij, sepse elefanti është më i madh se ai; as në trimërinë e tij, sepse luani është më trim se ai; as në sasinë e ushqimit të tij, sepse kau ka stomak më të madh se ai; as në emocionet seksuale, sepse edhe trumcaku (vremçi) ka epsh më të madh për mbarësim se njeriu. Njeriu është krijuar vetëm për dituri”.
Për këtë dikush nga dijetarët (ulematë) ka thënë: “Sikur të dija çfarë ka arritur ai njeri i cili ka mbetur injorant, dhe çfarë ka humbur njeriu i cili ka arritur dituri”.
Muhammedi, s.a.v.s., ka thënë:
“Kujt i është dhënë Kur’ani dhe ai mendon dhe kujton që dikujt i është dhënë fjalë më e mirë se ky Udhëzim, ai ka tentuar të degradojë atë që All-llahu, xh.sh., e ka lartësuar”.
Fet’h el-Musuli, All-llahu, xh.sh., e mëshiroftë, një herë tha: “A thua i sëmuri i cili nuk e pranon ushqimin, pijen e ilaçin, nuk do të vdesë? Sigurisht që po–u përgjigjën. Kështu është edhe me zemrën e njeriut, tha el-Musuli. Nëse ajo tri ditë mbetet pa urtësi dhe dituri, ajo vdes”.
Të vërtetën e ka thënë; sepse dituria dhe urtësia ushqejnë zemrën, mu ashtu sikur ushqimi që mban trupin e njeriut.
Kush mbetet pa dituri, zemra e tij sëmuret dhe vdekja është e pashmangshme. Vërtet njeriu nuk e ndien këtë menjëherë, është i preokupuar me gjërat e dunjasë, andaj ndjenjat i topiten, ngjashëm si kur ndodhet në gjendje frike e nuk i ndien plagët e trupit, edhe pse ato janë të pranishme. Por, kur njeriut i afrohet vdekja dhe kur ajo i mënjanon nga njeriu preokupimet e dunjasë, ai bëhet i vetëdijshëm për humbjen e tij, por atëherë bëhet vonë. Njeriu në frikë apo në dehje nuk i ndien dhimbjet dhe plagët, por vetëm pasi t’i kalojë frika dhe ndalet veprimi i alkoolit.
Kërkojmë mbrojtjen e All-llahut, xh.sh., që të na ruajë nga vështirësitë dhe tmerret e Ditës kur bien perdet dhe maskat, “vërtet njerëzit janë në gjumë; vetëm kur vdesin, atëherë zgjohen”.
Hasan el-Basriu, All-llahu, xh.sh., e mëshiroftë, ka thënë: “Ngjyra e dijetarëve do të vlerësohet me gjakun e dëshmorëve dhe ngjyra e dijetarit do të mbipeshojë gjakun e dëshmorit”.
Ibn Mes’udi, All-llahu, xh.sh., qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Përkushtojuni arritjes së diturisë para se ajo të humbë. Do të humbë me vdekjen e transmetuesve të vërtetë. Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është jeta ime, njerëzit të cilët në Tokë kanë rënë dëshmorë (shehidë), do të dëshirojnë që All-llahu, xh.sh., t’i ringjallë si dijetarë, pasi që të shohin përparësitë dhe nderin të cilin All-llahu, xh.sh,. do t’ua tregojë. Askush nuk ka lindur i ditur; dituria arrihet me punë”.
Ibn Abbasi, All-llahu, xh.sh., qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Më shumë dëshiroj ta kaloj natën në studimin e disiplinave shkencore sesa në namaz”. Ngjashëm sjellin mendime edhe Ebu Hurejre dhe Ahmed ibn Hanbeli, All-llahu, xh.sh., i mëshiroftë. Hasan el-Basriu, duke shpjeguar versetin 201, të kaptinës El-Bekareh:
“Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër”, e shpjegon se për të mira në këtë botë mendohet dituria dhe ibadeti, ndërsa për të mira në Ahiret mendohet në Xhennet.
Disa të urtë janë pyetur: “Çfarë është më mirë të posedosh?” U përgjigjën: “Ajo që kur anija jote të fundoset, mbetet të notojë me ty”, domethënë – dituria. Sipas disave, fundosja e anijes është vdekja trupore.
Disa kanë thënë: “Kush e merr urtësinë si udhëheqës, njerëzit do ta marrin si udhëheqësin e tyre dhe do ta nderojnë”.
Imam Shafiu, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush e vlerëson diturinë, ai në çdo njohuri të re, sado që të jetë e thjeshtë, do të gëzohet, dhe në mungesë të njohjes do të mërzitet”.
Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “O njerëz, përmbajuni diturisë. All-llahu, xh.sh,. ka rroba të veçanta me të cilat vesh atë që i përkushtohet diturisë. Nëse ai gabon, All-llahu, xh.sh,. do t’i japë tri herë rast që të korrigjohet, vetëm që ajo sprovë të mënjanohet nga ai. Për më tepër, rastin për t’u përmirësuar ai njeri do ta ketë deri në vdekje”.
El-Ahnefi, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Njerëzit e ditur janë më afër All-llahut, xh.sh. Çdo fuqi e cila nuk ka përkrahjen e diturisë–do të rrëzohet dhe përulet”.
Salim ibn ebi el-Xha’d ka thënë: “Zotëriu im më bleu për 300 dirhem, e më pastaj më liroi. Pas kësaj i bëra vetes pyetje: Për cilën dituri do të përcaktohesh? Vendosa vetëm për shkencë. Nuk kaloi një vit, mëkëmbësi i Medinës erdhi dhe kërkoi që ta pranoj. Nuk e pranova!”
Një i urtë kishte thënë: “Kur vdes njeriu i ditur, e vajtojnë peshqit në det dhe shpezët në ajër. Fytyra e tij nuk zhduket, kujtimi për të është i përhershëm”.
Ka thënë Zubejr b. ebi Bekr: “Babai më kishte shkruar në Irak: Përmbaju diturisë, sepse nëse varfërohesh, ajo do të jetë pasuria jote; por nëse pasurohesh, ajo do të jetë zbukurimi yt”.
Njëra prej këshillave të Llukmanit birit të tij ishte edhe kjo: “Biri im, shoqërohu me njerëz të ditur dhe mos u ndaj prej tyre, sepse All-llahu, xh.sh., i ngjall zemrat e njerëzve me dritën e diturisë dhe urtësisë, mu ashtu sikur ngjall tokën me shi të shumtë”.
Ez–Zuhriu, All-llahu, xh.sh. e mëshiroftë, kishte thënë: “Dituria është dhikr, dhe diturinë e duan ata që e duan dhikrin”.


__________________
1. Ali Imran, 18
2. El Muxhadeleh, 11
3. Ez Zumer, 9
4. Fatir, 28
5. Er Ra’d, 43
6. En Neml, 40
7. El Kasas, 80
8. El Ankebut, 43
9. En Nisa, 83
10. El A’raf, 26
11. El A’raf, 7
12. El A’raf, 52
13. El Ankebut, 49
14. Er Rrahman, 3–4
15. Muttefekun alejhi, shënon Muavija
16. Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Ibn Hibbani në “Sahihu”. Hadithin e shënon Ebu Derda
17. Kjo është pjesë e hadithit të përmendur nga Ebu Derdai
18. Ebu Nuajm »El-Hiljetu«, Ibn Abdul Berr »Bejanul–ilmi«, Abdul Ganijj el-Ezdi »Adabu el-Muhaddithi« - nga Enes ibn Maliku
19. Tirmidhiu nga Ebu Hurejra
20. Bejhekiu në »Shuabu el-iman« nga Ebu ed-Derdai
21. Hakimi në »Tarihu en-Nisabur« nga Ebu ed-Derdai
22. Ebu Nuajm në »Fadlu el-alimi el-afifi«, shënon Ibn Abbasi
23. Tirmidhiu, Ibn Abdul Berr nga Ebu ed-Derdai
24. Muttefekun alejhi – shënon Ebu Hurejre
25. Ibn Abdul Berr nga Ebu ed-Derdai
26. Ibn Abdul Berr në »El-Ilmu« nga Ibn Omeri
27. Ibn Abdul Berr nga Enes ibn Maliku
28. Hatibi »Et-Tarih« nga Abdullah b. Xhezin ez-Zebidi
29. Ibn Abdul Berr – senedi i panjohur
30. Ibn Abdul Berr nga Muadhi, r.a.
31. Ibn Abdul Berr dhe Ebu Nuajm nga Ibn Abbasi
32. Taberaniu »El-Evsat«, Ebu Nuajmi »El-Hiljeh« dhe Ibn Abdul Berr »El-Ilm«. Shënon Aishja, r.a.
33. Tirmidhiu nga Ebu Umameh
34. Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Hibbani – nga Ebu ed-Derdai
35. Ibn Maxheh, nga Othman ibn Affan, r.a.
36.Taberaniu »El-Evsat«, Ebu Bekr el-Axhiri »Fadlu el-Ilmi« dhe Ebu Nuajm »Rijadatu el-Muteal-limin«, nga Ebu Hurejre
37. Ibn Abdul Berr, nga Enes ibn Maliku
38. Ibn Adijj, nga Ebu Hurejre
39. Taberaniu, nga Hizam ibn Hakim
40. El-Asfehani, nga Abdullah ibn Omeri.
41. Ibn Abdul Berr, nga Enes ibn Maliku
42. Taberaniu, nga Ebu Musa el-Esh’ariu



Shkëputur nga libri:
Ihjau-ulumid-din - RIPËRTËRITJA E SHKENCAVE FETARE
Ebu Hamid Muhammed el-Gazali
Përkthyes: Prim. dr. med. sci. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.