Besimi – burim i lumturisë

Nuk është lumturi në pasuri të shumtë, në jetë luksoze në nam, në trashëgimtarë të shumtë ...

Lumturia është diç që njeriu ndien në vete: pastërtia e zëmrës, qetësia e zemrës, e mendjes dhe ndërgjegjja e qetë. Lumturia është diçka që buron nga njeriu dhe nuk vjen nga jashtë. Nëse e mendojmë lumturinë si pemë e cila rritet nga shpirti njerëzor dhe zemra e njeriut, atëherë besimi në Allahun dhe botën tjetër paraqet ujin, ushqimin dhe ajrin.
Një njeri ishte hidhëruar në bashkëshorten e tij. Me zemërim i tha: “Do të bëj të palumtur !” Ajo e qetë i tha: “Nuk mund të më bësh të palumtur, sepse nuk është në fuqinë tënde të më bësh të palumtur. Sikur lumturia të ishte në të holla, ti do t`ua merrje; sikur të ishte në stolitë, ti do të m`a rrëmbeje. Por lumturia është diç që ti nuk e posedon !” Njeriu i çuditur e pyeti: “Nga varet lumturia jote?” Bashkëshortja me bindje u përgjigj: “Unë lumturinë time e gjejë në besimin tim, besimi im është në zemër, ndërsa sundimin mbi zemrën time e ka vetëm Zoti im !”
Përvoja jetësore tregon se besimi në Allahun është oaza më e ëmbël dhe burim i lumturisë. Shkaku më i shpeshtë i fatkeqësisë në familje janë fëmijët që nuk pasojnë Allahun në sjelljet e tyre, por pasojnë epshet dhe lakmitë e tyre. Kur feja është e përhapur në familje, aty mbretëron lumturia.
Dr Kamil Ja`kub thotë: “Fakti në të cilin jam bindur në jetën time si mjek, është që njerëzit më të qetë dhe më stabil janë ata që kanë iman më shumë në vete dhe i përmbahen fuqishëm parimeve fetare“.
Një mjek i ri në profesionin e tij, vizitonte të sëmurët në spitalin universitar. Profesori ishte një irlandez me diapazon të gjerë diturie dhe i moshuar. Mjeku i ri kur shihte se te të sëmurët zhdukeshin shenjat e sëmundjes, në listën e lëshimit shënonte sintagmën:“I shëruar dhe mund të shkojë në shtëpi“. Profesori e vërejti shenjat e kryelartësisë në fytyrën e nxënësit të tij dhe me një shikim frikësues i tha: “Fshije fjalën “i shëruar”, djali im dhe në vend të saj shkruaj “i`u përmirësua gjendja”. Nuk është në fuqinë tonë të shërojmë të sëmurin dhe na mjafton krenaria që e kemi përmirësuar gjendjen e tyre, ndërsa shërimi vjen vetëm nga Zoti“.
Kamil Jakub këtë e komenton me fjalët: “Nuk ka dyshim që ky besim i thellë, me dituri të gjerë, paraqet një shkak të lumturisë shpirtërore dhe lumturisë së vërtetë“.
Qetësia shpirtërore, pa dyshim paraqet burimin e parë të lumturisë. Kjo qetësi është e frymëzuar nga Allahu. Kjo është dritë që qetëson frikën, mënjanon brengën dhe ngushëllon në pikëllim.
Njeriu, i cili nuk beson e shqetësojnë brenga të ndryshme. Ai mëdyshet në mes pasioneve të tij dhe kënaqësisë së shoqërisë në të cilën jeton. Besimtari nga të gjitha këto është i qetë. Të gjitha qëllimet janë të bashkuara në një cak ndaj të cilit orientohet, e kjo është kënaqësia e Allahut të Madhëruar. I lartësuari thotë:
“Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur). Ai (Allahu) u tha: "Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse u vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dynja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)". (Ta Ha, 122-123)
Me çfarë qetësie ka qenë i mbushur Pejgamberi ynë Muhamedi s.a.v.s. kur u kthye nga Taifi me shputa të gjakosura dhe zemër të plagosur nga banorët vendas. Ai vetëm ngriti duart kah qielli, dike trokitur në dyert Hyjnore me këto fjalë të gjalla që buronin nga zemra e pastër:
“O Zoti im, tek Ty ankohem për dobësinë time, mos gjeturisë sime dhe mos pranimit tim nga njerëzit. O i Gjithëmëshirshmi! Ti je Zot i të pafuqishmëve dhe i të dobëtëve, Ti je Zoti im. Tek kush më lëshon? Armiku i cili është i preokupuar me gjendjen që unë ftojë, apo me fytyrë të mrrolur më pret. Nëse Ti nuk hidhërohesh në mua, atëherë nuk brengosem fare, por mbrojtja dhe mëshira Jote janë më të dashura për mua. Kërkojë mbrojtje me Dritën e Fytyrës Tënde, me të cilën janë ndriçuara errësirat dhe janë të rregulluara dynjaja dhe ahireti, të mos më kaplojë hidhërimi dhe zemërimi Yt. Më nevojitet vetëm Mëshira dhe Kënaqësia Jote, nuk ka fuqi e as energji, përveç Teje”.
Njëri prej shkaqeve të anksiozitetit dhe brengosjes, është keqardhja për të kaluarën, mos kënaqësia me të tashmen dhe frika nga ardhmëria. Për këtë psikologët dhe pedagogët këshillojnë që duhet harruar dhembjet e të kaluarës dhe duhet jetuar në momentin e tanishëm. E kaluara kurrsesi nuk mund të kthehet. Një ligjërues në një universitet amerikan këtë e ka paraqitur bukur duke i pyetur studentët: “Cili prej jush ka sharruar dru? Shumë student ngritën duart. Pastaj pyeti: “Cili prej jush ka sharruar mbeturinat e druve?” Në këtë pyetje askush nuk e ngriti dorën. Ligjëruesi atëherë tha: “Natyrisht askush prej jush nuk ka sharruar mbeturinat e druve, sepse ajo është prerë një herë. Kështu është edhe e kaluara. Kur ju përfshinë brenga për të kaluarën, dijeni se në atë moment jeni duke sharruar mbeturinat e druve !”
Kënaqësia është shkallë më e lartë se durimi. Atë mund t`a arrijë vetëm ai të cilit Allahu i jep iman të plotë dhe durim të bukur. Njeriu i kënaqur është i lumtur dhe i kënaqur me atë që ndodh; qoftë sëmundje, qoftë varfëria apo ndonjë problem. Ai është i vetëdijshëm se çdo gjë ka ndodh me dëshirën e Allahut të Madhëruar. Bile në këtë ai sheh mirësi nga ana e Allahut. Për këtë një prej lutjeve të Pejgamberit a.s. ka qenë:
“ Të lutem të më japësh kënaqësi me fatin !”
Duke folur për njerëzit e kënaqur Pejgamberi a.s ka thënë:
“ Ata më tepër gëzohen në fatkeqësi se ju që gëzoheni me dhurata”. (Shënon Ebu Ja`la)
Historia tregon se Sad ibn Ebi Vekkasi humbi të pamurit. Bënte pjesë në njerëzit, lutja e të cilëve pranohej. Shumë i vinin për lutje tek ai dhe u plotësohej. Një njeri i tha: “Axhë, ti po bën lutje për të tjerët, përse nuk i lutesh Allahut të të kthejë të pamurit ?!Ai, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Djali im, përcaktimi i Allahut është më i dashur për mua se të pamurit.”
Ata që janë të pakënaqur dhe ankohen asnjëherë nuk ndiejnë ëmbëlsirën e lumturisë. Tërë jeta e tyre është e errësuar . besimtari i sinqertë është i kënaqur me gjendjen e tij, i kënaqur me Zotin dhe është i bindur se atë që i ka përcaktuar Ai është më e mirë se përcaktimi ndaj vetit. Ai i drejtohet Zotit të tij me fjalët:
“Thuaj: "O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë"! (Ali Imran, 26)
Në natyrën e njeriut është dashuria ndaj kësaj bote dhe begative të saj. Nuk është i lumtur ai që fiton çdo gjë që dëshiron, i lumtur është ai që është i kënaqur me atë që ka. Sa`d ibn Ebi Vekkasi i ka thënë djalit të tij: “ Biri im, kur kërkon pasuri, kërko të jesh i kënaqur me të. Nëse nuk je i kënaqur, asnjë pasuri nuk të bën të pasur “.
A ka më të bukur se hadithi në të cilin Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Nëse ke siguri në familjen tënde, shëndet në trup dhe ke ushqimin për atë ditë, ti ke arritur dynjanë“. (Tirmidhiu)
Hatim el-Esammi u tha fëmijëve të tij: “Dëshirojë të shkojë në haxh. Ata filluan të qajnë: “Kënd po na lë neve?” Vajza e tij u tha: “Lëreni. Nuk jep ky furnizim. “Kur udhëtoi ai, fëmijët mbetën të uritur dhe filluan t`a akuzonin motrën. Ajo tha: “O Zot mos më turpëro para tyre!” Pas kësaj, para shtëpisë së tyre kaloi mbreti dhe kërkoi ujë. Fëmijët e Hatimit morën ibrikun e ri dhe i dhanë ujë të ftohtë. Ai tha: “Shtëpia e kujt është kjo?” “Hatim Esammit”, u përgjigjen. Ai hodhi nga qafa qaforen e artë, duke u thënë përcjellësve të tij: “ Kush më donë mua, le të bëjë të njëjtën gjë !” Edhe përcjellësit e tij hodhën nga një qafore të artë. Vajza filloi të qajë. Nëna e pyeti se përse po qanë, e ajo itha: “ Allahu n`a dërgoi furnizim shumë të madh”. Krijesa (njeriu) n`a shikoi dhe ne u bëmë të pasur, e çfarë do të ndodhte sikur Krijuesi të n`a vështronte ?!”, tha nëna.
Taberaniu në historinë e tij përmend se Omer ibn Abdulazizi gjatë kohës kur ishte hafife, urdhëroi një njeri që t`ia blejë një palë rrobe për gjashtë dërhem. Kur i`a bleu, Omeri futi duart ne xhepa dhe tha: “ Sa komode dhe ë bukura qenkan !” Njeriu që i`a solli qeshi. “Përse po qesh ?!”, i tha Omeri. “Për arsye se , o sundimtar i besimtarëve, para se të bëheshe hafife, më pate urdhëruar që t`i blejë një palë rrobe nga mëndafshi për një mijë dërhem. Kur i pate futur duart në xhepa, pate thënë: “Sa të ashpra qenkan!” E tani rrobet prej gjashtë dërhemësh të duken të bukura?!” Omeri i tha: “O njeri, shpirti im anon kah vlerat e larta. Posa të arrijë një shkallë, anojë kah një shkallë më e lartë. Isha mëkëmbës dhe anoja të bëhesha hafife, por tani që u bëra hafife, fillova të anojë kah ajo që është më e lartë, e ky është Xheneti“.


Lumturia është në largimin nga harami

A ka lumturi më të madhe për besimtarin se sa të largohet nga ajo që e ka ndaluar Allahu ? A ka kënaqësi në zemrën e tij se sa të ik nga rruga e mëkateve nga paturpësisë ? Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“ Kur myslimani shikon bukurinë e një femre e pastaj largon shikimin, Allahu do t`ia hap rrugën për një ibadet në të cilin ai do të kënaqet “. (Ahmedi)
Dr. Mustafa es-Sibai, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “ Kur nefsi fillon të anojë kah një mëkat, përkujtoje Allahun. Nëse nuk largohet përkujto në virtytet e njerëzve të mirë. Nëse edhe kjo nuk e largon, përkujtoje në turpin nëse njerëzit do të kuptojnë për këtë mëkat. Nëse edhe këtu nuk ke sukses, në atë moment je transformuar në kafshë“.
Në lidhje me këtë Nabiga ibn Shejban thotë: “Disa mendojnë se mëkatet munden në fshehtësi, kur janë vetëm. Si mund të jenë vetëm para shkruesve dhe Allahut të Madhëruar ?!”
Mëkatet mënjanojnë mirësitë dhe fshijnë begatitë. Ali ibn Ebi Talib r.a. ka thënë: “Fatkeqësia vjen nga mëkatet dhe largohet vetëm me pendim “.
Kush frenon epshet e tij dhe nuk lejon që ato të dominojnë, ai është njeri i mençur, i cili mbizotëron nefsin e tij. Ky është i lumtur në këtë dhe në botën tjetër.
Tregohet se një mbret vizitoi një dijetarë asket. e përshëndeti, ndërsa ky i`a ktheu ftohtë dhe pa interesim. Mbreti u hidhërua dhe tha: “Përse nuk ke vëmendje ndaj meje si mbret?!” “Dijetari buzëqeshi dhe i tha: “Si mund të jesh ti mbreti im, kur të gjithë robërit e mi janë mbretërit e tu?” “Kush janë ata?” “Lakmia”, tha dijetari, “Ato sundojnë me ty, ndërsa janë robërit e mi“.
Lumturia dhe falënderimi në begati
Shumica e njerëzve mendojnë se begatia më e madhe të cilën Allahu n`a ka ofruar është pasuria. Me këtë rast harrojmë begatinë e shëndetit, ta pamurit, mendjen, familjen, fëmijët dhe shumë e shumë begati tjera.
Lumturi është të jesh i bindur që Allahu i Madhëruar do të përkujdeset për fëmijët e tu të mirë, kështu që do të përpiqesh t`i orientosh dhe edukosh bukur. Omer ibn Abdulazizi i kishte lënë pas vetit tetë fëmijë. Njerëzit në prag të vdekjes e kishin pyetur: “Çfarë u ke lënë fëmijëve Omer”. “U`a kam lënë devotshmërinë“, u përgjigj. “Nëse bëhen të mirë, Allahu kujdeset për të mirët. Nëse nuk janë të tillë, nuk do t`ua lë asgjë që do t`u ndihmojë në rrugën e shtrembër”. Hisham ibn Abdulmelik secilit fëmijë i kishte lënë nga njëqind mijë dinar. Pas njëzet vjetëve djemtë e Omer ibn Abdulazizit kalëronin kuajt në luftë në rrugën e Allahut duke deponuar pasurinë e tyre të madhe. Ndërsa djemtë e Hishamit qëndronin në xhaminë e Darus-selam në kohën e Ebu Xhafer el-Mensurit duke pritur kush prej robërve të Allahut do t`u jap diç të holla.
Në fund, përkujto begatitë e Allahut dhe do të jesh i lumtur me atë që ke. Vërtetë je i rrethuar me begatitë e shumta të Allahut, andaj bëhu i vetëdijshëm. Sa njerëz janë të vetëdijshëm për begatitë e Tij, por vetëm kur t`i humbasin.
Dr. Mustafa es-Sibai ka thënë: “ Vizito gjykatën një herë në vit për të kuptuar mëshirën e Allahut ndaj teje që ke karakter të bukur. Vizito njëherë në muaj spitalin për të kuptuar begatitë që jep Allahu në sëmundje dhe shëndet. Vizito parkun njëherë në javë për të parë bukuritë e natyrës. Vizito bibliotekën njëherë në ditë për t`u bërë i vetëdijshëm për begatitë e mendjes. Vizito Zotin tënd kohë pas kohe për të njohur begatitë e jetës.
Një i urtë ka thënë: “O djalosh, përcakto një moment ditën apo natën ku do t`i drejtohesh Zotit tënd duke medituar për fillimin dhe fundin tënd, duke bërë llogarinë me veten tënde çfarë ke bërë ditët e kaluara të jetës...
Nëse ke bërë vepra të mira, falëndero Allahun e Madhëruar, nëse i ke plotësuar sa duhet përpiqu dhe bëhu i vazhdueshëm“.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.