Duaja-arma sekrete e besimtarit

Ekzistojnë një mori sekretesh në univers që nëse njeriu do të ishte i informuar për fuqinë dhe energjinë e tyre, atëherë do të arrinte të ishte mjaft i lumtur dhe për pasojë i suksesshëm në jetë. Po kështu ai do të linte gjurmë të mira edhe tek të tjerët.

Fuqia më e madhe e këtyre sekreteve është duaja-lutja, e cila ka një efekt të madh shpirtëror. Nëse e njohim fuqinë e saj dhe e orientojmë ashtu si duhet, nuk ka dyshim se e mira do të na rrethojë të gjithëve. Sepse duaja është shpirti i lidhjes tonë me Allahun, litari i gjatë ndërmjet krijesës dhe Krijuesit, shkurt, thelbi i adhurimit tonë.
Çdo mysliman është i vetëdijshëm se duaja ka një forcë të jashtëzakonshme në kapërcimin e vështirësive dhe realizimin e qëllimeve. Por sot, për fat të keq, kur dikujt i ndodh një fatkeqësi, troket në dyert e çdokujt, nuk lë gjë mangët, por harron të trokasë në portën e Atij tek i Cili janë çelësat e qiejve e të Tokës. Kur dikush sëmuret, e var shpresën e tij në dorën e mjekëve.
Të shkosh tek mjeku, kjo nuk përbën ndonjë problem, sepse njeriu duhet të rendë pas shkaqeve, por në çdo moment njeriu duhet të jetë i lidhur me Krijuesin, në dorën e të Cilit është shërimi. Ibrahimi (a.s.) pati thënë: “E nëse unë sëmurem, Ai (Allahu) më shëron.”
Njëherë një grua shkon tek një dijetar dhe i ankohet për bashkëshortin e saj që përdorte drogë. Dijetari e këshillon dhe i thotë se ajo duhet të kërkonte falje dhe të lutej shumë. Pas një viti gruaja shkon përsëri tek dijetari dhe i thotë se gjatë gjithë vitit ajo i ishte lutur Allahut. Edhe pse ishte divorcuar me të shoqin, ajo prapëseprapë nuk i kishte ndërprerë lutjet. Në krye të vitit, si rezultat i lutjes së pandërprerë, bashkëshorti e kishte lënë drogën dhe kishte kërkuar prej saj që të ribashkoheshin.
Duaja është parajsa e besimtarit në këtë botë, prandaj ai duhet ta lusë Allahun në çdo kohë.
Imam Ibnul Kajjim thotë: “Për atë të cilin Allahu i do të mirën, i çel portën e përuljes, përgjërimit dhe vazhdueshmërisë së strehimit tek Ai...”
Njerëzit gjatë jetës kalojnë ditë të lumtura por dhe të vështira. Në të dyja rastet besimtari është i lidhur ngushtë me Allahun, sepse zemra e tij ndihet më e qetë dhe më rehat kur i lutet Atij.
Në botën e sotme moderne, kur teknologjia ka arritur majat, ku për çdo ditë zbulohen armë të reja nga më të sofistikuarat, ku çdo shtet që zbulon një armë të re, krenohet mjaft dhe kjo armë realisht i frikëson shtetet e tjera, ekziston një armë që nuk e posedon as Perëndimi e as Lindja, kjo armë është më e fortë se të gjitha armët që kemi dëgjuar deri tani. Ajo është arma hyjnore, arma e profetëve dhe e njerëzve të mirë përgjatë gjithë historisë.
Ajo është arma e Nuhut ndaj popullit që u përmbyt, arma e Musait e cila e shpëtoi nga ligësia e Faraonit, etj. Omer ibnul Hatabi ka thënë: “Nuk shqetësohem për përgjigjen e duasë, shqetësimi im qëndron në faktin që a bëj dua, sepse nëse frymëzohem që të bëj dua, përgjigja është evidente”.
Nuk shqetësohet për duanë, sepse ai i drejtohet e i lutet Atij që është Mëshirues. Nuk shqetësohet për duanë, sepse i lutet Atij që njeh dhe di fshehtësinë e gjithçkaje.
Nuk shqetësohet për përgjigjen, sepse e di që Allahu i përgjigjet kërkesës së nevojtarëve.
Por, realisht ai shqetësohet për duanë, sepse e di mirë se ajo buron nga zemra, sepse ai e di se lutje do të thotë përulësi dhe nevojë, sepse e di mjaft mirë se Allahu e do atë njeri që i kërkon dhe i përgjërohet Atij. Prandaj, sa më shumë që të përgjërohesh tek Allahu me dua, aq më shumë afrohesh tek Ai.
Një gjë të tillë e vëmë re në dy momente kritike për myslimanët: në luftën e Bedrit myslimanët ishin të paktë në numër dhe për ta ishte hera e parë që përballeshin me armikun, prandaj me përgjërim e lutje të pandashme iu lutën Allahut, dhe Allahu i ndihmoi. Ndërsa e kundërta ndodhi në
betejën e Hunejnit, ku ata ishin të shumtë në numër, dhe realisht u pëlqeu vetja, harruan të luteshin me përgjërim dhe si rrjedhojë e kësaj në fillim të betejës pësuan një disfatë të madhe. Ndërsa profeti Muhamed na porosit t’i lutemi Allahut gjithnjë me përulësi e përgjërim. Kjo gjendje na paraqitet pas përvojës së hidhur në Taif, ku ai u godit e u gjakos dhe iu drejtua Allahut me këtë lutje: “Allahu im! Po e le në dorën Tënde dobësinë time, mungesën e rrugëdaljes dhe përbuzjen nga ana e njerëzve! O më mëshiruesi i mëshiruesve! Ti je Zoti i të dobëtëve, Ti je Zoti im! Në duart e kujt po më le mua? Të huajit që më tregon fytyrën e thartuar apo armiqve që më bëhen zotër të fatit tim? Vetëm të mos pësoj ndëshkimin tënd, po le të bëhet ç’të bëhet! Mirësia që do të më favorizosh Ti, qëndron mbi çdo gjë tjetër! Allahu im! Strehohem te drita Jote. Te ajo dritë që ndriçon gjithësinë dhe i shpërndan të gjitha errësirat. Pas së cilës është lidhur suksesi i kësaj bote e i përjetësisë. Mos u zemëro me mua, mos më ndëshko! Mirënjohja është për Ty, të gjitha pendimet dhe lutjet të drejtohen vetëm Ty, gjersa arrijnë miratimin Tënd! Fuqia dhe forca vijnë vetëm prej Teje, Zoti im!”
Duaja është prej adhurimeve më madhështore, sepse nëpërmjet saj
manifestohet sinqeriteti, përulësia, besimi i vërtetë. Imam Ibn Tejmije ka thënë: Nëse do të dish se sa i sinqertë je në besim, shiko kur ti drejtohesh me lutje”.
Etika e lutjes:
Që Allahu t’i përgjigjet lutjeve tona duhet të kemi parasysh këto pika:
-Të kërkojmë sa më shumë falje.
-Të largohemi nga mëkatet.
-Të kemi mendim të mirë për Allahun.
Po ashtu duhet zgjedhur koha kur duaja është më pranueshme, veçanërisht: Natën e Kadrit, pas namazeve farz, ndërmjet ezanit dhe ikametit, në rastet kur bie shi, në sexhde, gjatë udhëtimit, si dhe në kohën e iftarit.
Para se të fillojmë të lutemi duhet të kthehemi nga Kibla, të tregohemi të sinqertë, të madhërojmë Allahun dhe të dërgojmë përshëndetje e bekime për profetin Muhamed a.s., si dhe të pendohemi për gabimet dhe padrejtësitë që u kemi bërë të tjerëve.
Për ta përmbledhur, themi se duaja është rrugë e pejgamberëve, rrugë e njerëzve shpirtërisht të përkryer. Duhet të lutemi për të mbajtur zemrën e pastër dhe qëllimin të kthjellët. Lutja troket në derën e mëshirës së Allahut duke na pastruar nga mëkatet dhe papastërtitë shpirtërore.



Elton Harxhi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.