Burimet e forcës tek besimtari musliman

Njeriu gjatë kësaj bote ka dëshira të mëdha, aspirata të afërta dhe të largëta, mirëpo, rruga e cila çon tek ato, është me gjemba dhe e gjatë, pengesat dhe barrierat janë të shumta dhe të llojllojshme, ndonjëherë vijnë nga vetë natyra dhe ligjet e Zotit, e ndonjëherë tjetër nga vetë njerëzit, prandaj nuk është për t’u habitur nëse njeriu është në mundime të vazhdueshme dhe në punë të pandashme, në mënyrë që të përballojë mundimet e pengesat dhe t’i realizojë qëllimet dhe aspiratat e tij.

Për këtë punë, njeriu ka nevojë të madhe për një forcë që ta mbështetë atë, t’i dalë ndihmë dhe ta marrë për dore, forcë e cila i eliminon të gjitha vështirësitë dhe pengesat që ka përpara, dhe ia ndriçon rrugën e drejtë. Kjo forcë e kërkuar nuk mund të gjendet diku tjetër përveçse nën hijen e bindjes së fuqishme dhe besimit të sinqertë në Zotin xh.sh.

1- Besimi në Allahun xh.sh.

Besimtari është i fuqishëm; sepse forcën e tij ai e fiton nga Allahu i Lartmadhërishëm, në të Cilin beson fuqishëm, I mbështetet Atij dhe është plotësisht i bindur se Ai është me të kudo që është, dhe se Ai do t’i ndihmojë besimtarët: “Po kush mbështetet në Allahun, s’ka dyshim se All-llahu është ngadhënjyes i urtë.” *Kaptina Enfal, ajeti 49.) ... Zoti është ngadhënjyes dhe nuk e nënçmon atë që I mbështetet, është i Urtë dhe nuk e humb atë që vepron sipas urtësisë dhe organizimit të Tij.
Besimi në Zotin Një është ai që na përforcon me shpirtin e forcës dhe me forcën e shpirtit; besimtari nuk kërkon tjetër përveç mirësive të Zotit, nuk ka frikë përveçse nga dënimi i Zotit dhe nuk ka asnjë shqetësim kur është afër Zotit. Ai është i fuqishëm, edhe kur nuk ka armë në dorë, i pasur edhe kur arka e tij nuk është e mbushur me ar e argjend, krenar edhe kur nuk ka pas vetes ithtarë, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm edhe kur ballafaqohet me probleme të ndryshme të jetës.
Besimtari me besimin e tij që ka, është më i fortë se deti, dallgët dhe era.
Në një hadith Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sikur ta njihni Zotin ashtu siç është Ai, kodrat do të treteshin-eliminoheshin vetëm nga lutjet (duatë) tuaja”. Kjo forcë që gjendet në individin, është burim i forcës së shoqërisë në përgjithësi, nuk ka shoqëri më të lumtur se shoqëria që në gjirin e saj ka djem të fortë e të shëndoshë, e shoqëria që në gjirin e saj ka djem të dobët, nga të cilët nuk pritet asgjë e dobishme në të ardhmen, - është shumë e tronditur dhe jo e lumtur. Andaj, të mbështeturit në Zotin – që është fryt i besimit - nuk është thjesht një dorëzim bosh apo çlodhje e ndonjë përtaci. Ajo ka domethënie nxitëse, motivuese, është akumulim shpirtëror që e mbush besimtarin me forcë rezistuese dhe me shpirt sfidues e këmbëngulës,
Kurani shpeshherë na i tregon gjurmët e kësaj mbështetjeje tek të dërguarit e Tij karshi armiqve të tyre.
Nëse vështrojmë jetën e pejgamberit të Zotit, Hudit a.s., gjatë ballafaqimit të tij me popullin e vet, kuptojmë se të mbështeturit në Zotin xh.sh. ai e kishte si një kështjellë në të cilën strehohej: “Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument, e ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde dhe ne nuk të besojmë ty”. Ne nuk themi tjetër vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje! Ai tha: “Unë dëshmitar e kam All-llahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka i shoqëroni ju. (larg adhurimit) Përveç Tij. Ju, pra, të gjithë përpiquni kundër meje e mos më jepni afat. Unë i jam mbështetur All-llahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, sepse nuk ka asnjë nga gjallesat që Ai të mos i ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë.” (Kaptina Hud, ajeti 53-56).
Pastaj rasti i Pejgamberit të Zotit Shuajbit a.s. kur kërcënohej nga populli i tij: “Paria që ishte kryelartë nga populli i tij, thanë: “O Shuajb, ne do të dëbojmë ty dhe së bashku me ty edhe ata që besuan nga fshati ynë, ose patjetër të ktheheni në fenë tonë”. Ai (Shuajbi) tha: “Edhe nëse ne nuk e dëshirojmë atë (kthimin), a?”. Ne do të kem shpifur gënjeshtër
ndaj All-llahut, nëse kthehemi në fenë tuaj (idhujtare), pasi All-llahu na shpëtoi prej saj. Nuk është për ne të kthehemi në të, vetëm nëse është dëshira e All-llahut, Zotit tonë. Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e Vet çdo send, ne I jemi mbështetur All-llahut.” (Kaptina El-A’raf, ajeti 88-89).
Pastaj Musai a.s., pasi shpëtoi me popullin e vet nga ushtria e Faraonit, u tha atyre: “Musai tha: O populli im, nëse I keni besuar All-llahut, vetëm Atij mbështetjuni, nëse jeni të dorëzuar (ndaj vendimit të Tij)!”Ata iu përgjigjën duke i thënë: “All-llahut I jemi mbështetur, Zoti ynë, mos i mundëso popullit mizor të na sprovojë! Dhe me mëshirën Tënde, na shpëto prej popullit jobesimtar!” (Kaptina Junus, ajeti 84-86).
Pra, të gjithë pejgamberët e Zotit kishin si mburojë mbështetjen tek Zoti karshi armiqve të tyre, të cilët i sulmonin: “E përse të mos i mbështetemi Allahut derisa Ai na udhëzoi në rrugën tonë (të drejtë). Për Zotin, ne gjithsesi do të durojmë e do t’i përballojmë mundimet që na bëni, e vetëm All-llahut le t’i mbështeten vazhdimisht ata që gjithnjë iu mbështetën.” (Kaptina Ibrahim, ajeti 12).

2- Besimi në të vërtetën

Besimtari i sinqertë forcën e vet e fiton nga e vërteta që përqafon ose pason, ai nuk vepron sipas egove të rastit, as sipas tekave të rastësishme, as sipas interesit personal, as sipas fanatizmit të verbër, dhe as padrejtësisht ndaj ndonjë njeriu, mirëpo ai vepron sipas së vërtetës që ka caktuar Zoti në tokë dhe qiell, gjithherë është më mirë që të triumfojë e vërteta, kurse e kota të shuhet: “Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të, ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket.” (Kaptina El-Enbija, ajeti 18); “Dhe thuaj: “Erdhi e vërteta e u zhduk e kota”. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (Kaptina El-Israa, ajeti 81).
Reb’ij ibn Amir – i dërguari special i Saad ibn ebi Vekkasit gjatë luftës së Kadisijes – hyri tek komandanti i forcave persiane, Rustumi, i cili rreth vetes kishte pasues dhe ushtarë, ar e argjend. Ai nuk u hamend nga kjo gjendje. Rustumi e pyeti: Kush je ti ... dhe çfarë bëni ju? Ai iu përgjigj: “Ne jemi një popull që Zoti na ka zgjedhur për t’i larguar ata që Ai do, nga adhurimi i njerëzve tek adhurimi i Zotit Një, nga ngushtimet e kësaj bote në gjerësinë e saj, dhe nga padrejtësitë sistemeve të ndryshme në drejtësinë e fesë islame”.
Besimtari i fortë me besimin që ka në Një Zot dhe me besimin e tij në të vërtetën, është gjithherë i papërkulur, i qëndrueshëm dhe i qetë e jo i shqetësuar; sepse bazën e ka të fortë dhe të shëndoshë: “E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson All-llahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje.” (Kaptina El-Bekare, ajeti 256).
Ai nuk është krijesë e humbur, e as numër i parëndësishëm. Ai është përfaqësuesi Zotit në tokë; nëse bashkohen kundër tij njerëzit e padrejtë, atëherë karshi tij është Zoti xh.sh. Xhibrili a.s., besimtarët e sinqertë dhe melaiket (engjëjt) e Zotit. Atëherë, si mund të jetë i dobët besimtari i cili pas vetes ka melaiket (engjëjt) e Zotit?! Apo, si mund t’u nënshtrohet krijesave, kur me të është Krijuesi i gjithësisë?: “E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahun, Ai është mbrojtësi më i mirë!”Dhe, pa i gjetur kurrfarë e keqeje, fituan begati e mirësi të mëdha nga All-llahu dhe arritën kënaqësinë e Tij, All-llahu është dhurues i madh.” (Kaptina Ali Imran, ajeti 173-174).
Ky besim a kjo bindje e fortë, është që i bëri disa të rinj, siç është rasti i banorëve të shpellës, që të ballafaqoheshin me një mbret të padrejtë e zullumqar dhe me një popull të fuqishëm e zemërgur, edhe pse numri i tyre ishte i vogël: “Ne po të rrëfejmë saktë çështjen e tyre. Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen. Edhe i forcuam zemrat e tyre (i bëmë të qëndrueshëm), saqë, kur u
ngritën, thanë: “Zoti ynë është Zot i qiejve e i tokës, nuk adhurojmë ndonjë zot tjetër përveç Tij”, pse atëherë do të thoshim diçka shumë mizore!”Këta, populli ynë, ka besuar zota të tjerë përveç Atij, pse pra nuk sjellin ndonjë argument të qartë për ata? A ka më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj All-llahut?” (Kaptina El-Kehf, ajeti 13-15.)

3- Besimi në pavdekësi-përjetësi

Besimtari i sinqertë forcën e vet e fiton nga pavdekësia për të cilën është i bindur, sepse jeta e tij nuk është vetëm kjo botë e kufizuar në vende të kufizuara; jeta e tij është e përjetshme, dhe bëhet vetëm një transferim prej një vendi në një vend tjetër. Një poet thotë: “Vdekja nuk është diçka tjetër përveç një ekskursioni – udhëtimi Nga vendbanimi i përkohshëm në vendbanimin e përhershëm”.
Kemi rastin e ashabit të Pejgamberit a.s. - Umejr ibn El-Humam El-Ensarij, i cili gjatë betejës së Bedrit kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. tek u thoshte shokëve të tij: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka njeri i cili sot lufton kundër tyre (armiqve) dhe bie dëshmor gjatë betejës duke qenë në arenën e luftës, përveçse Zoti do ta fusë atë në xhennet”, atëherë Umejri, pasi dëgjoi këto fjalë, tha në vete disa fjalë përmes të cilave shprehu habinë, dhe, kur Pejgamberi a.s. dëgjoi Umejrin tek pëshpëriste, e pyeti: Ç’thua, o Umejr? Umejri tha: A nuk ka mes meje dhe Xhennetit diçka tjetër përveçse të hyj në këtë betejë, të luftoj kundër tyre e pastaj të vritem? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: Patjetër ashtu është. Në atë çast Umejri kishte disa hurma në dorë që po i hante, dhe tha: Si mund të jetoj unë derisa t’i ha këto hurma?! Me të vërtetë është jetë e gjatë! E Umejri i hodhi hurmat nga dora dhe përnjëherë hyri në mejdanin e luftës, duke thënë: “Te Zoti shkohet duke vrapuar pa furnizim- pajisje, përveç me devotshmëri dhe vepra të mira dhe me durim për hir të Zotit duke luftuar sepse çdo furnizim tjetër është objekt shkatërrimi”.

4- Besimi në caktimin e Zotit

Besimtari i sinqertë forcën e vet e fiton nga caktimi i Zotit për të cilin është i bindur; ai është i bindur se çfarëdo që t’i ndodhë atij, është me Lejen e Zotit xh.sh. Gjithashtu është i bindur se, sikur të gjithë njerëzit dhe xhindet të bashkohen, në mënyrë që t’i bëjnë dobi, nuk mund t’i bëjnë asnjë dobi, përveç asaj që ka caktuar Zoti, po, edhe nëse bashkohen që t’i bëjnë dëm, nuk mund t’i bëjnë gjë përveç asaj që ka caktuar Zoti xh.sh.: “Thuaj: “Ne nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga All-llahu; Ai është ndihmëtar yni”. Prandaj, vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët.” (Kaptina Et-Tevbe, ajeti 51.)
Besimtari është i bindur se furnizimi (rrësku) i tij është i caktuar nga Zoti, se jeta e tij është e kufizuar dhe se askush nuk mund të ndërhyjë në mes tij dhe asaj që ka caktuar Zoti për të si furnizim(rrësk), dhe as të pakësojë nga jeta e tij atë që ia ka caktuar Zoti. Ky itikat apo kjo bindje besimtarit i jep një vetëbesim të pakufishëm dhe një forcë e cila mbizotëron ndaj çdo force njerëzore. Ka raste kur myslimani ka dalë nga shtëpia e tij me qëllim që të shkojë në luftë për hir të Zotit, dhe gjatë rrugës, i kanë dalë njerëz që janë munduar ta frikësojnë, duke ia përmendur fëmijët dhe kujdesin ndaj tyre. Mirëpo, ai ua kthente: Ne kemi obligim që t’u nënshtrohemi urdhrave të Zotit, ashtu siç na ka urdhëruar Ai, kurse Ai do të përkujdeset për furnizimin tonë, ashtu siç na ka premtuar.
Ali ibn ebi Talib, kur hynte në betejë, thoshte: “Nga cila ditë unë iku nga vdekja? Nga dita që nuk është caktuar apo nga dita që është caktuar? Nga dita që nuk është caktuar, nuk frikësohem, Kurse nga dita e caktimin, nuk të shpëton dot frika”.
Ai që është i bindur se momenti i vdekjes është i caktuar, se furnizimi (rrësku) është i garantuar dhe se të gjitha çështjet janë në Dorë të Zotit, Ai (Zoti) vepron dhe cakton sipas dëshirës së Tij,e po si mund të frikësohet nga vdekja ai që mbron të drejtën e vet, të drejtën e popullit të vet dhe vepron sipas asaj që ka obliguar Zoti xh.sh.?!
Myslimanët në fillim të formimit dhe zhvillimit të tyre ua mësynë shumë mbretërive dhe vendeve të ndryshme për t’i çliruar, me se ata i mahnitën shumë njerëz të mençur dhe të dijshëm me veprimet e tyre, si arrinin të triumfonin ndaj tyre, saqë udhëheqja e tyre arriti prej Endeluzisë e deri tek Muri kinez, edhe pse numri i ushtarëve dhe armatimi i tyre ishte modest. Pra, s’ka dyshim se bindja e tyre e thellë në përcaktimin (Kadanë dhe Kaderin) e Zotit, ishte një ndihmesë e madhe për ta. Kjo bindje e thellë përforcoi disa njerëz që të qëndronin trimërisht para ushtrive të shumta, të cilat bënin komplote dhe intriga të ndryshme, mirëpo me vendosmërinë dhe bindjen e tyre të thellë, ato u zmbrapsën.

5. Besimi në vëllazëri

Besimtari i sinqertë forcën e vet e merr nga vëllezërit e tij besimtarë, sepse ai e ndien që ata janë në ndihmë të tij dhe ai është në ndihmë të tyre. Nëse nuk është i pranishëm, kujdesen për të; nëse ka vështirësi, mundohen t’ia lehtësojnë atë; nëse mbetet i vetmuar, e shoqërojnë; nëse devijon rrugën, ia tërheqin vëmendjen; nëse demoralizohet, i japin forcë dhe kurajë. Pra, gjithherë ka ndjenjën se nuk është i vetmuar po pas vetes ka një grup të madh njerëzish, të cilët e përkrahin përderisa ai qëndron në rrugë të drejtë. Pejgamberi a.s. ka bërë një ngjashmëri në mes forcës së besimtarit me vëllezërit e tij besimtarë dhe një tulle në një mur të fuqishëm, duke thënë:“Besimtari për besimtarin është sikurse tullat në mur që përforcojnë njëra-tjetrën”; një tullë e vetme është e dobët, mirëpo, nëse ajo vendoset në mur, atëherë bëhet e fortë, sepse lidhet me tullat e tjera dhe bëhet pjesë e një tërësie të pandashme, e cila nuk mund të rrënohet lehtë, pra këtë forcë ajo e fiton atëherë kur vendoset në mur dhe lidhet me të tjerat.



Dr. Jusuf El-Kardavi
Nga gjuha arabe: Vedat Shabani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.