New age, sfidë e panjohur e epokës pasmoderne

Hulumtimi i gjithanshëm na çon në përfundimin se joshja e njeriut pas formave të reja të përshpirtshme është si pasojë e dëshpërimit të njerëzve në religjionet ekzistuese, e bile edhe në ato monoteiste, sepse ato u treguan jo të gatshme, të ngurta, t’u përgjigjen pyetjeve të kureshtarëve dhe nevojave të tyre në kohën më të re

Shqyrtime hyrëse

Fjala angleze ‘New’ (nju) në kohën moderne është mjaft e përdorur në shumë fusha, industri, tregti, menaxhment, pastaj në film, gazetari, modë, por edhe në shkencat humane, si në filozofi, psikologji, psikopatologji, e madje edhe në religjione dhe si term ka joshur mjaft kureshtarë. Përdorimi i saj nuk është tipik vetëm për botën anglishtfolëse por për tërë botën, e edhe në gjuhën shqipe në kuptimin e risisë, gjësë së re, novacionit, e kur kësaj fjale i shtohet pjesa tjetër, ‘Age” atëherë ajo kap kuptimin e religjionit të ri në kohën moderne e më tej. Këtu futen të gjitha lëvizjet religjioze që prekin spiritualitetin njerëzor, që herë-herë në doktrinën e tyre shquhen edhe pa zot, përkundër pohimit se janë alternativë e religjionit, pra edhe vetë religjion.(1)
Njeriu modern është i preokupuar me gjerat e reja, madje është i habitur karshi më të rejave, më të mirave. Çdo ditë telefona të rinj, laptopë të rinj, automjete të reja, makineri të reja për amvisëri, për punë, por e edhe parfume, rroba, dekore personale të reja. Njeriu, pra, është edhe i habitur e edhe i magjepsur nga numri dhe performansat gjithnjë e më të arrira të risive që ofrohen dhe prezantohen në treg. Duke e marrë parasysh se kjo performansë është shfaqur edhe në fushën e përshpirtmërisë, imponohet të shtrohet pyetja: ç’e shtyri njeriun, që krahas feve të mëdha monoteiste dhe feve politeiste apo filozofike, të joshet me forma dytësore, alternative, religjioze, me ide njerëzore që ngjasojnë në religjione idhujtariste apo okultiste, jo të zakonshme për mendësinë dhe shkallën e dijes?!
Edhe pse përgjigjja në këtë pyetje është e vështirë dhe jo mjaft e hulumtuar, megjithatë mund të jepen mendime, të cilat më përafërsisht na orientojnë drejt një përgjigjeje të mundshme të drejtë. Një ndër arsyet e mundshme për një përgjigje të drejtë është hulumtimi në përgjithësi i jetës së njeriut në kohën moderne dhe pasmoderne, pastaj zhvillimi i jetës në rrethanat religjioze, politike, ekonomike, psiko-sociale. Hulumtimi i gjithanshëm na çon në përfundimin se joshja e njeriut pas formave të reja të përshpirtshme është si pasojë e dëshpërimit të njerëzve në religjionet ekzistuese, e bile edhe në ato monoteiste, sepse ato u treguan jo të gatshme, të ngurta, t’u përgjigjen pyetjeve të kureshtarëve dhe nevojave të tyre në kohën më të re.(2)
Por, jo të gjithë ithtarët e New Age janë të dëshpëruarit nga religjionet standarde, të deritashme. Madje, shumica e pjesëtarëve të New Age janë nga mjediset ateiste, laike, përkatësisht nga mjediset pa kurrfarë identiteti fetar, që në këtë mënyrë t’i ikin traditës, trashëgimisë dhe rrënjëve të tyre.(3)

Përcaktimet themelore të new age

Edhe pse mendohet se tashmë kemi njohuri të caktuara për New Age, megjithatë mund të konstatohet se kjo çështje ende është në fazën e hulumtimit sociologjik, psikologjik, historik, teologjik. Madje, studimet janë kryesisht individuale, e jo projekt i ndonjë instituti, akademie, i një grupi ekspertësh, shumështresor. Por, në rrafshin praktik, pak prej nesh nuk kanë dëgjuar për lëvizjet alternative religjioze, drejtpërdrejt apo tërthorazi, që udhëzon të kuptojmë se gjerat po ndodhin para se t’i kuptojmë seriozisht ngjarjet rreth nesh.(4)
Edhe pse përkufizimet e përcaktimet janë të vështira, mund të thuhet se New Age janë lëvizje spiritualiste, që u shfaqen në vendet e zhvilluara në kohën moderne. Sipas pohimeve të tyre, synimi i tyre është ndihma dhe përkrahja shpirtërore ndaj njeriut të dëshpëruar, për ta realizuar shpëtimin, edhe pse nuk është e qartë si e konceptojnë ata ‘shpëtimin’ pa zot, që dallon tërësisht nga perceptimi monoteist i religjionit.(5)
Se çfarë mëson “New Age - Epoka e Re” i përket frymës apokaliptike. Ajo është doktrinë me pikëpamje të habitshme, frustuese, frikësuese mbi fundin e botës aktuale dhe fillimin e ri shpresëdhënës në historinë e njerëzisë.(6) Kjo frymë pesimiste, apatike, ndër njerëz, është pasojë e brendisë, filozofisë së modernizmit, i cili instaloi te njerëzia egoizmin, vetminë, pesimizmin, pashpresën, humbjen karshi vetvetes dhe të tjerëve, e instaloi pikëpamjen materialiste mbi botën, mohimin brutal të shpirtëroritetit, kurse e lidhur me ideologji të mëhershme apo ende ekzistuese, si ateizmi agresiv, laicizmi e shekullarizmi, fetë e institucionalizuara, globalizmi, por po vazhdon të shtrihet fuqishëm edhe në epokën pasmoderne.(7) Këto lëvizje, sekte të New Age, që me ndihmën e korporatave të fuqishme industriale, tregtare, po bëhen pjesë e përditshmërisë, po përdorin instrumentet e religjioneve monoteiste, madje edhe shumë përmbajtje të tyre, duke ofruar në këtë mënyrë një përmbajtje të re, strehë për të zhgënjyerit dhe shpëtim nga gjendja e ngatërruar, konfuze, në të cilën gjendet njeriu në fund të shek. XX dhe fillim të shek XXI. Para opinionit paraqiten si lëvizje uniteti dhe shpëtim i njerëzisë në kohën e apokalipsës, në kohën kur kishat kristiane nuk arrijnë t’i tërheqin të rinjtë as t’i mbajnë të vjetrit dhe shikojnë me dëshpërim se si pjesëtarët e tyre, në mënyra të ndryshme, futen nëpër lëvizjet e shumta religjioze, sidomos në SHBA, Evropë perëndimore e më pak në edhe Amerikë latine, Afrikë, Azi, e krejt pak në botën muslimane.(8)

Fillimi dhe zhvillimi i idesë së new age

Kulmi i pakënaqësisë kundër modernizmit arriti kah gjysma e shekullit XX(9). Atëherë kemi shenjat e para të pasmodernizmit, si reagim dhe rebelim ndaj vullgaritetit e vrazhdësisë moderne. Në këtë kohë paraqiten grupe të ndryshme, e ndër të tjera edhe idetë e para të New Age(10). Dukuritë e reja të shfaqura në vitet e 60-80-ta të shekullit XX, si kundërkulturë e kundërqytetërim, të manifestuara sidomos nëpërmjet teknikave medituese aziatike, nëpërmjet përdorimit të drogave, anarkisë dhe promiskuitetit seksual, duke atakuar institucionin e familjes, hierarkinë e deriatëhershme në arsim, kulturë, ekonomi, politikë etj. Kemi një varg lëvizjesh në atë kohë me pretendime të ndryshme; disa duke glorifikuar personalitetet e caktuara, qoftë politike (si Gandi, Çe Gevara, Tito, Mao Ce Duni etj.) apo personalitete okulistike, dëshironin të imponohen si lëvizje autentike, që do ta shpëtojnë botën nga gremina ku kishte rënë. Duke pohuar publikisht se apokalipsi është afër dhe se çdo gjë e vjetër do të zhduket, ata premtuan epokën e mirëkuptimit, mosluftës, harmonisë, e cila do të vijë disi vetvetiu.(11)Edhe shekulli XXI vazhdoi me lëvizjet e reja/në fakt të vjetra, si: subjektivizmi i theksuar, emocionalizmi, liberalizmi, relativizmi etj.(12)
Këshilli Papnor i Vatikanit, në kërkesën e tij drejtuar konferencave ipeshkvnore nacionale, mori 75 përgjigje për shkaqet e përhapjes së lëvizjeve dhe sekteve fetare New Age nëpër botë.(13) Shkaku kryesor në përgjigjet e kthyera theksohet të jetë hulumtimi i ndjenjës së përkatësisë, ndjenja për bashkësinë, për dikë që ofron strehë, siguria, afërsia, e të cilin tipar në shikim të parë e kanë dhe e ofrojnë sektet e ndryshme. Por edhe hulumtimi për përgjigje, për të vërtetën, u tregua si kusht thelbësor për regrutimin e pjesëtarëve të rinj.(14)
Lëvizjet New Age luftojnë për identitet vetjak dhe kolektiv, duke mos e kuptuar kompleksitetin dhe ndërlikueshmërinë e botës, deri në huti individuale dhe kolektive. Të rinjtë kanë dilema të shumta rreth botës, rreth vetes, rreth vetvetes etj. Përkatësia e tyre identitetit të grupit u jep fillimisht atyre veçanësi, e shohin veten të rëndësishëm, pa vetëdije se me kalimin e kohës ky identitet i fituar shkrihet në identitetin unitarit të grupit, sektit dhe çdo veçanësi madje ndëshkohet rëndë. Por, ajo që i mban gjallë anëtarët e sekteve është aktivizmi, që ofron ndjenjën se individi kontribuon në botën përreth, që i mungon sistemeve të shumta politike, religjioneve tradicionale etj.

Karakteristikat thelbësore të new age

New Age është cilësuar e emërtuar nëpërmjet emrave të shumtë. Ajo quhet Epoka e Re, Lëvizjet e reja religjioze, Aleanca e Re, Religjioziteti i ri etj. Qëllimi i tyre është tërësia, e cila arrihet nëpërmjet transformimit dhe shtrirjes, në frymën e sloganit të tyre: Mendon në mënyrë globale, vepron në mënyrë lokale. New Age është kombinim i disa fakteve shkencore, spiritualiteteve të ndryshme dhe shumë supersticioneve, që e bënë atë mjaft të popullarizuar. Lëvizjet New Age paraqesin një sinkretizëm eklektik, me elemente lindore dhe perëndimore, panteiste, animiste e natyraliste(15), okultiste, gnostike, kristiane, të fantastikës shkencore, të kundërkulturës së shekullit të kaluar, e sipas disa kritikëve New Age paraqet hyrje në formën e re të totalitarizmit.(16)
Krahas këtyre vlerësimeve New Age kanë disa karakteristika, nga të cilat mund të mësojmë edhe më afër për ta.
Sipas tyre Zoti është i papërcaktuar, i paformë, dhe nuk është Zoti i Biblës, ndërsa njerëzit janë pjesë e hyjnores. Bota është iluzion, e shpëtimi është përjetim i ‘përndritjes’ së Zotit nëpërmjet ritualeve të formave të ndryshme. E keqja është identifikuar me qenien e papërndritur.(17) Sipas tyre, njeriu e krijon Gjithësinë dhe Zotin, Gjithësia dhe njeriu janë një, njeriu është Zot.(18)
Mësim tjetër i New Age është se Jezui nuk ka qenë as nuk është Shpëtuesi i vetëm dhe se ai nuk është Zot, por një prej shumë shpirtrave dhe një prej shpëtuesve që i janë shfaqur njerëzisë. Ai është vetëm kasnec, i dërguar nga shpirtrat e lartë, që njerëzve t’ua sjell mësimin dhe zbulesën spirituale. Për ta nuk ka dallim edhe Buda, edhe Muhamedi, edhe Konfuçie.(19)

Synimet e new age

New Age në shikim të parë duket një përzierje e ngatërruar, një konfuzion ideor, me ide nga të gjithë, por në fakt, ata kanë rend rigoroz. Rendi i Ri Botëror (New World Order), i cili përkrah idenë e një qeverie, një ekonomie dhe një religjioni, flet qartë, e këtë e sqaron dhe konfirmon ish-lideri i New Age, Randall Baer:
“Ka synime qartë të skicuara dhe ata janë ndryshimi i tërësishëm revolucionar i të gjithë themeleve të shoqërisë, jo vetëm amerikane, por tërë botës – globalisht. Plani është që plotësisht të ristrukturohet tërë qytetërimi planetar ashtu që të ekzistojë vetëm ‘një qeveri botërore’ dhe një ‘shtetësi planetare’, që kufijtë dhe dallimet mes popujve të bëhen plotësisht të parëndësishme. Kjo ide (komplot) i ofron kësaj bote të dëshpëruar zgjidhje për problemet e mëdha globale. Ofron paqe, mirëqenie dhe mundësi të mëdha.”(20)
Karshi ofertave të tilla, shumë përkrahës nga politika botërore, shkencëtarë e ndërmarrës ekonomik e industrial, letrarë e artistë(21) bëhen veprimtarë të kësaj ideje me dietë dhe kapitalin e tyre. Qëllimi i tyre është diskreditimi i kristianizmit dhe refuzimi i tij nga popujt, kurse pjesëtarët e kristianizmit konsiderohen të verbër, mendjengushtë, të prapambetur. Por, këtë luftim të kristianizmit nuk e bëjnë hapur.
Sipas disave prej tyre, kjo gjendje është shenjë se së shpejti do të vijë Antikrishti, në shenjën e Ujorit, i cili do ta vendos Rendin e Ri Botëror, duke i çuar njerëzit në përndritje. Disa mendojnë se bota do të bëhet me e përshpirtshme dhe e gatshme të udhëhiqet pa lider, e vetëdijshme nga fetarësia e tyre.(22)
Si mjete për propagandimin e ideve të tyre ata përdorin njerëzit autoritativë, të pasur, por jo edhe liderët fetarë ose të varfrit e një vendi. Mjet është letërsia dhe këtë e pamë edhe nga shembulli i Paulo Coelhos, shkrimtar nobelist. Mjet është edhe shembulli i filmit, ku investohet miliona dollarë. Fjala vjen, filmi Avatar, i mirënjohur viteve të fundit, i promovuar më 2009, ka pasur buxhet prej 237.000.000 milionë dollarë, ku qartë vërehen metodat e planifikimit të ideve të New Age.(23) Mjet është edhe politika, kur pjesëtarë të njohur të sekteve reagojnë edhe publikisht, gjoja në emër të të drejtave të njeriut, si rasti i Federica Mogherinit, e cila reagoi publikisht kur në Rusi u ndalua veprimtaria e Jehovajve dhe Scientologjistëve, të cilët edhe organizativisht edhe materialisht ishin të fuqishëm.(24)

Lëvizje të new age

Gjatë këtyre dekadave ka dhjetëra grupe apo lëvizje të New Age, por më aktivet mund të ceken: joga, reikët, scientologjia, meditimi transcendental, Lëvizja e Brune Gröningut, Sai Babës, Kisha e Unitetit, mësimet e Sri Chinmoyit etj. Shumica e tyre mbajnë prejardhje nga Lindja e largët dhe India(25), por ka edhe nga Perëndimi (scientologjia), Gjermani (Lëvizja e Brune Gröningut).(26)
Është karakteristikë e të gjitha grupeve predikimi indirekt i dhunës madje edhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes, shpifjeve e edhe praktikimit të dhunës fizike, ose e nxitjes së dhunës mes pjesëtarëve të vet, duke i mashtruar se duke vrarë veten arrihet bekimi dhe mëshira e Zotit, siç ka ndodh në raste të shumta nga Jehovajët e tjerë në Shqipëri e vende të ndryshme. Thjesht, këto grupe janë mashtruese, lajthitëse, për përfitime personale, inate religjioze, racore etj. Meqë qëllimi i shkrimit është informues e interpretues, nuk do të lëshohemi në analizimin e grupeve veç e veç.(27)

Përfundim i mundshëm

Çdo kohë me vete sjell edhe sfidat e kohës. Shekulli XXI këtë sfidë e sheh në shfaqjen e lëvizjeve, sekteve, në gjysmën e dytë të shekullit XX, por që përmbajtjen, metodologjinë, fizionominë, fuqinë e edhe masivitetin e mori gjatë dy dekadave të fundit. Këto lëvizje kanë prekur fetë tradicionale, sidomos atë kristiane, pastaj shkencën e edhe shtetin. Angazhimi kryesor i shkencës dhe shtetit është drejtuar në analizat dhe rezultatet psikiatrike, duke e menduar më shumë si fushë të saj.
Shumica e shteteve nuk janë të gatshme të kapen me problemin e New Age, qoftë për shkak të komplotit indirekt që është bërë mbi shtetet, qoftë për shkak se shtetet nuk janë të gatshëm të rroken me grupet apo individët e tyre, pas të cilëve kemi personalitete kulmore botërore. Kjo edhe më tepër ua lehtëson punën këtyre grupeve, meqë konventat ndërkombëtare i mbrojnë në ide, veprim e propagandë, thua se kemi të bëjmë me fetë tradicionale monoteiste. Madje, lëvizjet New Age, për shkak të veprimit sekret, as që kuptohet se çfarë veprojnë, ndërsa tërë vëmendja u kushtohet feve tradicionale, të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë publikisht kurse transaksionet financiare e ekonomike i kanë tejet transparente.
Mendojmë se veprimtaria e këtyre grupeve duhet të shihet si kërcënim për të gjitha poret e jetës shoqërore. Ky kërcënim tashmë është i qartë në teologji, kuazi/medicinë, kuazi/psikopatologji, suiciditet, terrorizëm, tregti me drogë, armë, prozelitizëm, rrëmbime, shantazh, shpëlarje të parave, propagandën dhe veprimin e prostitucionit. Kjo çon në konstatimin se kemi të bëjmë me kriminalitet të organizuar, legjitim, në shtete juridike, të cilat madje edhe i përkrahin në organizimet e tyre publike (gjoja) të bamirësisë, ndihmave humanitare e shëndetësore, arsimore etj.(28) Jemi të mendimit të shtohet kujdesi se edhe shumë organizime publike, si në festivale filmi, muzike, sport, apo organizime të mbyllura që organizohen vitet e fundit në Kosovë janë duke kundërmuar me erë New Age. Koha do të tregojë se aludimet tona janë të bazuara në bazë të shenjave që shihen qartë.
Ndaj, është detyrë e të gjithë njerëzve kompetentë që të ofrojnë dijen, paranë dhe kontributet tjera për izolimin dhe mënjanimin e grupeve New Age nga mjedisi dhe vendi ynë. Kuadri fetarë muslimanë në trojet shqiptare(29) nuk duhet të merret me tema absurde për këtë kohë, por me studimin e New Agedhe njoftimin e xhematit të tyre me të dhëna të vërteta rreth tyre dhe veprimtarisë që ata e zhvillojnë.


________________________________________
(1) Shih: Robert S. Ellwood and Gregory D. Alles, The Encyclopedia of World Religions, Revised Edition, 2007, New York, SHBA, fq. 317-318.
(2) Shih: Haris Islam?evi?, NEW AGE: Izazovi modernog doba, https://mullasadra.ba/ostale-teme/65-samospoznaja/2249-new-age-izazovi-modernog-doba. (Lexuar më 15.02.2019)
(3) Veprimi destruktiv i lëvizjeve, sekteve fetare të llojit New Age, 3-4 katër dekadave të fundit ka zgjuar interesim të opinionit të caktuar, por edhe të disa profileve profesionale, religjioze, atyre të sigurisë e tjera. Kjo vërehet edhe në gazeta (pas ndonjë lajmi, skandali apo veprimi bamirësie të tyre), por edhe në revista shkencore apo edhe tribuna, konferenca etj. Ekspertët e caktuar, krahas rrezikut religjioz, përballjes me religjionet tradicionale, shohin edhe rrezikun e kërcënimit të shoqërisë, shtetit etj. Për fat të keq, kjo vetëdije nuk po ndodh edhe në trojet shqiptare, sepse estabilishmenti politik, intelektual shqiptar, lëvizjet e reja, veprimet e tyre sektare, për shkak të orientimit të tyre ateist apo pro-kristian, po i sheh si rrugë të mbarë për ta luftuar fenë islame dhe organizatën e saj, nën pretekstin e lirisë së fesë, fjalës së lirë, lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave etj. Në vend të fesë tradicionale, Islamit, ata (politika jonë, lëvizjet sektare, promovojnë shtriga të ndryshme, kulte të ndryshme, kurse shteti mbyll sytë edhe para krimeve të shumta të sekteve të tilla, por është tejet aktiv në rastet e ndryshme për të sulmuar fenë islame dhe bartësit e saj. Marrja hov e sekteve një ditë do të luftohet edhe nga vetë shtetet shqiptare, por pasojat atëherë do të jenë të pashmangshme. Shih për aspektin politik dhe të sigurisë: Marko Srdanovi?, Bezbjednosni aspekti djelovanja destruktivnih sekti, ?asopis za kriminalistiku, kriminologiju i sigurnosne studije, nr. 3-4, 2011, fq. 143-164, ose: http://krimteme.fkn.unsa.ba/index.php/kt/article/viewFile/52/Full%20Text). (Lexuar më 18.02.2019)
(4) Edhe muslimanët janë jashtë rrjedhave botërore. Derisa lëvizjet e New Age, në një apo një tjetër mënyrë pushtojnë botën, teologët e juristët muslimanë merren me gjera triviale, që shpesh neverisin dhe kështu në Tiranë, Prishtinë e qendrat tjera hapen atelje jogiste, me një prapavijë të tmerrshme.
(5) Filozofi Mishel Lakro konsideron se ideja e New Age sjell rrezik të madh për individin dhe shoqërinë. Sipas: Mišel Lakroa, New age - ideologija novog doba, Clio, Beograd, 2001. Haris Islam?evi?, po aty.
(6) M. M. Grakali?, Duhovnosti Novog doba: historiozofska monografija, Arkadija, Zagreb, 1994; Haris Islam?evi?, po aty.
(7) H. Lasi?, New age – 'nova religija' modernog doba, në: A. Silajdži?, Savremene akaidske teme, 1, Sarajevë, 2007, fq. 3.
(8) Robert S. Ellwood and Gregory D. Alles, The Encyclopedia of World Religions, po aty, fq. 318.
(9) Fillimet e para, ende të paartikuluara, të New Age shfaqen qysh në vitet 1800, për t’u intensifikuar më 1830 e pas, natyrisht me fizionomi e përmbajtje jo larg New Age të shekullit XX. Shih më tepër në: The Harpercollins Dictionary of Religion, HarperSan Francisco. SHBA, 1995, fq. 768-769 dhe 771-782.
(10) H. Lasi?, po aty, fq. 116.
(11) Sipas: Christopher Partridge, Enciklopedija novih religija, Zagreb, 2006; Haris Islam?evi?, po aty.
(12) Mijo Niki?, Suvremena duhovnost mladih izme?u tradicije i nove religioznosti, në: https://www.scribd.com/document/201948228/Slika-Boga-u-Vjerskim-Sljedbama-i-Novim-Religijskim-Pokretima. (Lexuar më 18.02. 2019)
(13) Shih: Zbornik radova sa nau?nog simpozija FFDI o novim religijskim pokretima, Fenomen sekti, 1.1.1997, dhe: Fenomen sekti, Dokumenti 82, Zagreb, 1986, nr.1.1, sipas: Haris Islam?evi?, po aty.
(14) Ka edhe shkaqe tjera si: 1. Gjurmimi rreth identitetit kulturor; 2. Nevoja për respekt dhe veçanti; 3. Nevoja për transcendencë; 4. Nevoja për udhëheqje shpirtërore etj. Shih: Mijo Niki?, po aty.
(15) Shih: Ali Pajaziti, Fjalor i sociologjisë, Shkup, 2017, fq. 450-451.
(16) M. Lakroa, po aty, fq. 63, Haris Islam?evi?, po aty.
(17) Për të pranuar dhe realizuar ‘përndritjen’ ka disa etapa: 1) Hyrja – ku idetë e zakonshme të dikujt mënjanohen; 2) Kërkimi – ku bëhet përpjekje që të arrihet nivel i lartë vetëdijeje me ndihmën e teknikave psikike; 3) Integrimi – Ku vrojtimi racional i ndërveprimit të shfaqjeve dobësohet me anë të metodave intuitive dhe; 4) Ndërrimi – Ku njeriu zbulon identitetet, ndryshe nga i tij, burimet e energjisë dhe mënyrat që ato të realizohen “për shkak të të mirës së njerëzisë”. Meditimi, ushtrimet joga, seancat spiritualiste, hipnoza, talismanët magjike dhe kristalet, përdorimi i shtrigëllëkut madje edhe i narkotikëve, shërben si ndihmë plotësuese për këtë ‘përndritje’ mistike. Gjerësisht lexo: Tehnike i praksa new Age sekti, në: https://www.bastabalkana.com/2011/03/new-age-pokret-i-nju-ejdz-sekte-i-religije/ (Lexuar më 18.02.2019)
(18) Sipas: H. Lasi?, po aty, fq. 121, 123; Jan Vareca, Sedam glavnih u?enja New Agea, në:
http://nacija.hr/2015/06/17/sedam-glavnih-ucenja-new-agea/ (Lexuar më 18.02.2019)
(19) Gjerësisht: Jan Vareca, po aty. Krhs.: Robert S. Ellwood and Gregory D. Alles, The Encyclopedia of World Religions, po aty, fq. 318.
(20) Randall Baer, Inside The New Age Nightmare (Brenda makthit të natës së New Age), në: https://www.scribd.com/doc/34781548/Baer-Inside-the-New-Age-Nightmare-Former-New-Age-Leader-Exposes-the-Movement-1989 ose në: Jan Vareca, po aty.
(21) Shembull tipik të angazhimit të figurave botërore në New Age kemi kyçjen e romansierit nobelist brazilian Paulo Coelho. Shih: http://put-istina-zivot.com/sto-to-new-age/. (Lexuar më 18.02.2019)
(22) Sipas: Jan Vareca, po aty.
(23) Sipas: Haris Islam?evi?, po aty.
(24) Gjerësisht: https://www.logicno.com/vijesti/scijentolozi-jehovini-svjedoci-i-new-age-sekte-ruski-stav-prema-ekstremizmu.html. (Lexuar më 18.02.2019)
(25) C. Partridge, po aty.
(26) Shih: https://www.bruno-groening.org/hr/brunogroening/ucenje-brune-groeninga/ucenje-brune-groeninga. (Lexuar më 18.02.2019)
(27) Haris Islam?evi?, po aty.
(28) Shih: Marko Srdanovi? , Bezbjednosni aspekti djelovanja destruktivnih sekti, ?asopis za kriminalistiku, kriminologiju i sigurnosne studije, nr. 3-4, 2011, fq. 143-164, ose http://krimteme.fkn.unsa.ba/index.php/kt/article/viewFile/52/Full%20Text)
(29) Pas një heshtjeje, Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri sërish ngritën zërin gjatë vitit 2018, duke thënë Dorjan Hotova, përfaqësues i sektit, në kuvendin vjetor se “jemi rreth 5.500 dëshmitarë të Jehovait në Shqipëri, por ka edhe shumë të interesuar”, në: "Dëshmitarët e Jehovait" rikthehen FUQISHEM në Tiranë, në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/deshmitaret-e-jehovait-rikthehen-fuqishem-ne-tirane-407894/?archive=1.



Shkrimi është publikuar në Revistën DITURIA ISLAME, nr. 341, prill 2019.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.