Mirësjellja e besimtarit ndaj të tjerëve

Dashuria është gëzimi, qetësia dhe hareja e jetës sonë. Brumi i ekzistencës është rrahur me majanë e dashurisë. Fuqia e dashurisë është nga mirësitë më të mëdha që Zoti u ka dhënë robërve të Tij. Për këtë arsye është e nevojshme që dashurinë ta mbajmë në zemra që kanë arritur të vërtetën e miqësisë, por sa keq që shumë njerëz e harxhojnë dashurinë në rrugë të përkohshme dhe për dëshirat vetjake. Çfarë vlere dhe nderi mund të ketë një zemër e cila është ngurtësuar aq shumë, sa të mos ndiejë nevojë dashurie për Zotin e tij dhe krijesat e tjera?

Dashuria është nga bekimet më të mëdha që Allahu i ka dhuruar njerëzimit. Allahu ka krijuar natyrën njerëzore në atë mënyrë që njeriu të kënaqej duke dashur dhe duke qenë i dashur, në miqësi dhe familjaritet. Informatat që jep Allahu në Kuran për jetën në Xhenet, u referohen gjithmonë kënaqësisë, miqësisë, dashurisë, bisedimeve, fjalëve të kënaqshme dhe paqes. Çdo gjë që mund të dalë pengesë për dashuri dhe miqësi, është larguar dhe mbajtur larg nga njerëzit, të cilët synojnë shkuarjen në Xhenet.

Dashuria e besimtarit ndaj tjetrit

Pasi Allahu tregon në Kuran se të gjithë besimtarët janë vëllezër në fe, besimtarët duhet të duan patjetër njëri tjetrin dhe ndërmjet tyre të krijojnë lidhje të forta dashurie. E, për krijimin e kësaj dashurie, siç e ka porositur Muhamedi a.s. Umetin e tij, duhet të shpërndajnë selamin ndërmjet tyre.(1)
Dashuria e besimtarëve ndaj njëri-tjetrit është një veti e bukur, me të cilën është i kënaqur Allahu. Edhe lumturia e të dy botëve është e lidhur me këtë dashuri. I Nderuari ynë, Muhamedi a.s ka thënë: “Në ditën e Kiametit Allahut do të thotë: Për hir të madhërisë sime, ku janë ata që e kanë dashur njëri tjetrin me qëllimin për të m’u bindur Mua? Sot, kur nuk gjendet asnjë hije, do t’i marr ata nën hijen Time dhe do t’i mbroj”.(2)
Kurse Allahu thotë: Për ata që kanë dashur
njëri-tjetrin për hir Tim, do të ketë minbere drite(3), të cilat do t’i kenë zili edhe pejgamberët dhe dëshmorët”.(4)
Prandaj besimtarët i duan të gjithë besimtarët që kanë vepruar në përputhje me lajmëtarët e Allahut, të cilët i kanë miratuar në këtë botë. Kjo lidhje e dashurisë dhe miqësisë në mes besimtarëve në Kuran është zbuluar kështu: “Mik i juaji është vetëm Allahu, është i dërguari i Tij dhe janë ata që besuan e që falin namazin dhe japin zekatin duke bërë ruku”. (El Maide, 55)
Dashuria e besimtarit nuk bazohet në asnjë interes, prejardhje a racë. Paratë, postet, kultura apo vlerat materiale nuk kanë rëndësi për të. Në lidhje me këtë Pejgamberi ynë i Nderuar ka transmetuar këtë ngjarje, për mes së cilës del në pah se ai që do vëllanë e tij në fe për hir të Allahut, do të fitojë dashurinë e Allahut: “Një njeri kishte marrë rrugën për të vizituar një vëlla në fe, i cili jetonte në një fshat tjetër. Allahu urdhëroi një engjëll që ta vëzhgonte atë në rrugën e tij. Kur arriti njeriu tek engjëlli, ky i tha: - Ku po shkon? Ai iu përgjigj: - Në atë fshatin atje kam një vëlla në fe dhe po shkoj ta vizitoj. Engjëlli e pyeti: - A ke ndonjë interes material nga ai vëlla? Njeriu tha: - Jo, unë po e vizitoj, sepse e dua vetëm për hir të Allahut. Atëherë engjëlli i tha: - Ashtu si e do ti atë, edhe Allahu të do ty. Unë jam një i Dërguar nga Allahu për të ta dhënë ty këtë përgëzim”.(5)
Nga kjo kuptojmë që besimtarët duhet të kujdesen për besimtarët sikurse për vëllezërit e tyre. Ata nuk duhet të ngurrojnë të bëjnë ndonjë sakrificë për të mirën e besimtarit tjetër apo për të siguruar rehatinë e tij/ e saj. Ky kuptim i dashurisë i poseduar vetëm nga besimtarët, mund të fitohet vetëm nëpërmjet besimit dhe jetesës nga vlera morale të Kuranit. Allahu zbulon në një verset që do t’u dhurojë dashuri atyre që besojnë dhe bëjnë punë të devotshme: “Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t’u krijojë dashuri.” (Merjem, 96)

Besimtari ndien dashuri ndaj kafshëve

Besimtari e di se të gjitha kafshët janë krijuar për t’i shërbyer njeriut, për t’i shërbyer si shembull dhe më tutje e di se ato i janë dhënë amanet njeriut në këtë botë. Për këtë arsye, ai e ndien si borxh ndërgjegjeje që t’u afrohet atyre me dashuri.
Shembull; Bleta jeton për t’i dhënë mjaltë njeriut. Delja, gjatë gjithë jetës së saj i jep njeriut qumësht, lesh, qengja dhe mish. Macja dhe qeni janë nën urdhrin e njeriut. Edhe krijesat si: gjarpri, shumëkëmbëshi dhe akrepi, që janë një formë e shfaqjes së lartë të Zotit, për shkak se janë krijuar për të përkujtuar ndëshkimin e Allahut dhe detyrat e shumta që kanë në natyrë, përfshihen në mirësitë që i janë dhënë njeriut. Meqenëse të gjitha kafshët i janë dhënë në shërbimin e njeriut, njeriu duhet të sillet me butësi dhe dashuri ndaj tyre. Të mos i torturojë, të mos i ndëshkojë, të mos i lërë të uritura etj.
Një herë, Aishja r.a. i kishte hipur një deveje zemërake. Ajo filloi ta çonte para e mbrapa në një mënyrë të ashpër, për ta qetësuar. I Dërguari i Allahut i tha Aishes r.a: “Sillu butë ndaj kafshës, sepse, kudo që të ndodhet butësia, e zbukuron atë vend. Çdo sjellje në të cilën s’ka butësi, është e keqe”.(6)
Prandaj, të dhunosh ose torturosh krijesat që janë nën shërbimin tënd, është një poshtërsi që në fund të fundit do ta vuajmë ne. Sepse dashuria ndaj kafshëve për hir të Krijuesit, është një detyrë e robit dhe është shumë e mundur që, në saje të bamirësisë ndaj krijesave, të fitojmë sevape të mëdha dhe kënaqësinë e Allahut.
Këtë gjë e tregon më së miri i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përmes këtij shembulli. “Njëherë, një njeri që po udhëtonte, kishte shumë etje. Gjeti një pus, hyri në të, piu ujë dhe doli jashtë. Por ç’të shihte: Një qen kishte nxjerrë gjuhën një pëllëmbë dhe nga etja po lëpinte tokën e lagur! Njeriu bëri në vetvete një llogari ndërgjegjeje dhe tha: Ky qen është i etur ashtu siç isha unë! Menjëherë hyri në pus, e mbushi këpucën e tij me ujë, ia mbylli grykën, doli jashtë dhe i dha qenit ujë. Allahu u kënaq nga sjellja e këtij njeriu dhe e fali”. Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut! A kemi sevape edhe për kafshët?” I Dërguari i Nderuar tha: “Për çdo gjallesë ka sevape”.(7)
Është më se e vërtetë se kafshët nuk mund të shprehin hallet e tyre, ato nuk mund të flasin me ne për të na treguar hallet a shqetësimet, mirëpo edhe ato kanë gjuhën e tyre që ua ka dhënë Allahu për të komunikuar në mes veti.
I Dërguari i Allahut kishte shkuar te kopshti i një ensariu dhe aty kishte parë një deve. Deveja, me të parë Pejgamberin a.s, filloi të rënkonte dhe të lotonte. I Nderuari ynë shkoi te deveja dhe e ledhatoi me butësi pas veshëve. Deveja u qetësua. Pastaj Pejgamberi pyeti: “E kujt është kjo deve”? Një djalosh nga Medina u afrua dhe i tha: “Kjo deve është imja, o i Dërguari i Allahut!”. I Nderuari ynë, i tha: “A nuk ke frikë nga Allahu për këtë kafshë që ta ka dhënë? Ajo po më ankohet se e ke lënë të uritur dhe se e ke lodhur shumë”.(8)

Sjellja e mirë ndaj krijesave të tjera

Feja jonë e lartë Islame na sugjeron që të sillemi mire gjithmonë edhe ndaj krijesave pa shpirt. Prandaj njeriu, pa nevojë ose pa ndonjë arsye, nuk duhet të këpusë ose presë ndonjë pemë, ndonjë bar etj... Në lidhje me këtë, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush pret një pemë sidre, Allahu ia fut kokën në Xhehenem”.(9)
Kur Ebu Davud është pyetur për këtë hadith, ka thënë: “Ky hadith është i përmbledhur, kuptimi i tij është ky: Ai që pret pa asnjë të drejtë një pemë sidre, nga hija e së cilës përfitojnë udhëtarët dhe kafshët, Allahu do t’ia fusë kokën në Xhehenem”. Sa mësimdhënëse është kjo ngjarje, e cila mund të tregohet si shembull për lidhjen dhe dashurinë që ka Islami për njeriun, për kafshët, e madje edhe për bimët: Ebu’d-Derda r.a., i cili ishte nga ashabët kryesorë, po mbillte pemë në Sham. Dikush iu afrua dhe i habitur i tha: “Ti po merresh me mbjellje pemësh, ndërkohë që je miku i Pejgamberit?!” Ebu’d-Derda i dha këtë përgjigje: “Ndalo, mos më gjyko kaq shpejt! Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. kur ka thënë: Kush e mbjell një pemë dhe nga frutat e saj ha ndonjë njeri apo ndonjë nga krijesat e Allahut, është sadaka për atë që ka mbjellë atë pemë”.(10)
Sigurisht që të dëmtosh bimët apo gjallesat e tjera, është një sjellje që bëhet shkak për mëkat. Besimtari, duke pasur parasysh fjalët dhe këshillat e Pejgamberit a.s., mundohet të mbjellë pemë dhe ta gjelbërojë mjedisin, dhe, mbi të gjitha, e merr si detyrë të vetën që për një gjë të tillë t’i këshillojë ta bëjnë edhe të tjerët. I dërguari Allahut u ka dhënë shembullin e vet ashabëve të tij në këtë çështje. Ibn Abbas r.a. transmeton: Kur i Dërguari a.s. po kalonte pranë dy varreve, për ata të dy që qenë të varrosur aty, tha: “Që të dy po ndëshkohen, por jo për shkak të ndonjë mëkati të madh (sipas atyre). Njëri po ndëshkohet për shkak se merrej me thashetheme, kurse tjetri për shkak se nuk ruhej siç duhet kur urinonte”.. Pastaj kërkoi një degë hurme të njomë. E ndau atë më dysh dhe ua mbolli në krye të varrit. Pastaj
tha: “Shpresoj se do të kenë ndëshkim të lehtë derisa të thahen këto degë”.(11)
Sepse edhe një gjethe e njomë bën dhikër në një lloj mënyre, të cilën mendja jonë nuk mund ta konceptojë. Në ajetin fisnik thuhet: (Shih: El Isra, 44).

Kujdesi ndaj bimëve dhe pemëve

Për fund, ne si besimtarë duhet t’u afrohemi të gjitha krijesave të Allahut me butësi, mëshirë e dashuri dhe t’u shërbejmë kur të jetë e nevojshme. Islami urdhëron që ndaj të gjithë krijesave, njerëzve, kafshëve, bimëve, të sillemi me mëshirë dhe me dashuri. Sepse njeriu ka detyrime ndaj secilës prej tyre. Bukuria e Islamit është e fshehur në konceptimin e dashurisë dhe mëshirës ndaj gjithë botës që mban të gjitha gjallesat. Besimtari duhet të jetë si një lumë që rrjedh me bereqet gjatë rrugëtimit të gjatë, duke u bërë shërbim shumë gjallesave, kafshëve, pemëve, trëndafilave, kallinjve dhe bilbilave, dhe së fundi vendi ku do të arrijë ai, është vetëm deti i pafund dhe takimi me Zotin.


___________________
1) Muslim, Iman 93-94
2) Muslim, Birr, 37)
3) Sipas shpjegimeve të muhaddithëve, qëllimi i shprehjes “do të ketë minbere drite që edhe pejgamberët dhe dëshmorët do t’i kenë zili” nuk është për të thënë se ata janë më lart se pejgamberët dhe dëshmorët, por për ta shfaqur në mënyrë të sigurtë mirësinë dhe pozitën e lartë të atyre që duan për hir të Allahut.
4) Tirmidhi, Zuhd, 53/2390.
5) Muslim, Birr, 38; Ahmed, 2, 292.
6) Muslim, Birr, 78, 79.
7) Buhari, Shurb, 9; Muslim, Selam, 153.
8) Ebu Davud, Xhihad, 44/2549.
9) Ebu Davud, Edeb, 158- 159/5239
10) Ahmed, 4, 444.
11) Muslim, Taharet, 111.



Fatmir Hadri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi