Si ta fitojmë sinqeritetin?

“Çelësi i pozitës tënde te Allahu është sinqeriteti" (Ebu Hamid el-Gazali)(1)

Allahu xh.sh. në lidhje me sinqeritetin shprehet kështu: "E duke qenë e ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”(2)

Sinqeriteti në këtë botë është parimi më i rëndësishëm, forca më e madhe, ndërmjetësi më i pranueshëm, pika më e fortë e mbështetjes, rruga më e shkurtër për tek e vërteta, lutja më e pranueshme, mjeti më i mirë për arritjen e qëllimeve dhe cilësia më e lartë e adhurimi më i pastër.(3)
Por, si te futemi në portën e sinqeritetit?
Ajo që njeriun e ngreh drejt sinqeritetit është qëllimi në veprimet e tij. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Veprat varen nga qëllimi dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas qëllimit".(4)

Katër rregulla

Ekzistojnë katër rregulla të cilat na mundësojnë të bëhemi të sinqertë:

Rregulli i parë: Ne duhet të kërkojmë kënaqësinë hyjnore në të gjitha punët tona. Nëse Allahu xh.sh. është i kënaqur me ne, s'ka rëndësi edhe sikur tërë bota të ishte e pakënaqur. Ebu Sulejman ed Daraniu ka thënë: "I lumi ai që më një hap e dëshiron vetëm Allahun."

Rregulli i dytë: Moskritikimi në mes vellëzerve të cilët janë në shërbim të fesë dhe Kuranit dhe moszgjimi i motiveve të smirës së tyre duke u krenuar, e duke shfaqur vlera më të larta. Shembullin më konkret kemi gjymtyrët e trupit tonë. Shikojeni më vëmendje sa bukur bashkëpunojnë dhe nuk e xhelozojnë njëra-tjetrën. Shiko syrin me syrin tjetër dhe veshin me veshin tjetër si nuk bëjnë dot pa njeri-tjetrin!
Allahu xh.sh. thotë: " ... e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit."(5)

Rregulli i tretë: Ne duhet të jemi të bindur se e gjithë fuqia jonë qëndron te sinqeriteti dhe e vërteta. Besimtari i vërtetë duhet të qëndrojë përkrah të sinqertëve. Këtë na kërkon Allahu xh. sh: "O ju që besuat! Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtët".(6)

Rregulli i katërt: Të gëzoheni dhe të falënderoni Allahun xh.sh. për të mirat dhe sukseset që kanë arritur vëllezërit tuaj.(7)
Njëri nga mjetet më të efektshme për ta fituar e ruajtur sinqeritetin është të kujtuarit e vdekjes. Ashtu si ambiciet e kësaj dynjaje që dëmtojnë sinqeritetin dhe e shtyjnë njeriun në hipokrizi dhe në dashuri ndaj kësaj bote, po kështu të kujtuarit e vdekjes largon nga hipokrizia dhe të afron te sinqeriteti. Pejgamberi a.s. thotë: "Kujtojeni shpesh vdekjen, se zhduk kënaqësinë dhe e bën atë të hidhur."(8)

Tre penguesit e sinqeritetit:

Penguesi i parë: Rivaliteti ose smira lidhur me përfitimet materiale e shkatërron gradualisht sinqeritetin. Pejgamberi a.s. thotë: "Ruajuni prej zilisë, sepse zilia i djeg veprat e mira, siç i djeg zjarri drutë".(9)

Penguesi i dytë: Mburrja e egos dhe dhënia e një statusi të lartë nefsit urdhërues për të liga, i cili ka dëshirë për famë, për emër, pozitë, për brohoritjen e publikut dhe tërheqjen e vëmendjes së tyre.

Penguesi i tretë: Është frika dhe lakmia.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Lajmëroni, lajmëroni të sinqertët se prosperiteti është i atyre!"
"Si janë të sinqertët, a mund të na i përshkruash?", e pyetën ata që ishin prezentë. Ai tha: "Ata kur janë në mes të njerëzve, nuk diktohen se janë aty!"(10)


_____________________
(1) Jakup Asipi, Sinqeriteti, Kumanovë, 2012, fq.16.
(2) El-Bejjineh, 5.
(3) Said Nursi. Shkreptimat. Stamboll. 2010 fq. 294. Përktheu J.Salkurti.
(4) Hadithe te zgjedhura të Pejgamberit a.s. Tetovë 2004. fq.120.
(5) El-Enfal, 46.
(6) Et Tevbe,119.
(7) Said Nursi, op. cit., fq.299.
(8) Tirmidhi dhe Nisai.
(9) Hadithe te zgjedhura të Pejgamberit a.s. op. cit.,fq. 126.
(10) Jakup Asipi, op. cit.,fq.130.



Feim Hoxha

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.