Obligueshmëria e haxhit dhe mënyrat e kryerjes së tij

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Është pyetur i Dërguari i Zotit: “Cila është puna më e vlefshme te Zoti i Madhërishëm?” E ai ka thënë: “Besimi në Zotin dhe të Dërguarin e Tij.” E më pas cila?” i është thënë. Ka thënë: “Haxhi i pranuar te Zoti xh.sh.”(1)

Fjala haxh në kuptimin etimologjik do të thotë: të synosh diçka, të kesh diç për qëllim, ndërsa në kuptimin terminologjik nënkupton: "Vizitën e Qabesë për hir të Zotit të Madhërishëm, me nijet për të kryer një nga ibadetet dhe shtyllat e Islamit, dhe ky ibadet të bëhet në kohë të caktuar, vend të caktuar, mënyrë dhe rituale të caktuara."(2)

Obligueshmëria e haxhit

Haxhi, sipas shumicës së juristëve islamë, është bërë obligim në fund të vitit të nëntë të hixhretit, atëherë kur zbriti ajeti kuranor që obligoi këtë ibadet të rëndësishëm për besimtarët: "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Ali Imran, 97).
Haxhi është obligim (farz) jetësor i besimtarit, që nënkupton se nëse besimtari e kryen një herë këtë obligim gjatë jetës së tij, e kryen edhe obligueshmërinë e këtij ibadeti.
Transmeton lbni Maxheh se njëri prej sahabëve, me emrin Akra bin Habis, e kishte pyetur Muhamedin a.s., duke i thënë: "O i Dërguar i Zotit, haxhi është obligim për çdo vit, apo vetëm një herë gjatë jetës?” Atëherë Pejgamberi a.s. iu përgjigj: "Vetëm një herë gjatë jetës, ndërsa kush ka mundësi më shumë se një herë mund të bëjë haxhin në mënyrë vullnetare.”(3)
Mirëpo diçka duhet ta kemi parasysh: haxhi nuk është vetëm obligim, por është edhe një nga pesë shtyllat e Islamit, e që nuk duhet anashkaluar në asnjë mënyrë.
Thotë Pejgamberi a.s., në një hadith: "Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i Ramazanit, dhe vizita e Qabesë për atë person që ka mundësi udhëtimi tek ajo."(4)

Kush e ka obligim haxhin?

Zoti me urtësinë e Tij dëshiroi që mos t'i ngarkojë besimtarët me këtë obligim, pa u plotësuar disa kushte që besimtarin e bëjnë të ndihet i qetë dhe i sigurt, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë material. Për këtë arsye juristët islamë kanë numëruar disa kushte që duhet të plotësohen për atë person që dëshiron të shkojë në haxh, e ato kushte janë:
- Të jetë në moshën madhore;
- Të jetë i mençur dhe i aftë për t'i kuptuar obligimet fetare;
- Të jetë i shëndoshë fizikisht;
- Të ketë mundësi materiale për t'i mbuluar shpenzimet e haxhit, dhe;
- Të ketë siguri në udhëtimin e tij për në haxh.(5)

Kur obligohet haxhi?

Në Islam kemi obligime fizike, siç është namazi dhe agjërimi, të cilat obligohen me hyrjen e besimtarit në moshën madhore, por kemi edhe obligime materiale, siç është Zekati, i cili obligohet me hyrjen e besimtarit në moshën madhore dhe arritjen e sasisë së caktuar të pasurisë, si dhe kemi edhe obligime fiziko-materiale, siç është haxhi, i cili obligohet me hyrjen e besimtarit në moshën madhore dhe ekzistimin e gjendjes së mirë materiale e shëndetësore. Pra, nëse ndalemi te haxhi dhe shikojmë me vëmendje në kushtet e obligueshmërisë së tij, vërejmë qartë mëshirën e Zotit të Madhërishëm, I Cili përveç që na ka obliguar me haxh vetëm një herë gjatë jetës, ka përjashtuar nga obligushmëria e haxhit të gjithë ata myslimanë që janë në moshën madhore por që nuk kanë kushte materiale, deri në përmirësimin e gjendjes së tyre.

Llojet e haxhit

Haxhi sipas transmetimeve dhe thënieve profetike që kanë ardhur deri te ne mund të kryhet në tri mënyra, varësisht nga mundësitë dhe dëshirat e haxhiut.
Ato mënyra janë:

Haxhi kiran: Fjala kiran në aspektin gjuhësor do të thotë të krahasosh, të vësh diçka në paralele, ndërsa në aspektin terminologjik nënkupton haxhin që haxhiu e bën nijet ta kryejë së bashku me umren, me të njëjtin ihram. Pra, haxhiu që kryen këtë haxh detyrohet të qëndrojë me ihram derisa t'i përfundojë në tërësi ritualet e haxhit. Argumenti që e ligjëson këtë lloj haxhi është hadithi i transmetuar në koleksionin e Muslimit, nga Enesi r.a., i cili ka thënë: "Kam dëgjuar Muhamedin a.s. duke bërë nijet haxhin dhe umren, së bashku.”(6)
Gjithashtu, disa sahabë e kishin pyetur Aliun r.a. për ajetin kuranor: "Plotësojeni haxhin dhe umren për hir të Zotit!" (El-Bekare, 196), e iu përgjigj atyre: "Që haxhiu ta bëjë nijet haxhin dhe umren së bashku (me të
njëjtin ihram).”(7)
Shumë prej juristëve islamë mendojnë se ky është haxhi më i preferuar për besimtarin, ngase me kryerjen e këtij lloji të haxhit qëndrohet më së gjati me ihram, dhe, njëkohësisht, nëse haxhi kryhet sipas kësaj forme, obligohet edhe therja e kurbanit.

Haxhi temetu: Me fjalën et-temetu, në aspektin gjuhësor kuptojmë: të kënaqurit dhe të shijuarit e diçkaje, ndërsa në aspektin terminologjik nënkuptojmë: "Kur haxhiu bën nijet që fillimísht ta veshë ihramin, ta kryej umren, e pastaj të lirohet nga ihrami dhe rregullat e tij, e në ditën e Tervijes (ditën e tetë të Dhul-hixhes, para daljes në Arafat), ta veshë ihramin për ta kryer haxhin.
Argument për ligjshmërinë e këtij lloji të haxhit kemi hadithin e transmetuar nga Ibn Abasi r.a., i cili tregon se në një rast Pejgamberi a.s. u kishte thënë disa sahabëve, që e kishin bërë nijet për ta kryer haxhin: "Nijetín tuaj për haxh shndërrojeni në umre, në përjashtim të atij që ka përgatitur edhe kurbanin!”(8)
Pra, dallimi esencial mes haxhit kiran dhe atij et-temtu qëndron në faktin se haxhi kiran kryhet bashkë me umren, me një ihram, duke i respektuar haxhiu rregullat e tij, qysh kur e ka veshur atë në mikate (vendkalim për veshjen e ihramit) e deri sa t'i përfundojë umren dhe haxhin. Ndërsa në haxhin et-temetu haxhiu pas përfundimit të umres lirohet nga ihrami, pa iu nënshtruar ndonjë rregulle të caktuar të haxhit, dhe pastaj (në ditën e Tervijes) vesh ihramin për t'i filluar ritualet e haxhit.
Për këtë haxh haxhiu obligohet të presë kurban, nëse ka mundësi, e nëse nuk ka mundësi obligohet të agjërojë tri ditë në Meke, dhe shtatë ditë kur të kthehet në shtëpi.
Thotë Zoti në Kuran: "E ai që bën umrën para haxhit (duhet therrë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjëroj tri ditë gjatë haxhit, e shtatë ditë kur të kthehet në shtëpinë e tij, këto janë dhjetë ditë të plota" (El-Bekare, 196).

Haxhi ifrad: Fjala ifrad në aspektin gjuhësor do të thotë të veçosh diç, të njësosh diç, ndërsa në aspektin terminologjik nënkupton: kur haxhiu e bën nijet ta veshë ihramin në mikat, për ta kryer vetëm haxhin (pa e kryer umren). Pra, për dallim nga dy llojet paraprake të haxhit, në këtë lloj të haxhit kryhet vetëm haxhi por jo edhe umreja. Argument për obligueshmërinë e këtij lloji të haxhit e kemi hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a., e cila tregon se në Haxhin Lamtumirës: "Kishte disa prej nesh që e bëmë nijet për ta kryer umren, e disa të tjerë që e bënë nijet për ta kryer haxhin dhe umren, ndërsa i Dërguari i Zotit e bëri nijet për ta kryer vetëm haxhin.”(9) Po kështu, haxhiu që e kryen haxhin ifrad obligohet të mbajë ihramet e tij gjatë tërë kohës së qëndrimit të tij në Mekë, deri në ditën e 10-të të Dhul-hixhes, kur i përfundon shumicën e ritualeve të haxhit”(10)
Dallim tjetër esencial është edhe fakti se haxhiu që e kryen haxhin ifrad nuk e ka vaxhib-obligim therrjen e kurbanit. E nëse haxhiu i tillë dëshiron të kryejë edhe umren gjatë atyre ditëve, pas përfundimit të ritualeve të haxhit, ai duhet të dalë jashtë territorit të haremit (në mesxhidut-ten'im), ta veshë ihramin, dhe të fillojë kështu ritualet e umres së tij.


_________________
(1) Sahihul-Buhari me nr. (1519).
(2) Shiko Erkanu Elis-lam-Vehbi Sulejman Gavoxhi (2-700).
(3) Transmeton ibni Maxhe (2-963).
(4) Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
(5) El-Hidajeh sherh bidajtu-el-Mubtedi, Imam Merginani (1-161).
(6) Transmeton Imam Muslimi me nr. (1232).
(7) Transmeton Hakimi ne Mustedrek me nr. (3009).
(8) Transmeton Buhariu. me nr. (1572).
(9) Sahihul Buhari me nr. (1562).
(10) Fikhul-Islamij ve ediletuhu (255-262) Prof. Dr. Vehbetu Ez-Zuhajli.



Mr. Ekrem Maqedonci

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.