Në Kosovë u kremtua festa e Kurban Bajramit

Myslimanët anembanë botës sot kremtuan njërën nga festat kryesore të Islamit, e që është Kurban Bajrami. Edhe në Kosovë, në të gjitha xhamitë e Kosovës, në mënyrë solemne u kremtua kjo festë.

Manifestimi kryesor kushtuar kësaj dite u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë dhe nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu drejtori i medresesë së mesme “Alaudin” Jakup ef. Çunaku. Pas namazit të sabahut u dha një program kulturo-artistik, me ilahi, kaside e këndim Kurani, për të vazhduar më pas me ligjëratën kushtuar kësaj dite, e që e mbajti profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Sedat ef. Islami.

“Festa në Islam ka bazament, motiv, mësime dhe natyrë të veçantë celebrimi. Më qartë, festat janë të përcaktuara fetarisht, lidhen me adhurime të caktuara, kanë mësime tejet edukative dhe nuk kalojnë asnjëherë në shthurje. E këtillë është edhe festa e Kurban Bajramit që tani veç kemi filluar kremtimin e saj. Por ka edhe diç tjetër të veçantë sa i përket kësaj feste. Për dallim nga festa e Fitër Bajramit, e cila lidhet me fillimin e shpalljes së Kuranit, kjo festë lidhet me përmbylljen e saj,”- tha ndër të tjerash profesor Islami.

Ligjërata e tij më tej u fokusua në monoteizmin vështruar sipas ritualeve të haxhillëkut, ku ndër të tjera përmendi ritualet e vizitës së Qabesë, si shtëpia e parë e ndërtuar në tokë, ashtu siç na mëson Kurani për të. “Qabeja si shtëpi e Zotit me kalimin e kohës u mbush me idhuj, ndërsa me dërgimin e Muhamedit a.s. si pejgamber, gjërat filluan të ndryshojnë. Pas kthimit triumfues në Mekë, Qabeja u pastrua nga të gjithë idhujt, ndërsa haxhillëku filloi të performohej si një rit që reflektonte monoteizmin dhe besimin e pastër. Këtë e dëshmon edhe lutja më e dalluar e haxhiut: Të përgjigjem Allahu im, të përgjigjem! Të përgjigjem Ty që nuk ke shok, të përgjigjem! Falënderimi është vetëm për Ty ndërsa mirësia është vetëm prej Teje. Ty të takon sundimi! Ti nuk ke ortak, të përgjigjemi!”

Pikë tjetër me rëndësi, për të cilën u fol gjatë ligjëratës është edhe uniteti dhe bashkimi, si një nga rrafshet tjera nga ku reflektohet përsosmëri islame. “Uniteti në adhurim duhet të reflektojë edhe në përditshmërinë dhe raportet tona. Allahu, siç qëndron në një thënie të Muhamedit a.s., ndahet i kënaqur me ne kur ne e adhurojmë Atë dhe jemi bashkë me njëri-tjetrin. Pra, adhurimi dhe bashkimi kanë ardhur paralel. Bashkimi është parim islam, është bazë islame, është porosi e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit a.s., sikur që është porosi e tyre edhe ikja nga përçarja. Ndarja dhe përçarja duhen luftuar edhe për faktin se janë fusha ku djalli ushtron më së tepërmi ndikimin. Së këndejmi, vetëm bashkimi është imazhi i vërtetë i besimtarëve dhe vetëm ai ka mandatin për t’i përfaqësuar myslimanët.”

Ligjërata e tij, më tej vazhdoi me një fushë tjetër nga ku reflektohet përsosmëria islame, e që është solidariteti. “…therja e Kurbanit, si ritual, e provon dhe e fakton këtë. Kësisoj, kurbani duhet të shërbejë si mjet që atmosferës së kësaj feste t’i ndihet jehona në çdo shtëpi. Kurbani nuk është thjesht një copë mishi për t’ia hijeshuar sofrën një të varfri por edhe një tregues për platformën tonë solidarizuese dhe për etikën e solidaritetit me të tjerët. Ndërsa sa i përket etikës, solidariteti, që bëhet duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, parasheh që shtrirja e dorës së ndihmës mos të jetë turpërim për të varfrin.” Në përmbyllje të ligjëratës, ai përmendi një thënie të mendimtarit mysliman, Mustafa Sadik Rafiun, i cili ka thënë se: “Festat janë momente të rëndësishme për ta bërë shoqërinë të ndjejë se ka fuqinë e mjaftueshme për t’i ndryshuar ditët”, ndaj le të shërbejë kjo festë për një fillim të madh për ne, si një pikënisje për reformim shpirtëror dhe kulturor, duke u bërë më të përkushtuar për Krijuesin dhe më të lidhur me njëri-tjetrin.

Më pas programi vazhdoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, të cilit i priu sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës Ahmet ef. Sadriu, për të vazhduar më pas me hytben e Kurban Bajramit, të cilën e mbajti zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhiti. Ai në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, përmendi obligimet madhore që e karakterizojnë këtë festë. “…këtë festë e karakterizojnë dy obligime madhore në Islam, siç është haxhi dhe therja e kurbanit, e që janë nga begatitë më të mëdha të dhuruara nga ana e Allahut xh.sh. për besimtarin. Sot, në këtë mëngjes të bukur të kësaj dite feste që e festojnë besimtarët anekënd botës, e në veçanti ata që gjenden për vizitë në Qebe, në Mekë, lutjeve të shumta të miliona besimtarëve dhe hanxhinjve u janë bashkuar edhe lutjet e engjëjve dhe lutjet e tërë gjithësisë. Bashkë me këto lutje janë edhe lutjet e baballarëve, nënave, vëllezërve, motrave bijve e bijave tona, që në Qabenë e bekuar e lusin Allahun xh.sh. për faljen e gjynaheve, pranimin e ibadeteve dhe lutjeve, për një mirëqenie të përgjithshme të të gjithë njerëzve. E për ta ne sot lutemi që të kthehen shëndosh e mirë në familjet e tyre.”

“Solidariteti dhe ndihma për të varfëritë dhe njerëzit në nevojë është urdhër kuranor dhe amanet i Muhamedit a.s. Allahu xh.sh. thotë: “O njerëz! Para Allahut të gjithë ju jeni të varfër dhe nevojtarë. Vetëm Allahu është i Pasur dhe i Denjë për lavdërim.”(Fatir, 15). Zoti nuk e do besimtarin e pasur që është koprrac. Pra, i Madhi Zot urdhëron në shpërndarjen e pasurisë për atë që ka nevojë, te i varfëri, jetimi, i mbeturi pa përkrahje, te i moshuari, pra te të gjithë njerëzit nevojtarë. Të nderuar besimtarë, të gjithë ne duhet ta dimë se dhënia e ndihmës të varfërve nuk pakëson pasurinë tonë, ngase mirësia e ruan pasurinë, ndërsa s’ka dyshim se Allahu xh.sh., do t’ia shumëfishojë pasurinë atij që e jep Zekatin, sadakanë dhe lëmoshën për njerëzit e varfër,” – porositi zëvendëskryetari Mexhiti.

Ai porositi gjithë besimtarët që në zemrat dhe shpirtrat e tyre të shndrit besimi i sinqertë, që i motivon zemrat tona të jemi më solidarë, më humanë, më të mëshirshëm dhe më tolerantë. “Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, thërras të gjithë besimtarët që në zemrat dhe shpirtin e tyre të shndritë besimi i sinqertë, i cili motivon zemrat tona që të jemi edhe më solidarë, më humanë, më të mëshirshëm dhe më tolerantë. Të luftojmë urrejtjen, xhelozinë dhe armiqësinë, dhe të motivohemi për buzëqeshje e përqafim vëllazëror, ngase thirrja për unitet dhe vëllazërim mes njerëzve urdhërohet në shumë vende në Kuran, por edhe në porositë e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s. Dëshiroj edhe një herë që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saja, të bëjë lutjen të i madhi Zot për mirëqenie të të gjithë vëllezërve e motrave tona, brenda dhe jashtë trojeve tona etnike shqiptare, si dhe mërgatës tonë, kudo që është. E lus Allahun xh.sh. që t’i mëshirojë të gjithë ata që jetën e tyre flijuan në emër të Zotit xh.sh., për çlirimin e atdheut!”

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.