Mendja dhuratë e Zotit tek njeriu

All-llahu i Madhëruar e plotësoj dhe e veçoj njeriun nga të gjitha gjallesat pikërisht me mendje, siç thotë në Kur’an: Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur. (Et Tin, 4)

Për rolin e intelektit mjafton të thuhet se edhe vet shkenca, para së gjithash, bazohet në atë. Intelekti është gurrë e shkencës. Marrëdhënia e intelektit dhe shkencës është sikurse marrëdhënia në mes frytit dhe pemës, dritës dhe Diellit, të parit dhe syrit. E si pra mos të jetë një gjë më fisnike, një gjë që është ndërmjetësues dhe shkak i lumturisë në këtë dhe në botën tjetër?
Edhe shtaza më e madhe dhe më e rrezikshme, kur vëren njeriun ndien frikë. Frika e tyre është e lidhur me mendjen (intelektin) të cilin e posedon njeriu, dhe që kategoritë e tjera të gjalla e ndiejnë në kontakt me njeriun. Për këtë Muhammedi, paqja e Zotit qoftë mbi atë, ka thënë: “Dijetari (me përvojë) në fisin e tij është si pejgamberi në popullin e tij” (Ibn Hibbani “Ed-Duafa”, Ebu Mensur ed-Dejlemiu, nga Ebi Rafi’)
Ky aspekt ndaj dijetarit nuk është i lidhur me kapitalin e tij, as me gjatësinë e jetës së tij, apo me fuqinë e tij, por me përvojën jetësore e cila ka rrjedhë nga intelekti i tij. Për këtë do të shohësh që turqit, kurdët, arabët e pashkolluar, si dhe popujt e tjerë, kanë respekt natyral ndaj dijetarit të tyre. Për shembull, idhujtarët, pas vendimit që ta vrasin Pejgamberin, s.a.v.s., në takim të drejtpërdrejtë me të kanë ndjerë frikë të madhe.
Kjo frikë u ka ardhur nga fytyra e të dërguarit të All-llahut, nga balli dhe fytyra e të cilit kanë shkëlqyer rrezet dhe fuqia e profecisë.
Kjo fuqi, para së gjithash është latente, e brendshme, shpirtërore, e cila manifestohet përmes intelektit. Dhe tani do të sjellim shembuj nga Kur’ani dhe hadithi të cilët flasin mbi rolin e nderuar dhe vendin e intelektit.
Mendjen (intelektin) All-llahu i Madhërishëm e quajti dritë në tekstin kur’anor vijues:
“All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i Tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët…” (En Nur, 35)
Diturinë, e cila është e bazuar në mendje, All-llahu i Madhërishëm e quan shpirt, shpallje dhe jetë.
I Lartësuari kështu thotë:
“Po kështu me urdhrin Tonë, Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin)”. (Esh Shura, 52) Gjithashtu thotë:
“Vallë, a është ai që qe i vdekur, kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo?” (El En’am, 122)
Në tekstin kur’anor vijues, termet dritë dhe errësirë nënkuptojnë diturinë dhe paditurinë:
“… i nxjerr ata prej errësirave në dritë…” (El Bekareh, 257)
Muhammedi, paqja e Zotit qoftë mbi atë, ka thënë: “O njerëz, pasurohuni me mend nga Zoti juaj. Marrëdhëniet tuaja vendosni në parimin e mendjes. Me mend do të vendosni çfarë ju është urdhëruar e çfarë ju është ndaluar. Dituria, mendja do t’ju shpëtojë te All-llahu, xh.sh. Dijeni se njeri i kuptueshëm është ai që është i bindur All-llahut, bile edhe në qoftë se është me fytyrë dhe pamje të shëmtuar dhe me pozitë të ulët. Dijeni se njeri i paditur është ai i cili gabon ndaj All-llahut, xh.sh., sado që të jetë me pamje të jashtme të bukur, me pozitë të lartë dhe përgjegjësi, me çfarëdo paraqitjeje dhe retorikë mahnitëse. Majmunët dhe derrat janë më të mençur te All-llahu, xh.sh., se ata që gabojnë ndaj Tij. Mos të mahnitin dhe të tërheqin ata të cilët janë përcaktuar vetëm për dunja. Ata janë të humburit.”(Davud bin el-Muxhebber: “El-Aklu”, nga Ebu Hurejre)
Gjithashtu Muhammedi, a.s. (paqja e Zotit qoftë mbi atë), ka thënë:
“Të parën gjë që All-llahu i Madhërishëm e krijoi është mendja. I tha:” Eja më afër!”, dhe ajo erdhi. Më pastaj i tha: “Kthehu!”, dhe ajo u kthye. Më pastaj All-llahu i Madhërishëm tha: “Betohem në Madhërinë dhe fuqinë Time se nuk kam krijuar asgjë më fisnike se ti; përmes teje do të marr, përmes teje do të jap, përmes teje do të shpërblej, përmes teje do të dënoj”. (Taberaniu: “El-Evsat”, nga Ebi Umameh)
Ndoshta tani ti do të bësh pyetjen vijuese:
“Ky intelekt, nëse është aksidental, si është krijuar para trupit? Por, nëse është esencial, si do të qëndrojë vetvetiu?”
Dije se kjo çështje është e lidhur me temën Zbulimet, e ne këtu shqyrtojmë temën e shkencave fetare praktike dhe qëllimi ynë është që këtu t’i kushtojmë vëmendje vetëm kësaj çështjeje.
Transmetohet se: “Njerëzit në praninë e të dërguarit të Zotit, Muhammedit a.s. për së tepërmi e lavdëruan një njeri dhe ai i pyeti: “Çfarë është intelekti i tij?” Ata u përgjigjën:”O i dërguari i Zotit, ne po të flasim për adhurimin dhe veprat e mira të tij, ndërsa ti na pyet për intelektin e tij?”
Muhammedi, a.s. u tha: “Gabimi i të marrit (paditurit- ahmakut) është më i madh dhe më i rrezikshëm se gabimi i atij që bën prostitucion. Në jetën tjetër njerëzit do të marrin pozitat në përpjesëtim me intelektin e tyre.” (Ibn el-Muxhebber: “El-Aklu”, Tirmidhiu dhe Hakimi: “En-Nevadir”)
Në një transmetim tjetër Muhammedi, a.s. ka thënë: “Njeriu asgjë më të mirë nuk mund ta arrijë se mendjen. Ajo e udhëzon në Rrugë të Drejtë dhe e largon nga rruga e keqe. Besim të përkryer mund të ketë vetëm ai që ka mendje të përkryer” (Ibn el-Muxhebber: “El-Aklu”)
Gjithashtu Muhammedi, a.s. ka thënë: “Njeriu me sjellje të bukura mund të arrijë shkallën dhe shpërblimin e atij që agjëron vazhdimisht dhe të atij që vazhdimisht e fal namazin. Sjellja e bukur, e përkryer është e lidhur me mendjen e përkryer. Me mendje përkryhet imani, tregohet bindja ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe refuzimi ndaj armikut më të madh - Iblisit.” (El-Muxhebber, nga Amr ibn Shu’ajbi)
Muhammedi, a.s. ka thënë: “Çdo gjë e ka mbështetjen dhe mbështetja e besimtarit është mendja e tij; ibadeti tij do të jetë në përpjesëtim me intelektin e tij. A i keni dëgjuar fjalët e mëkatarit në Xhehennem: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit” (El-Muxhebber, nga El-Harithi: “El-Musned”)
Hazreti Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se e ka pyetur Temim ed-Dariun:“Kush është autoriteti më i madh në mesin tuaj?” U përgjigj:”Mendja”. “Këtë e kam pyetur Pejgamberin, s.a.v.s., - tha hazreti Omeri - dhe më ka dhënë të njëjtën përgjigje. Më pastaj e kam pyetur Xhibrilin, a.s., edhe ai këtë ma ka vërtetuar dhe ka thënë: “Mendja”( Po aty)
Transmetohet se: “Një ditë Muhammedit, a.s. i bënë shumë pyetje, për çfarë ai tha: “O njerëz, çdo gjë ka udhëheqës, ndërsa udhëheqësi i njeriut është mendja. Njohjen më të mirë dhe argumentin e ka ai i cili e ka intelektin më të mirë” ( Po aty)
Pas luftës së Uhudit, Muhammedi, a.s. dëgjoi sahabët e tij si po komentonin: “Filani ishte më trim se filani; filani ofroi më tepër se filani…” Muhammedi, a.s. u tha: “Ju këtë nuk e dini”. “Si, o i dërguari i All-llahut?” Ai u përgjigj: "Ata kanë luftuar dhe kanë shfaqur në luftë mundësitë të cilat u ka ofruar mendja e tyre. Këto kanë qenë paramendimet dhe qëllimet e tyre. Në Ditën e Kijametit do të marrin shpërblimin dhe pozitën, varësisht nga qëllimet e tyre dhe shkalla e mendjes së tyre” (Po aty)
Transmetohet se Muhammedi, a.s. ka thënë: “Melekët janë munduar që me mendje të trasojnë shkallë sa më të lartë të bindjes ndaj All-llahut të Madhërishëm Këtë e kanë bërë dhe besimtarët e brezave të Ademit, a.s. Edhe ata edhe këta të tjerët kanë treguar bindjen në nivel të mendjes së tyre” (El-Muxhebber, Tirmidhiu, Hakimi:“En-Nevadir”)
Transmetohet nga hazreti Aishja: “I kam thënë: “O i dërguari i All-llahut, me çfarë njerëzit dallohen në këtë botë?”. Ai u përgjigj: “Me mend”.“E në Ahiret?”, e pyeta. Tha: “Me mend”. Unë e pyeta: “Por njerëzit a nuk do të shpërblehen sipas veprave?”. Ai u përgjigj: “O Aishe, po a thua ata kanë punuar ndryshe, përveçse në bazë të mendjes të cilën All-llahu i Madhërishëm u ka dhënë? Sa All-llahu Fuqiplotë u dha mend – aq kanë punuar. Sa kanë punuar – aq do të shpërblehen” (Ibn el-Muxhebber, e nga ky El-Harithi)
Përmendet se Muhammedi, a.s. ka thënë: “Çdo gjë e ka instrumentin e vet dhe instrumenti i besimtarit është mendja. Çdo gjë ka kafshën kalëruese të tij. Kafsha kalëruese e njeriut është mendja. Çdo gjë e ka mbështetjen e vet dhe mbështetja e besimtarit është mendja. Secili popull e ka cakun e vet dhe caku i robve të sinqertë të All-llahut të Madhërishëm është intelekti. Secili popull i ka misionarët dhe misionari i të bindurve ndaj All-llahut të Madhërishëm është mendja. Secili tregtar ka mallin e tij, dhe malli i muxhtehidit (përpjekës për të vërtetën) është mendja. Secila familje e ka vlerën, dhe vlera e familjeve të sinqerta dhe të pastra është mendja. Çdo rrënim e ka rehabilitimin e tij, dhe rehablitimi i Ahiretit është mendja. Secili njeri e ka rrënjën dhe zanafillën të cilës i takon dhe i atribuohet. Të zgjedhurit dhe njerëzit e sinqertë janë pasardhësit e mendjes. Çdo udhëtim e ka vendpushimin e tij, dhe vendpushimi e vendcaktimi i besimtarit është mendja.” (Ibn el-Muxhebber, nga Ibn Omeri)
Gjithashtu Muhammedi, a.s. ka thënë: “Besimtari më i dashur i All-llahut të Madhërishëm është ai i cili lodhet duke iu lutur Atij, i udhëzon dhe këshillon të tjerët, por para së gjithash veten, i cili e zhvillon mendjen. Kështu vepron gjatë tërë jetës dhe arrin shpëtim e sukses”. (Ibn el-Muxhebber, nga Ebi Katade)
Gjitashtu Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Mendja më e kompletuar është e atij që ka frikën më të shprehur nga All-llahu i Madhërishëm dhe është më i miri në atë që urdhëron dhe ndalon edhepse ky njeri mund të jetë më i dobët në bindje!”( Tirmidhiu, Hakimi “En-Nevadir”, nga El-Hasani)


Mbi esencën dhe llojet e mendjes

Duke definuar termin e kësaj fjale, shkencëtarët i kanë dhënë kuptime të ndryshme. Dominante janë katër kuptime:

Kuptimi i parë:
Mendja është cilësi në bazë së cilës njeriu dallon nga kafshët e tjera. Me mend njeriu arrin mundësinë e kuptimit të shkencave teorike dhe të disiplinave abstrakte.
Dijetari i shquar, El-Harith b.Esed el-Muhasibiu, termin e mendjes e definon kështu:
“Mendja është cilësi natyrore e cila njeriut i mundëson kuptimin e shkencave teorike. Kjo është si dritë e cila depërton në zemër dhe ndihmon që t’i kuptojë gjërat. Ka të tillë të cilët rëndësinë e mendjes e lidhin kryesisht për shkencat e domosdoshme, por ata nuk kanë të drejtë, sepse për të pavetëdijshmin dhe atë që është në gjumë thuhet se janë të mençur, edhe pse në atë moment janë jashtë njohurisë. Ashtu si jeta që është instinkt përmes së cilës trupi kryen lëvizje të lira dhe përcepton gjërat, kështu njësoj intelekti është instinkt nëpërmjet së cilit disa kafshë kanë fuqi të njohjes së caktuar. Në këtë kuptim do të ishte e mundshme të bëhet krahasimi në mes gomarit dhe njeriut në posedimin e intelektit, por që All-llahu i Madhërishëm njeriun e ka frymëzuar me dituri, të cilën nuk ia ka dhënë gomarit dhe kafshëve të tjera. Ngjashëm do të mund të bëjmë krahasimin në mes gomarit dhe objekteve jo të gjalla, duke pohuar se dallimi në mes tyre është që All-llahu i Madhërishëm gomarit i ka dhënë mundësinë e lëvizjes. Pra, doemos duhet thënë që ndryshimi në mes gomarit dhe objekteve jo të gjalla qëndron në atë që gomari është dalluar me cilësinë e qenies së gjallë, sikurse gjithashtu, njeriu dallohet nga kafsha me aftësitë e kuptimit të shkencave teorike me dituri për të cilën shërbehemi me termin mendje ose intelekt. Kjo është sikurse pasqyra në të cilën, duke iu falëndëruar politurës, dallohen trupat dhe ngjyrat. Ngjashëm, syri me shikim dallon dhe njeh ballin dhe pjesët e tjera të trupit. Relacioni në mes mendjes dhe shkencës është i ngjashëm me relacionin në mes syrit dhe shikimit, relacionit në mes Kur’anit dhe sheriatit. Edhe zbulimi i shkencës është si relacioni në mes Diellit dhe shikimit. Këtë instinkt (intelekt) kështu duhet kuptuar”

Kuptimi i dytë:
Kjo është njohuri natyrale me vetë lindjen e njeriut. Fëmija i shëndoshë vëren dhe kupton mundësinë e të mundshmes dhe pamundësinë e të pamundshmes, p.sh. njohuria që dy janë më shumë se një, që një trup nuk mund të jetë njëkohësisht në dy vende të ndryshme. Këtë çështje e ka trajtuar edhe njëri prej skolastikëve, kur duke definuar termin e mendjes ka pohuar që nëpërmes saj, njihen shkencat aksiomatike si njohuri mbi mundësinë e të mundshmes dhe pamundësinë e të pamundshmes. Ky është konstatim i saktë, mirëpo i papranueshëm është mohimi i mendjes dhe pohimi se ekziston vetëm dituria.

Kuptimi i tretë:
Dituria arrihet me përvojë. Ai i cili me përvojë arrin deri te njohuria e medhhebeve dhe ngjashëm shquhet si person me intelekt, ndërsa ai i cili nuk ka këto përvoja kualitative, shquhet si i marrë dhe i paarsimuar.

Kuptimi i katërt:
Në rast se njeriu është i vetëdijshëm për veprat dhe pasojat, dhe kur është në gjendje të kontrollojë dhe zbraps epshet dhe lakmitë e tij, për këtë person thuhet se është person i kuptueshëm. Veprat tij nuk janë të dirigjuara me fuqinë e instinktit dhe epshit, por me intelektin i cili ka kujdes për pasojat.
Këtu do të përmendim dhe tregojmë edhe në disa karakteristika, në bazë të të cilave njeriu dallohet nga kafshët tjera.
- Cilësia e parë e këtij intelekti është baza dhe burimi.
- Cilësia e dytë është dega e tij dhe është e ngjashme me cilësinë e parë.
- Cilësia e tretë është dega e të parës dhe të dytës, sepse me fuqinë e shkencave të lindura arrihet deri te njohuria me përvojë.
- Cilësia e katërt – caku i fundit dhe rezultati i intelektit. Dy karakteristikat e para janë natyrale, ndërsa dy të tjerat arrihen.
Hazreti Aliu për këtë temë thotë: “Ekzistojnë dy lloj njohurish: natyrore dhe e arritur. Shkenca e arritur nuk shërben pa natyroren, mu sikurqë drita e Diellit nuk ka efekt në syrin i cili është i mbyllur”.
Në karakteristikën e parë udhëzojnë fjalët e Muhammedi, a.s.: “All-llah i Madhërishëm nuk ka krijuar asgjë më fisnike se mendjen” Ebu Nuajmi: (“El-Hiljetu” nga hazreti Aliu)
Karakteristika e katërt e ka shpjegimin e vet në këtë hadith: “Kur njerëzit afrohen me devotshmëri dhe vepra të mira, ti afrohu me mendjen tënde”. (Ibn el-Muxhebber, El-Harith, Hakimi: En-Nevadir” ng Ebu ed-Derdai)
Në këtë kuptim është porosia të cilën Muhammedi, a.s. ia ka drejtuar Ebu ed-Derdait: “Rrite intelektin tënd, do ta rrisësh afërsinë tënde tek All-llahu i Madhërishëm.” Ai e pyeti: “Si do ta arrij këtë?” Muhammedi, a.s. iu përgjigj: “Largohu nga ajo që All-llahu i Madhërishëm ka ndaluar; kryeji urdhrat e Tij (obligimet) - do të jesh me mend; bën vepra të mira, me këto do të ngritesh në dunja, e në Ahiret do të afrohesh te All-llahu i Madhërishëm” (Ibn el-Muxhebber)
Tregohet se hazreti Omeri dhe disa sahab (shokët e Muhammdit a.s.) tjerë, erdhën te Pejgamberi, s.a.v.s. dhe e pyetën: “O i dërguari i Zotit, kush është njeriu më i ditur?” Muhammedi, a.s. u përgjigj: “I mençuri”. Më pastaj e pyetën: “Kush është më i devotshmi?” Ai përsëri u përgjigj: “I mençuri”. “Kush është më i zgjedhuri?”, e pyetën. Ai u përgjigj: “I mençuri”. Ata thanë: “A është i mençur ai i cili dallohet me shpirtmadhësi, elokuencë dhe elegancë, bujari dhe ai i cili ka pozitë të lartë dhe funkcion?" Muhammedi, a.s. citoi versetin 35 të kaptinës Ez-Zuhruf ku All-llahu i Madhërishëm thotë : “E të gjitha këto nuk janë gjë tjetër pos kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti është për besimtarët e ruajtur,” (Ez-Zuhruf 35) e pastaj tha: “I mençur është ai i cili i frikësohet All-llahut (xh.sh.), qoftë edhe nëse në këtë botë do të jetë i mjerë dhe i nënçmuar!” (”Ibn el-Muxhebber)
Në hadithin tjetër Muhammedi a.s. ka thënë: “I mençur është ai njeri i cili beson All-llahu e Madhërishëm, beson të dërguarit e Tij dhe punon sipas udhëzimeve të All-llahut dhe është në bindje ndaj Tij! (Ibn el-Muxhebber, nga Seid b. el-Musejjib)
Nga kjo mund të kuptohet se vet emri mendje, në realitet është ky instinkt natyror. Shkenca është fryt, gjegjësisht rezultat i mendjes. Për këtë thuhet: “Dituria është devotshmëri dhe i ditur është ai i cili i frikësohet All-llahut të Madhërishëm”.
Devotshmëria-frika është fryt i diturisë. Për këtë fjala “aklun” përdoret në kuptimin material në forma të ndryshme, por këto janë çështje linguistike dhe në këto nuk do të hyjmë. Njohja nuk vjen nga jashtë apo buron nga brenda. Ajo është sikurse uji i fshehtë në tokë. Me gropimin e pusit ajo paraqitet dhe i ka karakteristikat e saj, po nuk lejojnë të përzihet me asgjë. Ngjashëm është në bërthamën e bademit dhe ujin e trëndafilit në trëndafil.
Secili njeri është krijuar dhe i lindur në islam (me besimin në All-llahun, e Madhërishëm) me njohjen e atributeve natyrore të të gjitha gjërave. Besimi është i fshehur në zemrën e secilit njeri. Duke marrë parasysh faktin që feja në mënyrë natyrale është e lidhur me shpirtin, njerëzit ndahen në dy kategori. Njëra paraqet ata të cilët refuzojnë dhe harrojnë të Vërtetën – këta janë pabesimtarë. Të tjerët janë ata që shpirtin e tyre vazhdimisht e përkujtojnë dhe korrigjojnë dhe nuk lejojnë ta harrojnë All-llahun e Madhërishëm. Shembulli i tyre është si rasti i njeriut i cili e ka pranuar shehadetin (dëshminë), por në indiferencë ka harruar në këtë përgjegjësi dhe obligim, por shpejt dhe në kohë është kujtuar dhe korrigjuar. Për këtë All-llahu i Madhërishëm në ajetet vijuese thotë: “All-llahu, pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë” (Ibrahim, 25)
“Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?” (El Kamer,17)
“(Ky është) Libër i begatshëm. Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend” (Sad, 29)
“Përkujtoni dhuntinë e All-llahut që ju dha (fenë islame) dhe zotimin e Tij” (El Maide, 7)
Mund të konkludohet se këtu bëhet fjalë për dy lloje të përkujtimit:
-përkujtimi i një gjëje që ka qenë e pranishme në zemër, por që kjo më vonë është zhdukur,
-përkujtimi në diç që është inherente, e pranishme tek njeriu si natyrshmëri.
Këto fakte janë të qarta për atë, mendja e të cilit është e përkushtuar, por vështirë të kuptueshme për atë që vetëm dëgjon dhe imiton dhe kush është i zhveshur nga njohja e brendshme. Këta nuk mund t’i kuptojnë as porositë e Kur’anit dhe hadithit në çështjet e përkujtimit. Për këta ka shumë paqartësi dhe kundërthënie dhe këta, këtu sillen në një rreth dhe humbin. Shembulli i tyre është si shembulli i të verbërit, i cili hyn në shtëpi dhe fillon të rrënojë mobiliet, të cilat janë të rregulluara dhe të vendosura mirë, dhe thotë: “Përse këto mobilie janë të vendosura në rrugë? Përse nuk janë të vendosura në vend të vet? Atij i përgjigjemi: “Gjërat janë në vendin e vet; problemi është te shikimi yt”.
Marrëdhënia në mes shpirtit dhe trupit është sikurse marrëdhënia e kalorësit dhe kalit: shpirt është kalorësi, ndërsa trupi është kali. Njohja e brëndshme dhe vëzhgimi është më e fortë se njohja e jashtme. Duke krahasuar këto njohuri, Kur’ani thotë:
“Zemra nuk e mohoi atë që e pa (me sy)” (En Nexhm, 11)
“Edhe kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të Tokës…” (El En’am, 75)
Përkundër kësaj drite të brendshme dhe njohurie është verbëri për të cilën Kur’ani thotë:
“Në të vërtetë sytë nuk verbohen, por verbohen zemrat në kraharor” (El Haxhxh, 46)
“E kush ka qenë i verbër në këtë (botë) ai do të jetë edhe në botën tjetër i verbër dhe më i humburi në rrugën e drejtë” (El Isra, 72)
Këto gjëra All-llahu i Madhërishëm u ka zbuluar të dërguarve të Tij, qoftë me përceptim, ose me paragjykim, që ka termin e përbashkët – shikim.
Me një fjalë, ai tek i cili njohja e brendshme dhe intelegjenca nuk janë të mprehta dhe të fuqishme, nga feja nuk mund të njohë, as të arrijë gjë tjetër, përveç çështjeve periferike. Brendia dhe esenca e fesë për atë mbesin të panjohura. Këto janë disa terma me të cilat ka të bëjë intelekti.



Përgatiti: Munir ef Salkurti

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.