Koherenca strukturore e Kuranit

Kurani është një libër tepër unik sa i takon organizimit të tij strukturor. Suret nuk janë të renditura sipas rendit kronologjik apo tematikave të trajtuara. Madje edhe brenda vetë sureve të veçanta mund të hasen shumë tema, trajtimi i të cilave kalon në mënyrë të shpejtë nga njëra te tjetra, për t'iu kthyer sërish temave nga e para.

Në pamje të parë një strukture të tillë unike mund të duket sikur i mungon koherenca dhe lidhja e brendshme. Mirëpo kërkimet e bëra kohët e fundit kanë zbuluar një koherencë të sofistikuar strukturore në Kuran, e njohur si struktura unazore.
Struktura unazore është shpjeguar nga Mary Douglas, në librin e saj "Thinking in Circles: An Essay on Ring Composition". Në këto lloj strukturash duhet të kenë përputhje ndërmjet fillimit dhe fundit. Në këtë rast, struktura është një lloj rrethi apo pasqyrimi. Kuptimi kryesor i tekstit vendoset në qendër. Gjysma e dytë pasqyron të parën, sipas rendit të kundërt. P.sh.:
A, B, C, D, C', B', A'.

Përputhja zakonisht përfshin përsëritjen e një fjale a fraze të goditur apo të dukshme, dhe ekzistencën e një lidhjeje të qartë tematike ndërmjet dy pjesëve. Përputhja shërben për të plotësuar rrethin dhe për ta përmbyllur atë. Gjithashtu pjesët e brendshme - brendapërbrenda unazës - duhet të përputhen me njëra-tjetrën.
E thënë me fjalë të tjera, struktura unazore është si të vendosësh një pasqyrë në mes, çka do të thotë se ajo që përmendet në gjysmën e parë, do të shërbejë si subjekt i pasqyruar në gjysmën e dytë.
Le të marrim si shembull suren El Bekare, suren më të gjatë të Kuranit, e cila ka zbritur në një hark kohor prej më shumë se nëntë vitesh. Ajo përbëhet nga 286 ajete, dhe mund të ndahet në nëntë pjesë kryesore, sipas tematikave apo subjekteve që parashtrohen në to (në kllapa jepen numrat e citateve):
A. Besimi përballë mohimit (1- 20).
-- B. Krijimi dhe dija e Allahut (21 - 39).
--- C. Përcjellja e urdhëresave te Bijtë e Izraelit (40 -103).
---- D. Sprovat e Ibrahimit (104 -141).
----- E. Qabeja bëhet kibla e re (142 -152).
---- D'. Sprovat e myslimanëve (153 - 177).
--- C'. Përcjellja e sheriatit te myslimanët (178 - 253).
-- B'. Krijimi dhe dija e Allahut (254 - 284).

A’. Besimi përballë mohimit (285 - 286).

Është e rëndësishme të thuhet se mesi i sures El Bekare, që përkon me ajetin 143 të saj, përmend një pikë kthese kyçe për myslimanët:
"Ne ju kemi bërë një bashkësi të mesme, që të jini dëshmitarë për njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar për ju. Ne nuk e caktuam kiblën nga ktheheshe për tjetër arsye, përveçse për t'i dalluar ata që i shkojnë pas të Dërguarit nga ata që kthehen duke vënë majat e këmbëve nga thembrat. Kjo provë ishte vërtet e rëndë, por jo për ata që Allahu i udhëzoi." (El Bekare, 143).
Kjo pikë kthese ishte ndërrimi i kiblës nga Jeruzalemi drejt Mekës. Kjo ishte një sprovë e madhe për besimtarët. Përmendjen e kësaj kthese të rëndësishme e gjejmë saktësisht në mesin e kësaj sureje të Kuranit. Për më tepër, ky ajet e përmban madje edhe fjalën "mes"!
Edhe Ajeti Kursij, ajeti 255 i sure s El Bekare, shfaq po ashtu një strukturë unazore:



A. " Allahu, nuk ka zot veç Tij, është I Gjalli, Mbajtës
i gjithçkaje.
- B. Atë nuk e kaplon as dremitja dhe as gjumi.
-- C. Atij i përket çfarë ka në qiej dhe në tokë.
--- D. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, përveçse
me lejen e Tij?
---- E. Ai e di çfarë ka përpara dhe pas tyre.
---- D'. Ata nuk përfshijnë asgjë prej dijes së Tij, përveç asaj që dëshiron Ai.
--- C'. Froni i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën.
-- B'. Mbrojtja e tyre nuk e lodh Atë
A'. Dhe Ai është I Larti, Madhështori." (El Bekare, 255)

Vini re!

Mesi i ajetit Kursij përmend fjalët "përpara" dhe "pas", që sërish mund të jetë një tjetër aludim i pasqyrimit, i cili është karakteristikë e strukturës unazore.
Raymond Farrin, autor i punimit "Surat Al Baqarah A Structural Analysis", arrin në këtë përfundim në lidhje me strukturën unazore të sure s El Bekare:
"Në të vërtetë kjo sure shpalos një pafundësi të mahnitshme kompozimi. Siç e kemi parë, ajo është e rregulluar në mënyrë të përpiktë e të ndërthurur, në përputhje me parimet e strukturës unazore; madje edhe gjatësitë e pjesëve harmonizohen në mënyrë të përsosur me gjithë skemën. Për më tepër, struktura e përpiktë shërben si një udhërrëfyes, duke nxjerrë në pah temat kyçe në sure. Sipas logjikës së strukturës, këto ndeshen në qendrat e unazave të veçanta, dhe sidomos në qendër të krejt sures. Po në qendër të saj jepen udhëzimet përkatëse për t'u drejtuar nga Meka, çka përfaqëson një provë besimi, si dhe bëhet identifikimi i myslimanëve si një bashkësi e re dhe e mesme."
Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e zbritjes së Kuranit, do pritej që struktura e tij të ishte e çrregullt. Mirëpo një përshtypje e tillë nxjerr në pah pamjaftueshmërinë e depërtimit në strukturën e sofistikuar të Kuranit. Pas analizimit të thellë të thurjes së tij, shohim se Kurani shfaq një strukturë mahnitëse. Duke marrë në konsideratë faktin se Pejgamberi Muhamed a.s. nuk dinte shkrim e lexim, dhe nuk njihej as si poet e as si njeri i letrave, është qartazi e pamundur që ai ta ketë projektuar vetë një strukturë të tillë. Kjo është një provë e pakundërshtueshme që vërteton se burimi i Kuranit është Zoti i Plotfuqishëm.



Përktheu: Klodiana Ismajlaj
Burimi: http://www.islam21c.com/.../ring-theory-the-qurans-structur

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.