Mësimi i Kuranit përmendësh

Kurani është libri më i plotë e i fundit ndër librat e shenjtë që Allahu i Madhëruar ua ka dërguar njerëzve. Kurani paraqet dokumentin i cili, që nga faqja e parë e deri tek e fundit, përpiqet të theksojë të gjitha tendo

Kurani është libri më i plotë e i fundit ndër librat e shenjtë që Allahu i Madhëruar ua ka dërguar njerëzve. Kurani paraqet dokumentin i cili, që nga faqja e parë e deri tek e fundit, përpiqet të theksojë të gjitha tendosjet morale që janë të nevojshme për veprim kreativ njerëzor. Ne të vërtetë, në esencën e qendrës së interesimit të Kuranit gjendet njeriu dhe përmirësimi i tij.

Kurani, që i ka zbritur Muhammedit a.s., është një vepër pa shëmbëllim dhe e pashoq, që duke u ruajtur me një kujdes dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme ka ardhur deri në ditët tona.
Kurani është ruajtur në dy mënyra: me anë të shkrimit dhe mësimit përmendësh të tij (hivzi). Këto janë mënyrat e veçanta të ruajtjes së Kuranit, me të cilat ai edhe është ruajtur që nga fillimi i shpalljes.
Fjala "hafiz" në gjuhën arabe ka kuptimin e mbartjes, "me mbrojt/ruajt”, e që ka derivuar nga folja (ha-fi-dha). Ndërsa ai i cili memorizon Kuranin në tërësi quhet hafiz.
I pari i cili në zemrën dhe shpirtin e tij e qëndisi Kuranin fisnik përmendësh është Pejgamberi a.s., e pastaj katër halifët e drejtë: Ebu Bekri, Ymeri, Othmani dhe Aliu r.a.; nga muhaxhirët: Talha bin Ubejdullahu, Sa'd bin Ebi Vakkasi, Ebu Hurejre; ndërsa nga sahabet femra: Aisheja, Hafseja, Ummu Seleme; nga ensarët Ubejd bin K'abi, Muadh bin Xhebeli, Zejd bin Thabiti, Zejd el-Ensari, Ebu Derda r.a., etj.
Veçohen dy qendra kryesore të mësimit (memorizimit) të Kuranit, njëra në Mekën fisnike, e cila quhej "Darul-Erkam”, ndërsa në Medinen e ndritshme ishte vendi pranë Xhamisë së Pejgamberit a.s., e quajtur ”As'habus-Suffa”. Ne këto dy qendra, shumë nga sahabët e kanë mësuar Kuranin përmendësh. Ne periudhat e mëvonshme mësimi përmendësh i Kuranit filloi të formësohet, të sistematizohet me metodat teknike, p.sh., në periudhën e selxhukëve formimi i "Darul Huffazit” dhe "Darul Kurras” tregon se mësimi përmendësh i 'Kuranit ka marrë formë institucionale. Ky sistem ka vazhduar edhe në periudhën osmane. Nga udhëpërshkrimi i Evlija Qelebiut regjistrohet se në Stamboll kanë qenë 9000 hafizë të Kuranit, nga të cilët një e treta ishin femra. Në trojet tona shqiptare i është kushtuar një rëndësi e veçantë mësimit të hifzit të Kuranit, diku më shumë e diku me pak, varësisht prej kulturës islame. Për fillimin e hifzit tek ne shqiptarët nuk mund të përmendim ndonjë vit konkret, por mund të konstatojmë së qysh në shekullin XVl, në hapësirën shqiptare zë fill kultivimi i hifzit. Në Kosovë më së shumti hafizë ka pasur Prizreni, Peja dhe Prishtina. Prizreni, si qendër e Sanxhakut (rajonit), gjatë kohës së kaluar shquhej për traditën e mësimit të hifzit të Kuranit, dhe lirisht mund të themi se ka qenë burim i pashtershëm i hifzit në Kosovë. Pranë mektebeve dhe xhamive të shumta të Prizrenit ekzistonin punkte të caktuara të mësimit të hifzit me fëmijët e grupmoshave të ndryshme. Ata, për një periudhë kohore 2-4 vjeçare, e mësonin hifzin dhe pastaj nxënësit e caktuar vazhdonin mësimin në Medresenë e Gazi Mehmed Pashës, me një traditë arsimimi rreth 400 vjeçare. Deri në vitin 1947, të rrallë kanë qenë nxënësit që e kanë kryer Medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren e me parë të mos e kenë kryer edhe hifzin.

"Më të nderuarit e ymetit tim janë bartësit e Kuranit”

Të mbajturit mend është forma kryesore me të cilën është mbartur dija shekuj me radhë, nga njëri brez te tjetri. Kjo është edhe forma kryesore se si është bartur edhe Kurani dhe Hadithi. Për këtë Allahu e lehtësoi mësimin e Kuranit. Thotë Allahu xh.sh. në Kuran: "Ne Kuranin e bëmë të lehtë për nxënie, po a ka ndokush që merr mësim?" (El Kamer, 17).
Kurani është libri më i kënduar dhe më i mësuar përmendësh në tërë botën. Mësimi përmendësh i Kuranit është çështje dëshire dhe vullneti. Pa këto, edhe sikur me dhjetëra herë të dëgjohet një sure apo ajet, mësimi përmendësh nuk bëhet. Fjala më e ndershme dhe më e vlefshme në botë është fjala e Allahut xh.sh., Kurani fisnik. I tillë është edhe ai që mëson dhe e ruan në zemër, tru e shpirt, këtë fjalë të Zotit.
Këtë e vërteton edhe fjala e Pejgamberit a.s., kur thotë: "Më të nderuarit e ymetit tim janë bartësit e Kuranit”.
Hafizët kanë vlerë të madhe tek Allahu fillimisht, por edhe tek njerëzit gjithashtu. Pejgamberi as. thotë: "Lexuesit e Kuranit janë miqtë e Allahut dhe të veçuarit e Tij”. Dobitë e memorizimit janë të panumërta. Kurani fisnik ka ndikim të madh në arritjen e sigurisë psikologjike, qetësisë së zemrës dhe rehatisë. Ai përbën një energji gjigante shpirtërore, e cila ka ndikim të
rëndësishëm në shpirtin e njeriut.
Abdullah ibn Amër ibn Asi r.a., tregon se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: "Zotëruesit e Kuranit do t'i thuhet: "Lexo dhe ngrehu lart, lexoje ashtu si e ke lexuar në dynja! Vendi yt do të jetë tek ajeti i fundit të cilën do ta lexosh.”
Dijetarët, si në të kaluarën si tani, diskutojnë për shkaqet pse një grup i besimtarëve qëndrojnë indiferent ndaj Kuranit dhe mësimeve të tij. Në mesin tonë gjen njerëz të profileve të ndryshme sa i përket neglizhimit të Kuranit: përtac në lexim, përtac në nxënie përmendësh të tij, shkujdesje ndaj meditimit për të, braktisje të thirrjes në të, mosrespekt dhe vlerësim jo të duhur etj. E ajo që të bën të ndihesh edhe me keq është fakti se sot gjen shumë nxënës/studente tek e kalojnë kohën në gjëra të kota, si në shikimin e telenovelave latinoamerikane e turke, ndjekjen e ndeshjeve futbollistike, dhënien pas leximit të lajmeve nga jeta e artistëve dhe këngëtarëve, bisedave të kota në rrjetet sociale etj., e në të njëjtën kohë mund të gjesh vetëm pak prej tyre që një kohë të veçantë ia kanë kushtuar Kuranit.
Transmetohet nga Osmani r.a., se Muhammedi a.s., ka thënë: "Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.”
Të merresh me fjalën e Zotit është një punë që e do Zotit. Ta mësosh përmendësh Kuranin do të thotë të jesh një njëri që të do Zoti, e kjo në të njëjtën kohë do të thotë të jesh një njëri që aspak nuk të do shejtani i mallkuar.
Kur jemi këtu, shejtani është ai që dëshiron të të largojë nga kjo punë, dëshiron të të shtyjë të mendosh se Kurani është i vështirë, se kjo është një punë e kotë, se me këtë hifz që je duke bërë të humbësh shumë kohë të çmueshme, pastaj se ngelesh prapa shokëve/shoqeve në mësimet e shkollës, në sport etj. Të gjitha këto janë mendime të shejtanit dhe njerëzve që janë sikur shejtani.
Mos u afro ndaj atij pesimistit që të thotë se mësimi i Kuranit është i vështirë. Memorizimi në vete është dhunti, por me përsëritje dhe angazhim shtohet dhe forcohet.
Kush përpiqet dhe provon, do të gjej rezultate. Gjithashtu, memorizimi i Kuranit është fillimi i nxënies së diturisë
dhe çelja e portës së memorizimit, Prandaj Hatib Bagdadiu thotë: "Është e përshtatshme për një student që ai të fillojë me mësimin përmendësh të Kuranit fisnik, që është burimi më i madh i diturisë dhe të cilin duhet ta vendosim në vend të parë dhe t'i jepet përparësi.” Kush e ka provuar memorizimin e Kuranit, e di mirë se në fillim do t'i duhet më shumë kohë për ta nxënë përmendësh një pjesë të caktuar, mirëpo me kalimin e kohës do ta dallojë tek vetja trefishin apo katërfishin e aftësisë memorizuese, madje mund të ndodhë që të mësojë një çerek xhuzi (5 faqe) në një ulje të vetme ndërmjet akshamit dhe jacisë apo pas sabahut. Kjo ndodh sepse memoria shtohet dhe forcohet me ushtrimin e saj.
E vërteta është se të bëhesh hafiz është gjëja më e ndershme në botë. Të bëhesh hafiz nuk do të thotë të humbësh kohën kot, porse ti je një njeri që di shumë mirë ta shfrytëzojë dhe organizojë kohën. Hfz. Fahad el-Kenderi thotë: "Mundësia dhe përsosmëria e hifzit nuk vjen pos pas një lodhjeje të madhe, së pari sinqeriteti pastaj mbështetja në Allahun Teala.” Kur njeriu dëshiron ta mësojë librin e Allahut të Madhëruar, Allahu ia lehtëson atij çështjet e jetës së tij për shkak të hifzit të tij ndaj Kuranit, Përveç memories së fortë, nxënësi duhet të jetë në gjendje më të mirë, në shkallët më të larta të moralit, duke iu shmangur çdo gjëje që ndalon Kurani. Ai duhet ta pastrojë zemrën, në mënyrë që të jetë i ai'-të për ta pranuar Kuranin për ta mbajtur mend atë dhe për të shkoqitur domethënien dhe mësimet e tij. Sa bukur ka thënë një njeri: "Zemra përgatitet për dituri ashtu sikur që toka përgatitet për mbjellje”

Memorizimi i Kuranit ndihmon në arritje të diturisë

Dr. Abdullah Subejh, profesor i psikologjisë në Universitetin Islamik në Rijad, bëri apel te studentët që t'iu bashkëngjiten kurseve (hallkave), duke sqaruar se mësimi i Kuranit përmendësh ndihmon për përqendrim, e që është një element i shumëkërkuar gjatë arritjes së dijes. Dhe, shtoi se çdo shkencë, qoftë mjekësia, matematika, shkencat fetare apo natyrore, kërkojnë një përqendrim shumë të lartë. E përderisa ai që mëson Kuranin ushtrohet ta përqendrojë vëmendjen e tij, ai në këtë rast është më i shkathët, dhe niveli i përqendrimit të tij është më i gjatë sesa niveli i përqendrimit të të tjerëve. Ai që mëson Kuran përmendësh vazhdimisht nuk ka dyshim që qelizat e trurit dhe trupit të tij aktivizohen dhe janë më të forta sesa te nxënësi i cili nuk i ka aktivizuar ato përmes memorizimit. Kjo do të thotë që një nxënës që bën hifz në të njëjtën kohë është ndoshta edhe nxënësi/studenti më i mirë e më i suksesshëm.
Ky është fakt thuajse i pamohueshëm,
Dr. Subejh sqaron se ata që mësojnë Kuranin përmendësh përmes përkujdesjes që të mësojnë një "vird”- pjesë të caktuar nga Kurani, përfitojnë një shkallë serioziteti në jetën e tyre si dhe mësojnë se si ta organizojnë mjetën e tyre, si t'i bëjnë planifikimet për jetën e tyre, përcaktimin e qëllimeve etj. Nga ana tjetër, Dr. Adnan Ashur, konsulent i psikiatrisë ne Xhidde, thotë se Kurani i ndihmon nxënësit në arritjen e diturisë, dhe sqaron se kujtesa është aftësi trupore dhe zhvillohet aq sa e zhvillojmë atë si dhe zgjerohet sa më shumë të shtohet dija e deponuar në të, Prandaj thotë: "Nëse njeriu i trajton me kujdes forcat e tij mendore, e mirëpërdor kujtesën dhe investon në të gjatë rinisë dhe moshës mesatare të tij, atëherë forcat e tij mendore dhe ideore dyfishohen”
Nga ana tjetër, Prof. Bekr bin Ibrahim Bosfor, drejtor i Drejtorisë së Arsimit për rajonin e Mekes, thotë: "Kurani fisnik është derë përmes të cilës Allahu xh.sh, i hap mendjet dhe ndihmon në arritjen e superioritetit, me
lejen e Allahut.”

Për sa kohë mund të bëhesh hafiz?

Periudha kohore e mësimit të hifzit varet nga vetëpërcaktimi i hafizit. Në kushtet normale memorizimi i Kuranit bëhet në periudhën 1-2 vjeçare, por me një angazhim pak më të ngjeshur mësimi përmendësh i Kuranit mund të përfundojë edhe për një periudhë më të shkurtër se gjashtëmujore.
Ai/ajo që nis në këtë rrugëtim të memorizmit të Kuranit gjithmonë ndeshet me këtë pyetje: Për sa kohë mund të bëhem hafiz? Për këtë pyetje hafizët përgjigjen më këtë tregim:
- Një hoxhë ishte duke e punuar arën e tij, ndërkohë i afrohet një djalosh dhe e pyet: "O axhë, për sa kohë mund të mbërrij në filan fshatin?”
Hoxha nuk i përgjigjet, edhe pse djaloshi e përsërit pyetjen tri herë. Ai sërish nuk ka përgjigje. Duke menduar se plaku është i shurdhër, djaloshi vazhdon të ecë.
Pasi kaloi një rrugë të mjaftueshme, hoxha e thërret: "Bir eja këtu!"
Djaloshi i merakosur kthehet. "Ti përafërsisht do të mbërrish për dy orë e gjysmë”- iu përgjigj hoxha.
Djaloshi i habitur i thotë: "O axhë, pasi që e ke ditur pse më herët nuk më tregove?!"
”Po"- ia kthehu hoxha, rrugën e dija, por si do të jepja përgjigje pa e parë shpejtësinë e ecjes tënde!”

Përfundim

Memorizimi i Kuranit i ngjan shëtitjes në kopshtin hyjnor, ku në çdo hap mrekullohesh me bukurinë hyjnore të ajeteve të mrekullueshme që lidhin atë të përkohshmen me të përhershmen, kalimtaren me të amshueshmen, krijesën me Krijuesin.
Mësimi i vazhdueshëm (qoftë edhe pak) është më i mirë dhe më i vlefshëm sesa ta kalojmë tërë jetën me suret qe i kemi mësuar në moshën 7-8 vjeçare. Veçanërisht, pushimet verore janë rast shumë i mirë për të memorizuar nga Kurani fisnik. Mund të jemi hafiz i plotë, gjysmë hafiz, çerek hafiz apo edhe hafiz i një xhuzi. Pra, të mundohemi që këtë lidhje çdo ditë e më shumë ta përforcojmë! Mësimi i ajeteve duhet të sjellë edhe praktikimin e tyre, praktika e tyre shëron çdo plagë të shoqërisë dhe sjell lumturinë e të dy botëve. Kështu që, ibadeti stoliset dhe thellohet, kurse shoqëria ndërtohet nën hijen e këtyre ajeteve të mësuara.


Burimet për konsultim:

1.Fazlur Rrahman, Islami, Logos-A, Shkup, 2010
2. Mehmet Ali Sari,Teknikat dhe rregullat e këndimit të bukur të Kur’anit,Logos-A,Shkup,2014
3. Doc. Dr.Hfz. Hajredin Hoxha, Edukata e mësuesit dhe studiuesit te Kur’anit,Furkan ISM,2013
4. Doc. Dr.Hfz. Hajredin Hoxha, Meditimi I Kur’anit edukata dhe parimet,Furkan ISM,2013
5. Faik Miftari, Hafizët e Prizrenit me rrethine (1912-2012),Prizren 2012
6. Kur’ani Kerim ve Hafizlik, Insan ve Hayat dergisi,sayi 36.
7. Memorizimi I Kur’anit, në: islamhouse.com
8. Rejhan Neziri, Përgjigje mbi tema të ndryshme, në: www.el-hikmeh.net



Erda Ballëk
DituriaIslame 295

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.