Ndikimi i lutjes në përmirësimin e fëmijëve

S’ka dyshim se prej begative të Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij është edhe begatia e pasardhësve. Allahu i Lartësuar ua kujton robërve të Vet këtë begati në Librin e Tij kur thotë: "Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (Nahl, 78)

Pasardhësit janë stoli, zbukurim dhe gëzim i kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: "Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote.” (Kehf, 46)
Mirëpo, realisht, sytë e prindërve nuk kënaqen me fëmijët e tyre, vetëm nëse janë të mirë. Kësisoj, burrat e sinqertë nga robërit e Allahut orvaten në përmirësimin e fëmijëve dhe e dinë se e tërë çështja është në dorë të Allahut dhe se prej shkaqeve më të mëdha të përmirësimit të fëmijëve të tyre është lutja dhe përgjërimi ndaj Allahut që t’i përmirësojë ata.
Allahu i Lartësuar ka përmendur për robërit e Tij, duke thënë: "...edhe ata që thonë: "O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (Furkan, 74).
Ibn Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, thotë: "Ata kanë për qëllim "ata të cilët punojnë sipas urdhrave të Allahut dhe kjo është prehje për sytë e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër”.
Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, duke komentuar këtë ajet thotë: "Do të thotë ata që i luten Allahut të Lartësuar që t’u dhurojë pasardhës që do t’i nënshtrohen Atij, do ta adhurojnë vetëm Atë e mos t’i bëjnë shok Atij.”
Duke pasur parasysh se lutja ka ndikim jashtëzakonisht të madh në përmirësimin e pasardhësve, gjejmë krijesat më të mira dhe më të zgjedhura, Profetët, që i luten Zotit të tyre me këmbëngulësi që t’i përmirësojë trashëgimtarët e tyre, madje ata iu lutën Allahut të Lartësuar për ta para se të lindnin.

Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë me të, i kërkon Zotit pasardhës të mirë

Ibrahimi, i ngrit duart lart duke kërkuar prej Allahut të Lartësuar që ta furnizojë me fëmijë të mirë dhe përmirësues. "O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” (Safat, 100)
Ai ishte në moshë të shtyrë, gruaja e tij gjithashtu e moshuar e ai kërkonte fëmijë, por jo çdo lloj fëmije, por fëmijë të mbarë, andaj Allahu iu përgjigj lutjes së tij dhe i dhuroi atë që kërkonte. "Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!” (Safat, 101)
Më e çuditshme se kjo është fakti se ai nuk e ndërpreu lutjen për pasardhësit e tij, por vazhdonte me lutje të mbara gjatë gjithë jetës së tyre. "(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: "O Zotim im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!” (Ibrahim, 35) Ai vazhdon lutjen: "O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37) "O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim, 40)

I Dërguari i Allahut, Zekerija

Të njëjtën rrugë e ndoqi edhe Zekerija, paqja e Zotit qoftë mbi të, kur e luti Allahun e Lartësuar për fëmijët e tij para se të lindnin. E shohim atë duke iu lutur Allahut të Lartësuar që t’i dhurojë një djalë të mirë, të pëlqyeshëm për Allahun dhe njerëzit, i cili do të bartte bashkë me të vështirësitë e profetësisë dhe thirrjes në njësimin e Krijuesit, duke thënë: "...më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Merjem, 5-6)
Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së tij. Engjëjt e çuan tek ai lajmin e gëzuar për djalin dhe Profetin e mirë. "Engjëjt e thirrën (Zekerijan): "Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjanë, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain, a.s), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve.” (Ali Imran, 39)

I Dërguari i Allahut lutej për fëmijët muslimanë

Nëse i referohemi udhëzimit të Pejgamberit tonë, Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, do ta gjejmë duke shpeshtuar lutjet për fëmijët muslimanë si dhe i udhëzon muslimanët drejt lutjes për pasardhësit e tyre bile para se ata të lindin. Për atë që dëshiron të ketë marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij dhe kërkon pasardhës, i Dërguari i Allahut e këshillon që të kujdeset për mbrojtjen nga shejtani duke lexuar këtë lutje: "Bismil-lah! O Allah, na largo nga shejtani dhe largoje shejtanin prej nesh dhe prej atij që do të na dhurosh”, dhe nëse nga ky kontakt u vjen një fëmijë, atë nuk e dëmton kurrë shejtani.”

Ai lutej për të vegjlit duke qenë akoma farë në mitrën e nënës

Umu Sulejm, Zoti qoftë i kënaqur me të, kishte një djalë. Një ditë djali i saj u sëmur, ndërkohë që burri i saj ndodhej jashtë shtëpisë. Sëmundja u rëndua dhe djali i tyre i vetëm ndërroi jetë.
Atë ditë burri i saj Ebu Talha ishte agjërueshëm. Kur u kthye në mbrëmje për të ngrënë iftar, ai pyeti për djalin e sëmurë. Umu Sulejm i tha:”Asnjëherë nuk ka qenë më mirë se ç'është tani.”
Ebu Talha hëngri iftar dhe pasi pushoi dhe fjeti me të shoqen, Umu Sulejm i tha: "O Ebu Talha: "Nëse dikush të ka dhënë diçka hua dhe pas njëfarë kohe ta kërkon sërish, çfarë do të bëje?"
Ebu Talha i tha: "Do ia jap menjëherë.”
Atëherë Umu Sulejm tha: "Atëherë mbështetu Zotit të Madhëruar për djalin që të mori."
Ebu Talha e kuptoi qëllimin e të shoqes dhe u zemërua mbi faktin që ajo nuk e kishte lajmëruar më parë për vdekjen e djalit të tyre.
Të nesërmen, Ebu Talha u ngrit dhe shkoi në xhami për të falur namazin e sabahut. Ai i tregoi të Dërguarit të Zotit gjithçka që kishte ndodhur një natë më parë.
Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, i tha: "Vetë Zoti i Madhëruar është çuditur me atë që bëtë ju mbrëmë dhe Ai ua ka bekuar këtë natë!” Profeti u lut: "O Zot, bekoji këta të dy në natën e tyre!”
Por, a e dini se si i bekoi atë natë Zoti?
Atë natë, Umu Sulejm kishte mbetur shtatzënë dhe pas nëntë muajsh lindi një djalë të cilin Ebu Talha e quajti Abdullah.
Abdullahu u rrit, u martua dhe i lindën dhjetë djem, të gjithë hafëzë. Bereqeti i asaj nate e pati efektin edhe në pasardhësit e Ebu Talhas. Ky ishte shpërblimi me të cilin Zoti i shpërbleu për durimin e tyre.

Ai lutej për ta me rastin e lindjes së tyre

Aijsha, kënaqësia e Allahut qoftë me të, transmeton se të Dërguarit të Allahut, i vinin të porsalindurit, e ai lutej për ta për mbarësi dhe begati. Në përmbledhjet e Buhariut dhe Muslimit, Esmaja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i erdhi të Dërguarit të Allahut me një të porsalindur të saj, e cila thotë: "I Dërguari i Allahut mori një hurmë e përtypi dhe ia fshiu me të mishin e dhëmbëve e më pas u lut për të për begati.”

Profeti lutej për fëmijët për t’i inkurajuar për mirësi.

Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, transmeton duke thënë: "Nëna ime erdhi tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të. Ajo kishte veshur pjesën e sipërme dhe të poshtme me gjysmën e perçes së saj dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, ja ky është biri im Enesi, ta kam sjellë ty që të të shërbejë, lute Allahun për të.” I Dërguari i Allahut tha: "O Zot, shtoja pasurinë dhe fëmijët e tij!” Ndërsa në një version tjetër thuhet: "Bekoje në atë që i ke dhënë!” Enesi thotë: "Pasha Allahun, djemtë e mi dhe djemtë e djemve të mi janë më tepër se njëqind sot.” Shënon Muslimi.
Le të meditojmë këtu se si e ndërtoi dhe e ngriti ajo për birin e saj të ardhmen e tij në fe dhe çështjet e kësaj bote me lutje. Ai është brezi i vetëm dhe i pashoq i shokëve të Profetit, të cilët ditën të marrin, të kuptojnë dhe të zbatojnë nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të.
I Dërguari i Allahut e shpërblen Ibn Abasin, një djalosh, për shkak të përgatitjes së enës për të marrë abdest i Dërguari i Allahut, pa e kërkuar djaloshi për t’u lutur për të. Shënon Buhariu nga Abdullah b. Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, hyri në nevojtore dhe unë ia përgatita enën për të marrë abdest. Ai tha: "Kush e ka vënë këtë?” Unë e lajmërova, kurse ai tha: "O Zot, thelloje në dituri dhe mundësoja ta kuptojë fenë!” Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së tij dhe Ibn Abasi bëhet det i këtij umeti në dije dhe interpretues i Kuranit.
Nëse ata janë modeli dhe shembulli ynë, atëherë Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i ndjekim ata. Allahu i Madhërishëm thotë: "Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, prandaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (En’am, 90) Allahu i Lartësuar gjithashtu na lajmëron se i Dërguari i Tij është modeli më i mirë për ne për të gjitha çështjet: "Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab, 21).

Në këta hapa kanë ecur edhe gjeneratat e para

Ata i shohim se si kujdesen në shpeshtimin e lutjes për fëmijët e tyre. Fudajl b. Ijadi, zotëri i këtij umeti, një ndër dijetarët e mëdhenj të këtij umeti, lutet për djalin e tij, Aliun, Allahu e mëshiroftë, kur ai ishte i vogël, me fjalët: "O Allah! Ti e di që unë u përpoqa ta edukoja djalin tim Aliun, por nuk munda. O Allah, ma eduko atë!” Ai është kujdesur shumë për edukimin e tij, mirëpo ai e di se e tërë çështja është në dorë të Allahut, prandaj i lutet dhe i përgjërohet Atij për përmirësimin e djalit të tij. Allahu i përgjigjet lutjes së tij, ia përmirëson djalin, bile nga disa dijetarë Ali b. Fudajli konsiderohet më i mirë sesa babai i tij, me gjithë respektin dhe vlerën e madhe të babait të tij, Allahu i mëshiroftë të dy. Fragmente të tilla janë të shumta, por nuk dëshirojmë të zgjerohemi më shumë.

Ki kujdes lutjen kundër fëmijëve të tu.

Një fakti që duhet të jetë i ditur dhe i ngulitur thellë në zemrat e prindërve është se lutja kundër fëmijëve është prej gjërave të ndaluara, që nuk duhet të praktikohet në asnjë situatë. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka ndaluar lutjen kundër fëmijëve. Ai thotë: "Mos u lutni kundër vetvetes, mos mallkoni pasurinë tuaj e as mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, se ndodh që të qëlloni orën kur Allahu i pranon lutjet, e ato pranohen”

Prindi mund të zemërohet për shkak të veprimeve të këqija të fëmijës ose për shkak të mosrespektimit të tij dhe është e drejtë e tyre të zemërohen, mirëpo nuk duhet që në këtë situatë të lutet kundër fëmijës, ngase do të jetë i pari që do të pikëllohet dhe shqetësohet nëse e godet ndonjë e keqe fëmijën e vet. Prindi ose prindërit le ta kujtojnë se lutja e tyre për ose kundër fëmijës është prej lutjeve që pranohen. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, na ka lajmëruar lidhur me këtë me fjalët: "Tri lutje pa dyshim pranohen e nuk refuzohen... njëra prej tyre "lutja e prindit për fëmijën e tij”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet "lutja kundër tij”.
Pranimi i lutjes kundër fëmijës mund të jetë shkak për shtimin e mosrespektimit dhe prishjes për atë që ka bërë lutje kundër tyre. Një burrë erdhi te Abdullah b. El Mubareku, Allahu e mëshiroftë, duke iu ankuar për mosrespektimin e fëmijës. Ibn Mubareku e pyeti: "A je lutur kundër tij?” Tha: "Po” Tha: "Shko, ti tashmë e ke prishur.” Kjo përgjigje e tij dëshmon për horizontin e gjerë të dijes së tij. Lutja kundër fëmijëve do t’u shtojë atyre vetëm se prishje, kryeneçësi dhe mosrespektim. I pari që do të ankohet për këto është ai që ka shpejtuar me lutje kundër fëmijëve. Allahu i udhëzoftë fëmijët tanë, na i përmirësoftë trashëgimtarët tanë, i bëftë ata prehje për sytë tanë në këtë botë dhe në botën tjetër. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.



Përgatiti: Almedin Ejupi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.