Si t’i qasemi Kur’anit famëmadh

Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:

“Është e vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh”. (El Isra, 9)

“Ne të shpallim Kur'anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.” (El Isra, 82)

“Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t'i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e Allahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). Allahu është ngadhënjyesi i urtë”. (Llukman, 27)

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Ibadeti më i mirë i Ummetit tim është leximi i Kur’anit” – dhe thotë: “Sikur Kur’ani të ishte i shkruar në lëkurën e paregjur, zjarri nuk do ta digjte”.
Gjithashtu thotë:
“Nuk ka ndërmjetësues më të mirë ditën e Gjykimit, te Allahu, se Kur’ani, as nga Pejgamberët s.a.v.s., melekët ose dikush tjetër”.
Kupto se leximi i Kur’anit i ka rregullat e tij dhe fshehtësitë.
Rregullat e jashtme janë tre:
1. Ta lexosh me respekt dhe nderim. Pozita e respektit ndaj Kur’anit fisnik është që ta lexosh me abdest, i qetë, i kthyer kah kibla, jo i mbështetur, jo këmbëkryq, apo duke qenë i përgjumshëm. Duhet ta lexosh me kujdes duke theksuar çdo (germë) shkronjë dhe jo shpejtë. Ibn Abbasi r.a. ka thënë: “Të lexoj kaptinat »Zilzal« dhe »Kariah« duke menduar për kuptimin e tyre, për mua është më e dashur se leximi i shpejtë i kaptinave »Bekare« dhe »Ali Imran«.
2. Kohë pas kohe ta lexosh në këmbë në namaz, e sidomos në xhami natën, sepse zemra natën është më e pastër dhe jo e ngarkuar me mendime. Për këtë Allahu xh.sh. i ka lavdëruar duke thënë: “Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë....” (Ali Imran, 191).
Imam Aliu r.a. ka thënë: “Kush lexon Kur’an në këmbë gjatë namazit për çdo shkronjë i ka njëqind thevape, kush lexon Kur’an jashtë namazit me abdest, për çdo shkronjë i ka 25 thevabe, dhe kush lexon pa abdest i ka dhjetë thevabe.
3. Shkalla më e ulët e leximit është që hatma të bëhet çdo muaj, ndërsa më e larta që hatma të bëhet çdo tre ditë.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush e lexon Kur’anin për më pak se tre ditë nuk e ka kuptuar”.
Mesi në mes këtyre dy gjendjeve është që Kur’ani të përfundohet çdo javë, ndërsa leximi i hatmes për çdo ditë nuk është e lavdëruar. Ilaçi është i dobishëm për të sëmurin, por dozimi i tepërt (predozimi) mund të jetë vdekjeprurës.
Fshehtësitë e leximit janë pesë:
1. Fillimisht të jesh i vetëdijshëm se Kur’ani është fjalë madhështore e përkryer, sikur që është i Lartëmadhëruar Ai i cili e ka shpallur dhe kështu në zemër të paramendosh Arshin, Kursin, qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet në mes tyre, melekët, exhinët, njerëzit, kafshët, bimët, mineralet, duke menduar se ato kanë një Krijues, të cilit i binden të gjithë. Duhet të mendosh dhe dëshirosh që të mësosh fjalën e Tij, dhe nëpërmes fjalës së Tij të shikosh cilësitë e Tij, duke zbuluar bukurinë e diturisë dhe urtësisë së Tij. Gjithashtu, sikur që Kur’ani nuk mund të preket pa pastërtinë e jashtme, ashtu edhe zemra duhet të jetë e pastër. Nga frikërespekti Ikrime kur e hapte Kur’anin i binte të fikët duke thënë: “Kjo është fjalë e Zotit tim”. Dije se shkëlqimin e fjalës madhështore të Allahut xh.sh., sikur mos të ishte e mbuluar me shkronja, fuqia e njeriut nuk do të mund ta duronte dëgjimin e tij, për shkak të lartëmadhërisë së tij, shprehjes dhe ndriçimit të tij. Sikur Allahu xh.sh. mos ta fuqizonte Musain a.s. nuk do të mund ta dëgjonte fjalën e Tij të liruar nga shkronjat dhe zëri, mu sikur kodra që nuk mundi ta përballoj paraqitjen e Tij dhe u bë pluhur. Për këtë Allahu xh.sh. thotë: “Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur'an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë”. (El Hashr, 21).
2. Ta lexosh duke menduar për kuptimin e tij. Imam Aliu r.a. ka thënë: “Nuk ka dobi nga ibadeti pa kuptim, si dhe nga leximi pa meditim”. Ruaju e mos u kreno se ke lexuar shumë hatme, sepse një ajet nëse e lexon gjatë natës duke menduar për kuptimin e tij është më e vlefshme se sa me lexuar dy hatme. Pejgamberi s.a.v.s. lexonte »Bismilahirr – Rrahmanir – Rrahim« Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit, dhe këtë e përsëriste njëzet herë. Ebu Derda r.a. ka thënë: “Njëherë Pejgamberi s.a.v.s. u ngrit me ne në namazin e natës duke e përsëritur pa ndërprerë ajetin: »Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti«. (El Maide, 118). Temim ed Darij r.a. tërë natën e kaloi duke e përsëritur ajetin: »A menduan ata, të cilët vepruan në të këqija, se në jetën e tyre dhe në vdekjen e tyre do t'i bëjmë të barabartë me ata që besuan dhe bënë vepra të mira? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre?« (Xhathije, 21). Seid bin Xhubejri r.a. tërë natën kaloi duke lexuar ajetin: »E tash, o ju kriminelë, ndahuni!« (Ja Sin, 59). Një dijetar kishte thënë: “Çdo javë bëjë hatme, çdo muaj bëjë hatme, çdo vit bëjë hatme, por kam hatme që e kam filluar para 30 viteve dhe ende nuk e kam përfunduar”.
3. Në mendimet tua të korrish frutat e njohjes nga degët e saj, duke kërkuar margaritarët e dëshiruar. Mos e shiko Kur’anin vetëm nga një prizmë.
4. Të lirohesh nga ajo që të pengon të kuptuarit e tij, e këto janë perdet. I Lartësuari thotë: “Ka prej tyre që ty të dëgjonë (kur lexon Kur'anin). Po Ne kemi krijuar mbulesë mbi zemrat e tyre që të mos e kuptojnë atë...” (El En’amë, 25). Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Sikur shejtanët mos të mbulonin zemrat e njerëzve ata do të shihnin atë çfarë ndodhë në qiej”. Dije se kuptimi i fshehtë i Kur’anit është nga bota e fshehtë, ndërsa shkronjat janë nga bota e dukshme. Tek disa ekzistojnë perdet e dyshimit, tek disa perdet e dunjasë e te disa perdet e epsheve të cilat i mbulojnë zemrën. Mu për këtë është e qartë, përse nuk mund të arrijnë kuptimin e Kur’anit dhe dritën e tij. Me këto perde shumica janë të mbuluar. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur’ani ka kuptimin e jashtëm dhe të brendshëm, të kufizuar dhe të pakufizuar”. Ai i cili kufizohet me kuptimin e jashtëm, atëherë është e pamundur që t’i zbulohen të fshehtat e Kur’anit. Si mund t’i kuptojë fjalët e Allahut xh.sh. »Nuk do të më shohësh«, dhe si do të kuptojë se në këtë botë nuk mund ta shohë me këta sy që janë të kufizuar në hapsirë. Dhe si do t’i koordinojnë fjalët e Allahut të madhërishëm: “Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshinë Atë, e Ai i përfshinë të parët”. (El En’amë, 103). Me fjalët: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë.” (El Kijame, 22 – 23). Të mjafton ky shembull që të kuptosh realitetin.
5. Të lexosh ajetet e Kur’anit fisnik duke u pajisur me cilësitë e atij ajeti, dhe nga çdo kuptim të formosh gjendje (hal) të re. P.sh. kur përmendet mëshira, falja, të jesh i gëzuar sikur me qenë në krahët e lumturisë, ndërsa kur përmendet hidhërimi, ashpërsia e dënimit, të jesh i frikësuar si në vdekje. Kur përmendet Allahu xh.sh., emrat e Tij dhe Lartëmadhëria e Tij, të ulësh kokën të strukesh sikur të mos ekzistosh fare nga ndjenja e Fuqisë dhe Madhështisë së Tij. Kur përmenden pabesimtarët ose ata që i përshkruajnë Zotit fëmij ose ortak, të ulësh zërin, të rrënohesh nga turpi ndaj Allahut xh.sh. Leximin ta shoqërosh me vaj, turp, dridhje e djersitje, rrënqethje të lëkurës nga frikërespekti i fjalës së Allahut xh.sh. Pra mundohu që gjatë leximit të merr pjesë tërë organizmi, sepse Kur’ani i plotëson tri botët tuaja; botën psiqike, shpirtërore dhe botën fizike.
Dije se drita e pastër e njohurisë shkëlqen nga bota hyjnore në zemër. Andaj lumturia, frika, frikërespekti dhe gjendjet tjera janë nga bota psiqike dhe vendi i tyre është krahërori. Nëse mendon në zemrën si një copë mishi, atëherë je largë nga njohja e brendisë, sepse kjo zemër, si një copë mishi gjendet te kafshët dhe te ngordhësirat, por në ato zemra nuk zbret drita e njohurisë dhe diturisë si dhe nuk pasqyrohet frika, devotshmëria dhe lumturia. Andaj nëse dëshiron të shijosh diçka nga këto fshehtësi, e unë e di se dëshiron, por shejtani të ngulfatë me litarin e epsheve, andaj ke kujdes në Tevhid.
Dije se Kur’ani është sikurse Dielli, nga i cili rrjedhin fshehtësitë e njohjes në zemër, mu sikur rrezet e Diellit që bijnë në tokë duke i dhënë jetë.
Frikërespekti është një gjurmë e dritës së njohjes dhe Allahut xh.sh. më së shumti i frikësohen të diturit.
Mundohu që zemrën tënde ta kthesh kah dielli i Kur’anit, duke u ndriçuar me shkëlqimin e tij. Dëgjo thirrjen e cila vjen kah ana e djathtë e Turit dhe kur të shohësh shkëlqimin e zjarrit, merr një dru dhe ndize llampën dhe nëse e ke vajin si duhet do të ndiçojë pa e prekur zjarri, dhe ajo dritë do të jetë udhëzuese për ty mu sikurse Dielli i zjarrtë i cili shkëlqen pa pra. Përqafoje fuqishëm me tërë qenien tënde dritën e Allahut xh.sh.



Përgatiti: Prim.dr.sci.med. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.