Sexhdetu Tilave (Sexhdeja e leximit të Kuranit)

Sexhdetu tilave është një akt përuljeje ndaj Allahut Fuqiplotë, e shkaku është leximi i disa ajeteve në Kuran, që kërkohet të bëhen të bëhen në këtë sexhde.

Dispozita – Hukmi

Ndër katër shkollat juridike të njohura në Botën Islame vetëm tek Hanefitë është vaxhib, e tek tri të tjerat është synet. Hanefitë dispozitën vaxhib të kësaj sexhdeje e mbështesin në hadithin e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë: “Kur ta lexojë biri i Ademit (ajetin) sexhden, shporret shejtani duke qarë dhe thotë: Oh, mjerë unë, u urdhërua biri i Ademit me sexhde dhe e bëri, për të do të ketë xhenet, edhe unë u urdhërova, po refuzova, e unë do të jem në xhehenem”.

Ajetet që e bëjnë vaxhib sexhden në Kuran, i hasim në tri rrafshe kuptimore, e ato janë:

1. Urdhri i qartë për sexhde,
2. Ngjarje që rrëfen Kurani për përçmimin e kufrit me sexhde dhe
3. Rrëfimi që bën Kurani për sexhdet e Pejgamberëve.

Të gjitha këto elemente që u cekën më lart, kanë për qëllim kundërshtimin e kufrit, i cili është patjetër vaxhib, por për arsye se argumenti ka ardhur në trajtën dhanije (në trajtë indirekte), ka ngelur dispozita vaxhib, se përndryshe do të ishte kjo sexhde farz.
Argumentimi për dispozitën synet që e bëjnë shkollat e tjera juridike, bazohen në tekstet në vijim: “Transmetohet nga Zejd bin Thabiti, i cili ka thënë: “E lexova në prani të Pejgamberit a.s. suren En-Nexhm, dhe askush prej nesh nuk bëri sexhde”. Transmetohet se Omeri r.a. në ditën e xhuma ishte në foltore kur lexoi suren En-Nahl derisa arriti tek ajeti i sexhdes, e në këtë çast zbriti nga minberi dhe bëri sexhden, edhe të pranishmit
e bënë gjithashtu, xhumanë tjetër të radhës lexoi përsëri ajetin e sexhdes dhe tha: ‘O njerëz, ne po urdhërohemi për sexhde, kush e bën, ia ka qëlluar, e kush nuk e bën, nuk do të ketë mëkat”. Në një transmetim tjetër: “Vërtet
Allahu nuk e obligoi për ne sexhden përveçse kush dëshiron”. Ndërkaq, në ajetin që do të pasojë, apostrofohen qartë mohuesit, ata që refuzojnë sexhden: (Shih: El Inshikak, 21)

Disa rregulla, që kanë të bëjnë me sexhden e leximit të Kuranit

Ajetet e sexhdes mund të lexohen në namaz dhe jashtë namazit. Nëse ajetet e sexhdes lexohen jashtë namazit, sexhdeja obligohet me mundësi vonimi, porse lënia për më vonë pa arsye, është mekruhi tenzihen.
Në rastet kur ajetet e sexhdes lexohen brenda namazit, sexhdeja është obligim i menjëhershëm.
Nëse një namazli është duke u falur dhe dëgjon ajetin e sexhdes tek e lexon ndonjë person që është jashtë namazit, ai sexhden e leximit nuk e bën duke qenë në namaz, por pas namazit. Kur e lexon ajetin e sexhdes dhe nëse ndërpret leximin e Kuranit me përfundimin e ajetit të sexhdes, për namazliun nuk është kusht që të zbatoj sexhde të veçantë për të, porse ajo përfshihet në rukunë e tij, nëse ka bërë nijet, ose në sexhden e tij pavarësisht nëse e ka bërë nijet ose jo. Ndërsa në rastin kur namazliu leximin e Kuranit nuk e përfundon me ajetin e sexhdes, po pas atij ajeti lexon tre apo më shumë ajete, atëherë është i obliguar ta bëjë sexhden e leximit të veçantë. Mënyra e aplikimit të sexhdes së leximit është kryerja e një sexhdeje në mes dy tekbireve, që rezulton me tekbirin para sexhdes, që thuhet duke rënë në sexhde, dhe me tekbirin pas sexhdes, duke u ngritur nga sexhdeja. Gjatë sexhdes së leximit të Kuranit nuk ka ngritje të duarve, as teshehud, dhe as selam, ndërsa nëse kemi qenë ulur, preferohet ngritja në këmbë për ta bërë sexhden.
Duke qenë në sexhde thuhet tri herë “Subhane Rabijel eala”, e nëse nuk thuhet asgjë, nuk prish punë për arsye se kjo sexhde nuk është më e fuqishme se sexhdeja e namazit, pastaj, duke thënë tekbirin, ngrihet në këmbë pa ndenjur në ettehijat.

Kurani fisnik ka gjithsej 14 ajete për të cilat duhet të bëhet sexhede:

1. El A’raf, 206 8. En-Neml, 25
2. Er-Ra’d,15 9. Es-Sexhdeh, 15
3. En-Nahl, 50 10. Sad, 24
4. El Isra, 109 11. Fussilet, 37
5. Merjem, 58 12. En-Nexhm, 62
6. El Haxhxh,18 13. El Inshikak, 20
7. El Furkan, 60 14. El Alek, 19

Obligueshmëria e sexhdes përsëritet për dëgjuesin, me ndërrimin e mexhlisit. Nga kjo nënkuptohet se, nëse lexuesi i Kuranit e përsërit ajetin e sexhdes disa herë në të njëjtin mexhlis pa u shpërndarë, atëherë edhe për lexuesin edhe për dëgjuesin obligohet vetëm një sexhde. Mirëpo, nëse ajeti i sexhdes lexohet në shumë vende, atëherë për secilën herë obligohet sexhdeja e leximit, si për lexuesin ashtu dhe për dëgjuesin. Nëse lexohen shumë ajete që kanë sexhde, atëherë për secilin ajet duhet bërë sexhde. Është mekruh tahrimen që të lexohet surja që ka ajet të sexhdes dhe të braktiset ajeti i sexhdes, e të vazhdohet me suren tjetër, por e kundërta nuk është mekruh, do të thotë që të vetmohet ajeti i sexhdes në lexim, por është më e vlefshme që pas ajetit të sexhdes të lexohen edhe ajete të tjera.


__________________________________
1) Dr. Kamil Musa Ahkamul, Ibadat, f. 209.
2) Eshejh Elmuhadith Elmufesir Muhamed Abdullah bin Muslim Elbehlevi , Ediletul Hanefije minel Ehadith En-nebevije alel Mesail Elfikhije, f. 231.
3) Ebul Ihlas Hasen bin Amar,Nurul Idah Ve nexhatul ervah fil fikhil Hanefij, fq. 98.
4) Dr. Vebetu Zuhajli El fikhul Islami ve ediletuhu, f. 141.
5) Jusuf Zimeri Fikhu el Islam, f. 174



Ibrahim Beqiri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.