Sahihul Buhari - kreu i parë

Sahihul Buhari - në gjuhën shqipe
KREU - I -rë

Fillimi i Shpalljes

1. Na ka treguar Humejd Abdullah b. Zubejri, këtij Sufjani, këtij Jahja b. Se'id Ensariu, e këtë e kishte njoftuar Muhammed b. Ibrahim Tejmiu se e ka dëgjuar Alkame b. Vekkas Lejthiun duke thënë: E kam dëgjuar Omer b. Hattabin r.a. kur në minber tha se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë:
"Veprat çmohen vetëm sipas qëllimeve. Çdonjërit i takon vetëm ajo për të cilën ka menduar (ka për qëllim). Kush shpërngulet me qëllim që të arrijë të mira në këtë botë, ose për shkak të femrës me të cilën do të martohej, shpërngulja e tij do të jetë ajo për të cilën edhe është shpërngulur."
2. Na ka treguar Abdullah b. Jusufi, ky nga Maliku, ky nga Hisham b. Urve, ky nga babai i tij, ky nga Aishah r.a., e cila transmeton se Harith b. Hishami r.a. e ka pyetur Pejgamberin s.a.v.s.:
"O Resulullah, si të vjen ty Shpallja (Vahji)?'
Pejgamberi s.a.v.s. i qe përgjigjur:
'Herë-herë më vjen si tingujt e ziles. Kjo për mua është mënyra më e vështirë e Shpalljes, e më ndërpritet pasi ta kem mbajtur në mend atë që më është thënë. Dhe, herë-herë meleku (Xhibril) më paraqitet në formë njeriu. Ai më flet dhe unë e mbaj në mend atë që më thotë.'
Aishah r.a. është shprehur kështu:
'E kam parë atë (Pejgamberin s.a.v.s.) duke i zbritur atij Shpallja në ditët shumë të ftohta dhe kur i ndërpritej (Shpallja), vërtet, ballin ende e kishte qull me djersë'."
3. Na ka treguar Jahja b. Bukejri, këtij Lejthi, ky nga Ukajli, ky nga Ibni Shihabi, ky nga Urve b. Zubejri, ky nga Aishah r.a., e cila ka thënë:
"Kur Pejgamberi s.a.v.s. për herë të parë ka filluar ta marrë Shpalljen, ishin ato ëndrra të mira që i përjetonte në gjumë. Nuk ka pasur ndonjë ëndërr që nuk do t'i dilte qartë si agimi i mëngjesit. Pastaj ai u dashurua në vetmi. Vetmohej në shpellën Hira dhe aty ruhej (nga gabimet) dhe lutej me net të tëra, para se të zbriste te familja e tij që të furnizohej me ushqim për këtë qëllim. Pastaj kthehej te Hatixheja dhe furnizohej si më parë. (Kështu veproi) derisa i erdhi E VËRTETA kur ai ndodhej në shpellën Hira.
I erdhi meleku dhe i tha: 'Ikre', d.m.th. 'Lexo, mëso!'
'Nuk di të lexoj' - iu përgjigj (Pejgamberi s.a.v.s.).
'Më mori', - tha ai (Muhammedi a.s.) - 'dhe më shtrëngoi aq sa më kaploi mundimi, e pastaj më lëshoi dhe më tha: 'Ikre', d.m.th. 'Lexo, mëso!'
'Nuk di të lexoj,' - 'i thashë, e ai (Xhibrili) më mori edhe për herë të dytë më shtrëngoi derisa më kapi mundimi, pastaj më lëshoi dhe më tha:
"Lexo! Me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Ka krijuar njeriun nga Alak (copë gjaku e mpiksur në mitrën e nënës). Lexo! Dhe Zoti yt është më i Begati Dhurues." (Al 'Alak: 1-3).
Pastaj, Pejgamberi s.a.v.s. u kthye, e duke iu dridhur zemra (nga frika), hyri te Hatixhe b. Huvejlidi r.a. të cilës i tha: 'Më mbuloni! Më mbuloni!' E mbuluan derisa i kaloi frika. Pasi ia tregoi ndodhinë Hatixhes, tha: 'Po frikohem!' ndërkaq Hatixheja ia ktheu: 'Jo, për Zotin, kurrsesi! Allahu nuk të turpëron dhe nuk të lëshon ty asnjëherë, sepse ti i viziton të afërmit, po u ndihmon jetimëve dhe atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.'
Atëherë Hatixheja e çoi te djali i mixhës së vet, Vereka b. Neufel b. Esed b. Abdi Uzza. Ky njeri e kishte pranuar krishterimin në kohën e xhahilijetit. E dinte mirë shkrim-leximin hebrej dhe përshkruante (transkriptonte) nga Inxhili në gjuhën hebreje, atë që Allahu xh.sh. donte të shkruhej. Ishte plak i këputur (shumë i moshuar) dhe, vërtet, ishte verbuar.
Hatixheja i tha (Verekës):
'O djal i xhaxhait, dëgjo diç nga djali i vëllait tënd!'
Vereka i tha (Muhammedit a.s.):
'O djal i vëllait tim, ç'është ajo që ke parë?'
Pejgamberi s.a.v.s. ia shpjegoi Verekës ndodhinë që e kishte përjetuar, e Vereka i tha:
'Ai është Namusi, të cilin Allahu ia dërgoi Musait. Ah, ta kisha fatin të isha i ri në ditët e thirrjes sate. Ah, ta kisha fatin të isha gjallë kur populli yt do të dëbojë.'
'A thua do të më dëbojë? - pyeti (Pejgamberi s.a.v.s.).
'Po' - tha ai - 'sepse asnjëherë askush nuk ka sjellur diç t ngjashme si ti, e që nuk është sulmuar. Po të jem gjallë, do të ndihmoj ty sa të mundem.'
Nuk kaloi shumë pas kësaj e Vereka vdiç. Edhe Shpallja për një kohë pushoi.
4. Ka thënë Shihabi: Më ka njoftuar Ebu Seleme b. Abdurrahmani, se me të vërtetë, Xhabir b. Abdullahu Ensariu ka thënë: Ai (Pejgamberi s.a.v.s.) në një fjalim të tij, duke folur për pushimin (ndërprerjen e përkohshme) e Shpalljes, ndër të tjera tha:
"Unë duke ecur (një ditë), dëgjova një zë nga qielli. E ngrita shikimin lart dhe pashë të njëjtin melek i cili më vinte në shpellën Hira; rrinte ulur një në pozitë në mes qiellit dhe tokës. U ktheva (në shtëpi) dhe ashtu i frikësuar, thashë: 'Më mbuloni!'
Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar shpalli ajetet e Kur'anit:
"O ti (Muhammed) i mbështjellur në rroba! Ngrihu dhe këshillo! Dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe rrobat e tua i pastro! Dhe larg nga Er-Ruxhz (idhujt) qëndro!" (El Muddethir: 1-5).
Prej këtij momenti, Shpallja vazhdoi t'i arrijë rregullisht.
(Vargu tjetër i transmetuesve për hadithin e lartëpërmendur) është: Jahjain e ndjek Abdullah b. Jusufi dhe Ebu Salihu, këta i ndjek Hilal b. Reddadi duke transmetuar nga Zuhriu. Ndërkaq, Junusi dhe Ma'meri kanë thënë: 'I janë dridhur nënsqetullat'."
5. Na ka treguar Musa b. Ismaili, këtij i ka treguar Ebu Avane, këtij Musa b. Ebi Aishe, këtij Se'id b. Xhubejri nga Ibni Abbasi r.a., i cili për Fjalën e Allahut të Madhëruar: " (O Muhammed) mos e shqipto me gjuhën tënde kur e këndon atë (Kur'anin), për ta përvetësuar me të shpejtë! (El Kijameh: 16), tha:
"Pejgamberi s.a.v.s. shumë përpiqej për ta mbajtur në mend Shpalljen dhe për këtë shkak i lëvizte buzët gjithnjë.' Duke e thënë këtë, Ibni Abbasi vazhdoi:
'Edhe unë po i lëviz buzët para jush, ashtu siç i lëvizte Pejgamberi s.a.v.s., kurse Se'idi i ka thënë (Musait):
'Ja, edhe unë po i lëviz buzët ashtu siç e kam parë Ibni Abbasin duke i lëvizur.'
Allahu i Madhëruar lidhur me këtë, e ka shpallur ajetin e Kur'anit:
"(O Muhammed) mos e shqipto me gjuhën tënde kur e këndon atë (Kur'anin), për ta përvetësuar me të shpejtë! Është për Ne ta mbledhim atë dhe të të japim ty aftësinë për ta kënduar atë (Kur'anin). (El Kijameh: 16, 17).
Ibni Abbasi (këtë ajet) e ka shpjeguar:
'Të është tubuar (Kur'ani) në gjoksin tënd dhe ti me lehtësi do ta lexosh atë.' Pastaj ajetin:
"Dhe kur Ne ta lexojmë atë ty (me anë të Xhibrilit), atëherë ti përcille leximin e tij." (El Kijameh: 18).
Ibni Abbasi e komenton: 'Dëgjo dhe hesht!' Ndërkaq ajetin:
"Dhe pastaj është detyrë e Jona që ta bëjmë atë ty të qartë." (El Kijameh: 19).
(Ibni Abbasi) e komenton:
'Vërtet, detyra jonë është që ti pastaj me lehtësi ta mësosh atë.'
Pas kësaj, sa herë që vinte Xhibrili, Pejgamberi s.a.v.s. vetëm do ta dëgjonte, e kur shkonte ai, Pejgamberi s.a.v.s. i përsëriste (ajetet e Kur'anit) pikërisht ashtu siç i kishte lexuar Xhibrili."
6. Na ka treguar Abdani, këtij Abdullahu, këtij Junusi, i cili ka transmetuar nga Zuhriu, kurse sipas një vargu tjetër të transmetuesve, qëndron: Na ka treguar Bishr b. Muhammedi, këtij Abdullahu që ka thënë se e ka njoftuar Junusi dhe Ma'meri, duke transmetuar nga Zuhriu, ky nga Ubejdullah b. Abdullahu, ky nga Ibni Abbasi r.a., i cili ka thënë:
"Pejgamberi s.a.v.s. ishte njeriu më shpirtgjerë e më bujarë, e më shpirtgjerë ishte në Ramazan, kur i vinte Xhibrili, e Xhibrili i vinte çdo mbrëmje të muajit Ramazan dhe ia mësonte Kur'anin. Pejgamberi s.a.v.s. për punë të mira, ishte më zemërgjerë se era e dërguar."
7. Na ka treguar Ebu-l-Jeman Hakem b. Nafiu duke transmetuar nga Shu'ajbi, ky nga Zuhriu, ky nga Ubejdullah b. Abdullah b. Utbe b. Mes'udi, këtij i ka thënë Abdullah b. Abbasi se e ka njoftuar Ebu Sufjan b. Harbi se Herakleu ka dërguar pas tij (Ebu Sufjanit) përfaqësues te një karvan i kurejshitëve, të cilët kishin ardhur si tregtarë në Sham (Damask) mu në kohën kur Pejgamberi s.a.v.s. kishte lidhur marrëveshje paqësore me Ebu Sufjanin dhe me pabesimtarët tjerë të fisit Kurejsh. Ata (Ebu Sufjani me shokët e vet) erdhën në Jerusalem. Herakleu i thirri në rezidencën e tij, e tek ai ishin edhe krerët (paria) bizantine. Kur Herakleu i thirri ata, e thirri edhe përkthyesin e vet dhe (përmes tij) pyeti:
"Cili njeri është më i afërt për nga origjina me atë njeri që vërteton për vete se është Pejgamber?'
'Unë, i thashë, jam më i afërt me të për nga afria farefisnore', tha Ebu Sufjani.
'Ma afroni, tha ai (Herakleu), edhe shokët e tij afroni, por rradhitni pas tij!'
Pastaj Herakleu iu drejtua përkthyesit të vet: 'Thuaju atyre se unë do ta pyes këtë (duke menduar në Ebu Sufjanin) për atë njeri (për Muhammedin a.s.) dhe çka të më gënjejë, ju tregoni se po gënjen!'
(Ebu Sufjani) tha: 'Për Zotin, po të mos turpërohesha se do të mund të më zbulonin (shokët e mi) se gënjej, unë për të edhe do të gënjeja diçka.' Pyetja e parë që ma shtroi ishte:
'Si çmohet origjina e tij në mesin tuaj?'
'Ndër ne ai njifet se ka origjinë të ndershme' - i thashë.
'A ka folur ndonjë prej jush para tij ndonjëherë kështu?' - pyeti.
'Jo, nuk ka folur.' - u përgjigja.
'A ka qenë mbret ndonjë nga të parët e tij?' - pyeti (Herakleu).
'Jo, nuk ka qenë' - i thashë.
'A e përkrahin atë njerëzit e lartë apo masat e gjera?' - pyeti ai.
'Masat e gjera, gjithsesi' - i thashë.
'Numri i tyre rritet apo pakësohet?' - pyeti.
'Nuk pakësohet, por përkundrazi, rritet' - i thashë.
'A e lëshon fenë e tij ndonjë pasi ta ketë pranuar, duke e urrejtur atë?' - pyeti.
'Jo' - thashë.
'A e keni fajësuar për rrenë, para se të fillojë të shpall atë që po shpall tash?' - pyeti.
'Jo' - u përgjigja.
'A e then fjalën e dhënë?' - pyeti.
'Jo, por tash jemi në një marrëveshje paqësore me të, e nuk dimë se si do të veprojë' - u përgjigja.
Ebu Sufjani pastaj tha (thotë transmetuesi): 'Përveç këtyre fjalëve që i thashë, asnjë përgjigje nuk më dha mundësi që për të të hedh çfarëdo lloj dyshimi.'
Herakleu vazhdoi të pyes:
'A keni luftuar kundër tij?'
'Po' - i thashë.
'Si ka qenë rezultati i luftës me të?' - pyeti.
'Lufta mes nesh dhe atij ka qenë me përfundime të ndryshme, nganjëherë fitonte ai, e nganjëherë fitonim ne' - i thashë.
'Çka ju urdhëron?' - pyeti Herakleu.
'Na urdhëron' - i thashë: 'Adhuroni vetëm Allahun, mos i bëni shok Atij, lëreni atë që u thonë prindërit tuaj; na urdhëron namazin, sinqeritetin, virtytet e larta morale dhe bashkimin.'
Pasi i bëri të gjitha këto pyetje, (Herakleu) i tha përkthyesit të vet: Thuaj këtij (Ebu Sufjanit):
'Të pyeta për origjinën e tij, e ti më the se ai në mesin tuaj njihet se ka prejardhje të ndershme. Ajo është dukuri te të gjithë Pejgamberët; ata paraqiten nga familja më e lartë e popullit të tyre.
Të pyeta se a ka folur diçka të ngjashme ndonjëherë para tij ndokush prej jush, e ti u shprehe se jo, nuk ka folur. Po të them se po të kishte folur dikush diçka të ngjashme para tij, do të thoja se është njeri që lakmon fjalët e thëna përpara tij.
Të pyeta se a ka qenë mbret ndonjë nga të parët e tij; më the se nuk ka qenë, e unë po të them se po të kishte qenë mbret ndonjë nga të parët e tij, do të mendoja se ai është njeri, i cili kërkon pushtetin e babait të vet.
Të pyeta: a keni dyshuar se gënjen para se ka filluar të flasë atë që flet tash. U përgjigje, jo. Kam bindje të fortë se kur nuk e ka gënjyer popullin, si do të mund të gënjejë Allahun!
Pastaj, të pyeta: a e përkrahin njerëzit e lartë, apo masat popullore, e ti m'u përgjigje se e përkrahin masat e gjera. Po të them se pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë përkrahës të Pejgamberëve.
Të pyeta: Numri i tyre shtohet, apo pakësohet. Ti më përmende se numri i tyri shtohet. Ashtu është çështja e fesë dhe e besimit, derisa ajo të bëhet e plotë.
Pastaj të pyeta: a e ka lëshuar ndonjë fenë e tij (Islamin), duke e urrejtur atë, pasi ta ketë pranuar një herë. Ti u pergjigje jo, nuk e ka lëshuar. Po të them se ashtu është besimi (imani) kur dashamirësia e tij përzihet dhe mbizotëron zemrat e besimtarëve.
Të pyeta: a e then fjalën e dhënë. Më the, nuk e then. Të tillë janë Pejgamberët, ata nuk e thyejnë fjalën.
Të pyeta: çka ju urdhëron, e ti u përgjigje se ju urdhëron ta adhuroni Allahun dhe Atij të mos i bëni shok; ju ndalon t'i adhuroni idhujt dhe ju urdhëron namazin, sinqeritetin dhe vetitë e larta morale. Prandaj, nëse këto që i the janë të vërteta, ai së shpejti do të zotërojë tokën nën këto këmbët e mia. Unë, vërtet, e kam ditur se është paraqitur (Pejgamber), por nuk kam menduar (nuk kam besuar) se pikërisht është nga mesi juaj. Po ta di se, me të vërtetë do të jem i pranuar nga ai,
do të përpiqesha që të takohem me të. E, po të isha pranë tij, do t'ia kisha larë edhe këmbët.
Pastaj, Herakleu e kërkoi letrën e Pejgamberit s.a.v.s që ia kishte dërguar kryetarit të Busrës nëpërmjet Dihjes, i cili tashmë ia kishte dërguar Herakleut.
Herakleu e lexoi letrën në të cilën shkruante:
Bismi-l-Lahi-r-Rahmani-r-Rahim!
Nga Muhamemedi, rob i Allahut dhe Pejgamber i Tij,
Herakleut, mbretiz të Bizantit.
"Shpëtimi i takon atij që ndjek rrugën e drejë. Po të ftoj me ftesë islame: pranoje Islamin, do të jesh i lumtur dhe i shpëtuar! Allahu do të japë ty shpërblim të dyfishtë, e nëse nuk e pranon këtë ftesë, do të mbash në qafën tënde gjynahun e bujqve (të varfërve) të tu".
(Letra vazhdon me ajetin e poshtëshënuar):
"Thuaj (O Muhammed): "O ithtarë të Librave të Parë! (jehudi e të krishterë): Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe e përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, që të mos i vëmë shokë Atij në adhurim, dhe që asnjë prej nesh të mos marrë të tjerë për zot përveç Vetëm Allahut." Pastaj në qoftë se ata largohen, thuaju: "Dëshmoni për ne se jemi muslimanë (besimdrejtë)." (Al Imran: 64)
Ebu Sufjani vazhdoi të tregojë: Kur Herakleu tha atë që kishte për të thënë dhe kur mbaroi leximin e letrës, filloi zhurma rreth tij dhe u ngrit tensioni. Ne na nxorën nga ai tubim. (Kur mbeta vetëm me shokët e mi) u thashë atyre: 'Fama e Ibni Ebu Kebshes (Muhammedit a.s.) me të vërtetë është rritur, e ja, i frikohet edhe mbreti i rasës së verdhë - Bizantit (Beni Asfar - emërtim i arabëve për bizantinët).
Prej këtij çasti kam pasur bindjen e thellë se ai, me të vërtetë do të ngadhnjejë. Allahu edhe mua më bëri ta pranoj Islamin,' - tha Ebu Sufjani.
Ibni-n-Naturi, mëkëmbës i Jerusalemit (Ilijës), mik i Herakleut dhe peshkop i të krishterëve të Sirisë, ka thënë: Kur arriti Herakleu, ishte i mërzitur, prandaj disa nga patrikët i thanë: 'Të shohim paksa të mërzitur.'
Herakleu, tha ibni-n-Naturi, ishte astrolog dhe i vërente yjet. Kur e pyetën (çka shikon), u përgjigj: 'Kur i shikoja yjet një natë, kam vënë re se mbreti i popullit, që bëhet synet, po korr fitore. E kush bëhet synet?' - pyeti.
'Askush nuk bëhet synet përveç hebrenjve. Mos të të brengos pozita e tyre. Shpalle nëpër qytetet e mbretërisë sate që të gjithë hebrenjtë të vriten', i thanë ata.
Derisa ata ende ishin duke biseduar, Herakleut ia sollën njeriun të cilin e kishte dërguar mbreti i Gassanës të lajmërojë për Pejgamberin s.a.v.s. Kur Herakleu e pranoi atë në bisedë, tha: 'Shkoni dhe shikoni se a është bërë synet apo jo?' Ata e shikuan dhe e lajmëruan Herakleun se është bërë synet. Ai vazhdoi ta pyes edhe më për arabët, e njeriu u përgjigj: 'Ata bëhen synet'. Atëherë Herakleu tha: 'Ai (Muhammedi a.s.) është mbreti i këtij populli, pikërisht është paraqitur.'
Pastaj Herakleu i shkroi letër një miku të tij në Romë, i cili në dijeni ishte i barabartë me të, e pastaj u nis për në qytetin Hims. Derisa Herakleu ishte ende në Hims, i erdhi letër nga miku i tij, përmbajtja e së cilës pajtohej me mendimin e Herakleut lidhur me paraqitjen e Pejgamberit s.a.v.s. dhe se ai, me të vërtetë është Pejgamber i Allahut. Herakleu prandaj, i thirri në rezidencën e tij në Hims autoritetet e Bizantit dhe urdhëroi që së pari t'i mbyllin dyert. Doli para masës dhe tha:
'O popull i Bizantit! A dëshironi shpëtim!? A dëshironi rrugë të drejtë!? A dëshironi pushtet tuajin të gjatë!? (Nëse pajtoheni) atëherë bëhuni ithtarë të këtij Pejgamberi!'
Kur i dëgjuan këto fjalë, ata u vërsulën kah dera si gomarë të egër. Mirëpo, dyert ishin të mbyllura. Kur Herakleu shikoi mllefin e tyre për këtë besim, tha:
'Kthehuni nga unë!' e pastaj vazhdoi: 'Pak më parë e mbajta fjalimin tim për të vërtetuar qëndrueshmërinë dhe besnikërinë tuaj ndaj fesë suaj dhe, ja, tash jam i bindur.' Ata kur i dëgjuan këto fjalë, u përulën dhe u pajtuan me të.
Ky ishte fundi i rastit të Herakleut." Këtë e transmetojnë Salih b. Kajseni, Jusufi dhe Ma'meri nga Zuhriu.



KREU - 2.

Besimi (Imani)

8. Na ka treguar Ubejdullah b. Musa, këtij Handhale b. Ebu Sufjani, ky nga Ikrime b. Halidi, ky nga Ibni Omeri r.a., i cili ka thënë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Islami ndërtohet në pesë shtylla: dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se, vërtet, Muhammedi është Pejgamber i Tij; falja e namazit; dhënia e zekatit; haxhxhi dhe agjërimi i Ramazanit."
9. Na ka treguar Abdullah b. Muhammedi, këtij Ebu Amir Akadiu, këtë e kishte njoftuar Sulejman b. Bilali nga Abdullah b. Dinari, ky nga Ebu Salihu, ky nga Ebu Hurejre, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë:
"Besimi i përkryer përbëhet nga gjashtëdhjetë e sa degë (pjesë). Edhe turpi është pjesë e besimit (imanit)."
10. Na ka treguar Adem b. Ebu Ijasi, ky nga Shu'be, ky nga Abdullah b. Ebu Seferi dhe Ismaili, këta nga Sha'biu, ky nga Abdullah b. Amri r.a., e ky nga Pejgamberi s.a.v.s., i cili ka thënë:
"Musliman i vërtetë është ai, që nga gjuha dhe dora e tij janë të qetë muslimanët e tjerë, kurse shpërngulës (muhaxhir) i vërtetë është ai, i cili e largon atë që Allahu xh.sh. e ka ndaluar."
Ebu Abdullahu (Buhariu) për hadithin e lartëpërmendur jep edhe këtë varg të transmetuesve: Na ka treguar Ebu Muaviu, duke thënë se na ka treguar Davudi duke transmetuar nga Amiri, i cili ka thënë se e ka dëgjuar Abdullahun se transmeton nga Pejgamberi s.a.v.s.; kurse Ebul-l-A'lai transmeton nga Davudi, ky nga Amiri, ky nga Abdullahu, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s.
11. Na ka treguar Se'id b. Jahja b. Se'id Kurejshiu, këtij babai i tij, këtij Ebu Burde b. Abdullah b. Ebu Burde, ky nga Ebu Burde, ky nga Ebu Musai r.a., i cili ka thënë se e kanë pyetur Pejgamberin s.a.v.s.:
"O Resulullah, cili është muslimani më i vlefshëm?' Ai është përgjigjur: 'Ai, që nga gjuha dhe dora e tij janë të qetë muslimanët e tjerë'."
12. Na ka treguar Omer b. Halidi, këtij i kishte thënë Lejthi, duke transmetuar nga Jezidi, ky nga Ebu-l-Hajri, ky nga Abdullah b. Amri r.a. se një njeri e ka pyetur Pejgamberin s.a.v.s.:
"Çka është më së miri të punohet sipas Islamit?' Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: 'Ta ushqesh të uriturin dhe t'i japësh selam atij që e njeh dhe që nuk e njeh'."
13. Na ka treguar Museddedi, këtij i ka treguar Jahjai, ky nga Shu'be, ku nga Katade, ky nga Enesi r.a., e ky nga Pejgamberi s.a.v.s., ose: nga Husejni, ky nga Katade, ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s i cili ka thënë:
"Asnjëri nga ju nuk do të jetë besimtar i mirë derisa nuk ia dëshiron vëllait të vet atë që e dëshiron për vete".
14. Na ka treguar Ebu-l-Jemane, këtij i ka treguar Shu'ajbi, këtij Ebu-z-Zinadi, ky transmeton nga A'rexhi, e ky nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi s.a.v.s ka thënë:
"Betohem në Atë, në duart e të Cilit është jeta ime, se asnjë nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë, derisa unë nuk do të jem më i dashur se prindërit dhe fëmijët e tij".
15. Na ka treguar Ja'kub b. Ibraihimi, këtij Ibni Ulejje, ky transmeton nga Abdu-l-Aziz b. Suhejbi, ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s (sipas një senedi tjetër): Na ka treguar Ademi, ky nga Katade, ky nga Enesi, i cili ka treguar se Pejgamberi s.a.v.s ka thënë:
"Asnjë nga ju nuk do të jetë besimtar (i mirë) derisa unë nuk do të jem më i dashur te ai se prindët e tij, fëmija i tij dhe njerëzia përgjithësisht".
16. Na ka treguar Muhammed b. Muthennai, këtij i ka treguar Abdu-l-Vehhab Thekafiu, këtij Ejjubi, duke transmetuar nga Ebu Kilabe, ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s., i cili ka thënë:
"Ai që i ka tri cilësi, e përjeton kënaqësinë e besimit (imanit): që Allahu xh.sh. dhe Pejgamberi i Tij të jenë te ai më të dashur se çdo gjë tjetër; të dojë çdokënd, por vetëm në Emër të Allahut; të urrejë kthyerjen në mosbesim (kufër), ashtu siç urren të hudhet në zjarr."
17. Na ka treguar Ebu-l-Velidi, ky nga Shu'be, ky nga Abdullah b. Abdullah b. Xhebri që ka thënë se e kam dëgjuar Enesin kur ka transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.s., këtë:
"Dashuria ndaj Ensarëve është shenjë e besimit, ndërsa shenja e hipokrizisë (dyfytyrësisë) është urrejtja ndaj Ensarëve."
18. Na ka treguar Ebu-l-Jemani, i cili tha se e ka njoftuar Shu'ajbi nga Zuhriu, këtë e kishte njoftuar Ebu Idris Aidhullah b. Abdullahu se Ubade b. Samiti r.a., i cili kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe është njëri nga paria e fisit të vet që kishte marrë pjesë në bisedimet e natës së Akabes, ka treguar se:
"Kur një grup i sahabeve ishte rreth Pejgamberit s.a.v.s., ai (Pejgamberi s.a.v.s.) kishte thënë:
'Zotohuni se nuk do t'i bëni shok Allahut, se nuk do të vidhni, se nuk do të bëni zina (prostitucion), se nuk do t'i mbytni fëmijët tuaj, se nuk do t'i bëni shpifje tjetrit me ndonjë gënjeshtër për ta dobësuar (nënçmuar) para jush dhe se nuk do t'i kundërshtoni (gjërat) që janë plotësisht të njohura (urdhërat e Allahut). Ai që i kryen detyrimet, do të shpërblehet te Allahu xh.sh., ndërsa ai që nuk e plotëson ndonjë nga këto pika, do të dënohet në këtë botë (sipas sheriatit). Dhe, dënim për të është mosbesimi. Ai që diçka nuk respekton nga kjo, e Allahu ia mbulon, ajo është dëshirë e Allahut, nëse dëshiron e fal, e nëse dëshiron e dënon.'
Edhe ne në këtë u zotuam (u betuam)."
19. Na ka treguar Abdullah b. Mesleme, këtij Maliku, ky nga Abdurrahman b. Abdullah b. Abdurrahaman b. Ebu Sa'sa, ky nga babai i vet, e ky nga Ebu Se'id el-Hudriu, i cili ka thënë:
Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: "Ndoshta pasuria më e mirë e muslimanit do të jetë bagëtia, me të cilën ai do të shkojë nëpër majat e maleve dhe vendet ku mblidhet uji, duke ikur me fenë e tij nga ngatërresat."
20. Na ka treguar Muhammed b. Selami, këtij i ka treguar Abde, këtij Hishami, ky nga babai i vet, e ky nga Aisha r.a., e cila ka thënë:
"Kur Pejgamberi s.a.v.s. u ka urdhëruar diçka shokëve të tij, ua ka urdhëruar vetëm atë që kanë mundur ta mbajnë (ta realizojnë).
'O Pejgamber i Allahut, ne nuk jemi sikur ti! - i kanë thënë. Allahu ty t'i ka falë gabimet e mëparshme, por edhe ato të mëvonshmet.'
Ai për këtë u zemërua, sa që zemërimi vërehej në fytyrën e tij, e pastaj tha: 'Unë jam më i devotshëm (takva) dhe di më shumë se ju për Allahun'."
21. Na ka treguar Sulejman b. Harbi, ky nga Shu'be, ky nga Katade, ky nga Enesi r.a., e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë:
"Te ai që ka tri gjëra, do të ndiqet kënaqësia e besimit: te ai i cili nuk ka më të dashur se Allahun dhe Pejgamberin e Tij, te ai i cili e do tjetrin vetëm për hir të Allahut dhe, te ai i cili urren të kthehet në mosbesim, pasi e shpëtoi Allahu, ashtu siç urren të hudhet në zjarr."
22. Na ka treguar Ismaili, duke transmetuar nga Maliku, ky nga Amr b. Jahja el-Maziniu, ky nga babai i vet, ky nga Ebu Se'id el-Hudriu r.a., e ky nga Pejgamberi s.a.v.s., i cili ka thënë:
"Në Xhennet do të hyjnë besimtarët, kurse në Xhehenem pabesimtarët.'
Pastaj Allahu i Madhërueshëm do të thotë:
"Nxirreni (nga zjarri-Xhehenemi) të gjithë ata, në zemrat e të cilëve ka pasur besim të peshës së një thelbi të hardelit (bizele).'
Dhe kur të jenë nxirë në tërësi, do të nxirren nga aty (nga zjarri) dhe do të hidhen në lumin e turpit, ose në lumin e jetës - dyshon Maliku. Pastaj do të mbijnë sikur fara në bregun e lumit. A nuk e ke parë se ajo, me të vërtetë del e verdhë dhe e përdredhur?"
Vuhejbi ka thënë: "Na ka treguar Amri: '.el-hajati", d.m.th. ".në lumin e jetës" dhe vazhdoi: "hardelin min hajrin", d.m.th. "të bëjë mirë sa pesha e një hardeli."
23. Na ka treguar Muhammed b. Ubejdullahu, këtij Ibrahimi b. Sa'di, ky nga Salihu, ky nga Ibni Shihabi, e ky nga Ebu Umame b. Sehli, i cili ka dëgjuar nga Ebu Se'id el-Hudriu se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Kam parë në ëndërr disa njerëz. Ata më janë paraqitur qartë. Kishin veshur këmisha, disave u vinin deri në gjoks (gji), e disave nën gjoks. M'u paraqit edhe Omer b. Hattabi. Ai e kishte këmishën e cila i shkonte për toke.'
'O Resulullah, si e shpjegon ti këtë?' - e pyetën të pranishmit.
'Me fe (sipas shkallës së besimit),' - u përgjigj."
24. Na ka treguar Abdullah b. Jusufi, këtij Malik b. Enesi, këtij Ibën Shihabi, këtij Salim b. Abdullahu, këtij babai i tij se Pejgamberi s.a.v.s. ka kaluar pranë një ensariu, i cili e këshillonte dhe e qortonte vëllain e vet për turpin. Pejgamberi s.a.v.s. i tha:
"Lëre, mos e nga! Turpi, vërtet është pjesë e besimit."
25. Na ka treguar Abdullah b. Muhammed Musnediu, këtij Ebu Revh Haremijj b. Umare, këtij Shu'be, këtij Vakid b. Muhammedi, i cili ka thënë: E dëgjova babain tim kur e transmetonte hadithin nga Omeri, duke thënë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Më është urdhëruar që të luftojë kundër njerëzve derisa ata të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç allahut dhe se Muhammedi është Pejgamber i Tij; derisa të fillojnë të falin namazin e të japin zekatin. Kur ta bëjnë këtë, do t'ua garantoj jetën e tyre dhe pasuritë e tyre, por vetëm sipas së drejtës islame. Ndërkaq, llogaria përfundimtare i përket Allahut xh.sh."
26. Na ka treguar Ahmed b. Junusi dhe Musab b. Ismaili, këtyre u kishte treguar Ibraimi b. Sa'di, këtij i kishte thhënë Shihabi, këtij Se'id b. Musejbi, ka nga Ebu Hurejre se Pejgamberi s.a.v.s e kanë pyetur:
"Cila punë është më e vlefshme?
'Besimi në Allahun dhe në Pejgamberin e Tij' - është përgjigjur.
Mandej i është thënë: 'E çka pastaj?'
'Lufta në rrugën e Allahut' - është përgjigjur.
Përsëri e kanë pyetur: 'E tjetër?'
'Haxhillëku - që për shkak të përkushtimit ndaj tij, bëhet pa gabime' - është përgjigjur Pejgamberi a.s.v.s."
27. Na ka treguar Ebu-l-Jemani, këtij i ka thënë Shu'ajbi nga Zuhriu, këtij Amir b. Sa'd b. Ebu Vekkasi, ky nga Sa'di r.a., i cili ka treguar:
"Pejgamberi s.a.v.s. u ka ndarë lëmoshë (sadaka) disa njerëzve. Aty kishte ndodhur edhe Sa'di. Pejgamberi s.a.v.s. e la njërin (pa i dhënë sadaka). Ai për mua (thotë Sa'di) ishte më i dashur (në atë grup), prandaj i thashë:
'O Resulullah, ç'është puna me filanin? Për Zotin, unë atë e di si besimtar!'
'Mos thuaj ashtu, (thuaj) edhe musliman,' - tha (Pejgamberi s.a.v.s.).
Unë heshta pak, por nuk u durova sepse e njihja atë, prandaj e përsërita fjalën:
'O Resulullah, ç'është puna me filanin? Për Zotin, unë e njoh atë për besimtar!'
'Mos thuaj ashtu, (thuaj) edhe musliman.' - tha.
Unë heshta pak, por nuk munda të përmbahem sepse i dija cilësitë e tij, prandaj përsëri e pyeta:
'O Resulullah, ç'është puna me filanin? Për Zotin, unë e di atë besimtar!'
'(Thuaj) edhe musliman,' - tha (Pejgamberi s.a.v.s.).
Përsëri heshta, por ajo që dija për të, më shtyu të përsëris të njëjtën pyetje. Edhe Pejgamberi s.a.v.s. e përsëriti të njëjtën përgjigje. Pejgamberi s.a.v.s. pastaj tha:
'O Sa'd, unë i ndava sadaka atij njeriu, ndonëse tjetri më ishte më i dashur, duke u frikësuar që Allahu të mos e hedh në zjarr'."
Ky hadith transmetohet edhe nga: Junusi, Salihu, Ma'meri, nga djali i vëllait tim, Zuhriu, transmetuar nga Zuhriu.
28. Na ka treguar Kutejbe, i cili thotë se na ka njoftuar Lejthi, këtij Jezid b. Ebu Habibi, ky nga Ebu-l-Hajri, ky nga Abdullah b. Amri se një njeri e ka pyetur Pejgamberin s.a.v.s.:
"Çka është më së miri të veprohet sipas Islamit?'
Pejgamberi s.a.v.s. i është përgjigjur:
'Ta ushqesh të uriturin, të përsëndesësh (t'i japish selam) atë që e njeh dhe që nuk e njeh'."
29. Na ka treguar Abdullah b. Mesleme, ky nga Maliku, ky nga Zejd b. Eslemi, ky nga Ata b. Jesari, ky nga Ibën Abbasi r.a., i cili ka thënë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Më është paraqitur zjarri (Xhehenemi) dhe kam parë në të se shumica ishin gra. Ato kishin bërë kufër (kishin mbuluar të vërtetën).'
'A kanë bërë kufër ndaj Allahut?' - është pyetur.
'Ato kanë bërë kufër ndaj bashkëshortëve të tyre, kanë bërë kufër ndaj mirësisë. Kur ndonjërës prej tyre, gjithë jetën i bën mirë, e më vonë në ty vëren diçka që nuk i pëlqen, do të thotë: 'Nuk kam parë prej teje asnjëherë ndonjë të mirë' - është përgjigjur."
30. Na ka treguar Sulejman b. Harbi, këtij i ka treguar Shu'be, këtij Vasëll el-Ahdedi, këtë e kishte njoftuar Ma'muri, i cili ka thënë:
"E takova rastësisht Ebu Dherrin. Ai dhe fëmiu i tij, kishin veshur tesha të njëjta. E pyeta për këtë, e ai u përgjigj:
'(Një herë) jam fjalosur me një njeri, e unë e ofendova dhe e turpërova atë në nënën, prandaj Pejgamberi s.a.v.s. më tha:
'O Ebu Dherr, a e turpërove dhe e ofendove në nënën? Ti je njeri me shprehi të xhahilijetit (injorancës). Robërit tuaj, vëllezërit tuaj, Allahu i ka vënë nën pushtetin tuaj dhe kushdo që të ketë të tillë nën pushtetin e tij, le ta ushqejë ashtu si ushqehet vetë dhe le ta veshë ashtu siç vishet vetë. Mos i ngarkoni deri në rraskapitje, e nëse i ngarkoni, ndihmojuni'."
31. Na ka treguar Abdurrahman b. Mubareku, këtij i kishte treguar Hammad b. Zejdi, këtij Ejjubi dhe Junusi nga Hasani, këtë e ka lajmëruar Ahnef b. Kajsi i cili ka thënë:
"Shkova t'i ndihmoj këtij njeriu, por më takoi Ebu Bekre dhe më tha:
'Kah ia ke mësyer kështu?'
'T'i ndihmoj këtij njeriu,' - i thashë.
'Kthehu! - tha Ebu Bekre. Me të vërtetë kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë:
'Kur përleshen dy muslimanë të armatosur me shpata, në zjarr (Xhehenem) do të hyjë edhe vrasësi edhe i vrari.'
'O Resulullah, vrasësi po, por pse edhe i vrari?' - i thashë.
'Për shkak se edhe ai ka lakmuar ta vrasë vëllain e vet musliman.' - u përgjigj (Pejgamberi s.a.v.s.)'."
32. Na ka treguar Ebu-l-Velidi, këtij Shu'be, e sipas vargut tjetër të transmetuesve: Më ka treguar Bishri, këtij i ka treguar Muhammedi, këtij Shu'be, ky nga Sulejmani, ky nga Ibrahimi, ky nga Alkame, e ky nga Abdullahu, se kur është shpallur ajeti:
".ata që besojnë (në Njësinë e Allahut dhe nuk adhurojnë tjetër përveç Atij) dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me Dhulm (me të gabuarën)." (En Aam: 82).
Sahabët e pyetën Pejgamberin s.a.v.s.:
'E, cili nga ne nuk ka bërë dhulm (nuk ka gabuar)?'
Allahu i Madhëruar (lidhur me dhulmin - gabimin më të madh) dërgoi këtë ajet:
"Vërtet që bashkimi i të tjerëve në adhurim me Allahun është Dhulm (padrejtësi, gabim) i madh (më i madhi)." (Lukman: 13).
33. Na ka treguar Sulejman Ebu Rebiu dhe ka thënë se atij i kishte treguar Ismail b. Xha'feri, këtij Nafi' b. Malik b. Ebu Amir Ebu Suhejli, ky nga babai i vet, ky nga Ebu Hurejre r.a., e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë:
"Shenjat e dyfytyrëshit (munafikut) janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, nuk e mban fjalën dhe kur diçka i besohet, tradhton."
34. Na ka treguar Kabisa b. Ukbe, ky ka dëgjuar nga Sufjani, ky nga A'meshi, ky nga Abdullah b. Murre, ky nga Mesruku, ky nga Abdullah b. Amri se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Do të jetë dyfytyrësh (munafik) i vërtetë ai që ka katër karakteristika, ndërsa ai që ka vetëm një nga këto karakteristika, do të konsiderohet dyfytyrësh përderisa nuk e largon atë: kur i besohet diçka - tradhton, kur flet - gënjen, kur premton diçka - nuk e realizon, e kur hasmohet - e kalon kufirin."
Kështu e transmeton këtë (këtë hadith) edhe Shu'beja nga A'meshi.
35. Na ka treguar Ebu-l-Jemani, këtë e kishte njoftuar Shu'ajbi, këtë Ebu Zinadi, këtë A'rexhi, e këtë Ebu Hurejre, i cili ka thënë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Kush e kalon Natën e Kadrit duke bërë ibadet dhe duke llogaritur (vetëm në shpërblimin e Allahut), do t'i falen gabimet e bëra më parë."
36. Na ka treguar Harem b. Hafsi, këtë e ka njoftuar Abdu-l-Vahidi, këtë Umarja, këtë Ebu Zur'a b. Amr b. Xheriri, i cili ka thënë se e ka dëgjuar nga Ebu Hurejre, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. duke thënë:
"Allahu me kënaqësi do t'ia plotësojë dëshirën atij që niset (në luftë) në Emër të Allahut: - atë e ka shtyer të niset në luftë, vetëm duke më besuar Mua dhe Pejgamberët e Mi - dhe se nuk do ta kthej në shtëpi pa dhuratë, ose pa pasuri lufte të cilën e ka merituar, ose do ta fus në Xhennet.
Dhe po të mos i ngarkoja pasardhësit e mi me vështirësi, nuk do të ndahesha nga asnjë front dhe do të doja të vdes në Rrugën e Allahut, pastaj të jetoj një kohë e të vdes, e pastaj përsëri të jetoj një kohë e të vdes."
37. Na ka treguar Ismaili, këtë e kishte njoftuar Maliku, këtë Ibën Shihabi, këtë Humejd b. Abdurrahmani, këtë Ebu Hurejra se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Kush e kalon muajin e Ramazanit në ibadet për shkak të besimit (duke e besuar Allahun) dhe duke llogaritur vetëm në shpërblimin e Tij, do t'i falen gabimet e mëparshme."
38. Na ka treguar Ibën Selami, këtë e ka njoftuar Muhammed b. Fudajli, këtij i ka treguar Jahja b. Se'idi, ky nga Ebu Seleme, ky nga Ebu Hurejra i cili ka deklaruar se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Kush e agjëron muajin e Ramazanit duke besuar dhe duke llogaritur (vetëm në shpërblimin e Allahut), do t'i falen gabimet e bëra më parë."
39. Na ka treguar Abdu-s-Selam b. Mutahhari, ky nga Omer b. Aliu, ky nga Ma'n b. Muhammed el-Xhifariu, ky nga Se'id b. Ebu Se'id el-Makburiu, ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë:
"Feja Islame është fe e lehtë. Në këtë fe, asnjë nuk duhet të përpiqet tepër, e që nuk do të ngadhnjejë në të. Bëhuni të matur dhe mos e teproni. Gëzohuni dhe kërkoni ndihmën e Allahut xh.sh. në mëngjes, në mbrëmje dhe pak para natës."
40. Na ka treguar Amr b. Halidi, këtë e kishte njoftuar Zuhejri, këtë Ebu Is-haku, duke transmetuar nga Berai:
"Kur Pejgamberi s.a.v.s. erdhi në Medine, së pari qëndroi te gjyshërit ose te dajallarët e tij Ensarë, siç thotë Ebu Is-haku, dhe gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj e fali namazin duke u drejtuar kah Bejtul-Mukaddesi (në Jerusalem), por duke dëshiruar gjithnjë që Kibla të jetë kah Kaba. Namazi i parë që e fali në drejtim të Kabës, ishte namazi i ikindisë. Me të u falën disa njerëz. Njëri nga ata që faleshin me të, doli dhe kaloi pranë një xhamie. Derisa ata ishin duke u falur dhe qëndronin në ruku, bërtiti: 'Betohem në Allahun, tash jam falur me Pejgamberin s.a.v.s. i kthyer kah Mekka.'
Atëherë edhe këta, pa e prishur namazin, u kthyen kah Kaba, sikur edhe ata më parë. Hebrenjtë dhe ithtarët e tjerë të Librit, u entuziazmuan pse ata u kthyen kah Bejtul-Mukaddesi, e kur u kthyen kah Kaba, nuk e pëlqyen këtë."
Zuhejri ka thënë:
Na ka treguar Ebu Is'haku, ky nga Berai, i cili në familjen e tij ka thënë edhe këtë:
"Para se të ndryshojë Kibla, (i pari) që është kthyer kah ajo, ka vdekur (duke falur namazin). Kishte edhe disa të tjerë që ishin vrarë. Nuk kemi ditur ç'të themi për ta.
Pastaj Allahu i Madhëruar ka shpallur këtë ajet të Kur'anit:
"Dhe Allahu kurrë nuk do t'ua humbasë besimin." (El Bekareh: 143).
41. Maliku ka thënë se e ka njoftuar Zejd b. Eslemi, këtë A'ta b. Jesari, këtë e ka njoftuar Ebu Se'id el-Hudriu, i cili ka thënë se e ka dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë:
"Kur njeriu e pranon Islamin dhe kur detyrimin Islam e kryen në mënyrë të sinqertë, Allahu xh.sh. do t'ia falë të gjitha veprat e këqia të cilat i ka punuar, e pastaj do ta shpërblejë me shpërblimin përkatës. Veprat e mira shpërblehen me dhjetë shpërblime, e bile edhe deri në shtatëqind herë, kurse vepra e keqe dënohet vetëm aq sa i përgjigjet, po qe se Allahu edhe atë nuk e falë."
42. Na ka treguar Is-hak b. Mensuri, këtij i kishte treguar Abdurrezaku, këtij Ma'meri, ky nga Hemmami, ky nga Ebu Hurejre, i cili ka deklaruar se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Kur ndonjë nga ju i kryen detyrat e veta islame në mënyrë të drejtë, çdo vepër e mirë të cilën e kryen, shënohet me dhjeta (dhjetëfishohet), bile deri në shtatëqindfish dhe çdo punë e keqe që e ka bërë, i shënohet aq sa ka bërë."
43. Na ka treguar Muhammed b. Muthennai, ky nga Jahjai, ky nga Hishami, i cili ka thënë se e ka njoftuar babai i vet, e këtë Aisha r.a. se me të vërtetë Pejgamberi s.a.v.s. ka hyrë te ajo kur aty kishte qëlluar një grua dhe e kishte pyetur:
"Kush është kjo?'
'Është filanja' - tha Aisha. Tregon diçka rreth namazit të saj.
'Lërini (këto fjalë), bëni ato punë që u shkojnë për dore. Për Zotin! Allahu nuk mërzitet (nuk brengoset), përderisa ju nuk brengoseni (për punën tuaj)' - tha Pejgamberi s.a.v.s. - 'Te Ai vepra më e dashur është ajo që njeriu vazhdimisht e bën në Emër të Tij'."
44. Na ka treguar Muslim b. Ibrahimi, këtij i kishte treguar Hishami, këtij Katade, ky nga Enesi, i cili thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Do të dalë nga zjarri (Xhehenemi) ai që dëshmon: 'Nuk ka zot përveç Allahut' dhe në zemrën e të cilit ka vepra të mira sa pesha e një kokrre të elbit. Do të dalë nga zjarri ai që dëshmon: 'Nuk ka zot përveç Allahut' dhe në zemrën e të cilit ka vepra të mira sa pesha e një kokrre të grurit. Do të dalë nga zjarri ai i cili dëshmon: 'Nuk ka zot përveç Allahut' dhe në zemrën e të cilit ka vepra të mira sa pesha e një atomi."
Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton se Ebani ka thënë, këtij i kishte thënë Katade, ky nga Enesi se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "fjala 'të mira', përdoret me kuptim 'besim-iman'."
45. Na ka treguar Hasan b. Sabbahu se ka dëgjuar nga Xha'fer b. Avni, i cili ka thënë se i ka treguar Ebu-l-Umejsi, këtij ia transmeton Kajs b. Muslimi, këtij Tarik b. Shihabi, e ky nga Omer b. Hattabi r.a. se një hebre i ka thënë (Omerit):
"O kryetar i besimtarëve! Në Librin tuaj (në Kur'an) ka një ajet të cilin ju e lexoni. Po të na ishte shpallur ai ajet neve, hebrenjve, ne atë ditë do ta shpallnim ditë feste.'
'Cili është ai ajet' - e pyeti Omeri.
"...Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova Mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe..." (El Maideh: 3). - u përgjigj ai.
'Ne, vërtet e dimë edhe ditën edhe vendin kur i është shpallur Pejgamberit s.a.v.s., e ajo është dita e premte, derisa qëndronte në Arafat.' - tha Omeri."
46. Na ka treguar Ismaili, këtij i ka treguar Malik b. Enesi, këtij xhaxhai i vet Ebu Suhejl b. Maliku, këtij babai i vet, i cili e ka dëgjuar Talha b. Ubejdullahun duke thënë:
"Pejgamberit s.a.v.s. i erdh një njeri nga Nexhdi me qëllim hakmarrjeje. Dëgjohej zhurma e zërit të tij, por nuk kuptohej se ç'fliste, derisa u afrua. E kur pyeti për Islamin, Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj:
'Pesë kohë të namazit brënda ditës dhe natës.'
'E, diçka tjetër për mua përveç tij (përveç pesë kohëve të namazit)?' - pyeti ai.
'Jo, vetëm nëse do vullnetarisht,' - iu përgjigj (Pejgamberi s.a.v.s.).
Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. tha: 'Agjërimi i muajit të Ramazanit.'
'Diçka tjetër përveç tij?' - pyeti ai.
'Jo, vetëm nëse do vullnetarisht,' - u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.
Pejgamberi s.a.v.s. ia përmendi edhe zekatin (tha transmetuesi).
'Diçka tjetër përveç tij?' - pyeti ai.
'Jo, vetëm nëse do vullnetarisht.' - u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.
Atëherë u kthye njeriu, - thotë transmetuesi - dhe tha:
'Për Zotin, nuk kam as çka të shtoj, e as çka të pakësoj.'
Pejgamberi s.a.v.s. (pasi e dëgjoi) u shpreh me këto fjalë:
'Nëse e ka thënë të vërtetën, ka shpëtuar'."
47. Na ka treguar Ahmed b. Abdullah b. Ali el-Menxhufiu, këtij i ka treguar Revhu, këtij Avfi, ky nga Hasani dhe nga Muhammedi, këta nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Kush e përcjell muslimanin e vdekur për shkak të besimit të tij të fortë (duke besuar sinqerisht) dhe, duke llogaritur (vetëm në shpërblimin e Allahut) do të jetë me të derisa të falet namazi i xhenazez dhe të mbarojë varrimi i tij, me të vërtetë ai do të kthehet me shpërblimin prej dy kirateve (masë për matjen e sevapeve, sasinë e saj e di vetëm Allahu xh.sh.). Secili prej këtyre kirateve ka peshën e malit Uhud. Kush ia fal xhenazen të vdekurit, por kthehet para se ai të varroset, do të kthehet me një kirat."
Në senedin e dytë Revhu transmeton nga Uthmani, ky nga Muedhini, ky nga Avfi, ky nga Muhammedi, ky nga Ebu Hurejre, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s.
48. Na ka treguar Muhammed b. Ar'are, këtij i ka treguar Shu'be, ky nga Zejdi, i cili ka thënë:
"E kam pyetur Ebu Vailin për murxhitë, e ai tha: Më ka treguar Abdullahu se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
'Ta turpërosh (ofendosh) muslimanin është mëkat, ndërsa ta mbysësh atë është mosbesim (kufër)'."
49. Na ka treguar Kutejbe b. Se'idi, këtij Ismail b. Xha'feri, këtij Humejdi, këtij Enesi, e këtë e kishte njoftuar Ubade b. Samiti se:
"Pejgamberi s.a.v.s. ka dalë t'i njoftojë Sahabët për Natën e Kadrit (Lejletu-i-Kadr), kur atje grindeshin dy muslimanë. Për këtë shkak Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
'Kam dalur t'ju njoftoj për Natën e Kadrit, e pasiqë grindeshin filani e filani, ajo është grindur. Ndoshta kjo do të jetë më mirë për ju. Tashmë kërkojeni ju atë (Natën e Kadrit) në të shtatën, në të nëntën ose në të pestën (pas natës së njëzetë të Ramazanit)'."
50. Na ka treguar Museddedi, këtij i kishte treguar Ismail b. Ibrahimi, këtij Ebu Hajjan et-Tejmiu, ky nga Ebu Zur'a, e ky nga Ebu Hurejre r.a. i cili ka thënë:
"Një ditë Pejgamberi s.a.v.s. doli në mesin e njerëzve; iu afrua atij një njeri dhe e pyeti:
'Çka është besimi (imani)?'
'Besim (iman) është të besosh Allahun, melekët e Tij, takimin me Të (në Ditën e Kijametit), të besosh pejgamberët e Tij dhe ringjalljen.' - u përgjigj (Pejgamberi s.a.v.s.).
'Po, çka është Islami?' - pyeti ai.
'Islami është ta adhurosh Allahun, të mos i përshkruash shok Atij, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe të agjërosh Ramazanin.' - u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.
'Po, çka është mirësia (ihsani)?' - pyeti ai.
'Ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë. Nëse ti nuk e sheh Atë, Ai padyshim të sheh ty.' - u përgjigj.
'Kur do të jetë Dita e Kijametit?' - pyeti njeriu.
Lidhur me këtë pyetje Pejgamberi s.a.v.s. tha:
'I pyeturi nuk është në dijeni më të madhe për këtë çështje se pyetësi. Vetëm po të tregoj ty për shenjat e tij: kur robëresha të lind pronarin (d.m.th. zotëriun) e saj; kur barinjtë e deveve zeshkane me mburrje do të shtyhen në ndërtimin e pallatit. Ajo (Dita e Kijametit) është një nga pesë fshehtësitë që nuk i askush, përveç Allahut xh.sh.'
Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. citoi ajetin e Kur'anit:
"Vërtet që Allahu! Vetëm tek Ai është dija e Orës (e Çastit të Fundit, Kijametit)..." (Lukman: 34).
Pastaj njeriu u nis të shkojë, (e Pejgamberi s.a.v.s.) tha:
'Kthejeni atë!'
Meqë ata nuk e panë më atë (sepse u flak para syve të tyre), Pejgamberi s.a.v.s. tha:
'Ai është Xhibrili a.s., ka ardhë t'ua mësojë njerëzve fenë e tyre'."
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: "E gjithë kjo është pjesë e besimit (imanit)."
51. Na ka treguar Ibrahim b. Hamza, këtij Ibrahim b. Sa'di, këtij Salihu, ky nga Ibni Shihabi, ky nga Ubejdullah b. Abdullahu se Abdullah b. Abbasi i ka thënë:
"Më ka thënë Ebu Sufjani se Herakleu i ka thënë:
'Të kam pyetur se numri i muslimanëve shtohet apo pakësohet? E ti u përgjigje: shtohet. Ashtu vazhdon të shtohet besimi derisa të plotësohet. Të kam pyetur se a e lëshon ndokush fenë, pasi ta ketë pranuar njëherë, duke e urrejtur atë? U përgjigje: jo. Ashtu është edhe besimi (imani) kur mirësia e tij përzihet me shpirtin, atë më askush nuk e urren'."
52. Na ka treguar Ebu Nu'ajmi, këtij ia ka transmetuar Zekerijai, këtij Amri, këtij Nu'man b. Beshiri, i cili ka treguar se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Hallalli është i qartë, edhe harami është i qartë. Në mes tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat nuk i dinë shumë njerëz. Kush ruhet nga punët e dyshimta, e ruan pastërtinë e fesë së vet dhe nderin e tij, e kush bie në punë të dyshimta, është i njëjtë me bariun i cili e ruan bagëtinë e vet përreth vendit të ndaluar në të cilin ajo mund të hyjë në çdo çast. Dijeni se çdo mbret e ka ndalesën e vet, e kini kujdes, se ndalesa e Allahut në tokën e tij është çështje të cilën Ai e ka ndaluar. Poashtu, dijeni se çdo trup ka pjesë mishi, e kur është e sëmurë (ajo pjesë), i sëmurë është krejt trupi. Ja, ajo (pjesë mishi) është zemra!"
53. Na ka treguar Ali b. Xha'di, ky nga Shu'be, ky nga Ebu Xhemre, i cili ka thënë:
"Kam ndenjur me Ibni Abbasin i cili më uli në shtratin e vet dhe më tha:
'Rri tek unë derisa të të jap ty një pjesë të pasurisë sime!'
Pasi qëndrova me të dy muaj, më tha: 'Kur Pejgamberit s.a.v.s. i erdh delegacioni i Abdu-l-Kajsit (një fis), ai i pyeti:
'Cili popull jeni ju' - respektivisht - 'cili delegacion?'
'Jemi nga (fisi) Rebi'a' - u përgjigjën ata.
'Mirë se keni ardhur o njerëz - ose delegacion (dyshim i transmetuesit) - pa të meta dhe pa nevojë pendimi' - u tha Pejgamberi s.a.v.s.
'O Resulullah, ne mund të vijmë te ti, vetëm në ndonjë muaj të shenjtë, sepse në mes nesh dhe teje është lagja e pabesimtarëve Mudar. Prandaj, na urdhëro neve me një urdhër të prerë të cilin do t'ia përcjellim atyre që kanë mbetur pas nesh dhe i cili do të na çojë në Xhennet' - i thanë Pejgamberit s.a.v.s.
E pyetën edhe për pijen.
Pejgamberi s.a.v.s. i urdhëroi për katër gjëra dhe ua ndaloi katër gjëra. I urdhëroi të besojnë në Një të Vetmin Allah dhe i pyeti: 'A e dini çka është besimi në Allahun?'
'Allahu dhe Pejgamberi i Tij e dinë më së miri' - thanë ata.
'Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është Pejgamber i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të japësh një të pestën e pasurisë së zënë në luftë' - tha Pejgamberi s.a.v.s.
Ndërkaq, nga katër gjërat që ua ndaloi atyre, janë pijet (që rrijnë) në testi, në kungull të ujit, në pagur (matare), në varell ose në koritën e lyer me rrëshirë ose - sikur thotë ndonjëherë transmetuesi - në koritën e katranosur.
'Mbani në mend këto dhe tregojuni atyre që janë pas jush' - tha Pejgamberi s.a.v.s.
54. Na ka treguar Abdullah b. Mesleme, këtij Maliku, këtij Jahja b. Sa'di, këtij Muhammed b. Ibrahimi, këtij Alkame b. Vekkasi, ky nga Omeri r.a. i cili ka dklaruar se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
"Veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdo njeriu i përket ajo për të cilën mendon (ka për qëllim). Kush është shpërngulur për Allahun dhe për Pejgamberin e Tij, shpërngulja e tij është në Emër të Allahut dhe të Pejgamberit të Tij, ndërkaq, ai që është shpërngulur për shkaqe të mira (interesa) të kësaj bote, ose për shkak të ndonjë gruaje me të cilën do të martohej, shpërngulja e tij është në emër të asaj që është shpërngulur."
55. Na ka treguar Haxhxhaxh b. Minhaili, këtij Shu'be, këtij Adi b. Thabiti, ky kishte dëgjuar nga Abdullah b. Jezidi, ky nga Ebu Mes'udi, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s., i cili ka thënë:
"Kur njeriu përpiqet ta furnizojë familjen e vet (duke llogaritur në shpërblimin e Allahut), ajo punë është mirësi për të (sadaka)."
56. Na ka treguar Hakem b. Nafiu, këtij i ka treguar Shu'ajbi nga Zuhriu, i cili ka thënë se i ka treguar Amir b. Sa'd b. Ebu Vekkasi, e ky nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili ka thënë:
"Me të vërtetë nuk bën asnjë shpenzim, kur me të kërkon kënaqësinë e Allahut. Përkundrazi, për këtë vetëm do të shpërblehesh. Bile (do të shpërblehesh) edhe për kafshatën që ia shtie në gojë gruas sate."
57. Na ka treguar Museddedi, këtij i kishte treguar Jahjai, këtij Ismaili, këtij Kajs b. Ebu Hazimi, ky nga Xherir b. Abdullahu, i cili ka thënë:
"Ia kam dhënë betimin Pejgamberit s.a.v.s. se do të fal namaz, do të jap zekat dhe, sinqerisht do t'ia mendoj të mirën çdo muslimani."
58. Na ka treguar Ebu-n-Nu'mani, këtij i ka treguar Ebu Avane, ky nga Zijad b. Ilaka, i cili ka thënë:
"E kam dëgjuar Xherir b. Abdullahun në ditën kur vdiq Mugire b. Shu'be. Së pari u ngrit dhe e falënderoi Allahun xh.sh., e pastaj tha:
'Kini frikë vetëm Allahun, i Cili nuk ka shok, bëhuni krenarë dhe të qetë, derisa të vijë një komandant. Ai do të ju vijë së shpejti.' Pastaj tha:
'Kërkoni falje (lutuni) për komandantin tuaj, sepse Allahu xh.sh. dëshiron të falë! E tash - vazhdon ai - një herë kam shkuar te Pejgamberi s.a.v.s. dhe i kam thënë:
'Ty të betohem n&e

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.