Trajtimi juridik islam rreth shitblerjes me kapar

Njëra ndër veçoritë e sistemit ekonomik islam në përgjithësi, është edhe elasticiteti dhe përshtatshmëria e tij me rrethanat e ndryshme kohore apo ato të vendit, me kusht që të ruhen kriteret juridike islame në to.

Natyra e kontratave ekonomike-financiare është se ato në parim llogariten të jenë brenda kornizës së ligjshmërisë në jurisprudencën islame dhe si të tilla lejohen, përderisa nuk gjejmë ndonjë argument specifik që e ndalon atë, ose të mos bjerë ndesh me ndonjë rregull ose parim juridik të njohur në të drejtën islame. Megjithatë ka kontrata për të cilat, për shkak të paqartësisë ose mossaktësisë së argumenteve gjegjëse, lindin edhe divergjencat e juristëve islamë. E tillë është edhe shitblerja me kaparë.
Shitblerja me kapar, ani pse duket e re për nga natyra e saj, megjithatë, ajo daton qysh herët dhe ishte prezente edhe në periudhën profetike të Muhamedit s.a.v.s ..

Nocioni dhe përkufizi m i i kaparit në të drejtën juridike islame

Kapari si koncept në sistemin ekonomik islam ndryshe njihet me termin (El-Arbunu), ose e gjejmë edhe me shprehjen- El-Urbanui në literaturën e hadithit por edhe në atë juridike, e që nënkupton: "atë gjë me vlerë ose shumë të parave që e paguan blerësi për shitësin, me kusht që nëse ai blerësi e merr mallin e kontraktuar, shuma e tillë e dhënë si kapar të llogaritet pjesë plotësuese e pagesës totale-çmimit, e nëse nuk e merr blerësi atë mall të kontraktuar, shuma e kapariti takon shitësit, dhe nuk ka të drejtë blerësi të kërkojë kthimin e saj tek ai".(1)
Në literaturën juridike islame kaparin në disa raste e hasim si lloj të veçantë të shitblerjes, e në disa të tjera e gjejmë si kushtëzim i caktuar që kushtëzohet nga ana e blerësit në cilëndo shitblerje, ose thënë ndryshe kushtëzim me të drejtë prishjeje të kontratës nga ana e blerësit-Hijaru shart.
Madje kapari është një shprehi që jo rrallë herë përdoret edhe në kontrata të qirasë në mes të qiradhënësit dhe qiramarrësit.
Ai në fakt mund të cilësohet edhe si pagesë e dëmshpërblimit për bllokim të mallit nga ana e blerësit të tij, për shkak të moslejimit të ekspozimit të tij në treg për shitje. E nëse nuk ekzekutohet ajo kontratë, shitësi i atij malli është humbës në kohë, ngase i është vonuar shitja e mallit pa fajin e as dëshirën e tij.
Por, siç vërehet edhe nga definimi, kapari është një lloj garancioni nga ana e blerësit, me të cilin ai pretendon se do ta marrë mallin e kontraktuar e nuk do ta zhvleftësojë atë kontratë. Ndërsa vendosshmërinë e tij për ekzekutim të kontratës e shpreh me anë të pagesës së një shume të caktuar në vendin e kontraktimit të shitblerjes. Madje për të krijuar përshtypjen e seriozitetit, blerësi pajtohet që, atë shumë të dhënë si kapar, do të jetë i gatshëm që t'ia dhurojë shitësit, nëse ai-blerësi nuk do ta ekzekutojë marrëveshjen e kontraktuar ose nuk do ta marrë mallin e blerë.
Nga ky definim vërehet se "kapari El-Arbunu - ia konstaton një mundësi dhe të drejtë vetëm blerësit, atë të ekzekutimit ose edhe të prishjes së asaj kontrate.

Divergjencat e juristëve islame rreth ligjshmërisë së kaparit

Nëse hulumtohet në mendimet e dijetarëve klasikë islamë, do të vërejmë se shumica e tyre kishin rezerva rreth ligjshmërisë së shitblerjes me kapar.
Juristët hanefitë, malikitë dhe ata shafiitë konsideronin se ekzistimi i kaparit në një akt ose kontratë të shitblerjes e bën atë të paligjshme, dhe si i tillë nuk lejohet.(2) Ata në orientimin e tyre u argumentuan me hadithin e transmetuar nga Maliku e ai nga një njeri i besueshëm e ai nga Amër Ibn Shuajb, nga babai, e ai nga gjyshi i tij se:" Muhamedi s.a. v.s. e ka ndaluar shitblerjen me kapar".(3)
Por, argument tjetër ata morën edhe faktin se në këtë mënyrë realizohet ngrënia e pasurisë së tjetrit pa të drejtë. Përpos kësaj në këtë lloj marrëveshjeje kemi edhe kushtëzim të një kontrate në një kohë të pacaktuar dhe të panjohur për palët kontraktuese, dhe kjo ndalohet në të drejtën islame".(4)
Ndërsa mendimi i dytë lidhur me këtë lloj të shitblerjes është se kapari lejohet dhe është në përputhje me konditat dhe parimet ekonomike të sheriatit islam. Këtë mendim e përkrah Seid Ibn Musejjeb, Muhamed Ibn Sirini dhe Imam Ahmed Ibn Hanbeli e të tjerë. Këta të fundit argumentohen me faktin se Umeri r.a. e ka lejuar një gjë të tillë, ashtu siç transmeton Nafi. Ibn Abdul Harith se ai ishte autorizuar nga Umeri r.a. për të blerë për të një shtëpi nga Safvan Ibn Umejje, që nëse pajtohet Umeri r.a. do të ishte në rregull, e nëse nuk pajtohet Umeri r.a., ai do t’ia paguajë Safvanit një shumë të caktuar të monedhave. Kjo në të vërtetë është vetë kapari.
Madje gjejmë se disa prej juristëve hanbelitë janë të mendimit që lënia hapur e kohës deri në definimin e ekzekutimit të shitblerjes ose jo, është e dëmshme, andaj duhet që patjetër të caktohet një limit kohor deri tek i cili blerësi do të deklarohet, nëse dëshiron ta marrë mallin e blerë për të cilin ka lënë kapar, ose jo.
Ata kanë bërë edhe arsyetimin logjik duke thënë se kjo shitblerje nuk ka kurrfarë kushti që do të cilësohej i paligjshëm në të drejtën islame, andaj nuk kemi arsye që ta konsiderojmë të pavlefshëm, dhe parimi në transaksionet dhe kontratat ndërnjerëzore është lejesa dhe ligjshmëria e tyre, përderisa nuk gjejmë argument që e ndalon atë.(5)
Ndërsa sa i përket argumentimit të shumicës së dijetarëve me hadithin e lartcituar, këta të fundit mendojnë se ai nuk është hadith që ngrihet në shkallë të mjaftueshme për argumentim, sepse në zinxhirin e tij gjendet një transmetues i paemërtuar. Kjo në fakt tregon për dobësi të hadithit dhe është arsye e mjaftueshme që të llogaritet i dobët-daif ngase në të gjitha koleksionet hadithit ai transmetohet nga i njëjti zinxhir transmetuesish.
Duket se pikëpamjen e dijetarëve që ishin më tolerantë lidhur me normën e shitblerjes me kapar e ka përzgjedhur edhe Akademia e Fikhut Islam, nën ombrellën e së cilës veprojnë dhe janë anëtarë dijetarë nga të gjitha shkollat juridike e të cilët, ndër të tjera, pas diskutimeve të gjata, vendosën si në vijim:
- Lejohet shitblerja me kapar dhe një kushtëzim i tillë është i ligjshëm në të drejtën islame, vetëm me kusht që të bëhet përkufizimi i periudhës kohore deri në të cilën shitësi do ta priste pagesën nga ana e blerësit e që pastaj ai do t'ia pronësojë edhe realisht mallin e shitur atij.(6)
Arsye tjetër që mund të përforcojë ligjshmërinë e kaparit, është përdorimi i shpeshtë i tij në kontratat e shitblerjeve nga njerëzit gjithandej nëpër botë e rrjedhimisht edhe në botën islame.
Madje, kjo shtrohet si nevojë e kohës, meqë prirja e blerësve për t'i lënë të varur shitësit, pa ndier kurrfarë obligimi në raport me ta, është vërejtur se është shtuar tej mase në kohët e sotshme. Andaj sipas së drejtës islame ekziston një rregull e cila i kanalizon veprimet e tilla në korniza juridike e kjo rregull është: “dëmi i shkaktuar duhet të evitohet".
Në rastin konkret vërejmë se nëse shitësit i është thënë se malli i tij konsiderohet i shitur, ngase atë e ka blerë një blerës i caktuar, dhe ata dy kanë bërë kontraktimin e rregullt në mes vete, mirëpo blerësi ende nuk e ka bërë pagesën e shumës së kontraktuar, dhe kjo e bën atë blerës që të mos ndiejë përgjegjësi të mjaftueshme, madje mund të keqpërdorë këtë fakt, siç ndodh jo rrallë. Ai madje mund të mos ndiejë obligim në raport me shitësin dhe ndërkohë pas një periudhe kohore edhe ta prishë në tërësi kontratën e tillë, pavarësisht se shitësin ndoshta e ka lënë në pritje me muaj të tërë ose edhe më gjatë. Ky është një dëm i konfirmuar, e drejta islame synon evitimin e tij dhe dëmeve të tjera të ngjashme, nga cilado palë tjetër qoftë ajo.


__________________
1. Dr. Muhamed Revas Kal'ahxhi, Mu'xhemu Lugatil-Fukaha(Fq. 276). Bot . Daru Nefais. Bejrut. Bot. I parë. 1996.
2. Dr. Vehbetu Ez Zuhejli, El Fikhu El Islamij ve Edil-letuhu (53434). Bot. Darul Fikril Muasir. Damask. Bot. I katërt. 2004.
3. Këtë hadith e evidenton Ebu Davudi në «Sunenin» e tij (Nr: 3502), Ibn Maxheh në «Sunen» (2192), pastaj Imam Ahmedi në «Musned» (Nr. 6723), si dhe Imam Maliku në «Muvat-tanë» e tij (Nr. 2257). Por këtë hadith shumë hadithologë e kanë cilësuar si të dobët, ngase në zinxhirin e tij ekziston një hallkë e një transmetuesi emri i të cilit nuk është definuar. Shih: Et Telh 'is El H'abir; Ibn Haxher El Askalanij (339). Bot. Mus-sesetu Kurtuba. Botim i parë. 1995.
4. Shihabud-din Err Rremlij, Nihajetul Mutaxh I la Sherhil Minhaxh. (3476). Bot. Darul Fikr. Bejrut. Bot. i parë. 1985.
5. Ibn Kudame, El Mugnij (4175). Bot. Mektebetul Kahire. Kairo. 1968. Pa numër të botimit.
6. Ky vendim u mor nga Akademia e Fikhut Islam në seancën kërkimore të mbledhjes së tetë me radhë të mbajtur në Darul Bejda-Kasa Blanka-Marok, qershor 1993.



Mr. Driton Arifi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.