Zhvillimi i prodhimeve financiare që nga ditët e hershme të Islamit

Teknikat financuese që janë në përdorim sot, e kanë bazën në mësimet e Kur’anit dhe të Synetit të Pejgamberit a.s.. Në vendet arabe, para ardhjes së Muhamedit a.s., kishte aktivitete të shumta financiare për të ndihmuar tregtinë si të vetmin burim jete. Gjithashtu, edhe vetë Muhamedi a.s. ishte i përfshirë në këto aktivitete tregtare para dhe pas fillimit të Shpalljes së Kur’anit.

Financimi në ditët e hershme të Islamit

Kjo pjesë e këtij punimi shpjegon zhvillimet historike të aktiviteteve ekonomiko-financiare gjatë jetës së Pejgamberit a.s., duke pasur në konsideratë pozitën gjeografike të Arabisë. Këtë diskutim e fillojmë për ta bërë më të qartë se si dhe pse u themeluan institucionet financiare.


Pozita ekonomike e Arabisë para ardhjes së Muhamedit a.s.

Para shekullit të shtatë, rruga nëpër Hixhaz ishte e tëra në duart e arabëve që banonin aty dhe e kishin Mekën si kryeqendër për çdo lloj aktiviteti, përfshire edhe atë tregtar. Ata merrnin prodhime të ndryshme nga Jemeni dhe i dërgonin në Siri, Egjipt dhe Persi. Rëndësia e qytetit të Mekës ishte më shumë komerciale dhe ai nuk ishte bërë qytet prestigjioz apo të kishte ndonjë krenari tjetër deri në Kohën kur erdhi Muhamedi a.s., Zgjedhja e Mekës si kryeqendër nga arabët, përveç sepse ishte qendër që lidhte vendet të cilat u përmendën, ishte edhe për shkak të ujit zemzem, që i furnizonte me ujë të freskët.1 Konfederata e fiseve kishte një mexhlis (asamble e përgjithshme), në të cilin aspekti komercial ishte planifikuar dhe secili anëtar merrte pjesë e ishte aktiv ose duke bërë tregti, ose duke ndihmuar të tjerët për tregti, e po ashtu edhe për reklamimin e vendit për t’i joshur tregtarët duke siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurt për tregti.2
Pas ardhjes së të Dërguarit të fundit, ndodhi një bashkim i fiseve të shpërndara e të përçara ndërmjet tyre duke formuar një qytet-shtet, që më vonë u bë perandori shumë e fuqishme. Ata, njerëzit e racave dhe gjuhëve të ndryshme, arritën t‘i bashkonin në një shoqëri të bashkuar, në një fe dhe një qeveri. Që nga ajo kohë (shek. i VII) e më tutje, myslimanët patën mundësi të zhvillonin tregti me vende të largëta në një shkallë shumë më të madhe sesa ishte e njohur më herët.3


Tregtia dhe Karvanët

Karvanët ishin shumë të rëndësishëm për ushtrimin e tregtisë dhe mënyra e vetme për një tregti ndërkombëtare nëpër shkretëtirë, zakonisht në një shkallë të madhe, dhe, siç e ka përmendur edhe historiani i njohur i shekullit 10, Al-Tabari (v. 930), kishte karvan që arrinte deri në 2500 deve.4
Një karvan i këtillë mund të lëvizte vetëm me një koordinim të mirëfilltë dhe me një përgatitje të madhe kundër ndonjë sulmi apo ndonjë të papriture të çfarëdo lloji. Karvanët bartnin të gjitha llojet e mallrave të nevojshme për furnizim. Ata të cilët bartnin prodhime tregtie, i quanin Latimah, kurse karvanët që bartnin gjëra ushqimore, i quanin Rikab.5
Pejgamberi a.s. kishte marrë pjesë në udhëtime të këtilla në vende të ndryshme. Në kohën para Shpalljes së Kur’anit, tregtia ishte në duart e tregtarëve nga Meka, Taifi dhe Xheda. Abdurrahman Ibn Avf, Uthman Ibn Affan, Hadixhe Binte Huvejlid, etj. ishin nga tregtarët më të njohur të asaj kohe; ata ishin figura të rëndësishme në shoqërinë tregtare të asaj kohe, kurse më vonë figura të rëndësishme në përkrahje të Pejgamberit a.s. dhe myslimanëve në përgjithësi, në ditët e hershme të Islamit.6


Ndodhi të rëndësishme pas Hixhretit

Pasi Muhamedi a.s. bëri Hixhretin, një ndodhi që shënon edhe fillimin e kalendarit mysliman, ndodhën edhe një numër i madh ngjarjesh të rëndësishme, që do të ushtrojnë ndikim edhe në ditët e sotme. Në Mekë Muhamedi a.s. ishte vetëm një predikues, kurse në Medinë situata ndryshoi dhe ai u bë udhëheqës i pasuesve të tij, një komunitet i vogël, i cili rritej çdo ditë. Pastaj edhe të tjerë që jetonin në Medinë, pranuan që Muhamedi a.s. të ishte udhëheqës i tyre dhe ai u bë udhëheqës i qytetit-shtet të Medinës, i cili u rrit e u zhvillua shumë shpejt dhe funksionoi shumë mirë me të gjitha përgatitjet e nevojshme për atë kohë7.
Një kthesë e madhe dhe një ngjarje historike në historinë e Islamit ndodhi me nënshkrimin e marrëveshjes shumë të rëndësishme, e cila nga shumë hulumtues bashkëkohorë quhet si ‘kushtetuta e Medinës’. E një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme, për të cilën flitet apo diskutohet shumë më pak, qe edhe themelimi i tregut të Medinës. Pejgamberi a.s., një tregtar i respektuar, i besueshëm dhe me eksperiencë, i cili për qëllime tregtie kishte udhëtuar edhe në vende tjera jashtë Mekës dhe kishte përjetuar një embargo shumë të rëndë nga paganët e Mekës, ishte shumë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe realitetin që pavarësia ekonomike shpie në pavarësi politike.8
Menjëherë pas hixhretit myslimanët kishin lirinë e duhur për të jetuar ashtu siç dëshironin pa pasur frikë dhe persekutime, porse shteti i porsaformuar ishte pa asnjë pasuri monetare a financiare. Xhamia, përveç që luante rolin e vendit për falje, shërbente edhe për aktivitete të tjera. Shërbente si parlament, gjykatë, universitet, vend trajnimi për misionarë, vend deponimi i pasurisë që mblidhej nga sadakaja dhe zekati, me fjalë të tjera ishte vend që shërbente për shumë gjëra.9
Menjëherë pas ndërtimit të Xhamisë së përmendur, Pejgamberi a.s., po atë vit (viti i parë hixhri) themeloi një treg, në të cilin myslimanët mund të dominonin dhe mund të tregtonin në mënyrën që dëshironin. Ishin mbushur 13 vjet që nga fillimi i zbritjes së Kur’anit dhe kishte versete kur’anore që kishin zbritur në lidhje me aktivitetet ekonomike, disa rregulla ishin formuar në lidhje me transaksionet ekonomike, dhe ekonomia filloi të merrte formë, bazuar në mësimet islame. Nga rregullat ekonomike që përdoreshin para Shpalljes së Kur’anit, disave që nuk kishin elemente të ndaluara, iu dha legjitimitet, kurse disa u anuluan ose u modifikuan, për të shmangur elemente të ndaluara në një kontratë ekonomike. Shteti i Medinës nuk ishte vazhdim i një shteti që kishte ekzistuar, ndryshim i thjeshtë i një dinastie, po ishte themeluar krejtësisht i ri, me një komplet rregullash për shoqërinë, prej më të thjeshtave deri tek ato më të komplikuarat.10
Pas hixhretit historia administrative e Arabisë ndryshoi; shoqëria islame organizoi aktivitete të mëdha ekonomike që nga ditët e para të shpërnguljes. Komunitetit agrar të vendit iu bashkuan një grup tregtarësh mekas me përvojë të madhe tregtie.11
Përdorimi i valutave monetare erdhi herët në shoqërinë islame, kurse ndalimi i ndërrimit jo të barabartë nga kuantiteti të prodhimeve tregtare homogjene përshpejtoi procesin e monetizimit. Në fillim myslimanët zunë të përdornin Dinarin e arit nga bizantinët dhe dërhemin e argjendit nga persianët si një monedhë të pranueshme për qëllime tregtie. Mirëpo shumë shpejt, që në kohën e mbretit Abdul Melik Ibn Mervan, i cili i takonte dinastisë Emevite, filluan të shtypnin dinarin e vet.12
Në kohën kur myslimanët ishin shpërngulur në Mekë, aty ekzistonin tregje, por ato ishin nën kontrollin e të tjerëve, kryesisht të çifutëve. Kishte nevojë të madhe për një treg të pavarur, në të cilin myslimanët të mund të dominonin dhe të tregtonin sipas parimeve të tyre të shitblerjes, kështu që u themelua një treg, që më vonë u quajt tregu i Medinës. Menjëherë pas themelimit të tregut, u paraqit nevoja për krijimin e kushteve të favorshme për t’i tërhequr tregtarët dhe klientët. Pejgamberi a.s. vuri dy kushte kryesore, që ishin shumë atraktive, për ta bërë tregun e ri të përsosur: heqjen e taksave dhe ndalimin e monopolit. Me heqjen e taksave, tregtarët i siguronte se nuk do të ngarkoheshin me ndonjë lloj takse dhe tregut të sapoformuar i dha një karakteristikë më konkurruese kundër atyre që ngarkonin taksa. Rregulla e dytë u bë me qëllim të ndërprerjes së monopolit në treg; kjo rregull nuk i lejoi askujt që të kishte vend apo tendë të përhershme në treg. Kjo ishte për të siguruar drejtësi në treg, duke eliminuar monopolin dhe duke ndaluar që një kategori njerëzish të jetonte si një grup më i privilegjuar përballë atyre që nuk ishin në gjendje t’u bënin konkurrencë.13
Kjo iniciativë, e ndërmarrë nga vetë Pejgamberi alejhisselam për të rregulluar tregun, konsiderohet si një fillim i kontrollit dhe rregullimit të tregut. Ky kontroll më vonë u themelua në një institucion të quajtur Hisbah (kontroll i tregut dhe i çështjeve të tjera), edhe pse termat Hisbah dhe Muhtesib u paraqitën në fillim të halifatit Abasid, fillimin e funksionimit e patën që nga koha e Pejgamberit a.s.14.
Qyteti i Medinës, i cili para ardhjes së myslimanëve ishte vetëm një vend që kishte prodhime të agrikulturës, u shndërrua në një qendër administrative, politike dhe tregtare. Më vonë, pas kohës së Hulefai rrashidinëve, qendra e shtetit islam në kohën e Emevitëve (661 – 750) u transferua nga Medina në Damask, dhe pas tyre, në kohën e Abasitëve kaloi në Bagdad dhe Basra (750 – 1038), kjo kohë dhe këto ndryshime u shoqëruan me ndodhi dhe risi në sferën ekonomike. Ato u bënë qendra botërore të industrisë dhe tregtisë. Kur Bagdadi u bë qendra kryesore e shtetit islam, shumë shpejt u bë qendra më e madhe tregtare botërore pa mos pasur as ndonjë rival të përafërt.15



(1)De lacy O’Leary, D.D. History of Arabia before Muhammad, (Lahore: Alliance Publisher, 1989) faqe 182-183.
(2) Ibid..
(3) Abdulkader Chachi, “Origin and Development of Commercial and Banking Operations”, Journal KAU (King Abdul Aziz University): Islamic Economics, vol.18, No.2, f. 39.
(4)Ibn Jarir Al-Tabari, The History of al-Tabari vol. xxxv: The Crisis of the Abbasid Caliphate, përkthyer në anglisht me komentim nga George Saliba. (Berkeley: State University of New York press, 1985), f.. 40-44.
(5)Alvi Haji Hassan, (1997) f. 5-6.
(6)Ibid.
(7)M.A. Sabzwari, “Economic and Fiscal System During the Life of Holy Prophet Mohammed Peace be on him”, Journal of Islamic Banking and Finance, Vol:1, No.4, 1984. f. 2.
(8)Cengiz Kallek, “Socio-Politico-Economic Sovereignty and the Market of Medina”, Journal of Islamic Economics, Vol. 4, No. 1&2 1995, f. 2-3.
(9)Sabzwari, f. 2-3.(10) Muhammad Hamidullah, “Budgeting and Taxation in the Time of the Prophet peace be on him” The Islamic Review, f. 19-20.



Dr. Islam Hasani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.