Bej Selem, shitje-blerje sipas kontratës selem

‘Bej Selem’ (selem) gjithashtu është i njohur edhe si ‘Bej Selef’ apo ‘Bej Mafalisa’, që është një shitje në të cilën shitësi merr përsipër të furnizojë blerësin me disa produkte për një çmim, i cili paguhet i tëri në çastin e lidhjes së marrëveshjes. Nuk janë një zbulim a risi e shekullit njëzet, po janë nxjerrë nga Kur’ani i shenjtë dhe Hadithi i Pejgamberit a.s..

Në aspektin ligjor, sipas Sheriatit, shitja e produktit që nuk është në posedim të shitësit, nuk lejohet, sepse Pejgamberi a.s. kishte vendosur rregullën e përgjithshme me thënien e tij: “Mos e shit atë që nuk e ke në posedim”. Prandaj, praktikimi i selem-it është lejuar si një përjashtim nga rregulla e përgjithshme dhe për të ka rregulla të veçanta, po nuk mund të përdoret si një analogji për kontrata të tjera. ‘Selem’ është shumë e dobishme dhe ka favoret e saj për të dy palët. Është e mirëseardhur për shitësin, sepse ai mund të marrë paratë para kohës, po dhe për blerësin,sepse çmimi në kushte të tilla zakonisht është më i favorshëm sesa i një blerjeje të zakonshme. Nuk është e domosdoshme të përdoret vetëm për produkte të agrikulturës, sepse tash është bërë një instrument financiar për punë dhe kapital tregtar, i aplikueshëm për tregti dhe biznes duke kontribuar ne zhvillimin e sistemit ekonomik islam.(1)

Përkufizimi i ‘Selem’-it

‘Selem’ është përkufizuar si shitje ose blerje e një produkti të mëvonshëm për një çmim të menjëhershëm. Në kontratën selem, çmimi paguhet para kohe, kurse produkti vonohet për një datë në të ardhmen, për se pajtohen shitësi dhe blerësi. Si p.sh. blerja e një produkti ushqimor, i cili do t’i dorëzohet blerësit pas një viti, kurse çmimi i tërë paguhet menjëherë, me përfundimin e marrëveshjes. Veçoritë e kontratës ‘selem’ mund të kuptohen edhe më mirë nga përshkrimet e dijetarëve të njohur dhe qëndrimet e shkollave juridike.
Shafiinjtë: e përshkruajnë kontratën në selem si “shitje e një produkti të përcaktuar mirë, i cili dorëzohet nga shitësi në të ardhmen”.
Hanbelinjtë: selem e përkufizojnë si “Një shitje në të cilën shitësi merr përsipër të furnizojë me produkte specifike blerësin në një datë të caktuar në të ardhmen, në këmbim të një çmimi të caktuar të paguar në momentin e marrëveshjes”.
Malikinjtë: “Një shitje në të cilën shuma e çmimit paguhet para kohe, e objekti i shitjes vonohet deri në kohën e caktuar”.
Të gjitha mendimet janë të ngjashme, vetëm përshkrimi dhe renditja e fjalëve dallon. Edhe mendimi i hanefinjve është i ngjashëm me mendimet e përmendura më lart. Shikuar nga rregullat strikte të Sheriatit mbi kontratat, ky lloj i shitjes duhet të jetë i ndaluar, sepse shitësi shet një artikull që nuk e posedon në kohën kur bëhen kontrata e shitjes dhe pagesa. Mirëpo, kjo kontratë bazohet në traditën e Pejgamberit a.s. dhe ka konsensus (ixhma), sepse është konform me nevoja të shoqërisë. Kjo kontratë është lejuar
duke përmbushur kushtet që u përmendën.
Qëllimi bazë i kësaj kontrate ishte t’i përmbushte nevojat e fermerëve për të financuar kapitalin e punës dhe shpenzimet e tjera të ndërlidhura me financimin, gjithashtu mbulesë për shpenzime të tjera të jetës. Ky lloj kontraktimi është përdorur edhe për financim të udhëtimeve jashtë vendit, për import dhe eksport. Tregtarët kishin nevojë për të importuar produktet e veta, prandaj atyre u duheshin para të gatshme për udhëtim dhe, në të njëjtën kohë, ata duhej të shisnin diçka që nuk e posedonin ende, për të financuar udhëtimin.(2)

Legjitimiteti i ‘Selem’-it

Kjo kontratë është përdorur edhe para ardhjes së Muhamedit a.s. dhe në kohën para hixhretit (shpërnguljes prej Mekës në Medinë). Pas hixhretit, shokët e Pejgamberit a.s. kërkuan udhëzimin e tij rreth lejueshmërisë dhe kushteve të kësaj kontrate. Pejgamberi a.s. e quajti ‘Selef’ ose ‘Selem’ dhe e lejoi me disa kushte. Kur i pa se banorët e Medinës e përdornin këtë kontratë për fruta për një, dy dhe tre vjet, ai iu tha: “Kush kontrakton me kontratën ‘selem’, duhet ta specifikojë me një sasi ose peshë të ditur, dhe kohën sa do të jetë vonesa”.Legjitimiteti i kësaj kontrate është themeluar në evidencë nga Kur’ani dhe Syneti dhe nga konsensusi (‘ixhma) i dijetarëve myslimanë. Kontrata e ‘selem’-t mendohet se përshkruhet në Kur’an në aspektin përgjithshëm, si një kontratë prej së cilës dalin obligime (borxhe) për të ardhmen: “O ju që keni besuar! Kur të bëni ndonjë transaksion ndërmjet jush, nga i cili dalin obligime për të ardhmen për një kohë të caktuar, shkruani ato...”. (El Bekare, 282)
Fraza ‘transaksione që përfshijnë obligime për të ardhmen’ në kontekstin e ajetit të përmendur përfshijnë edhe kontratën ‘selem’, në të cilën dorëzimi i lëndës së kontratës bëhet në të ardhmen. Edhe Ibn Abasi, komentuesi më i njohur i Kur’anit, i është referuar këtij ajeti për të mbështetur kontratën selem.

Përfundimi i kësaj kontrate

Si çdo kontratë tjetër edhe kjo përmbyllet me ‘ixhab’ dhe ‘kabul’ (ofertë dhe pranim). Oferta bëhet duke ofruar kohën e pagesës së bashku me kushtet e pagesës. Nëse shitësi i pranon kushtet me njohuri të plota rreth natyrës së kontratës, atëherë kjo kontratë është e kompletuar.
Mendimi i shumicës së dijetarëve është që kjo kontratë duhet të përmbajë të gjitha kushtet si një kontratë e shitjes (mosha, mençuria, pëlqimi dhe mundësia e marrjes së vendimeve) duke i shtuar edhe disa të tjera, të cilat janë vetëm për ‘Selem’:
-Nuk është e domosdoshme që shitësi ta posedojë mallin në kohën e shitjes. Çdo person që është prodhues a kultivues potencial, mund të kualifikohet për financim sipas kushteve të ‘selem’-it, me pagesë të parakohshme.
-Nuk është e domosdoshme që shitësi të kultivojë a prodhojë mallin që e kontrakton. Ai mund ta blejë atë nga një person tjetër dhe t’ia dorëzojë blerësit në kohën për të cilën ata kanë rënë dakord në kontratë.

Kushtet e kësaj kontrate

Në ‘Selem’ mund të kontraktohen vetëm mallrat, të cilat mund të specifikohen shumë qartë me: peshë, masë ose numër dhe nuk kanë vlerë monetare.‘Selem’ nuk lejohet për diçka që specifikohet në këtë mënyrë: “prodhimin e tokës apo fermës së caktuar” apo “frutat e kësaj peme”, sepse ka mundësi që pema, për të cilën është bërë kontrata, të mos prodhojë fare ose, para kohës së vjeljes, të dëmtohen të gjitha frutat për shkak të ndonjë ndryshimi të mundshëm të temperaturës a të reshurave dhe kjo kontratë, qysh në fillim, hyn në kategorinë e kontratave që në vete përmbajnë paqartësi. Por, kjo është e mundur vetëm nëse kontrata e shitjes së një produkti, që është specifikuar mirë me peshë ose me njësi matëse mund të furnizohet edhe nga prodhuesit tjerë.(3)
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush merr pjesë me një kontratë për të ardhmen, ai duhet të blejë një masë të ditur apo një peshë të ditur për një kohë të caktuar e të ditur”. Shumica e fukahave e kushtëzojnë me kohën e ardhme për validitet të kësaj kontrate, sepse hadithi e specifikon “... kontratë për të ardhmen...”.

Furnizimi i mallit në ‘Selem’

Është kusht të caktohet koha e dorëzimit të mallit të kontraktuar në kontratë,dhe me atë kohë të pajtohen të dy palët. Malli/produkti i kontraktuar duhet të dorëzohet në kohën për të cilën kanë rënë dakord qysh në fillim, por,nëse shitësi dëshiron ta dorëzojë mallin më herët ose më vonë sesa është caktuar në kontratë, këtë mund ta bëjë vetëm nëse edhe blerësi pajtohet me këtë veprim. Kjo është për arsye se edhe blerësi ka mundur të hyjë me ndonjë kontratë me tjetër blerës për blerjen e produktit në fjalë dhe, nëse i dorëzohet më herët, mund të shkaktojë probleme për shkak të depozitimit dhe implikimeve të tjera.(4)
Nëse cilësia nuk është e njëjtë, siç është përshkruar në kontratë, nuk mund të kërkohet një çmim i ri, ndryshe nga ai i kontratës, ose duhet të pranohet malli, ose refuzohet deri me sigurimin e mallit me cilësitë e njëjta. Një aspekt tjetër, nëse shitësi nuk mund ta furnizojë blerësin me produktin e përshkruar, për shkak se nuk gjendet në treg në kohën kur vjen koha e furnizimit, - blerësi ka këto opsione:- Pritje derisa të ketë mall të njëjtë në treg;- Ndërprerje të kontratës dhe kthim i pagesës së bërë ose-zëvendësim i produktit të kontraktuar me një produkt tjetër në pajtim me shitësin,mirëpo kjo nuk duhet të jetë pjesë e kontratës në fillim – që, nëse ky lloj produkti nuk gjendet, atëherë të zëvendësohet më këtë lloj produkti.

Kohëzgjatja e kontratës

Në kontratën ‘Selem’ duhet të ketë kohë minimale. Duhet të jetë kështu për arsye se kjo kontratë është e mirëseardhur për të dy palët për shkak të pagesës me para të gatshme dhe çmimit të favorshëm.
- Koha minimale prej lidhjes së kontratës deri në furnizim të mallit, sipas hanefinjve dhe hambelinjve, është një muaj.
- Nëse është më e shkurtër se kjo kohë, nuk arsyetohet çmimi dhe koha më e shkurtër nuk ndikon në çmime.
-Imam Maliku përkrah mendimin se duhet të ketë kohë minimale dhe, sipas tij, ajo është 15 ditë.
-Imam Shafiu e kundërshton këtë kusht duke u bazuar në Hadithin e Pejgamberit a.s.,. se kusht është vetëm përshkrimi i mallit.
-Ky mendim është marrë si bazë prej juristëve bashkëkohorë, si më i përshtatshmi për kohën e caktuar duke pasur parasysh nevojën e shitësve.

Konsekuencat ligjore të ‘Selem’-it

-Palëve nuk u lejohet ta ndërrojnë mallin e kontraktuar në ‘Selem’ me një lloj tjetër para se të vijë koha për dorëzimin e produktit të kontraktuar.
-Specifikimi i kohës së furnizimit të mallit/ produktit dhe pagesa e menjëhershme në momentin e marrëveshjes, janë kusht i kësaj kontrate, e cila është në kontrast me shitjen normale, kur koha e pagesës dhe e furnizimit mund të ndërrojnë me marrëveshje të dy palëve.

‘Selem’ si një model financimi

Ashtu si u përmend më lart, fillimisht ‘selem’ ishte përdorur për fermerë dhe tregtarë, për t’u ofruar financime në një shkallë të vogël për nevojat e tyre. Kur të kihet parasysh dallimi në mes blerësit të atëhershëm (individ) dhe tash bankës (institucion), ka një dallim të madh në formën e organizimit dhe të pagesës. Forma dhe mënyra e financimit nga banka, krahasuar me blerësin e atëhershëm, dallon shumë. Kjo kërkon interpretimin e rregullave bazë, kur ka të bëjë me pagesën e parave shitësit e gjithashtu edhe me dorëzimin e produktit të financuar nga banka. Në kohën tonë nga kjo kontratë, përveçse bëhet fjalë për financimin e klientit drejtpërdrejt, ekzistojnë edhe produkte të tjera, të cilat kanë të bëjnë me tregun e kapitalit, me blerjen dhe shitjen e bondeve më qëllim të ngritjes së kapitalit për financimin e projekteve kolosale. Ky produkt bankar përdoret për financim me para të gatshme; klienti siguron para të gatshme për investime dhe financime të ndryshme, e detyrim i tij mbetet dorëzimi i një lloj malli/pasurie në një kohë të caktuar, pa pasur mundësi ndryshimi të çmimit apo sasisë së dakorduar në fillim kur edhe është bërë pagesa e produktit në fjalë.


________________
1. Saiful Azhar Rosly, ‘Iwad as a Requirement of Lawful Sale: A Critical Analysis, IIUM Journal of Economics and Management 9, No. 2. 2001, f. 10.
2. Razali Hj. Navavi, (1999), Islamic Law on Commercial Transactions, (Kuala Lumpur: CT Publications, 1999), f. 35.
3. Abdullah ‘Alwi Haji Hassan, Sales andContract in Early Islamic Commercial Law, (New Delhi. Kitabbhawan, 1991) f. 123.
4. Saiful Azhar Rosly, Critical Issues on Islamic Banking and Financial Markets, (Kuala Lumpur: Dinamas, 2005). f. 93.



Dr. Islam Hasani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.