Muhamedi a.s. dhe toleranca në traditën e tij profetike

Shumë njerëz mendojnë se Islami u përhap me shpatë dhe se Islami është sinonim me shtypjen, shtrëngimin dhe mohimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Për më tepër, shumë vende perëndimore Islamin e barazojnë me intolerancën dhe ekstremizmin. Madje edhe një pjesë e mendimtarëve (jomyslimanë), politikanë dhe klerikë, kanë këmbëngulur në ngjitjen e këtij imazhi shumë negativ dhe të gabuar.

Para se të bëhet fjalë për tolerancën në traditën profetike të Muhamedit a.s., fillimisht do të doja të filloja me eliminimin e disa keqkuptimeve rreth Islamit dhe tolerancës së tij në përgjithësi, që kanë errësuar kuptimin e shumë njerëzve (jomyslimanë) lidhur me Islamin. Ky është një fenomen i cili duhet larguar-zhdukur gjithsesi duke paraqitur dhe kuptuar drejt imazhin e pastër të Islamit dhe mesazhet e qarta dhe të vërteta që burojnë nga ai.
Meqenëse monoteizmi është themeli i Islamit, toleranca është një nga karakteristikat e tij më të shquara. Islam do të thotë “nënshtrim” ndaj Allahut Një dhe i Pashoq, por edhe “paqe”. Toleranca dhe harmonia janë ligje të jetës, të cilat nuk mund të neglizhohen. Toleranca dhe falja në Islam janë vlera shumë të çmuara dhe parime themelore, të cilat duhen respektuar dhe praktikuar. Islami i jep shumë rëndësi drejtësisë, humanizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, moralit të lartë dhe sjelljeve të mira. Ai i urdhëron njerëzit që në çdo punë të sillen ndershmërisht e të respektojnë të drejtat e të tjerëve, kërkon që njerëzit të jenë të moralshëm, të pastër e tolerues. S’ka dyshim se toleranca dhe harmonia ndërfetare në Islam buron nga Kurani famëlartë dhe tradita Profetike e Muhamedit a.s..

Toleranca në Kuran

Kurani që në fillim të shpalljes së tij theksoi se njerëzit janë krijuar të ndryshëm për t’u njohur në mes tyre dhe jo për të treguar urrejtje e armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Allahu xh.sh. thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El Huxhurat, 13)
Një nga parimet themelore të besimit Islam dhe dispozita më madhështore me të cilën theksohet liria e plotë e besimit, shprehet në Fjalën e Allahut te Madhërishëm: “Në fe nuk ka dhunë” (El Bekare, 256).
Në një ajet tjetër, Kurani thekson qartë se zgjidhja përfundimtare e besimit është çështje private, personale.
Thotë Allahu Fuqiplotë: “E ti thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë…”. (El Kehf, 29)
Parimin e lirisë së besimit apo mosbesimit individual e bën edhe me të qartë ajeti kuranor: “Thuaj: O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju! As ju nuk jeni adhurues të Atij që adhuroj unë! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që adhuroni ju! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij që adhuroj unë! Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)”! (El Kafirun, 1-6).
Koncepti i tolerancës ndaj besimeve të tjera shtrihet edhe më tej dhe Kurani i porosit qartë myslimanët të jenë tolerantë, zemërgjerë, të mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve të tjera.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira”. (En-Nahl, 125)
Kurani jo vetëm që kërkon nga myslimanët tolerancë, mirëkuptim, sjellje të mira e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të feve të tjera, por ai shkon edhe më larg dhe nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë. Judaizmin dhe Krishterimin i njeh si fe monoteiste që kanë librat e tyre të shpallur nga Zoti dhe bashkë me Islamin ato i quan fe qiellore, ndërsa hebrenjtë dhe të krishterët i quan Ehlul-kitab Ithtarë të librit.
Kurani famëlartë në një ajet i fton për bashkim me këto fjalë: “Thuaju (o i dërguar): O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos I bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zota pos Allahut”. (Ali Imran, 64).
Përveçqë i njeh popujt e tjerë, Kurani njeh edhe profetët e tyre. Kurani, në të vërtetë, nuk bën kurrfarë dallimi në mes profetëve. Ai i urdhëron myslimanët të besojnë të gjithë pejgamberët duke filluar prej Ademit a.s e deri tek Muhamedi a.s..
Allahu i Madhërishëm thotë: “Ju (besimtarë) thoni: Ne i besuam Allahut, (besuam) atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që u është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm Atij I jemi bindur”. (El Bekare, 136).
Duke përmbledhur atë që u tha më lart, e vërejmë qartazi tolerancën e Islamit dhe mund të themi lirisht se Kurani me shprehjet më të shkëlqyera të mundshme, i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit Islam.

Toleranca në traditën profetike

S’ka dyshim se Muhamedi a.s. ishte falës dhe tolerant shumë i madh. E si të mos ishte kështu, kur mirësjelljen dhe tolerancën i kishte të obliguara nga Allahu i Mëshirshëm. Ai ishte i urdhëruar nga Zoti i tij që të ndiqte shkallët më të larta të tolerancës. Fakti se Muhamedi a.s. ishte dërguar mëshirë për mbarë njerëzimin, nënkupton dashurinë, faljen dhe tolerancën e tij që buronin nga ajo mëshirë. Pejgamberi a.s. ishte njeriu që falte më së shumti, sa më i ashpër bëhej dikush ndaj tij, aq më falës bëhej ai. Falja dhe toleranca e tij ishin virtyte që manifestoheshin në çdo rast e sidomos kur kishte pushtet dhe mundësi për t’u hakmarrë. Asnjë lloj krimi apo agresioni kundër tij nuk ishte shumë i madhe për t’u falur nga ai. Aishja r.a. tregon: “I dërguari i Allahut kurrë nuk hakmerrej personalisht për vete, përveç kur ishte fjala për shkeljen e ligjeve të Allahut, atëherë ai ndëshkonte për këtë”. (Buhariu).
Historia është e përmbushur me shembuj të tolerancës së tij. Një ekzaminim i historisë së hershme Islame zbulon shumë shembuj të shquar të tolerancës së tij. Ai ishte falës dhe tolerant ndaj të gjithë njerëzve, e veçanërisht toleranca e tij vërehej tek pjesëtarët e feve dhe besimeve të tjera. Një beduin erdhi një herë për të lypur dhe e kapi për petkat e tij, e shtrëngoi aq fort, sa i la shenja në qafën e tij të bekuar duke i thënë: “O Muhamed, më jep nga ajo që të ka dhënë Allahu! Ai i buzëqeshi dhe urdhëroi që t’i jepej nga pasuria shoqërore aq sa plotësoheshin nevojat e tij”. (Buhariu).
Xhabiri r.a. rrëfen se i Dërguari i Allahut ishte në një betejë dhe derisa myslimanët ishin të shkujdesshim ndaj tij, i erdhi njëri prej armiqve me shpatë në dorë, e rrëmbeu fort dhe i tha: “Kush të mbron tani prej meje”? Ai i tha: “Allahu”. Atij i ra shpata nga dora. Muhamedi a.s. e mori shpatën dhe i tha: “Po ty tani kush të mbron prej meje”? Ai i tha: “Bëhu më i miri që hakmerret”. I Dërguari i tha: “A do të dëshmosh se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut”? Ai i tha: “Jo, por nuk do të luftoj më kundër teje dhe nuk do të jem në anën e atyre që të luftojnë”. Ai e lëshoi. Kur shkoi te njerëzit e vet, u tha: “Jam duke ardhur nga njeriu më i mirë që keni parë ndonjëherë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Kur Muhamedit a.s. i vdiq axha i tij, Ebu Talibi, që ishte mbrojtësi më i sinqertë i tij, në Mekë u bë gjendja edhe më e vështirë dhe e padurueshme, si për Muhamedin a.s., ashtu edhe për pasuesit e tij. Me shpresë se do të gjente mirëkuptim tek fisi Thekif, ai shkoi në Taif dhe u takua me parinë e atij fisi. Ata jo vetëm që refuzuan përkrahjen e tij, por i nxitën fëmijët për ta ndjekur me gurë. E përndoqën dhe e larguan duke e torturuar në format më brutale. Muhamedi a.s., ndonëse kishte mundësi të lutej për shkatërrimin e tyre, sepse melekët ia përcollën këtë mundësi nga ana e Allahut Fuqiplotë dhe ishin të gatshëm për veprim-përmbysjen e kodrave, megjithatë Muhamedi a.s. jo që nuk pranoi të dënoheshin, por e luti Allahun që prej tyre të vinin pasardhës të cilët do ta adhuronin Allahun Një dhe të Pashoq.(1)
Muhamedi a.s. gjatë jetës së tij si udhëheqës fetar dhe burrë shteti, tregoi ndjeshmëri dhe respekt të madh në trajtimin e ithtarëve të librit – hebrenjve dhe të krishterëve. Duke i quajtur hebrenjtë dhe të krishterët “dhimijj”- d.m.th. ata që shteti islam e kishte për detyrë t’i mbronte, Muhamedi a.s. tha: “Kush torturon muahiden (atë që është i mbrojtur), i cenon të drejtat e tij, e mbingarkon atë, ose me pa të drejtë merr diçka nga ai, unë do të jem kundërshtari i tij në Ditën e Gjykimit”. (Ebu Davudi).
Me të ardhur në Medinë, Muhamedi a.s. vuri bazat dhe themelet e tolerancës në mes myslimanëve dhe të tjerëve. Gjëja e parë që Muhamedi a.s. bëri, pasi u vendos në Medinë, ku ai ishte ftuar si udhëheqës, qe përfundimi i një traktati në mes të myslimanëve dhe pasuesve të librit (hebrenj dhe të krishterë) të atij qyteti.
Sipas këtij pakti, myslimanët u garantonin atyre lirinë e besimit dhe u jepnin të njëjtat të drejta dhe detyra si ato të myslimanëve.
Kur një delegacion i të të krishterëve nga Nexhrani erdhi në Medinë, Muhamedi a.s. i vendosi në xhami. Kur iu afrua koha e lutjes së tyre, i lejoi të luteshin në xhami dhe ata u lutën në një pjesë të xhamisë. Me ta bisedoi në formën më të mirë të mundshme. U ofroi argumente, mirëpo nuk i obligoi të hynin në Islam, duke i lënë të lirë të zgjidhnin çfarë dëshironin ata.(2)
Ky është një shembull shumë i fuqishëm i tolerancës, zemërgjerësisë dhe mirëkuptimit nga ana e Muhamedit a.s..
Atë që dëshmon kulmin e tolerancës së Muhamedit a.s., e vërejmë kur ai me ushtarët e tij ngadhënjimtarë hynë në Mekë si çlirimtarë, në vendin ku ai dhe pasuesit e tij për njëzet vjet me radhë kishin pësuar tortura nga më të ndryshmet dhe ishin detyruar ta braktisnin atë vend. Muhamedi a.s., ndonëse i fuqishëm si një prijës, me butësinë dhe mirësinë e tij qëndroi pranë Qabesë. Kur mijëra shpata të zhveshura pritnin hakmarrjen mbi kurejshitët-idhujtarët, pikërisht atëherë Muhamedi a.s. i pyeti: “O kurejshë, ç’mendoni se do t’ju bëjmë juve sot”? Ata, duke e njohur shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s., panë mëshirën në sytë e tij dhe iu përgjigjën:“Ti je vëllai ynë i madh”. Atëherë, me një zë të ngrohtë dhe plot falje e mirësi, Muhamedi a.s. u tha: “Shkoni! Të gjithë jeni të lirë”.(3)
Këta ishin disa prej shembujve që paraqesin zemërgjerësinë, mëshirën, faljen dhe tolerancën e shëmbëlltyrës së njerëzimit të Muhamedit a.s.. E s’ka dyshim se këto tradita profetike u përcollën brez pas brezi dhe mbetën pjesë fundamentale të besimit Islam.



1) Muhamed Ahmed Hudar, Muhamed A’dham El besher, Es-siretu en-nebevijetu fi thevb xhedid. Darul kutub. 2004 Kairo, f. 154-158.
2) Po aty, f. 302.
3) Ebi Muhamed Abdul Melik Ibën Hisham, Es-siretu En-nebevijeh. Darul hadith, Bot. 1. 2004 Kairo, v. 4, f. 319.



Mr. Fitim Gashi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.