Diversiteti në personalitetin e Muhamedit a.s.

“Ju kishit shembull më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në Botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun’’. (El Ahzabë, 21).

Nuk ka dyshim se Muhamedi a.s. në vetveten e tij ngërthente personalitete të shumta me role të ndryshme. Ai nuk ishte vetëm i dërguar, po, krahas misionit të tij si Pejgamber, ai ishte edhe familjar, punëtor, mësues, gjykatës, kryetar, imam, etj... Të gjitha këto role i kryente në mënyrën më të mirë, pa marrë parasysh nëse kishte shpallje për ndonjë çështje të caktuar apo jo. Ai ishte shembull për çdokënd që dëshironte të gjente mostër si duhet jetuar.
Me sjelljet e tij fisnike, përfitoi simpatinë dhe zemrat e njerëzve. Ishte njeriu që përfaqësoi një fe me një legjislacion shumëpërfshirës, prandaj edhe Zoti e pasuroi me veti e cilësi shumëpërfshirëse, në mënyrë që të jetë personi adekuat dhe i përshtatshëm për t’i dhënë hakun ligjit të Tij në tokë. Për këtë arsye, dijetarët dhe historianët e mëdhenj botërorë vazhdojnë të hulumtojnë dhe të mësojnë për Muhamedit a.s. si njeri shumëdimensional dhe njeriu me më ndikim në rruzullin tokësor në të gjitha aspektet e jetës. Së këndejmi,mund të themi se, fjala dhe vepra dhe jeta e asnjë njeriu nuk është studiuar e mësuar me përpikëri e konsekuencë sa ajo e Muhamedit a.s.. Dijetarët islamë kanë theksuar shumë aspekte në personalitetin e tij, mirëpo ne do të përmendim ato më kryesoret:

Muhamedi a.s. si i dërguar i Zotit

S’ka dyshim se roli kryesor i Muhamedit a.s. ishte pejgamberllëku i tij,udhëzimi i njerëzve drejt një rruge të drejtë, hapja e një faqeje të re të njerëzimit, mbyllja e një epoke të paganizmit dhe idhujtarisë. Thotë Allahu në një ajet kuranor: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin e shpalljes), atëherë nuk e ke kryer detyrën tënde (të pejgamberllëkut)...”. (El Maide, 69).
Ndërsa në një ajet tjetër kuranor thotë: “Thuaj: O ju njerëz! Unë jam i dërguar i Allahut tek të gjithë ju...”(El A’raf, 158).
Prej këtyre ajeteve kuranore kuptojmë se Zoti xh.sh. e zgjodhi Muhamedin a.s. që mbi supet e tij të bartë amanetin dhe përhapjen e Shpalljes tek bota mbarë. Pajisja e personalitetit të tij, me cilësi të shumta, bëri që ai të jetë i zgjedhuri në mesin e gjithë njerëzimit, sepse ishte shembull i mirësisë. Jeta e tij, sinqeriteti i tij, mirësia e tij, morali i tij, janë argumente të pamposhtura të Pejgamberllëkut të tij. Thotë dr. Selman Elavde: Misioni më fisnik i Muhamedit a.s. ishte formimi i personaliteteve të njerëzve, ruajtja e vlerave dhe ndërtimi i shoqërive të barabarta e të pastra, të edukuara dhe mirë të kulturuara, ftonte për respekt dhe barazi, vlerëson të devotshmin pa bërë dallime nga raca, ngjyra a gjinia, e për këtë kishte treguar edhe Zoti i Madhërishëm në ajet kuranor: “O ju njerëz, vërtet ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë fise e popuj që të njiheni në mes jush, me të vërtetë më i ndershmi prej jush, është ai që është më i devotshëm...” (El Huxhurat, 13)(1)
Kurse historiani bashkëkohor sirian, dr. Shevki Ebu Halil, kur flet për suksesin dhe veçoritë e Pejgamberllëkut të Muhamedit a.s., thotë: “Misioni i Muhamedit a.s. pati sukses, sepse ishte Shpallja e fundit nga Zoti (me një legjislacion gjithëpërfshirës), e drejtuar për mbarë njerëzimin (pa dallim kombi apo race), ishte i logjikshëm për mendjen e njeriut, unifikoi dhe bashkoi njerëzit rreth ligjit të Zotit, ishte mision i stërmbushur me mrekulli, nxiste vazhdimisht për shkencë, sepse është misioni, me të cilin e ngarkoi i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi”.(2)

Muhamedi a.s. si mësues dhe edukator

Bota mbarë nuk mban mend mësues dhe edukator të suksesshëm si Muhamedin a.s.. Për këtë edhe sahabët e tij thoshin: “Me të vërtetë nuk “kemi takuar mësues më të mirë se Muhamedi a.s (as para ardhjes së tij dhe as pas ardhjes së tij)”.(3)
Me urtësinë e tij, ai arriti ta transferonte Ymetin e tij nga një popull analfabet, që nuk dinin shkrim e lexim, në dijetarë të mëdhenj dhe zbulues shkencash. Njerëzit i nxiti në mënyrën më të mirë për kërkimin e diturisë, duke u premtuar atyre xhenetin si shpërblim për personin që kërkon dituri. Ai në një hadith thotë: “Kush ndjek rrugën për të kërkuar dituri, Allahu do t’i lehtësojë rrugën atij për në Xhenet”.(4)
Ndërsa në një hadith tjetër thotë: “Me të vërtetë Allahu nuk më dërgoi si kokëfortë para njerëzve, mirëpo më dërgoi mësues tolerant për ta”.(5)
Allahu i Madhërishëm, kur flet për Muhamedin a.s. si mësues, thotë: “Ai (Zoti) është që njerëzve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’u lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë atyre librin dhe urtësinë...”(El Xhumatu, 2).
Komentatorët e Kuranit kanë bërë me dije se ky ajet, në kuptimin e tij, ngërthen dy gjëra shumë të rëndësishme për arsyen e dërgimit të Pejgamberit a.s: mësimin e njerëzimit dhe edukimin e tyre. Prandaj çdo popull që dëshiron të shënojë progres, duhet të lexojë patjetër dhe të jetë i edukuar mirë. Asnjë aspekt njerëzor, pa marrë parasysh çfarë - ushtarak,politik, ekonomik etj., nuk mund të ketë avancim të mirëfilltë përveçse me plotësimin e këtyre dy kritereve. Shumë prej dijetarëve islamë mendojnë se arsimi dhe edukimi janë dy gjëra të pandashme, asnjëri pa tjetrin nuk do të jepte fryte të mjaftueshme. Muhamedi a.s. ishte mësues i urtë, ai gabimtarin nuk e qortonte, po e mësonte atë, Aishja r.a., kur tregon për mësimin dhe edukimin e Muhamedit a.s., thotë: “Nuk ka ndodhur që Muhamedi a.s. ta sulmonte dikë me dorën e tij, bile as ndonjë prej grave të
tij apo shërbëtorëve të tij...”(6)
Në fund të elaborimit të rolit të Muhamedit a.s. si mësues, mund të themi se, pena, edukimi dhe mësimi ishin simbolet e tij, pikërisht për këtë arsye shohim se thirrja e parë që mori nga qielli, ishin ajetet uranore që e obligonin atë të lexonte. Zoti i Madhërishëm iu drejtua atij me këto fjalë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë. Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai e mësoi njeriun të shkruajë me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (El Alak, 1-5).
Dijetarët theksojnë se, për të qenë mësues i suksesshëm, duhet të jesh lexues i denjë, sepse ashtu u obligua edhe Muhamedi a.s..

Muhamedi a.s. si udhëheqës shtetformues

Nuk ka dyshim se Muhamedi a.s. konsiderohet personi që vuri themelet e shtetit islam në atë kohë. Kjo vërehet qartë sidomos pas hixhretit (shpërnguljes së Pejgamberit a.s. nga Meka në Medinë). Atje filloi të punonte në mënyrë të organizuar, formoi shoqërinë islame, u orientua në fuqizimin e anës ekonomike pasi myslimanët ekonomikisht ishin shumë të dobët në atë kohë, sepse tërë pasurinë e tyre e kishin grabitur Kurejshitët në Mekë. Aty themeloi xhaminë, e cila në atë kohë, përveçqë konsideroj si vend për ta adhuruar Zotin dhe vend për ibadet, luante edhe rolin e parlamentit të myslimanëve. Ai formoi edhe “Kartën e Medinës” që luante rolin e kushtetutës së shtetit. “Karta e Medinës” ishte një dekret që e caktonte Medinën si shtet islam. Lirisht mund të themi se kjo ishte kushtetuta e parë e shkruar në Islam, bile edhe kushtetuta e pare në shoqërinë njerëzore. Qëllimi i saj ishte që në mesin e myslimanëve të kishte rregull, të mbizotëronte ligji, dhe të mos kishte anarki. Prej pikave kryesore të asaj karte (kushtetutës së myslimanëve në atë kohë), ishin(7):
a) Secila palë (myslimanët dhe hebrenjtë) kanë të drejtë të respektojnë fenë e tyre.
b) Secila palë janë përgjegjëse dhe kompetente për gjendjen e tyre ekonomike.
c) Nëse Medina sulmohet nga ndonjë palë e tretë, secila palë obligohet të kontribuoj në mbrojtjen e atdheut.
d) Dialogu është mënyra e vetme për t’i zgjidhur problemet në mes veti.
e) Asnjë banor nuk ka të drejtë të jetë mbi ligjin (të bëjë çrregullime, të kryejë vepra dhe mëkate, të cilat janë të ndaluara).
f) Shteti obligohet të jetë në ndihmë të nevojtarëve, pa dallime në mes hebrenjve dhe myslimanëve.
g) Të dyja palët (myslimanët dhe hebrenjtë) duhet të ndërpresin kontratat dhe marrëveshjet e tyre me Kurejshitët (Pasi Kurejshitët konsideroheshin si armiq të tyre).
h) Muhamedi a.s. do të jetë personi kryesor dhe kompetent për interpretimin e kësaj kushtetute.
i) Kjo kartë (kushtetutë) konsiderohet referencë për çdokënd që kërkon drejtësi.
Nga përmbajta e kësaj kushtetute, vërejmë qartë urtësinë e Muhamedit a.s. në formimin e shtetit. Hartimi i kësaj kushtetute, para një mijë e katërqind e sa vjetësh, është e ngjashme me metodat që aplikohen sot në kohët moderne. Pejgamberi ynë a.s. na ofroi kushtetutë të efektshme dhe pika të rëndësishme, se si duhet t’i qasemi shtetndërtimit, dialogut dhe respektit ndërfetar.

Muhamedi a.s. si gjykatës

Nga rolet kryesore të Muhamedi a.s. ishte edhe gjykimi në mes njerëzve. Ai si pikë referimi për të gjykuar në mes njerëzve kishte Shpalljen që i vinte prej Zoti, mirëpo, në rast se nuk kishte shpallje, ai gjykonte në mes njerëzve me mendjen e tij. Falte shumë derisa nuk shkelej ligji i Zotit. Drejtësia e tij bëri që të gjithë të ishin të kënaqur me gjykimin e tij. Ai nuk dallonte të pasurin nga i varfri, politikanin nga qytetari, të afërmin nga i largëti.(8)
Për këtë arsye, edhe njihet si gjykatësi më i drejtë në historinë e njerëzimit. Ai në një hadith thotë: “Më të vërtetë janë shkatërruar popujt para jush, sepse nuk kishin drejtësi në zbatimin e masave ndëshkuese, nëse në mesin e tyre vidhte një i njohur, nuk zbatonin dënimin ndaj tij, e nëse vidhte një i panjohur (i lig), ndaj tij zbatonin dënimin. Pasha atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse Fatimja, bija e Muhamedit, do të vjedhë, asaj do t’i pres dorën...”(9)
Ndërsa në një hadith tjetër thotë: “Ky Ymet do të jetë i suksesshëm derisa të mos i anashkalojë tri gjëra: “Kur të flasë, ta thotë të vërtetën; kur të gjykojë, të gjykojë me drejtësi, dhe, kur t’i kërkohet falje, të jetë falës (jo hakmarrës)”.(10)
Në fund, mund të theksojmë se këto ishin vetëm disa nga cilësitë më kryesore të personalitetit të Muhamedit a.s., sepse, me të vërtetë cilësitë e tij pozitive janë aq të shumta, saqë nuk mund të numërohen. Ai ishte shëmbëlltyra e njerëzimit në çdo pore të jetës, besnik, durimtar, i sinqertë, trim, bujar, modest, i mëshirshëm, edukator, mësues, ushtarak, udhëheqës...(11)
Për shëmbëlltyrën e tij, më së miri na tregoi Zoti i Madhërishëm në ajetin kuranor: “Ju kishit shembull më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në Botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke E përmendur shumë shpesh Allahun”( El Ahzabë, 21).


__________________
1) Meal-Mustafa f. 226, Selman bin Fehd El-Avde.
2) Fi tarih-el-islamij f. 29, prof. dr. Shevki Ebu Halil.
3) Ibn Haban (2248) nga Muavije ibn Hakem.
4) Imam Muslimi (2699).
5) Imam Muslimi nga Xhabir bin Abdilah r.a. me nr. 1478.
6) Imam Muslimi me nr. (2328) nga Ajshja r.a.
7) Fikhu Sireti-Ennebevije (f. 222-227) Prof. Dr. Muhamed Seid Ramadan El-Buti.
8) Më gjerësisht për drejtësinë e Muhamedit a.s. dhe rolin e tij si gjykatës shih:En-nidham- Es-sijasij fil Islam f. 40- 65, Dr. Muhamed Abdulkader Ebu Faris.
9) Transmeton Imam Muslimi me nr. 1688.
10) El-muxhem el-evsat (1/243) Imam Et-taberani.
11) Muhamedun ke’eneke terahu, Dr. Aid bin Abdullah El-Karni.



Mr. Ekrem Maqedonci

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.