Pejgamberi a.s., sjelljet dhe raportet e tij me gratë dhe familjen e tij

Pejgamberi a.s. ishte themeluesi dhe rregulluesi i qytetërimit më të frytshëm, më mbresëlënës dhe më të artë të historisë, periudhës e cila u quajt periudha e artë (asrussaadeh).

Gjatë kësaj periudhe dhe më pas ky i Dërguar asnjëherë nuk i la pas dore dhe jashtë kujdesit gratë, bile vendosi rregulla të reja dhe të përshtatshme për ato dhe natyrën e tyre. Pejgamberi a.s. i çliroi gratë nga gjendja më e vështirë që ishin duke i përjetuar ato, edhe pse kjo ironi ndaj tyre kishte vazhduar gjatë gjithë kohërave duke i shtypur, keqpërdorur, persekutuar, sharë, lënduar, dhunuar, duke i përbuzur, duke ia mohuar asaj të drejtat e saj themelore të cilat i përkasin natyrës së saj femërore. Kjo sjellje dhe servim i këtij mentaliteti të ri ndikoi që secili të drejtohej përballë këtij civilizimi të frytshëm. Aq më shumë dhe në asnjë moment nuk mund të mohohet se çrrënjosjen e këtyre të drejtave dhe sjelljen e drejtësisë në pah e mundësoi të aplikohet vetëm Pejgamberi a.s. Ai ishte i Dërguari i Allahut i cili i zhduku këto dukuri negative dhe vendosi rrënjët e revolucionit pozitiv i cili triumfoi më pas shkallë-shkallë në çdo hap dhe në të gjithë rruzullin tokësor. Kjo e vërtetë nuk mund të mohohet as sot pas 1433 viteve.
Para së gjithash, Pejgamberi a.s. ishte njeriu i parë që ia mësoi dhe përkujtoi njerëzimit se gruaja ishte me të vërtetë qenie njerëzore, asaj i dha krenari, respekt dhe nder duke ia rikthyer sërish nderin, dinjitetin dhe ndjenjat e shenjta të dëlirësisë së saj. Marrëdhëniet mes burrit dhe gruas ai i tregoi duke e sjellë veten e tij si shembull në fjalë dhe në vepra, pra ishte personaliteti i tij i cili hartonte shembuj të ndryshëm pozitivë që do të trashëgoheshin pas shumë shekujve.
Pejgamberi a.s. ishte i pari i cili e bëri dallimin në mes të natyrës (fitreh) së mashkullit dhe asaj të femrës, duke na bërë me dije se këto dy gjini janë krijuar me struktura të ndryshme natyrore. Femrat kanë natyrë emocionale të butë, të brishtë, të prekshme dhe janë më të ndjeshme por dhe më elegante. Ai e dinte në themel këtë psikologji të hollë të tyre, gjë që i mundësoi të jepte shembuj gjatë gjithë jetës së tij, të ketë nivel të padiskutueshëm dhe virtyte të larta. Ky ishte një realizim i tij virtuoz gjatë tërë jetës së tij të cilin e shfaqi në praktikë duke e ekspozuar me sjelljet e tij shembullore.
Në raportet e tij me gratë ai ishte një burrë i cili gjithmonë ishte i hareshëm, i buzëqeshur, gojëmbël, tolerant, me shprehi dhe natyrë të butë, i kuptueshëm dhe i arsyeshëm. Asnjëherë nuk ishte tiran brenda familjes. Asnjëherë gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte ushtruar dhunë, imponim, qortim, vrazhdësi, ashpërsi, thyerje, të bërtitura, sharje dhe ofendime çoroditëse e të padëshirueshme në familje. Ai si personalitet kishte këto cilësi: i butë, i sjellshëm, iu jepte komplimente të tjerëve, kishte mirësjellje dhe hatër ndaj njerëzve, dëshironte barazinë dhe drejtësinë në mes njerëzve, dhe me plot kuptimin e fjalës ishte personalitet apo një njeri i mbushur me dashuri.
Gjatë gjithë jetës së tij ai vazhdimisht kishte marrëdhënie të shkëlqyeshme me gratë, si dhe me nipat e mbesat e tij, kishte ideale të pastra me të gjithë familjen dhe shoqërinë që e rrethonte, prandaj edhe arriti të bëhej shembull për të gjitha kohërat deri në Ditën e Kijametit. Ai ishte një shembëlltyrë nga i cili do të kopjoheshin sjelljet e tij gjatë gjithë kohëve në shoqërinë islame dhe atë të gjerë botërore, duke filluar nga roli i tij i rëndësishëm si burrë me gratë e tij, si baba me fëmijët e tij, si gjysh me nipërit dhe mbesat e tij.
Prandaj, nëse analizojmë në detaje këto sjellje të tij do të shohim se tek Allahu do të përgjigjen njësoj dhe kanë respekt e meritë të njëjtë të dyja gjinitë, qoftë mashkull apo femër, dhe gjithashtu kanë përgjegjësi të njëjtë për moskryerjen e veprave dhe obligimeve të tyre në jetë e aq më shumë në bashkëshortësi.
Në fakt kemi shumë shembuj të treguar në Kur`an dhe në sunnet që me ngulm e luftojnë diskriminimin ndaj grave, pra këto urdhëra përmbajnë urtësi dhe garanci të përhershme për të drejtat themelore të femrës. Kjo ndikoi që këto padrejtësi që përjetonte gruaja e asaj kohe të çrrënjoseshin njëherë e përgjithmonë, duke u zëvendësuar me të mira që do të sillnin edukimin dhe ngritjen e shoqërisë në përgjithësi.
Sipas mendimit dhe porosisë së Pejgamberit a.s. dhe sipas moralit të tij (ahlak), diskriminit të gruas nuk i mbetej vend as sa grimca.
Nëse marrim parasysh veprat dhe raportet e tij me gratë e veta do të shohim se ai ishte njeriu që iu kishte dhënë të drejta grave deri në shkallën e fundit. Se në ç’mënyrë të butë është sjellur ndaj tyre, me plot të drejtë jemi dëshmitarë se ai ishte burri që kishte sjelljet më të buta dhe më të kujdesshme ndaj grave, bijave dhe mbesave të tij.
Sipas mesazheve të tij që na transmetohen me anë të haditheve të sakta, thuhet se Pejgamberi a.s. asnjëherë në jetën e tij nuk e kishte lënduar zemrën e ndonjë prej grave të tij. Njësoj si me gratë e tij ai kishte vepruar edhe me fëmijët e tij, duke mos i lënduar ata asnjëherë, por gjithmonë mundohej që të mbante të ngritur moralin dhe disponimin e tyre, dhe asnjëherë nuk e pëlqente vrazhdësinë. Gjithashtu, ai i porosiste edhe të tjerët që të kenë sjellje e marrëdhënie të mira dhe të buta ndaj grave të tyre.(1)
Në kohën e injorancës gruaja nuk trajtohej as si qenie njerëzore, por Pejgamberi a.s kurrë nuk ishte pajtuar me ushtrimin e dhunës ndaj femrës, por ai kishte si synim ndryshimin e rrënjësishëm të këtyre dukurive negative. Gjatë gjithë jetës së tij, ai asnjëherë nuk kishte aplikuar dhunë dhe sjellje të ashpër ndaj asnjë gruaje, shërbëtori apo fëmije.(2)
Në hadithet e tij të transmetuara në koleksionet e mëdha shohim se ata që i rrahin gratë e tyre i përshkruan si njerëz jo të mirë dhe të vrazhdë.
Në një hadith Pejgamberi a.s. ua tërheq vërejtjen në mënyrë të ashpër burrave të vrazhdë dhe u thotë: “Gratë i rrahin vetëm njerëzit e këqinj.”(3)
Pejgamberi a.s. mirësjelljen ndaj grave e kishte bërë shumë të rëndësishme, dhe sikur të merreshin shembull sjelljet e tij me gratë e tij nuk do të kishin mundësi të shfaqeshin këto dukuri negative dhe gjendje të mjerueshme të rikthyera në sëmundje shoqërore.
Ai gjithashtu kishte një mëshirë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, saqë shokët e tij i porosiste që kur janë në luftë me armikun të mos i dëmtojnë dhe të mos i sulmojnë gratë, pleqtë dhe fëmijët, bile e kishte ndaluar vrasjen e tyre.(4) Ai thoshte: “Mos gaboni! Mos vrisni asnjë grua, asnjë fëmijë, asnjë plak të shtyrë në moshë.”(5)
Familja e Pejgamberit a.s. ishte gjithmonë një familje e lumtur, e qetë dhe paqësore meqë në këtë çerdhe mbizotëronin: vlerat, drejtësia, barazia, toleranca, dashuria, respekti, mirësjellja, siguria, krenaria, dinjiteti, liria, respektimi ndaj të drejtave, durimi dhe sakrifica, simpatia, butësia dhe hatri i ndërsjellë ndaj anëtarëve të familjes.
Enesi r.a. (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të), një kohë të gjatë kishte qëndruar pranë të Dërguarit të Allahut xh.sh.. Raportet e tij familjare i përshkruan në mënyrën më të shkurtër dhe më përfshirëse duke thënë: “Nuk kam parë njeri më të mëshirshëm se Muhammedi a.s. me anëtarët e familjes së tij.”(6)
Pejgamberi a.s. gjithashtu ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili është më i mirë ndaj familjes së tij. Po të merrni shembull prej meje, unë jam më i miri prej jush ndaj familjes sime.”(7)
Kur e shpjegon rëndësinë e butësisë dhe mirësjelljes ndaj të tjerëve, në hadithet e tij na e tërheqin vëmendjen këto shprehje të tij: “Allahu është i butë dhe e do butësinë në të gjitha punët.”(8)
“Shprehitë e buta të bëjnë të lirë, e nga mirësitë bëhet liria.”(9)
Gruan e tij, zonjën Aishe r.a. e porosit në këtë mënyrë:
“O Aishe, bëhu e butë! Sepse Allahu kur ia do të mirat Ehli Bejtit (familjes së ngushtë të Pejgamberit a.s.) atyre u dhuron butësi.(10)
Në parimet e të edukuarit të Pejgamberit a.s. ekzistojnë forma të ndryshme, parime këto që kanë treguar sukses të madh.
Këtë formë të parimeve të tij e vërejmë të praktikuar tek të gjitha gratë e tij, duke filluar nga zonja e zonjave Hatixheja r.a., e cila ishte përkrahësja më e afërt e Pejgamberit a.s., shoqja, mikja e tij më e afërt dhe bashkëshortja më e vyeshme. Kjo ishte gruaja më e guximshme dhe së cilës Muhammedi a.s. i besoi më së shumti, tek ajo gjeti sigurinë dhe përkrahjen kur i erdhi urdhëri i parë, sepse tek ajo u mbështet dhe ia kumtoi lajmin e parë dhe të vërtetë. Ajo i dha kurajo të madhe Pejgamberit a.s., kurajo dhe ndihmë që më pas i Dërguari a.s. nuk do ta harronte kurrë deri sa vdiq. Pas vdekjes së saj, një ditë në prani të Aishes r.a. filloi ta lavdëronte Hatixhen r.a.. Aisheja r.a. me natyrën e gruas që kishte e xhelozoi dhe i tha: “Pse vazhdon dhe e përmend atë grua plakë? Allahu të ka dhënë një më të mirë në vend të saj”. Pejgamberi a.s. e vlerësonte atë në bazë të inteligjencës dhe aftësive të saj, dhe sërish iu kthye Aishes dhe ia lavdëroi në këtë mënyrë: “Allahu nuk më ka dhënë më të hajrit se ajo. Sepse kur të gjithë më injoronin, ajo më besonte mua. Kur çdokush më bënte gënjeshtar, ajo më besonte. Kur çdokush e ruante pasurinë ajo më mbështeste, dhe Allahu me të më mundësoi të kem fëmijë.”(11)
Me këto fjalë Pejgamberi a.s. e tregoi veten se sa dashuri, besnikëri dhe respekt që kishte ndaj gruas e tij. Aisheja r.a. thotë: “Nuk e kam xhelozuar askënd më shumë sesa Hatixhen.”(12)
Qoftë nëna jonë Aisheja ose gratë e tjera të Muhammedit a.s. kohë pas kohë kanë shfaqur xhelozi mes tyre por Pejgamberi a.s. bëri durim ndaj këtyre gjërave.
Ai i ka porositur burrat e Ummetit të tij që të kalojnë mirë me gratë e tyre e për të kaluar mirë ai u ka dhënë edhe disa këshilla: “Askush mos ta injorojë gruan e tij. Në qoftë se nuk e pëlqen një ves të saj, ia pëlqen vesin tjetër.“(13)
Kjo është pjesë e sjelljes së mirë të Pejgamberit a.s. dhe mënyra e arritjes për gjetjen e një zgjidhjeje të lehtë për muslimanët, ose afrim mes çifteve. Në anën tjetër ai i porosit edhe gratë: “Gruaja nga e cila burri i saj vdes i kënaqur ndaj saj, do të hyjë në Xhennet.“(14)
Nëse e mendojmë të kundërtën e kësaj nuk paraqet asnjë pengesë sepse nuk u fokusua vetëm për gratë por gjithashtu i porositi edhe burrat duke iu thënë: “Edhe gruja juaj ka hak ndaj teje, edhe fëmija yt po ashtu ka hak ndaj teje, dhe familja ka hak ndaj teje...“, dhe këto fjalë i cekte shpesh.(15) Kështu që njerëzve që i kishte afër dhe Ummetit të tij ia bëri me dije se duhet të kujdesen për të drejtat e njerëzve. Kjo edhe njëherë na paraqet pasqyrën e sinqeritetit, besnikërisë dhe kujdesit të Pejgamberit a.s.
Transmetohet se Pejgamberi a.s. ishte aq njeri i butë dhe modest saqë “edhe kur hipnin në kafshë i ndihmonte gratë e tij.“(16)
Një herë e kishin ftuar në një tubim ku do të shërbehej ushqim, dhe ftesën për këtë tubim ai e pranoi vetëm me pjesëmarrjen e gruas së tij.(17)
Gjithashtu duhet të potencojmë rëndësinë që ai u jepte grave të tij. Ai asnjëherë nuk gjente të metë në ushqimin që i sillnin, nuk nervozohej me to për ndonjë gabim që mund të ngjante, por nëse e pëlqente e hante dhe nëse nuk i pëlqente nuk e hante.(18)
Me një fjalë, ai asnjëherë nuk i lëndonte gratë e tij për sa i përket çështjes së ushqimit. Njëherë, Pejgamberi a.s. kishte dalë për një shëtitje së bashku me gratë e tij. Kur gratë ishin të ulura në deve, prijësi i karavanit filloi t’i printe deveve me shpejtësi. Devetë filluan të ecnin me shpejtësi, dhe ai ia tërhoqi vërejtjen prijësit të karavanit të deveve duke i thënë se gratë janë të buta dhe mund të lëndohen. Ai me këtë gjest ia bëri me dije atyre duke e krahasuar hollësinë dhe ndjeshmërinë e grave me kristalin.(19)
Edhe brenda shtëpisë së tij e vërejmë qartë thjeshtësinë dhe modestinë, sepse ai gjithmonë i kishte ndihmuar anëtarët e tij të familjes, respektivisht gratë e tij, duke i ndihmuar ato në kryerjen e punëve të shtëpisë. Madje edhe gjatë kohës kur ishte në Medine edhe pse kishte një orar të ngjeshur, asnjëherë nuk kishte ngurruar që të mos e ndante kohën për t’i ndihmuar gratë e tij, si në punë shtëpiake, por njëkohësisht edhe duke u marrë me to dhe duke bërë bisedë me to.
Gjithashtu, edhe gjatë festave të gëzimit gjatë Bajrameve, Pejgamberi a.s. i kishte lejuar gratë e tij që të argëtoheshin gjatë këtyre ditëve. Transmetohet se: “Gjatë një feste të Bajramit ai mori pjesë së bashku me Aishen r.a. në një argëtim loje me shtiza që e organizonin abisinasit, dhe këtë lojë ata e shikuan së bashku derisa u mërzitën.(20)
Transmetohet gjithashtu se ai së bashku me Aishen r.a. kishin bërë dy herë gara vrapimi. Nga dy garimet e bëra në njërin prej tyre kishte fituar nëna jonë Aisheja r.a., ndërsa në tjetrin kishte fituar Pejgamberi ynë, Muhammedi s.a.v.s.(21)
Hazreti Pejgamberi a.s. kohë pas kohe bënte edhe shaka me gratë e tij. Një ditë ai hyri tek Aisheja r.a. dhe e pa atë të mërzitur dhe duke u ankuar, sepse ai i kishte treguar se ai do të vdiste para saj, edhe në këtë rast i tha asaj me shaka: “ Jo ti, por unë duhet të them ç’më gjeti mua. Sikur të vdesësh ti para meje, unë duhet të të laj me duart e mia, të të vë në kefin (qefin), të ta fal namazin dhe të të varros në varr. A nuk bën? Kur Aisheja r.a. e dëgjoi këtë tha: “Vaj për mua, ç’më gjeti! Vallahi, unë mendoj se ti me të vërtetë e dëshiron vdekjen time...“, dhe kur ajo u shpreh kështu, Pejgamberi a.s. qeshi.
Kur u shtri në shtratin e vdekjes, ai kërkoi që të vendosej në dhomën e Aishes r.a., edhe kësaj radhe kërkoi leje nga gratë e tjera, e kjo është një argument se sa i butë dhe sa i kujdesshëm ishte ai ndaj grave.(22)
Pejgamberi a.s. në mesin e familjes së tij asnjëherë nuk ishte despot, shtypës, nuk fliste me ton të lartë, nuk ishte ndonjë person i cili nuk e toleronte kundërshtimin. Ai ishte tolerant, i kuptueshëm, i arsyeshëm, dhe gratë e tij diskutonin dhe debatonin me të, bile edhe e kundërshtonin ndonjëherë.(23)
Pra, me këto cilësi ai themeloi familjen më të lumtur dhe më të qetë në botë.
Pra, Pejgamberi a.s., në çdo kohë i respektonte dhe i vlerësonte gratë e tij, kur kishte nevojë konsultohej me to, i ndihmonte në punët e shtëpisë, bisedonte me to, iu shpjegonte çështje fetare, ndaj tyre tregonte tolerancë dhe liri, bënte shaka me to, i ndihmonte në aspektin material dhe shpirtëror, sillej me mirësjellje dhe butësi ndaj tyre, i falte ato, ishte gjithmonë modest dhe i dashur për to.
Pejgamberi a.s. në përgjithësi sillej mirë. Ai, gjithashtu, asnjëherë nuk kishte bërë ndasi në mes të fëmijëve, por ishte sjellur në mënyrë të barabartë dhe me drejtësi ndaj tyre. Aisheja r.a. tregon se në dialogje vajza e tij Fatimeja r.a. i ngjante shumë. Ajo e përshkruan kështu: “Unë nuk kam parë asnjë njeri që t’i ngjante Resulullahut s.a.v.s. në çdo aspekt më shumë se Fatimeja.” Kur Fatimeja hynte tek Pejgamberi i Allahut, ai ngrihej në këmbë për të, e puthte atë dhe e ulte në dhomën e tij. Po ashtu, edhe kur Pejgamberi a.s. hynte tek Fatimeja, ajo ngrihej në këmbë, e puthte atë dhe e ulte në dhomën e saj.”(24)
Me këto sjellje mund të shohim se sa dashuri dhe respekt kishte ai ndaj tyre. Kështu që mund të konkludojmë se ashtu siç ishte ai i sjellshëm, i dashur, i barazpeshuar, modest dhe i respektueshëm ndaj grave të tij, të njëjtën modesti dhe të njëjtat virtyte i kishte edhe ndaj vajzave, nipave dhe mbesave të tij.
Këto janë raportet, metodat dhe praktikat jetësore të Pejgamberit të Allahut ndaj familjes, grave, fëmijëve, nipave e mbesave të tij, të cilat duhet të vazhdohen aty ku janë të pranishme, duhet të ripërtërihen aty ku janë lënë anash, dhe duhet të fillojnë aplikimin aty ku nuk janë aplikuar asnjëherë, sepse vetëm kështu gruaja mund të arrijë lumturinë, pozitën e merituar dhe gradën e saj njësoj si në kohën kur ishte gjallë i Dërguari i Allahut (asrussaadeh), sepse në kohën sa ishte gjallë Pejgamberi a.s., gruaja kishte rol dhe pozitë të lartë.


________________________________________
1. Ibn Ishak: “Siretu En’Nebevijje”, botuar në Bejrut.
2. Sahihul Muslim, kap: “El Fedail”, f. 79.
3. Ibn Sa’d, Tabakatul-Kub-ra, Daru Sadr, Bejrut, Botim. 1985, pjesa VIII, f. 204.
4. Buhariu, kap. “Xhihadi”, f. 147-148; Muslim, kap. “Xhihadi”, f. 137-140.
5. Imam Maliku, “Muvatta”, kap. “Xhihadi”, f. 10.
6. Muslimi, kap. “Fedail”, f. 63.
7. Ibni Maxhe, kap. “Nikahu”, f. 50.
8. Buhariu, kap. “Istitabe”, f. 4.
9. Muslimi, kap. “Birr”, f. 23.
10. Imam Ahmedi, “Musned“, kap. Fq. 71. f. 104, 105.
11. Imam Ahmedi, Musned, f. 71, 104, 105.
12. Buhariu, kap. “Menakibul-Ensar”, f. 20; Muslimi, kap. “Fedailus-Sahabe”, f. 74-76.
13. Muslimi, kap. “Rada”, f. 61.
14. Tirmidhiu, kap. “Rada”, f.10.
15. Buhariu, kap. “Saum”, f. 51, 54-55; Muslimi, kap. “Sijam”, f. 183.
16. Buhariu, kap. “Megazi”, f. 38.
17. Muslimi, kap. “Eshribe”, f. 139.
18. Buhariu, kap. “Et’ime”, f. 21.
19. Buhariu, kap. “Edeb”, f. 90.
20. Buhariu, kap. “Idejn”, f. 2.
21. Ebu Davudi, kap. “Xhihadi”, f. 61.
22. Buhariu, kap. “Megazi”, f. 83.
23. Shih: Ebu Davudi, kap. “Edeb”, f. 84.
24. Ebu Davudi, kap. “Edeb”, f. 144; Tirmidhiu



Dr. Hatixhe Ahmedi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.