Përshkrimi i fytyrës së Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, është njeri, emocionet e tij janë të natyrshme si dhe të njerëzve të tjerë. Kur ka mohuar diçka, ose është zemëruar, ose diçka e ka bërë të lumtur, kjo është vërejtur në fytyrën e tij.

Bashkëshortet e tij, nënat e besimdrejtëve dhe sahabët e tij e kanë vërejtur këtë, prandaj prej tyre transmetohen hadithe, ku ata i përshkruajnë shprehjet e fytyrës së tij në gjendje të ndryshme, disa prej të cilave ne do t’i përmendim.

Kishte fytyrë të bukur dhe tërheqëse

Muhammedi, salallahu alejhi ue selam, nuk ka qenë i trashë. Shtati i tij ishte mesatar, shpatullgjerë. Fytyra e tij ishte e bukur dhe tërheqëse. Sytë i kishte të mëdhenj dhe të zi, shikimin e thellë të rrethuar me qepalla të dendura dhe të gjata, ndërsa vetullat e gjata e të bukura, as të holla e as të trasha. Flokët i kishte të gjatë gjer te pulpat e veshëve gjysmë kaçurrelë e të zeza, mjekrën e dendur dhe të zezë. Më parë flokët i mbante të lëshuar, nga dëshira që t’i imitonte Pejgamberët e mëhershëm, e pastaj i mblidhte në kokë. Kur gëzohej, fytyra i shndriste sikur të ishte një copë hëne. Kishte gojë të bukur, kur heshte, shquhej qëndrimi i tij dinjitoz dhe i matur, ndërsa kur fliste, e frymëzonte shkëlqimi dhe eleganca. Njeriu më i bukur dhe më elegant prej së largu, e edhe më i bukur dhe më tërheqës prej së afërmi. As ambri as misku nuk kishte erë më të këndshme se sa lëkura e Muhammedit, salallahu alejhi ue selam.

Fytyra e tij ishte e sinqertë dhe fisnike

Mjaftonte vetëm një shikim në fytyrën e tij fisnike që njeriu të bindet në sinqeritetin dhe fisnikërinë e tij. Kjo ndodhi me Abdullah ibën Selamin kur I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selam, bëri hixhret për në Medine, e shikoi në fytyrën e tij dhe i tha: "Unë dëshmoj se fytyra jote nuk është fytyrë gënjeshtari".

Fytyra e tij shkëlqente si hëna e plotë

Hasan b. Ali, radijallahu anhu, ka thënë: "Daja im Hind b. Ebi Hale dinte të përshkruante bukur, prandaj e luta t’ma përshkruan Të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selam, gjatë përshkrimit të tij, ndër të tjera tha: "...I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selam, kishte pamje madhështore, fytyra e tij shndriste si hënë e plotë ..." (Tirmidhiu)

Fytyra e tij shndërriste nga gëzimi

Në një hadith të zgjeruar që flet për pendimin e K’ab b. Malikun, radijallahu anhu, K’ab b. Maliku tregon: "Kur i dhash selam Të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ue selem, fytyra e tij shndërriste nga gëzimi dhe më tha: “Gëzoju kësaj dite, ditës më të mirë, që nga dita kur të ka lindur nëna (Buhariu, Muslimi)

Ndryshimi i disponimit është vërejtur në fytyrën e tij

Aishja, bashkëshortja e Pejgaberit, salallahu alejhi ue selem, thotë: "Nuk kam parë që i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, të qeshte shumë. Ai vetëm buzëqeshte. Kur shihte retë ose erën, ndryshimi i disponimit shihej në fytyrën e tij.
"O i Dërguari i Allahut, njerëzit gëzohen kur i shohin retë me shpresë që ato bartin shiun, ndërsa në fytyrën tënde vërej parehati?”
'Aishe, kush mund të më garantoj se ato nuk janë duke bartur dënimin? Disa popuj janë dënuar nga era. E disa, pasi kanë parë retë, bërtitën: "Këto re bartin shiun." (Buhariu, Muslimi)

Fytyra e tij skuqej

Imam Buhariu në Sahihun e tij shënon se sahabët, radijallahu anhum, u takuan për të diskutuar disa çështje të luftës. Në mesin e tyre ishte Halid bin Velidi (shpata e Allahut), Bilall ibn Rebah dhe Ebu Dherri. Foli Bilalli, ndërsa Ebu Dherri duke e kundërshtuar tha: "Biri i zëzakes!" Bilalli tha: "Pasha Allahun, për këtë do ta njoftoj Të Dërguarin e Allahut". Shkoi te ai e i tha: "O i Dërguari i Allahut. Më ka thënë këtë e këtë". Fytyra e Pejgamberit, sallallahu alejhi ue selem, u skuq, e ftoi Ebu Dherrin dhe i tha: "A dëshiron ta turpërosh me nënën e tij? Ti je me të vërtetë një njeri në të cilin ende ka xhahiliet."
Ebu Dherri doli dhe tha: "Pasha Allahun, gjithsesi do t’ia kthej Bilallit të drejtën e tij që e ka te unë". E vuri kokën e tij në tokë dhe i tha Bilallit: "Shkele Bilall, kokën time, me këmbën tënde! Pasha Allahun, nuk do ta ngris kokën, derisa nuk e shkel ti me këmbën tënde! "

Fytyra e ndritshme - karakteristikë e këtij umeti

Ajo me çka është ndruar ky umet është edhe fakti që pasuesit e sinqertë të Muhammedit, salallahu alejhi ue selam, në Ditën e Gjykimit do të njihen nga bardhësia dhe shkëlqimi i fytyrave, duarve, këmbëve dhe pjesëve tjera të trupit që i kanë larë gjatë marrjes së abdestit. Këto shenja nuk do t’i ketë asnjë prej umeteve të mëparshme.

Për këtë karakteristikë tregojnë hadithet në vijim:

Transmetohet nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se ka thënë: "E kam dëgjuar Të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: "Vërtet umeti im do të vijë në Ditën e Gjykimit me fytyra, duar dhe këmbë të ndritshme nga gjurmët e abdestit, prandaj kush prej jush është në gjendje ta rrisë dritën e vet le ta bëjë atë." (Buhariu dhe Muslimi)
Në transmetimin e Muslimit thuhet: "Sahabët i thanë: "O i Dërguari i Allahut, a do të na njohësh atëherë?” Ai tha: “Po, atë ditë në fytyrat tuaja do të keni shenja që nuk do t’i ketë asnjëri prej umeteve të mëparsghme ... '"

Si t’i kemi fytyrat e ndritshme

Abdullah ibn Mes’udi, radijallahu anhu, transmeton nga I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selam, se për vlerën e ruajtjes dhe transmetimit të haditheve të tij ka thënë: "Le t’ia ndriqoj Allahu fytyrën e secilit që e dëgjon një hadithë nga ne dhe e transmeton ashtu siç e ka dëgjuar! Shumë prej tyre do ta kuptojnë më mirë hadithin e transmetuar se ai që e ka dëgjuar drejtpërdrejt. "(Tirmidhiu, Ibn Maxhxhe, Ahmedi)
Disa dijetarë kanë thënë: "Nuk ka njeri që angazhohet në studimin e haditheve, e fytyra e tij të mos jetë e ndritshme."

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.