Porositë e fundit nga Muhamedi, alejhi selam

Para se të vdiste Muhamedi a.s. bëri haxhin lamtumirës, të cilin e kreu me shumë përkushtim dhe porosi për besimtarët, që të mbetet thuajse edhe takimi i fundit me një numër aq të madh të myslimanëve, në një vend të veçantë siç ishte fusha e Arafatit.

Pas kësaj ndodhie të Dërguarit a.s. i zbriti ajeti i Kuranit: "Sot përsosa për ju fenë tuaj", e kur e dëgjoi Ebu Bekri r.a. këtë ajet qau shumë, e njerëzit përreth e pyetën se pse po qante, sepse ky ajet është sikurse edhe ajetet tjera që i zbritën Muhamedit a.s., mirëpo Ebu Bekri kishte kuptuar se po vinte fundi i misionit të Muhamedit a.s., e atyre nuk u kishte shkuar mendja fare për fundin e misionit profetik. Ndërsa u kthye Muhamedi a.s. në Medine edhe nëntë ditë të tjera të jetës së tij do t'i kalonte në rrethana krejtësisht emocionuese, e që i zbriti edhe ajeti i fundit i Kuranit: "Frikësojuni ditës kur do ktheheni tek Allahu", e pas këtij verseti filloi t'i rëndohej shëndeti Muhamedit a.s. dhe kërkoi që t' i vizitoi shehidët në varrezat e Uhudit. Shkoi atje dhe u ngrit para varrezave dhe u tha: "Eselamu alejkum o shehidët e Uhudit, ju jeni para neve dhe ne inshallah do t'ju pasojmë, dhe unë inshallah do të vi pas jush". Duke u kthyer nga varrezat i Dërguari a.s. filloi të qaj, e kjo ishte tri ditë para vdekjes së tij. Kur sëmundja dhe dhimbjet e rënduan edhe më gjendjen e tij shëndetësore, akoma ishte në shtëpinë e Mejmunes gruas së tij. Pastaj kërkoi që t'i vinin gratë e tij për të biseduar dhe ato erdhën menjëherë, e ju tha: "A më lejoni këto ditë të kaloj këtë sëmundje në dhomën e Aishes r.a.", e ato njëherazi ia kthyen: "Po si o i Dërguar i Allahut". Deshi të ngritët i Dërguari a.s., por nuk mundi, erdhi Ali bin ebi Talibi dhe Elfadil el Abas, dhe e ngritën atë nga dhoma e Mejmunes deri në dhomën e Aishes r.a. Ishte kjo ishte hera e parë që të Dërguarin a.s. e panë sahabët e tij në këtë gjendje. Filluan të pyesin njëri tjetrin se çka ka ndodhur me të Dërguarin që ka kaluar në këtë gjendje. Edhe njerëzit filluan të tubohen në xhami dhe të pyesnin për Pejgamberin a.s.
Tregon Aisheja r.a. kur filloi të rëndohej Muhamedi a.s. me shëndet dhe thotë: "Nuk kam parë asnjëherë në jetë që t'i shkonin djersët dikujt, sikur t'i kthente dikush ujë në trupin e Muhamedit a.s., dhe unë ia fshij a trupin nga djersët, dhe e kapja dorën e tij t' ia fshij a fytyrën me dorën e tij, sepse dora e tij ishte më e mirë dhe më fisnike se dora ime". E dëgjoja duke thënë "La ilahe il-lallah ve inne lilmevti lesekerat”. “Nuk ka zot përveç Allahut dhe vdekja ka momente të vështira". Kishte filluar zhurma në xhami nga shumë njerëz që dëshironin të dinin për Muhamedin a.s., e ai e pyeti: "Ç'është kjo zhurmë oj Aishe? Ajo i përgjigjet se janë të frikësuar për shëndetin tënd o i Dërguar i Allahut."
Kur dëgjoi këtë i Dërguari a.s. tha më bartni deri tek ata, dëshiroi të ngritët, por nuk mundi, e kaploi plogështia e ia hodhën shtatë gota ujë, deri sa u kthjell dhe hipi në mimber, e kjo ishte ligjërata e fundit e tij e ju tha: "O ju njerëz po e shoh se po frikësoheni për mua, e ata thanë po o i Dërguar i Allahut", ai ua ktheu: "O njerëz takimi im me ju nuk është dynjaja, por takimi jonë është havdi në kevther dhe tani po më parafytyrohet takimi me ju atje nga ky vend. O ju njerëz nuk është varfëria ajo që është e frikshme për ju, por dynjaja për të cilën do të garoni sikur ata që ishin garues para jush, e të ju shkatërrojë juve ashtu si i shkatërroi ata para jush." Pastaj tha: "O ju njerëz Allahu, Allahu dhe namazi, Allahu, Allahu dhe namazi", që do të thotë: "Kërkoj për hatër të Allahut të madhëruar ta ruani namazin". Pastaj tha: "O njerëz, frikësojuni Allahut në hakun e grave tuaja, ju porosisë çdo mirësi me gratë tuaja." Pastaj i Dërguari a.s. tha: "O njerëz, është një rob që e ka zgjedhur Allahu mes dynjasë dhe Allahut, e ai e zgjodhi atë të Allahut". Njerëzit nuk e kuptuan këtë fjali përveç Ebu Bekrit r.a. e që plasi në vaj duke ia ndërprerë fjalën edhe të Dërguarit a.s., e njerëzit u habitën, se si ai e ndërpreu të Dërguarin. Ebu Bekri tha o i Dërguar i Allahut, të kemi ndërruar me baballarët dhe nënat tona, me fëmijët tonë, me gratë tona, me pasurinë tonë, e ai vazhdoi me këto fjalë, sepse e kuptoi se Muhamedi a.s. po i linte. Pastaj i Dërguari ju tha: "Lëreni Ebu Bekrin, sepse është i vetmi njeri që nuk e kemi shpërblyer kurrë me asgjë, nuk kam mundur ta shpërblej e ja kam lënë Allahut shpërblimin e tij, e çdo derë e xhamisë mbyllet përveç derës së Ebu Bekrit, ajo do mbetet e hapur gjithmonë." E në fund para se të zbriste nga mimberi i Dërguari filloi të lutet për besimtarët për herë të fundit në jetën e tij, me këto fjalë: "Ju ndihmoftë Allahu, ju ruajttë Allahu, ju bëftë fitimtar Allahu, ju forcoftë Allahu", dhe pastaj para se të zbriste iu drejtua gjithë umetit myslimanë me këto fjalë: "O ju njerëz, përcilleni selamin tim e përshëndetjen, për secilin pjesëtarë të umetit tim deri në ditën e kiametit."
Pas kësaj ligjërate e bartën të Dërguarin për në shtëpinë e tij, dhe atje erdhi Abdurrahman bin Ebu Bekri dhe kishte në dorë një misvak. Pejgamberi e shikonte me kureshtje, e Aisheja kuptoi se Pejgamberi dëshironte atë misvak, e mori prej Abdurrahmanit e filloi t' ia freskoi gojën e tharë me të, por i Dërguari i Allahut s'kishte më pështymë, e u detyrua Aisheja me pështymën e saj për t' ia freskuar gojën për herë të fundit. Thotë Aisheja pas pak erdhi Fatimeja bija e Pejgamberit, dhe filloi të qaj sepse i Dërguari a.s. nuk mundi të ngrihej siç e kishte zakon për ta puthur në ballë, e i Dërguari tha afrohu oj Fatime, i tha diçka në vesh e ajo filloi të qaj, e pastaj i tha afrohu prapë, i tha edhe diçka e ajo filloi të qesh. Pas vdekjes së Pejgamberit a.s., e pyetëm çfarë të tha i Dërguari a.s. në vesh oj Fatime? Ajo tha: "Herën e parë më tha se unë do vdes sonte, e unë qava", kurse herën e dytë më tha: "Ti do jesh e para nga familja ime që do të vish me mua, e unë qesha". Pasi që përfundoi këtë bisedë Muhamedi a.s. i tha Aishes, oj Aishe nxirri krejt nga dhoma ime, e më tha afrohu afër meje oj Aishe. Aisheja thotë e kam dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë: "Po si, te shoqëruesi im i Lartësuar, te shoqëruesi im i Lartësuar", sepse i kishte ardhur Xhibrili a.s., i kishte thënë o i Dërguar i Allahut ka ardhur Azraili në derë, a po e lejon me ardhur te ti, e i Dërguari i tha po si, për te shoqëruesi im i Lartësuar, sepse Azraili i kishte thënë: "Më ka dërguar Allahu për të pyetur, a po e do dynjanë apo do të shkosh tek Allahu i Lartësuar"? e i Dërguari a.s. i tha: "Po si, te Shoqëruesi im i Lartësuar"! Dhe u përqendrua melaqja e vdekjes dhe tha:"O shpirt i mirë i Muhamedit birit të Abdullahit, dil me kënaqësinë e Allahut, se Ai është i kënaqur me ty e jo i hidhëruar!" Dhe thotë Aishja r.a. i lëshoi duart poshtë ngase ishte duke u lutur dhe ju rëndua koka në prehrin tim, e mora vesh që vdiq, e nuk e dija se çfarë të bëja, por e hapa derën e dhomës që ishte në drejtim të xhamisë dhe thashë: "Ka vdekur i Dërguari, ka vdekur i Dërguari dhe xhaminë e mbuloi vaji nga të pranishmit." Aliu r.a. u ul dhe nuk mundi më të lëvizte, kurse Osmani r.a. rrihte me duar nga mërzia, ndërsa Omeri ngriti shpatën lartë, dhe tha: "Kush thotë se ka vdekur Pejgamberi kam për t' ia këputur kokën", e më i forti në këtë mes ishte Ebu Bekri r.a. Hyri te Pejgamberi e përqafoi duke thënë: "Ah shoqëruesi im, ah i dashuri im, ah pejgamberi im," dhe e puthi të Dërguarin a.s., duke i thënë: "I bukur ishe i gjallë, i bukur mbete edhe i vdekur o i Dërguar i Allahut". E pastaj doli te masa e ju drejtua atyre duke ju thënë: "Kush e adhuron Muhamedin le ta dijë se Muhamedi ka vdekur, e kush e adhuron Allahun le ta dijë se Ai është i gjallë dhe nuk vdes kurrë". Në atë moment i ra shpata nga dora Omerit r.a., e ai tregon se dola diku larg të qaj vetëm larg njerëzve. Pas gjithë kësaj u varros Muhamedi a.s. dhe Fatimeja tha: "Ju lutem mos hidhni dhe mbi fytyrën e të Dërguarit," duke thënë: "O babai im takimi jonë është në Firdevs te Xhibrili a.s."
Allahu na bëftë prej banorëve të firdevsit inshallah! Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi Muhamedin a.s., mbi familjen e tij fisnike, mbi shokët e tij besnik dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.



Literatura:

- Ibën Hishami: Essiretun nebevijeh, pj. 4, f. 220-22l.
- Elbidaje ve nihaje, pj. 5 f. 196
- Meredun nebij ve vefatuhu, f.73, 74.
- Fet-hulbari bi sherh sahihil Buhari, f.747.



Bahri Sejdiu

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.