Qëndrimi i Islamit ndaj Tatuazhit

Njeriu i mençur duhet të ishte vigjilent nga pasojat negative si në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë shëndetësor, si pasojë e kultivimit të traditave dhe veseve nga të cilat Islami me kohë është distancuar.

Muslimani në asnjë mënyrë nuk guxon të lëshohet në veprime të pakontrolluara dhe të paargumentuara.
Në Kur’an theksohet: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Kur’an, 95: 4)
Sipas shumë të dhënave, tatuazhi ka prejardhje idhujtare, që ndërlidhet
me besimet e hershme primitive dhe përdorej si formulë magjike (hajmali) kundër vdekjes, kundër syrit të keq, ose për t’u mbrojtur nga magjia. Sipas bindjes së atëhershme, tatuazhi njihej si flijim i shpirtit për perënditë.
Një praktikë e këtillë ka qenë e përhapur edhe tek arabët në periudhën paraislame për qëllime zbukurimi, ose ka shërbyer për identifikimin e përkatësisë së klanit përkatës.
Ndërkohë, egjiptasit e vjetër (faraonët) e kanë praktikuar në cilësi të hajmalisë, e cila ka shërbyer për mbrojtje nga zilia ose me qëllim shërimi nga disa sëmundje.
Edhe pse zhvillimi i logjikës sot është në kulmin e ngritjes së saj, edhe pse shkenca dhe dituria kanë përparuar aq shumë, megjithatë novacionet bashkëkohore mundësuan shfaqjen e sërishme të asaj tradite idhujtare, por me emërtim bashkëkohor, të quajtur tatuazh, ose vizatim në disa pjesë të organizmit. Me arsyetim si gjë jo e keqe, ose si “zbukurim”, por i pavetëdijshëm për implikimet fatale në aspektin fetar dhe, gjithsesi, edhe në aspektin shëndetësor.
Tatuazhi, në mënyrë të përgjithësuar dhe pa kurrfarë përjashtimi është i ndaluar sipas mësimeve islame. Në sahihun e vet, imam Buhariu ka theksuar një hadith, në të cilin i dërguari i Allahut salall-llahu alejhi vesel-lem e ka mallkuar bërësin e tatuazhit dhe atë që një gjë të tillë e kërkon. Gjithashtu, e ka mallkuar ndreqësin e parukës dhe bartësin e saj” (Kitabul- libasi, hadithi nr. 5605).
Sipas Fesë islame, mallkimi kuptohet largim nga mëshira absolute e Krijuesit. Ky mallkim i përfshin edhe femrat edhe meshkujt. I përfshin aktorët, edhe ata që në trupin e tyre bëjnë tatuazhin. Tatuazhi është edhe më fatal, më i ndaluar, kur të kihet parasysh fakti i vizatimit të tij në disa pjesë të ndjeshme të organizmit të femrës, pjesë ato të ndaluara për meshkujt e huaj që t’i shohin, me përjashtim të çiftit bashkëshortor. Kjo është edhe një arsye tjetër se pse Islami e ka ndaluar tatuazhin. Megjithëse sipas këtij teksti, përkatësisht, këtij argumenti nuk parashihet sanksion i caktuar, por mallkimi i theksuar në hadith do të ishte i mjaftueshëm.
Nga ana tjetër, në përputhje me hadithin e theksuar, ndryshimi i asaj që Allahu e ka krijuar, meriton mallkimin.
Prandaj, shtrohet pyetja nëse pendimi do të ishte i mjaftueshëm për këtë mëkat?
Në qoftë se është e mundur të eliminohet tatuazhi nga trupi, por duke mos shkaktuar pasoja në organizëm, duhet të eliminohet i njëjti, njëkohësisht personi duhet të pendohet. Në të kundërtën, do të kishte mjaftuar vetëm pendimi. Sa i përket implikimeve dhe sëmundjeve të mundshme të lëkurës, janë çështje që u përkasin kompetentëve të fushës së mjekësisë, të cilët duhet ta thonë fjalën e tyre, por një gjë duhet të ishte e qartë se, përderisa Pejgamberi alejhis-selam e ka mallkuar një veprim të tillë, seriozisht duhet kuptuar si diçka skajshmërisht e rrezikshme.
Nga ana tjetër, njeriu i mençur, në këtë rast muslimani, duhet të ishte vigjilent nga pasojat negative si në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë shëndetësor, si pasojë e kultivimit të traditave dhe veseve nga të cilat Islami me kohë është distancuar. Muslimani në asnjë mënyrë nuk guxon të lëshohet në veprime të pakontrolluara dhe të paargumentuara.
Në Kur’an theksohet: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Kur’an, 95: 4) Andaj, çdo revanshizëm në këtë kontekst është i patolerueshëm dhe i dështuar.



Mr.sc. Fahrudin Ebibi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)