“Medresetë e Shkodrës” (nga fillimet deri në vitin 1947)

Abstrakt

Ky studim u ndërmor me dëshirën për të ndriçuar sadopak punën e mësuesve dhe të nxënësve të medreseve, ndihmesën që kanë dhënë ato në çështje kombëtare dhe në edukimin e breznive të reja, si dhe për të vënë në vend atë që është mohuar për gjysmë shekulli e për të zënë edhe ato vendin që u takon në historinë e arsimit shqiptar, këtë të drejtë të ligjshme që ua japin ditët e bardha të demokracisë që erdhën te ne. Por, ashtu si për një poet tonin të njohur, edhe për ne “…demokracia nuk është një makinë elektronike llogaritëse për të gërmuar në koleksionet e gazetave dhe të revistave gjysmëshekullore dhe për të numëruar fjalitë dhe frazat e botuara nga njëri apo tjetri dhe për t’i përdorur si argumente akuzimi”.



1. Hyrje

Monografia “Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër (Nga fillimet deri në vitet ‘20 të shekullit XX)”, shtëpia botuese “Rozafa”, Shkodër, 2014, që po paraqesim, synon të ndriçojë sadopak historinë dhe traditën e arsimit të mesëm në trevën e Shkodrës e kësisoj të japë një ndihmesë modeste në punën e këtyre shkollave, për rëndësinë e tyre në arsimin dhe edukimin e masave të popullit, për përgatitjen e intelektualëve, që punuan dhe kontribuuan në fushat e ndryshme të jetës, që nga drejtimi i shtetit e deri si mësues në shkolla të ndryshme të vendit.[1]

Gjatë këtyre 26 viteve janë botuar shumë vepra madhore dhe monografi, të cilat në mënyrë të përmbledhur do t’i përfshijmë në këtë botim, (duke shfrytëzuar disa prej tyre) si:

– Akademia e Shkencave e Shqipërisë (më pas ASHSH): Fjalori Enciklopedik Shqiptar (më pas FESH). Botim i ri. Grup autorësh. Vëll. 1-2. Tiranë, 2008. Vëll. 3. Tiranë, 2009.

– Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (më pas MASH), Instituti i Studimeve Pedagogjike (më pas ISP): “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar”. Grup autorësh. Tiranë, 2003.

– Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Enciklopedi – “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Shekulli XIX-XX. Editor Dr. Genti Kruja-Andrin Rasha, Tiranë, 2012. Faqe 307.

– Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: Kolana “Zani i Naltë” – Organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar më tetor 1923, Vëllimi i Parë, vitet 1923-2024-1925. Editor Dr. Genti Kruja. Tiranë, Mars, 2014. Faqe 704.

– Shefik Osmani: “Reflekse etnopedagogjike”. Vëllimi 1. Tiranë, 1998.

– Shefik Osmani: “Shpalime etnopedagogjike- Panoramë retrospektive e mendimit pedagogjik shqiptar”. Vëllimi 2. Tiranë, 2008.

– Shefik Osmani – Njazi Kazazi: “Abetaret Shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”. Botim i MASH dhe i Shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000.

– Tomor Osmani: “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)”. Shtëpia botuese “Camaj-Pipa“. Shkodër, 2004 (Rib. 2009, 2012).

– Tomor Osmani: “Udha e shkronjave shqipe-Histori e alfabetit”. Botim i ASHSH. “Ilar”, Tiranë, 2008.

– Vehbi Hoti: “Luigj Gurakuqi, për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”. Monografi. “Camaj-Pipa“, Shkodër, 2002.

– Vehbi Hoti: “Ethem Osmani ‘Mësues i Popullit’” (Monografi), “Camaj- Pipa”, Shkodër, 2012.

– Mentor Quku: “Historia 100-vjeçare e shkollës së Barbullushit (1901-2001)”, Shtëpia botuese “Lilo”, Shkodër, 2001.

– Iljaz Gogaj: “Shkolla teknike dhe Harry Trevlye Fultz”. (Botim i rivështruar). Tiranë, 2010.

– Ilir Kanini: “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore”. (Zona e pushtimit Austro-hungarez, 1916-1918). Tiranë, 2001.

– Ludovik Shllaku: “Shkollat klerikale”. (Vështrim historik nga fillimet deri në vitin 1924). Monografi. “Camaj-Pipa”. Shkodër, 2002.

– Pipa, Fehime: “Një shekull shkollë shqipe”, (1861-1961). “Shêjzat”, Romë, 1961, nr. 7-8; 1962, nr. 1-2; 1962, nr. 3-4; 1962, nr. 5-6; 1962, nr. 7-8; 1962, nr. 9-10; 1962, nr. 11-12; 1963, nr. 3-4.

– Zenepe Dibra: “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”, EBP “Gjegj Fishta”, Lezhë, 2015, Faqe 772,

– Zenepe Dibra: “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”, EBP “Gjegj Fishta”, Lezhë, 2016, Faqe 886.

– Smajl Bala: “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës (1662-1945)” në dy vëllime: Vëll. I, Vëll. II. Shkodër, 2011.

– Fiqiret Hoxha: “Fletët e Jetës, histori pedagogjike ndër vite”, (Historiku i shkollave Rus, sot “Skenderbeg”), Botimet “Camaj- Pipa”, Shkodër, 2010.

– Abdullah Poti: “Shkollat e mësuesit në Anën e Malit”, Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2010.

-Kujtim Shimaj: “Historiku i arsimit në Zonën e Bushatit”, Shtëpia botuese “Pakti”, 2011.

– Njazi Kazazi: “100-vjetori i shkollës Normale të Shkodrës”, “Zani i Naltë”-Themeluar më 1923, Viti V, (XIX), Nr. 19 (172), Viti 2017, f. 44-49.

– Njazi Kazazi: “95- vjetori i Gjimnazit të Shtetit”, “Zani i Naltë”-Themeluar me 1923, Viti VI (XX)- Nr. 21 (174), Viti 2017, f. 51-60.

– Eljaz Kraja- Ahmet O. Osja: “Themelet e një Medreseje” (Fillimet e medresesë “Haxhi Sheh Shamia” si një institucion i ri arsimor), Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër 2008. Faqe 229.

– “Medreseja e Shkodrës në vite” 2000-2010, Ideoi: Elona Sytari, Përgatiti për botim: Dr. Irida Hoti. Shtëpia Botuese “Progresi”, 2017, Faqe 238.

Ajo që na shtyu për t’i hyrë kësaj pune ka qenë qëndrimi zyrtar i partisë-shtet gjatë 47 vjetëve të regjimit komunist. Ky qëndrim është paraqitur zakonisht: në lënien në heshtje të këtyre shkollave, në denigrimin e tyre, pa parë asgjë pozitive tek ato.

Nga propaganda zyrtare “Shkolla e vjetër feudo-borgjeze e paraçlirimit u godit rëndë si në përmbajtje, ashtu edhe në metodë”, pasi Partia, e udhëhequr nga Enver Hoxha, përcaktimin e rrugës së zhvillimit revolucionar të arsimit në Shqipëri e realizoi “…në luftën që i bëhej shkollës së vjetër”. Në kushtet e një totalitarizmi të tillë dhe të një politizimi të tejskajshëm “…autorit i lejohet liria e mendimit në trajtimin e historisë, por brenda caqeve ku ajo nuk binte në kundërshtim me disa postulate të ngurtësuara marksiste-leniniste.”[2]

Studiues – titullarë të këtyre fushave kanë theksuar se këto shkolla kishin “frymë fetare e klerikale, reaksionare dhe antikombëtare, në shërbim të padronëve të huaj…” dhe se ajo ishte “…shkollë me karakter antidemokratik e mbi të gjitha me një frymë të tërbuar agresive antikomuniste” dhe më poshtë si për merak rithekson “një kështjellë (Kolegja Saverjane dhe Gjimnazi “Illyricum” – shënim i Nj. K.) e vërtetë e reaksionit kulturor dhe ideologjik në shërbim të të huajve…. me frymë jo vetëm antipopullore, por, siç thamë edhe antikombëtare.”

Pikërisht për të ndriçuar sadopak punën e mësuesve dhe të nxënësve të këtyre shkollave, ndihmesën që kanë dhënë ato në çështje kombëtare dhe në edukimin e breznive të reja, ndërmorëm këtë studim me dëshirën për të vënë në vend atë që është mohuar për gjysmë shekulli, për të zënë edhe ato vendin që u takon në historinë e arsimit shqiptar, këtë të drejtë të ligjshme që ua japin ditët e bardha të demokracisë që erdhën tek ne. Por, ashtu si për një poet tonin të njohur, edhe për mua “…demokracia nuk është një makinë elektronike llogaritëse për të gërmuar në koleksionet e gazetave dhe të revistave gjysmëshekullore dhe për të numëruar fjalitë dhe frazat e botuara nga njëri apo tjetri dhe për t’i përdorur si argumente akuzimi.” [3]

Natyrisht kemi synuar t’iu bëjmë të njohur studiuesve të arsimit, shkollës dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, si dhe opinionit tonë në përgjithësi, disa probleme që lidhen me: hapjen e këtyre shkollave (kuadri i të cilave plotësohet në fillimin e viteve ‘20 të shekullit XX.); programet e tekstet me të cilat kanë punuar; punën e mësuesve dhe nxënësve që dolën nga këto shkolla; vendin që zinin lëndë të ndryshme dhe formimi teoriko-praktik që jepnin ato; rregullsinë e punës në dokumentacionin shkollor; lidhja e shkollës me prindërit dhe njohja e opinionit publik me rezultatet e shkollave në fjalë; punën edukative dhe kulturore të shkollës; botimet për shkollën dhe kualifikimin e mësuesve; bazën materiale dhe bibliotekat shkollore, duke shërbyer si përvojë për punën e sotme dhe në të ardhmen.



1 – Shkollat Osmane

(Shekulli XVIII- 1912)

Siç dihet, sundimi osman në Shqipëri vazhdoi për afro 500 vjet, por edhe gjatë kësaj kohe ka pasur njëfarë arsimi dhe kulture, ndonëse bëhej në gjuhët orientale me përmbajtje fetare, shkencore e letrare.

Është theksuar edhe nga studiues tanë të njohur se “…për sa u takon influencave të huaja, influenca turko-orientale në gadishullin e Ballkanit është koncetruar qysh në fillim kryesisht në qytete dhe së këndejmi u zgjerua pak nga pak duke u shtrirë dhe mbi katundet. Influenca turke ka qenë influencë qytetare, ajo shprehej si në jetën e përditshme sociale dhe shtëpiake, ashtu edhe në doke, zakone, në gjuhë e në muzikën popullore.” [4]



Kështu, siç duket, ka ndodhur edhe në Shkodër, si qendër e një vilajeti. Por historia e saj e shekujve XV e XVI e deri në gjysmën e shekullit XVII është mjaft e errët, gjë që vërtetohet edhe nga historianë të huaj e shqiptarë, duke mos transmetuar kështu të dhëna të argumentuara dhe të plota edhe për gjendjen reale të arsimit në Shkodrën e kësaj periudhe. Ndër dëshmitë e para të kësaj periudhe është libri i udhëtarit turk Evlia Çelebi (1611-1684), i cili në vëllimet VI e VIII të veprës së tij 10-vëllimshe “Seyahatname” (përkthyer në shqip me titullin “Shqipëria para dy shekujsh” Tiranë, 1930), autori, i cili ka shëtitur thuajse gjithë vendin tonë, flet edhe për gjendjen arsimore të vendit. Çelebi jep të dhëna interesante dhe përshkruan me hollësi natyrën dhe gjendjen ekonomike-shoqërore. Për Shkodrën, veç të dhënave të tjera, si: Varoshi ka 15 lagje, 10 dejlane, banorët e Shkodrës janë kryesisht shqiptarë, që flasin krejt shqip, e të dhëna të tjera të rëndësishme me karakter historik dhe etnografik, thekson se: “… ka dhjetë xhami dhe pranë çdo xhamie nga një medrese.”[5] Mendimi ynë është se këtu nuk bëhej fjalë për medrese në kuptimin e një shkolle të mesme (që u krijuan më vonë dhe për të cilat do të flasim më poshtë), por për një shkollë të ulët (mejtep) për mësim besimi. Është interesant fakti që sjell udhëtari turk për gjendjen klasore të qytetit, duke theksuar se “…populli i Shkodrës është shumë klasësh: peshkatarë, ushtarë, tregtarë, detarë, industrialë, intelektualë, (nënvizimi im Nj. K.) e bujqit e vreshtave”,[6] gjë që na lë të kuptojmë se në Shkodrën e kësaj periudhe kishte njerëz të edukuar në shkolla vendase, ose në shkolla të huaja, dhe ua jepnin këtë kulturë në forma të ndryshme të tjerëve. Por fakti që intelektualët veçohen si grupim më vete, forcon mendimin e dhënë edhe nga studiues të tjerë për një arsim dhe kulturë paraosmane në Shqipëri dhe se numri i intelektualëve nuk ishte i papërfillshëm.

Ndonëse nuk është objekt i studimit tonë, theksojmë se hallka kryesore arsimore e kësaj periudhe kanë qenë mejtepet (shkolla fillore dhe foshnjore). Në mbështetje të të dhënave dokumentare dhe të kujtimeve, apo të dëshmive të ish-nxënësve të tyre të fillimit të shekullit:

– mejtepet ndërtoheshin pranë xhamive të qytetit dhe të pazarit;

– në mejtepet e qytetit shkonin fëmijë të moshave të vogla, kurse në ato të pazarit edhe djem të moshave të mëdha;

– kryesisht punohej me këtë radhë pune: a) u mësohej nxënësve në fillim arabishtja, duke u shkruar në një fletore Elifbaja, b) pastaj kalohej në Jasin, e cila mësohej përmendësh. Në klasat më të larta mësohej edhe matematikë e kaligrafi osmane.

Këtë e vërteton edhe një studim për mësuesit e hershëm të Shkodrës që mendohet se është bërë nga Z. M. Harapi, botuar në katër numra të revistës “Përparimi” (nr. 6-10 viti 1915), ku thuhet: “Muslimanët janë përkujdesë për mejtepet e veta e zell të madh kanë pasë që fëmijët xejshin posë punëve të fes së vet, sado pak me këndu, me shkru e me ba hesap”.

Kujtojmë se në shkollat osmane të kësaj kohe mësohej: “gjuhë arabe, aritmetikë, kozmografi, Kur’an”.[7]

Mejtepet ndërtoheshin nga ndonjë bamirës, ose përdoreshin lokalet e ndonjë vakfi.

– Nxënësit rrinin në gjunjë përpara hoxhës dhe kishin përpara stola të gjatë, ku mbështeteshin ose vinin librat.

– Nxënësit ishin të ndarë në rreshta, në vend të klasave çdo rresht konsiderohej një klasë.

Bashkëkohësit, sipas kujtimeve të njërit prej nxënësve të Molla Medos, z. Tahir Selim Kazazit, tregojnë se kishte disiplinë të fortë dhe nxënësit mësonin Kur’anin dhe mësime të tjera për të cilat folëm më sipër.

– Mejtepet deri në kohët e vona janë njohur me emrat e hoxhallarëve që jepnin mësim në to, ose që i kishin hapur. Edhe sot kujtohen nga të moshuarit e Shkodrës. Një paraqitje të plotë të tyre ka bërë edhe z. Smajl Bala në librat e cituar.[8]

Në pazarin e Shkodrës, që nga shek. XVIII e deri në fillimin e shekullit XX përmenden se kanë punuar rreth 8 mejtepe.

Megjithëse nuk kemi gjetur ndonjë të dhënë të saktë për datat e fillimit të tyre, vetë emërtimi si në rastin që po përmendim: Mejtepi i Mulla Ferhatit të Mulla Tafil Dobraçit, (ku ka marrë mësimet e para Daut Boriçi)[9], flet për vjetërsinë e tyre. Mejtepet e pazarit kanë vazhduar punën deri rreth viteve të para të shekullit XX. Pas kësaj kohe u shtuan mejtepet e qytetit, veçanërisht pas shtrirjes së tij, kur qendra e administratës u shpërngul atje. Sipas të dhënave na rezulton se në qytet ka pasur 10 mejtepe të tilla. Ndër më të njohurit është ai i Molla Medos.[10]

Mejtepe të tilla ka pasur edhe në fshatrat e banuara nga myslimanët të mbajtura nga imamët e xhamive në Bushat, Trush, Mëlgushë, Barbullush, Kosmaç, Bërdicë, Ana e malit, Krajë, Postrribë, Guri i Zi, Ura e Shtrenjtë, Drisht, Reç, Repisht, Grizhë, Koplik, etj.

Perandoria osmane mbas reformave të “Tanzimatit”, nën shembullin e shkollave perëndimore, bëri disa ndryshime edhe në sistemin arsimor të saj. Në këtë mënyrë u dukën edhe në Shkodër shkollat e para katër klasëshe-iptidaije (fillore), ato tri-klasëshe (Rruzhdije ose qytetëse) dhe më vonë Gjimnazi katërklasësh-idadije.

Megjithatë, ndryshimet dhe plotësimet në planin mësimor i gjykojmë nga dëftesa shkollore të këtyre viteve (të konsultuara nga ana jonë), që janë një tregues konkret për këtë.

Si rrjedhojë e reformave të përmendura më lart edhe në Shkodër u hapën herë pas here shkolla të ndryshme, të cilat mund të klasifikohen në tre grupe:

a) shkolla foshnjore dhe fillore (mejtepi dhe iptidaije-4 klasëshe), ku hyjnë edhe inas mektebi (shkolla fillore e vajzave) dhe nemune-i kebir (shkolla model);
b) ruzhdije ose qytetëse 3-klasëshe (quhet edhe mektebi ruzhdije ose ruzhdije mylkije);
c) idadije (e mesme) të llojeve të ndryshme, si:

– idadije mylkije (gjimnazi civil), që duhet të jetë hapur në vitin 1906. Sami Frashëri në fjalorin e tij “Kamus-i turki” thekson: “Kjo shkollë kryhet pas fillores dhe ruzhdijes. Personeli mësimor përbëhej nga të huaj, kishte edhe 2 mësues shqiptarë. Shkolla me programe perëndimore, po bëheshin edhe gjuhët e lindjes” [11]

– mektebi asqerie (shkolla ushtarake). Mektebi ruzhdije i asqerije (shkolla ushtarake osmane) e filloi punën në vitin 1901-1902, panë furrës së madhe ushtarake, (furra e Bejlikut). Punën mësimore e filloi në vitin 1902. Drejtorët ishin ushtarakë me grada të larta. Personeli mësimor përbëhej nga ushtarakë, klerikë e civilë. Tre nga 13 mësuesit që ishin gjithsej, ishin hoxhallarë të diplomuar në medresenë e Stambollit (Haxhi Ibrahim Kaduku, Molla Hysen Vuthi e Haxhi Hafiz Abaz Golemi) dhe jepnin lëndët arabisht, persisht e Kur’an; kurse i vetmi mësues civil, Sheuqet Kraja, jepte kaligrafi osmane dhe histori. Duke gjykuar nga dëftesat e kësaj shkolle mund të krijojmë një mendim të përafërt për planin mësimor të saj. Kështu, mësohej osmanisht, letërsi osmane, arabisht, persisht, frëngjisht, matematikë, gjeometri, algjebër, trigonometri, hartografi, histori, gjeografi, kontabilitet, vizatim e gjimnastikë.

Sipas statistikave të kohës, rrjeti i shkollave osmane, fetare dhe zyrtare, nga fundi i shekullit të XIX u rrit shumë. Më 1894-1895 ekzistonin 110 shkolla të tilla në qytete e në fshatra, nga të cilat 75 ishin të sistemit të vjetër dhe 26 të sistemit të ri. Ndërkohë që shkolla e mesme po rritej.[12]

Në bazë të një dëftese të klasës së dytë të gjimnazit, bëheshin këto lëndë: Rendi i dytë i Gjimnazit të Shkodrës, vjeti shkollor 327-328 (viti shkollor 1907-1908). Lëndët: mënyra e leximit të Kur’anit (Kur-ani qerim), mësim feje, arabisht, gramatikë osmane, njohuri qytetnimi, histori, gjeografi, aritmetikë, gjeometri, mësim sendesh, frëngjisht, vizatim e bukurshkrim. Në fund të dëftesës jepet sasia totale e pikëve, vlerësimi i sjelljes dhe numri i regjistrit. Theksohet se nxënësi Hysen Efendi Kruja në këtë vit shkollor dha provimet e përgjithshme mbi mësimet e mësipërme dhe në bazë të notave fiton dëftesën. Firmoset nga drejtori i shkollës. Nota më e mirë e dëftesës në fjalë ishte dhjeta, pra, përdorej sistemi i vlerësimit me dhjetë nota. Shkolla kishte edhe një konvikt ku strehoheshin edhe nxënës të qyteteve të tjera, si: Tirana, Kruja, Kavaja, Tuzi, etj.

Darul mual-liminë (shkolla normale) u hap në Shkodër në vitin 1909. Ajo është një ndër shkollat e mesme osmane në Shkodër. Në fillim kishte drejtor shqiptar, pastaj në drejtimin e saj erdhi i quajturi Mustafa Bej, me studime universitare të kryera në Paris. Drejtori i ri e pajisi mjaft mirë shkollën me orenditë e nevojshme dhe me personelin mësimor, duke arritur ta vërë atë në baza të mira në çdo pikëpamje. Shkolla kishte edhe konvikt për nxënësit e krahinave të ndryshme, që vareshin nga Shkodra. Sipas kujtimeve të të moshuarve shkodranë ajo ka vazhduar mësimet në shtëpinë e Pashko Ashikut, në rrugën kryesore të qytetit (Pjaca e dikurshme). Shkolla kishte tri klasa. Nxënësit që kryenin apo vazhdonin normalen e lartë të Stambollit, punonin si mësues në shkollat fillore të Shkodrës

Mejtepi ruzhdije (shkolla qytetëse).

Me hapjen e këtij mejtepi, ruzhdijes së parë, për Shkodrën fillon faza e dytë e arsimit në këtë qytet. U hap në vitin 1858, në një godinë të ndërtuar në fund të kodrës së fushës së Tepes. Ndër të parët studentë që e frekuentuan këtë shkollë mund të përmendim Jusuf Golemin, Riza Koplikun, Myrteza Xhabinë, Ibrahim Dervishin (Sokoli), Jusuf Krajën, Musa Boriçin, këta mund të quhen dhe intelektualët e parë myslimanë civilë shkodranë, që dolën nga kjo shkollë.[13]

Për të pasur një ide më të plotë për planin mësimor të shkollës po japim dy dëftesa që kemi gjetur në familje të vjetra shkodrane:

Zotni Musa Qazimi, nga nxënësit e klasës së parë të shkollës Ruzhdije të Shkodrës, mbasi iu nënshtrua provimeve të rregullta, si kusht i shkollës Ruzhdije, në përfundim, për aftësitë që tregoi në çdo lëndë, u vlerësua duke plotësuar me 245 pikë dhe iu dorëzua kjo diplomë.

Në fund të dëftesës rreshtohen emrat e katër mësuesve (tre nga të cilët janë shkodranë) dhe një sekretari, mes të cilëve edhe Daut Boriçi.[14] Diploma vërtetohet gjithashtu edhe prej një komisioni prej 11 vetash, duke e zgjedhur nxënësin e lartpërmendur si “Dallues shembullor”. Viti 1278 h. (1857). Në diplomën e sipërme mungesa e lëndës “gjuhë osmane”, që mendojmë se duhet të ishte lënda kryesore, mbetet pikë e paqartë për ne. Mësuesi i shkollës në fjalë Daut Boriçi, në vitin 1861, pasi mbaron normalen e Stambollit, emërohet si kryemësues i kësaj shkolle dhe po këtë vit lëshon edhe dëftesat e para. Kjo shkollë erdhi vazhdimisht duke u rritur. Kështu në vitin 1900 kishte 103 nxënës dhe 4 mësues.[15] Kjo Ruzhdije e zgjeroi programin edhe në lëndë të tjera, ashtu siç na tregon dhe dëftesa e dytë.

Shkolla Nemuine-i Kebir ose shkolla model u hap si rrjedhojë e reformave të turqve të rinj (xhonturqve, shën. i redaksisë). Kjo shkollë ushtrimore u plotësua me orenditë e nevojshme në ndërtesën ku ka qenë Kabineti Pedagogjik (te shtëpia e Dan Hasanit) në fillimet e punës së saj (aty ku sot ndodhet pllaka përkujtimore e shkollës popullore të Shkodrës). Shkolla punonte me programe moderne. Drejtori ishte nga Stambolli, por kishte edhe mësues shqiptarë, si: Abdullah Efendi Kraja, Ismail Anamali, etj. Kjo shkollë shërbente gjithashtu edhe si shkollë ushtrimore, ku bënin praktikën edhe nxënësit e shkollës normale.[16]

Shkolla fillore e vajzave (inas mektebi) u hap në sheshin Rus-Haslikej. Ajo drejtohej nga mësuese të huaja. E ndiqnin vetëm vajzat. Veç programeve të caktuara, i jepej rëndësi edhe punës së dorës. E ndoqën disa vajza shkodrane, njëra prej të cilave u bë kryemësuese e kësaj shkolle pas shpalljes së Pavarësisë.[17]



Shuma e notave: 119

Ilijaz Efendi (Elez Sokoli) nxënës i klasës të katërt të shkollës qytetëse të Shkodrës lidhur me studimin e shkencave, të gjuhëve e të shkrimeve të shkollës u pa sipas provimeve se i përvetësoi ato në masën e nevojshme dhe në bazë të notave prej 119 pikësh që fitoi si më sipër është klasifikuar “shumë mirë”.

2 dhjetor 1304 dhe 12 korrik 1333

(15 dhjetor 1888 – 25 korrik 1887)

Kjo diplomë i lëshohet të lartpërmendurit për të hyrë në çdo shkollë qytetëse sipas dëshirës së tij, pa iu nënshtruar provimeve.

(Dëftesa vuloset edhe nga një komision prej 7 anëtarësh dhe një sekretar i këshillit).

DREJTORI I ARSIMIT (VULA)

DAUT SHYQIRI (BORIÇI)[18]

(Në fund të dëftesës jepen emrat e mësuesve dhe të deleguarve në provime, që na bën përshtypje se çdo lëndë ka pasur një të veçantë. Ndër emrat e mësuesve lexojmë emrat e mësuesve shkodranë Faik Kraja, Musa Qazim-Boriçi.)

Nga sa parashtruam më lart, mund të përmbledhim:

– Në shkollat e sipërshënuara në përgjithësi, ndonëse me programe osmane, të gjithë nxënësit ishin shqiptarë, po kështu edhe pjesa më e madhe e mësuesve. Siç është theksuar edhe nga studiues të ndryshëm “…për historinë e pedagogjisë shqiptare ky tregues është me vlerë”.[19]

– Ka pasur raste që drejtorët ose mësuesit e profileve të ndryshme, veçanërisht për gjuhët orientale, me qëllim që të ngrihej niveli i mësimeve dhe të forcohej puna e shkollës, ishin të huaj, që kishin përfunduar studimet në universitete jo vetëm në Orient, por edhe në Evropën Perëndimore.

– Institutet më të vjetra, medresetë, të hapura nga vezirët Bushatlinj, qenë vepra shqiptare, pasi mësimet shpjegoheshin shqip dhe mbaheshin me fonde shqiptare të siguruara kryesisht nga vakëfet e lëna posaçërisht për to.

– Dyert e këtyre shkollave ishin të hapura si për qytetarin, ashtu edhe për fshatarin, duke u bërë premisë për bashkimin e popullit.

– Nxënësve fshatarë dhe atyre të varfër ekonomikisht u jepeshin ndihma në të holla, ushqime, rroba, etj.

– Prej shkollave të mësipërme, veçanërisht atyre të mesme, filloi të brumosej një shtresë intelektualësh në mjedisin e pashkolluar, e cila do të luante një rol jo pak të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit e në përparimin e kombit.

– Veç edukimit fetar dhe edukues qytetar, në përgjithësi, në programet e këtyre shkollave jepeshin edhe njohuri të fushave të ndryshme shkencore, të lëndëve shoqërore dhe matematiko-natyrore. Veçanërisht i kushtohej kujdes përvetësimit të gjuhëve të huaja, të cilat shikoheshin si rrugë e si mjete për t’u vënë në kontakt me kulturën e vendeve të ndryshme të Lindjes e të Perëndimit.

– Nga këto shkolla dolën punonjës të sferave të ndryshme të jetës.

– Siç e theksuam edhe më lart, disa prej këtyre shkollave nuk u frekuentuan vetëm nga myslimanë, por edhe të besimeve të tjera, ashtu si në shkollat e klerit katolik ka patur nxënës të familjeve myslimane.



Dhe medresetë…

Është i njohur fakti se osmanllinjtë nga fillimet e perandorisë i dhanë rëndësi të madhe shkollave të mesme të tipit të medresesë. Në këtë zë të fjalorit “Kamus-i turki” thuhet në mes të tjerave: “…vend ku merret mësim, medrese për mjekësi, për shkenca të larta dhe fetare.”[20]

Është me tepër vend të citojmë se: “Përveç medreseve, shkolla turke të edukatës, në kuptimin pedagogjik të fjalës, nuk ka pasur në Shqipëri në 100 vjetëshat e 18-të e 19-të.”[21]

Është gabim të mendojmë dhe t’i merrnim medresetë si shkolla që kishin për qëllim vetëm përhapjen e fesë. “Medreseja është një institut islam që ka për qëllim me veprue mbi të gjitha klasat njerëzore dhe me ju shpërnda këtyre dituritë që ju lypen për me realizue idealet njerëzore dhe qytetnore.”[22]

[23]

Duhet theksuar se institutet islame “… tipin e vërtetë të tyre do ta gjejnë në medresetë e Andaluzit, Bagdatit e të Egjyptit të shek. IX e X dhe në atë të Stambollit të shek. XV”.[24]

Për gjendjen e këtyre shkollave në Shkodër vlejnë të dhënat interesante që jep Sami Frashëri në Fjalorin Enciklopedik “Kamus’ul alam” 1889, në vëllimin e dytë të tij, f. 997, ku thotë se: “Qyteti (Shkodra-shënimi ynë) ka …dy medrese, një bibliotekë, një shkollë qytetëse, dy shkolla kristiane.”

“Më e organizuar dhe me nivel përdorimi i gjuhës shqipe u bë në shkollat me alfabet turko-arab, në Shkodër ne shekullin XVIII, ku funksiononte “Kompleksi arsimor e kulturor”. Kjo dukuri nuk është e rastit. Ajo lidhet me lulëzimin e Pashallëkut të Bushatllinjve. Ashtu si Ali Pashë Tepena në Jug dhe Bushatllinjtë në Veri, për afër gjysmë shekulli, sunduan gati të pavarur nga pushteti i Sulltanit, si nga pikëpamja ushtarake, ashtu edhe ekonomike. Por që të prodhojë e që të drejtojnë tregtinë, flotën, mijëra ushtarë, duheshin njerëz të mësuar. Prandaj lindi nevoja e hapjes së shkollave, që nga fillorja e deri te medresetë. “Kompleksi arsimor-kulturor” në Shkodër hodhi themelet rreth viteve 1760-1770. Aty bënte pjesë medreseja, konvikti dhe biblioteka”.[25]

Që nga kjo kohë, Mehmet Pashë Plaku themeloi të parën medrese në shtëpinë e tij në lagjen Qafë. Ambienti ishte i mjaftueshëm për klasë mësimi, dhomën e myderrizëve dhe dhomat për fjetjen e nxënësve nga fshatrat.

Pedagogu dhe didakti i njohur, prof. dr. Shefik Osmani në zërin e FESH “Medresetë e Pashallëkut të Shkodrës (1760-1881), thotë: “Medresenë e parë e ngriti në Shkodër kryeveziri i dinastisë së Bushatlinjve Mehmet pashë Bushati, rreth viteve 1760-1770 në lagjen Qafë… dhe më vonë pranë Xhamisë së Madhe në Pazar që mori emrin Medreseja e Pazarit…”.[26] (ASHSH, FESH, f. 1677-1678.)



“Ajo ka qenë një ndërtesë që ka pasur 12 dhoma, me sallën e studimit, sallën e mësuesve (myderrizëve) si dhe sallat e dhënies së mësimit. Biblioteka e krijuar nga Mehmet Pashë Plaku, që numëronte dorëshkrime fetare, letrare, juridike, gjuhësore, retorike, kozmografike, logjike, filologjike e bibliografike u bë një mbështetje e fuqishme për rritjen e nivelit të pedagogëve dhe studentëve”.[27]

Pas ndërrimit jetë të Mehmet Pashë Plakut, i biri, Karamahmuti, kur erdhi në fuqi, i dha rëndësi të madhe zhvillimit të kulturës e të përparimit dhe hapi një medrese tjetër në Pazar, pranë xhamisë së madhe. Medreseja e Pazarit të Vjetër, është ndërtuar afër Urës së Bunës. Hapja e këtyre medreseve nga vezirët Bushatlinj, ndikoi njëkohësisht edhe në formimin e një kategorie civile, që nuk bëhej hoxhë, por merrte mësime në medrese për të mësuar gjuhën dhe literaturën arabe, me të cilën përgatiteshin për të ushtruar gjuhën osmane dhe të merrnin përgjegjësi të ndryshme në administratën shtetërore. Ndër këto shkolla morën mësimet e para dhe të mesme Daut Boriçi, Jusuf Tabaku, Hafiz Ali Ulqini, Ahmet Kalaja, Hafiz Halit Bushati, etj., të cilët përfunduan studimet e larta në Stamboll dhe punuan pastaj për shkollat shqipe në Shqipëri.

Qeveria osmane botonte herë pas here disa vjetore të quajtura “Salname”, të cilat përgjithësisht kanë të dhëna të ndryshme me interes edhe për historinë e arsimit në Shkodër. Në një Salname të tillë të Vilajetit të Shkodrës, viti 1313 h. (1892), gjetëm këto të dhëna:

– Drejtoria e arsimit përbëhej nga drejtori Mehmet Efendi, llogaritar Ahmet Efendi, sekretar- Fejzi Efendi.

– Këshilli arsimor përbëhet nga drejtori i arsimit, anëtarët Jusuf Efendi, Hafiz Ismail Begu, Muderriz Omer Efendi, sekretar Fejzi Efendi.

Veç të dhënave për shkollat qytetëse dhe fillore të qytetit që gjithsej kishin 9 mësues dhe 640 nxënës, në zërin faltore e shkolla lexojmë: “…dy medrese, një bibliotekë, 17 shkolla islame, ortodokse, 5 katolike…”[28]

Në një Salname (Vjetore osmane) të vitit 1900, shkruhet: “Medreseja në lagjen Qafë ka 32 nxënës, kurse Medreseja e Pazarit të Madh ka 55 nxënës”.

Më 1925 u hap Medreseja e Re. “Kjo medrese u hap me iniciativën e H. Ibrahim Kadukut, i cili u caktua edhe drejtor i parë i saj. U ndërtua tek Ura “Dervishbeg” dhe ishte vazhdim i traditës së dy medreseve të mëparshme… Këtu kanë dhënë mësim personalitete që kishin mbaruar studimet teologjike në Universitetin e Stambollit, si H. Ibrahim Kaduku, Hafiz Jusuf Kaduku, Sali Efendi Myftia, Hafiz Muhamet Bekteshi, Hafiz Ymer Bakalli, Hafiz Hasan Tahmizi, etj.”[29]

Në vitin 1928-29, nxënësit morën dëftesat e pjekurisë. Në dëftesën e Hafiz Xheudet Zylja të cilën patëm rastin ta shikojmë) ka 14 lëndë, si më poshtë:

arabisht, besim, logjikë, shqip (ku përfshiheshin gramatika, këndimi, shkrimi, ortografia e hartimi), aritmetikë e gjeometri, shkencë (biologji), histori e gjeografi, vizatim e gjimnastikë. (Shih 2 fotokopjet e dëftesave).

[30]

“Medreseja e vitit (1944-1947). Shkodra do të bëhet ndër qytetet e para që rihap medresenë e vitit 1944, me iniciativën e Komunitetit Bamirës Mysliman… Kjo medrese u rikonstruktua te mejtepi i Molla Medos, pranë Xhamisë Plakë të lagjes Zdralej. Drejtor ishte Hafiz Esat Myftia dhe drejtor nderi Haxhi Hafiz Muhamet Bekteshi.”[31]

PËRFUNDIME:

Pas kthimit të lirisë së besimit, në vitin 1991 (12 dhjetor) u hap Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”. Aktualisht (viti shkollor 2018-2019) vazhdojnë mësimet gjithsej 1134 nxënës, nga të cilët 474 djem dhe 660 vajza, ku ndër ta në maturë janë 141 nxënës, nga të cilët 96 vajza dhe 45 djem.[32]



Medreseja ka marrë tituj: “Mirënjohje” nga MASH, në dhjetor 2011; urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga presidenti i Republikës, dhjetor 2011 me këtë motivacion: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit kombëtar, për edukimin dhe përgatitjen e nxënësve me dashuri për Atdheun dhe besimin islam, të aftë të përballojnë sfidat e kohës në shërbim të përparimit dhe zhvillimit të shoqërisë”; çmimin “Pishtar i dijes dhe arsimit islam në Shqipëri” nga KMSH, me rastin e 20-vjetorit të këtij institucioni.



Literatura

– Pa autor, Daut Boriçi, dijetar i shquar islam. Drita Islame, korrik, 2012.

“Do mësuesa të hershëm mysliman në Shkodër”, “Përparimi” V. 1915, nr. 10.

“Enciklopedi pedagogjike”, Moskë, 1968.

“Zani i Naltë”, Çasht Medreseja?, janar 1931.

Agolli, Dritëro, O tempora, O mores!, “Drita”, 13.01.1991.

Bala, Smajl, “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës, 1662-1945”, V. I, Shkodër, 2011.

Bushati, Hamdi, “Shkodra dhe motet” (Traditë, ngjarje, njerëz), Shkodër, 1999.

Çabej, Eqrem, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Shkodër, 1939.

Dibra, Zenepe, “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”, EBP “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2016.

Enciklopedi, “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame, shekulli XIX-XX”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, editor: Dr. Genti Kruja, Andrin Rasha, Tiranë, 2012.

Frashëri, Sami, “Kamusi-i turki”, V. 1317 h. (1900).

Kabineti Pedagogjik: (Faik Luli, Islam Dizdari, Vehbi Hoti, Mikel Prenushi, Xhevat Repishti, Eljaz Kraja) në “Historiku i arsimit në Shkodër” (me shaptilograf), Pjesa I, 1980.

Kasatrati, Jup, “Kontribut për historinë e arsimit në rrethin e Shkodrës, deri në vitin 1912”, “Arsimi popullor” V. XVIII, Nr. 2, 1963.

Kazazi, Njazi, “Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër (Nga fillimet deri në vitet ‘20 të shekullit XX)” (Monografi), Shtëpia botuese “Rozafa”, Shkodër, 2014.

Kolana “Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar në tetor 1923, Vëllimi i Parë, vitet 1923-2024-1925. Editor Dr. Genti Kruja. Tiranë, mars, 2014.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ISP “Histori e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, (Akademik B. Dedja, Prof. dr. N. Ceka, Prof. as. dr. S. Dedaj, Prof. dr. H. Myziri, Prof. as. dr. Q. Kashari, Prof. dr. Sh. Osmaini, Dr. I. Gogaj) V. I. Tiranë, 2003.

Osmani, Shefik & Kazazi, Njazi, “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike” Botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000.

Osmani, Shefik & Kazazi, Njazi, Njëri nga të tre… (Vështrim për abetaret e Daut Boriçit) në përmbledhjen “Daut Boriçi-personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe arsimit në Shqipëri”, Shkodër, 1996.

Osmani, Shefik, “Mësuesit e shkollat e para në Shkodër për gjuhën e lirinë kombëtare” në “Arsimi popullor” nr. 3, 1963.

Osmani, Shefik, “Në gjurmët e një didakti”, Botim i Institutit të Kurrikulës dhe Standardeve, Tiranë, 2005.

Osmani, Tomor, “Udha e shkronjave shqipe-Histori e alfabetit”, MASH, “Idromeno”, Shkodër, 1999, “Ilar”, Tiranë, (Rib.), 2008, 2012.

Pollo, Stefanaq, “Skematizmi-dhunë në historinë e popullit”, “Drita”, 12.5.1991.

Prennushi, Mikel, “Vështim historik mbi gjendjen e zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaj në Shkodrën e shek. XIX” në “Studime Historike”, nr. 3, 1974.

Qafëzezi, Ilo Mitkë, “Dhaskal Gjoka dhe shkollat e qëmoçme korçare”, Korçë, 1936.

Salname e Shkodrës 1213 h. (1897).


___________________
[1]. Libri është paraqitur në Jurinë për të marrë titullin “Kandidat i shkencave pedagogjike”, më 28.12.1992, të përbërë nga Prof. Bedri Dedja, Akademik; Prof. dr. Hysni Myziri; BVSH Qazim Kashari (udhëheqës shkencor i disertacionit); Prof. dr. Vilson Kuri dhe Prof. dr. Kujtim Bevapi (dy të fundit nga UE “A. Xhuvani”). Oponencat u mbajtën nga Dr. Mikel Prenushi dhe Prof. as. dr. Marjana Sinani (punonjëse e ISP).
[2]. Stefanaq Pollo, Skematizmi-dhunë në historinë e popullit, “Drita” 12.5.1991, f. 5.
[3]. Dritëro Agolli, O tempora, O mores!, “Drita”, 13.01.1991.
[4]. Dr. Eqrem Çabej, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Shkodër, 1939, f. 7.
[5]. Evlia Çelebi, vepër e cituar f. 154- 161.
[6] Po aty, f. 160.
[7]. “Enciklopedi pedagogjike”, Moskë 1968, f. 331.
[8]. Shih më gjatë: Smajl Bala, “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës, 1662-1945”, V. I, Shkodër, 2011, f. 26-58.
[9]. Shefik Osmani-Njazi Kazazi: shih më gjatë në “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike” Botim i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, f. 367. Shih për Daut Boriçin, f. 85- 92.
[10]. “Do mësuesa të hershëm mysliman në Shkodër”, “Përparimi” V. 1915, nr. 10, f. 184. Të dhënat janë marrë nga studimi i Hamdi Bushatit “Gjendja arsimore e Shqipërisë në periudhën osmane”, “Shkodra dhe motet” (Traditë, ngjarje, njerëz), Shkodër, 1999, f. 19-95 të ballafaquara edhe me studimin e Prof. dr. Sh. Osmanit “Mësuesit e shkollat e para në Shkodër për gjuhën e lirinë kombëtare” në “Arsimi popullor” nr. 3, 1963.
[11]. Sami Frashëri: “Kamusi-i turki”, V. 1317 h. (1900), f. 130.
[12]. Dr. Mikel Prennushi: “Vështim historik mbi gjendjen e zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaj në Shkodrën e shek. XIX” në “Studime Historike”, nr. 3, 1974, f. 68.
[13]. Kabineti Pedagogjik: (Faik Luli, Islam Dizdari, Vehbi Hoti, Mikel Prenushi, Xhevat Repishti, Eljaz Kraja) në “Historiku i arsimit në Shkodër” (me shaptilograf), Pjesa I, 1980, f, 24.
[14]. Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe-Histori e alfabetit. MASH, “Idromeno”, Shkodër, 1999, “Ilar”, Tiranë, (Rib.), 2008, 2012, f. 254-259.
– Shefik Osmani, Njazi Kazazi, Njëri nga të tre… (Vështrim për abetaret e Daut Boriçit) në përmbledhjen “Daut Boriçi-personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe arsimit në Shqipëri”, Shkodër, 1996, f. 53-61.
– Pa autor, Daut Boriçi, dijetar i shquar islam. Në Drita islame, korrik, 2012, f. 46-47.
– Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, editor: Dr. Genti Kruja, Andrin Rasha, “Enciklopedi, 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame, shekulli XIX-XX”, Tiranë, 2012, f. 307.
[15] Kabineti Pedagogjik: “Historiku i arsimit në Shkodër”, (Grup autorësh), Pjesa I, f. 34.
[16]. Hamdi Bushati, studim i cit, f. 11.
[17]. Po aty, f. 12.
[18]. Diploma është parë në origjinal dhe është përkthyer në shtëpinë e mësuesit z. Xheladin Sokoli.
[19] Prof. dr. Jup Kasatrati: “Kontribut për historinë e arsimit në rrethin e Shkodrës, deri në vitin 1912”, “Arsimi popullor” V. XVIII, Nr. 2, 1963, f, 67.
[20]. Sami Frashëri: “Kamusi-i turki” V. 1317 h. (1900), f. 1314.
[21]. Ilo Mitkë Qafëzezi: “Dhaskal Gjoka dhe shkollat e qëmoçme korçare”, Korçë, 1936, f. 93.
[22]. Çasht Medreseja? në “Zani i Naltë”, V. VI, janar 1931, f. 113.
[23]. Revista “Zani i Naltë”, nr. 4-5, Qershor-Korrik, 1925, Viti II, f. 495.
[24]. Po aty, f. 114.
[25]. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, ISP “Histori e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, (Akademik B. Dedja, Prof. dr. N. Ceka, Prof. as. dr. S. Dedaj, Prof. dr. H. Myziri, Prof. as. dr. Q. Kashari, Prof. dr. Sh. Osmaini, Dr. I. Gogaj) V. I. Tiranë, 2003, f. 69-70.
[26]. Prof. dr. Shefik Osmani (1923-2012) didakt i njohur, autor dhe bashkautor i më se 40 veprave me karakter didaktik (e qindra artikujve) të cilat janë paraqitur në librin “Në gjurmët e një didakti” (Nga veprimtaria dhe trashëgimia e didaktit Sh. Osmani), të hartuar nga Prof. Dr. Njazi Kazazi, Botim i Institutit të Kurrikulës dhe Standardeve, Tiranë, 2005, f. 444.
[27]. Dr. Zenepe Dibra: “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”, EBP “Gjergj Fishta”, Lezhë 2016, “Medresetë”, f. 141-143.
[28]. Salname e Shkodrës 1213h. (1897) në M. P., f. 2, 3, e 9.
[29]. Dr. Zenepe Dibra: “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”, EBP “Gjergj Fishta”, Lezhë 2016, “Medresetë”, f. 142.
[30]. Njazi Kazazi: “Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër (Nga fillimet deri në vitet ‘20 të shekullit XX)” (Monografi), Shtëpia botuese “Rozafa”, Shkodër, 2014, f. 180-181.
[31]. Dr. Zenepe Dibra: “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane”, EBP “Gjergj Fishta”, Lezhë 2016, “Medresetë”, f. 143.
[32] Të dhëna të marra nga drejtori i medresesë “H. Sheh Shamia” z. Kujtim Dervishi (dt. 23.11.2018).



Nga Prof. dr. Njazi Kazazi, Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.