Buzëqeshja në praktikën e Muhammedit s.a.v.s.

Falënderimet e panumërta qofshin për Allahun e madhërishëm, Zotin e botëve! Salavati dhe selami qoftë për robin më të mirë të Allahut, Pejgamberin s.a.v.s., mbi familjen e tij të ndershme dhe sahabët fisnikë.

Në këtë takim me lejen e Allahut, kemi për qëllim të njohim me një sunnet (praktikë) të Pejgamberit s.a.v.s. mjaft të lënë. Kur lexojmë biografinë e Pejgamberit s.a.v.s. (sirën) e gjejmë se këtë sunnet e quajnë “mjet për përfitimin dhe zbutjen e zemrës”. Nga jeta e tij, s.a.v.s., kuptojmë se i ka shfrytëzuar të gjitha mjetet e duhura për t’i afruar njerëzit kah feja e Allahut.
Nga këto mjete është edhe një lëvizje ... Kjo lëvizje, sunnet i lënë për të cilin flasim është shumë lehtë të bëhet. Ky është siç e quajnë fjalë pa zë dhe shkronja ... Nuk zgjat më tepër se një lëvizje syri. Fillon nga buzët, kalon nëpër dyert e syve tjerë, dhe përfundon në zemrën e atij që është drejtuar. Ky sunnet është sadakë (lëmoshë) dhe kjo sadakë vazhdimisht ka rrjedhur nga buzët e Pejgamberit tonë të dashur s.a.v.s.
Kjo është buzëqeshja. Ndoshta tingëllon çuditshëm që buzëqeshja është sadakë, por Pejgamberi s.a.v.s. na paralajmëron: “Mos mendo të pavlerë asnjë nga veprat e mira, qoftë edhe të takosh vëllanë tënd (në fe) me fytyrë të qeshur.”
(Hakimi dhe Bejhekiu)
Në hadithin tjetër, Muhammedi s.a.v.s. buzëqeshjen e krahason me sadakanë duke na nxitur që këtë sadakë gjithnjë ta japim: “Buzëqeshja vëllait tënd (mysliman) është sadakë.” (Tirmidhiu dhe Ibn Hibbani)
Sa ka zënë vend të madh buzëqeshja në jetën e Pejgamberit s.a.v.s. flet imam Buhariu, i cili në Sahihun e tij ka ndarë një kapitull të veçantë “Mbi buzëqeshjen dhe qeshjen” (Babu tebessum ve dahik).
Buzëqeshja përmendet edhe në Kuran, kur Sulejmani a.s. buzëqeshi në fjalët e milingonës:
“Deri atëherë kur arritën mbi luginën e buburrecave, një buburrec tha: "O ju buburreca, hyni në vendet tuaja që të mos u copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur".
E ai (Sulejmani) buzëqeshi i gëzuar prej fjalës së tij dhe tha: "Zoti im, më mundëso që t'i falënderoj të mirat Tuaja që m'i dhurove mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen, e me mëshirën Tënde më fut në mesin e robërve Tuaj të mirë!” (En - Neml, 18-19)
Buzëqeshja ishte praktikë e përhershme e Pejgamberit s.a.v.s. Buzëqeshte kur takonte sahabët, i priste me buzëqeshje. Buzëqeshte kur shihte njeriun i cili mposhte zemërimin e tij. Buzëqeshte kur dikush gabonte, duke përmirësuar gabimin e tij me buzëqeshje të lehtë.
Themi se e pasojmë sunnetin e tij, ndërsa kur dikush gabon e përmirësojmë me bërtitje, fjalë të vrazhda dhe fytyrë të mrrolur. Ta dëgjojmë Xheririn r.a. i cili tregon siç qëndron në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit: “Asnjëherë nuk më ka parë Pejgamberi s.a.v.s. pasi që e kam pranuar Islamin, e që nuk më ka buzëqeshur.”
Me një rast i erdhi një beduin i njohur për nga vrazhdësia e tij natyrale, iu drejtua me fjalë të ashpra, por Pejgamberi s.a.v.s. e priti me butësi dhe buzëqeshje.
Beduini i tha: “O Muhammed, urdhëro të më jepet nga pasuria e Allahut që është te ti.” Pejgamberi s.a.v.s. në këto fjalë të ashpra, buzëqeshi dhe urdhëroi që beduinit t’i jepet sadakaja. Me këtë e zbuti zemrën e beduinit.
Buzëqeshja e tij nuk u zhduk as në momentet e fundit të jetës së tij në këtë botë. Pejgamberi s.a.v.s. me buzëqeshje u nda nga sahabët dhe dynjaja! Enesi r.a. tregon siç është përshkruar në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit: “Derisa myslimanët ishin duke falur namazin e sabahut ditën e hënë (ditën kur Pjegamberi s.a.v.s. kaloi në Ahiret), përderisa Ebu Bekri udhëhiqte namazin, i befasoi Pejgamberi s.a.v.s. Hoqi perden nga dhoma e Aishes r.a. Shikoi sahabët e renditur në safë dhe buzëqeshi.”
Buzëqeshja, siç shohim nga rastet e shumta, ka qenë praktikë e Muhammedit s.a.v.s. dhe rrugë deri te zemra. Shkriu me të akullin e zemrave të vrazhda, bëri që nga zemrat e ngurta të rrjedh uji i mëshirës dhe dhembshurisë. Sot hasim njerëz te të cilët buzëqeshja është e rrallë. duket sikur i kanë buzët e cimentuara dhe nuk mund t’i hapin. Është e qartë si njeriu ndonjëherë kalon nëpër kriza personale, vështirësi, pakënaqësi dhe sprova. Por, që njeriu tërë jetën të jetë i mrrolur, duke cunguar buzëqeshjen tjerëve, kjo është larg nga praktika e Pejgamberit s.a.v.s.
Edhe jomyslimanët sot janë të vetëdijshëm për bukurinë e fshehur në buzëqeshje. Thonë se buzëqeshja ndikon pozitivisht në gjendjen psikike të qetësisë dhe relaksimit. Sot kur stresi është sëmundje e kohës bashkëkohore, buzëqeshja të cilën na mëson Pejgamberi s.a.v.s. është preventivë e përsosur. Thotë psikologu Dejl Karinxhi: “Kam kërkuar nga nxënësit e mi të zgjedhin nga një person që për çdo ditë do ta bëjnë të qeshur gjatë javës. Njëri prej nxënësve ka qenë tregtar dhe zgjodhi ta bëjë të qesh bashkëshorten e tij, e cila nga ai nuk ishte mësuar të shoh buzëqeshje. Rezultati ka qenë pas hulumtimit, siç thotë nxënësi - kam zbuluar lumturi të re të cilën nuk e kam shijuar me vite. Kjo më ka nxitur të buzëqeshi me gjithë ata që vie në kontakt. Njerëzit për shkak të buzëqeshjes filluan të më nderojnë. Kam ndier se jeta më është bërë më e bukur, më e shkëlqyer, dhe profiti im në tregti më është rritur për shkak të buzëqeshjes.”
Nëse jomyslimanët preferojnë buzëqeshjen, atëherë ne myslimanët e kemi poentën më tepër për shkak se me buzëqeshje duke e praktikuar vazhdimisht - pasojmë sunnetin e Pejgamberit tonë s.a.v.s.
Në fund mos të harrojmë se:
- Buzëqeshja zgjat një moment, por tjerëve mund t’u mbetet si kujtim i bukur deri në fund të jetës, dhe përkujtim për ne për të mirë pas vdekjes sonë.
- Askush nuk mund të thotë se është aq i varfër saqë mos t’u ndajë tjerëve buzëqeshjen.
- Askush nuk mund të thotë se është aq i pasur saqë buzëqeshja nuk i nevojitet.
- Buzëqeshja është sadakë e cila nuk do ta varfërojë atë që e jep, por mund ta pasurojë atë që i jepet.
- Buzëqeshja është fjalë pa zë dhe shkronja, por te Allahu vlen si lëmoshë e dhënë.
- Buzëqeshja është sunnet i Pejgamberit s.a.v.s. dhe përveç shpërblimit për sadakanë e dhënë me buzëqeshje, kemi edhe shpërblimin për pasimin e sunnetit të Pejgamberit tonë të dashur s.a.v.s.



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.