Përgojim d.m.th të përmendësh me ulje cilësitë, atributet dhe vetitë e vëllait (motrës) tënd qoftë kjo në tiparet e trupit, e fytyrës, të prejardhjes, të nderit, të fesë, të veprave apo te fjalëve dhe çka lidhet me të personalisht duke i thënë qenka i shkurtër, i verbër, i zi , i ndyrë, i pacipë , koprrac, gënjeshtar, mashtrues, zullumqare dhe jo i denjë ndaj rrugës së besimit etj.

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "...mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?" (Huxhurat; 12)

Përgojimi, apo gibeti, është dukuria e të folurit për dikë kur ai nuk është i pranishëm. Si term, gibeti ka kuptimin e të përmendurit të turpit, të dobësive e të mangësive të dikujt pas krahëve të tij.
Surja "Huxhurat", në ajetin 12; ndalet drejtpërdrejt te përgojimi duke thënë: "Mos përgojoni njëri-tjetrin. Mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Nga kjo të keni neveri! E pra, t'ia kini frikën Allahut!" Ky ajet përmend shkatërrimin që sjell përgojimi në shpirtin e njeriut dhe në trupin e shoqërisë. Ai tregon se përgojimi është lëndim i nderit dhe i personalitetit të njeriut, që është si mishi dhe gjaku i tij.
"Një ajet i vetëm, që në gjashtë mënyra të mrekullueshme, na tregon se sa i urryer është përgojimi; që na sqaron plotësisht se sa i dëmshëm është gibeti në këndvështrimin e Kuranit, nuk i lë vend nevojës për kurrfarë sqarimi tjetër. E në të vërtetë, pas sqarimit të Kuranit, nuk është i nevojshëm asnjë sqarim tjetër." (Bediuzzaman Said Nursi )

Këto mënyra janë:
- E para: Nëpërmjet shenjës së hemzes thotë: vallë, a nuk e keni mendjen, që është vendndodhja e pyetjes dhe e përgjigjes, teksa nuk e kuptoni diçka kaq të shëmtuar?
- E dyta: Me fjalën "dëshiron", thotë: vallë, mos ju është prishur zemra, që është vendndodhja e dashurisë dhe e urrejtjes, e dëshirës dhe e neverisë, teksa e dëshironi dhe pëlqeni gjënë më të fëlliqur?
- E treta: Me fjalën "ndonjëri prej jush" thotë: ç'ka ndodhur me jetën tuaj shoqërore dhe me qytetërimin tuaj, që marrin jetë prej shoqërisë, që arrini të pranoni një vepër të tillë helmuese?
- E katërta: Me fjalët "të hajë mishin e vëllait të vet..." thotë: ç'u bë me aspektin tuaj njerëzor, që i ngulni kaq përbindshëm dhëmbët shokut tuaj?
- E pesta: Me fjalën "vëllait", thotë: a nuk ju ka mbetur asnjë pikë mëshire për njerëzit tuaj, për farefisninë tuaj, që e lëndoni kaq dhunshëm e me tepri përmasën shpirtërore të një të dhunuari që në kaq shumë drejtime është vëllai juaj? Dhe a nuk ju kanë mbetur mend në kokë që një gjymtyrë të trupit tuaj e kafshoni si të luajtur mendsh?
- E gjashta: Me fjalën "të vdekur" thotë: Ku e keni zemrën? A mos ju është prishur krejt natyrshmëria që, ndaj një vëllait tuaj në gjendjen më të respektueshme e të pacenueshme, bëni një punë kaq të urryer dhe i hani mishin?

Kjo do të thotë se, me shprehjet e këtij ajeti dhe me argumentimet e nxjerra veç e veç prej fjalëve të tij, të folurit keq dhe të përgojuarit e të tjerëve është diçka shumë e ligë në plan të mendjes e të zemrës, të njerëzores e të shpirtërores, të natyrshmërisë e të përkatësisë. E pra, shih se si ky ajet, duke përmendur gjashtë shkallë të paarritshme, ia del të turpërojë më të turpshmen dhe me gjashtë nivele të paarritshme të pengojë rënien në atë hov të tmerrshëm.

Përgojimi është një armë e ulët që shfrytëzohet më së shumti prej atyre që kërkojnë e ushqejnë armiqësi, smirë e urrejtje. Njerëzit shpirtmëdhenj e me vlera nuk bien kurrë aq poshtë sa të kapen pas kësaj arme të fëlliqur e ta vënë në shfrytëzim. Përgojimi është ajo që, nëse njeriu që përgojohet do të ishte i pranishëm dhe do të dëgjonte, do të fyhej e do të zemërohej. Nëse thuhet e vërteta, ajo është përgojim. Nëse thuhen gënjeshtra, kjo është edhe përgojim, edhe shpifje. Ky mëkat i shëmtuar bëhet, në këtë mënyrë, i dyfishtë.
Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari i Allahut a.s., i ka takuar shokët e tij dhe iu ka thënë: "A e dini se ç'është përgojimi?" Sahabët u përgjigjën, Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Ai tha: "Të përmendësh për vëllain tënd atë që ai e urren." I thanë: "E nëse është e vërtet ajo çka thuhet për të?" Ai tha: "Në qoftë se është e vërtetë ajo çka thua, ti e ke përgojuar, e nëse jo, ti ke shpifur për të."
(Transmeton Muslimi)


- Dukuria e përgojimit

Vërtet përgojimi (gibeti) është një nga haramet më të rrezikshme, nga i cili vështirë shpëtojnë edhe ata që mundohen të jenë më të devotshëm dhe ruhen nga shumë ndalesa të tjera. Shkaku është se përgojimi konsiderohet si një ndër ndalesat që më së shumti bien në të njerëzit. Është e mundur që shumë nga muslimanët t'i shpëtojnë mëkateve të tjera, por është shumë vështirë që ai të ketë shpëtuar nga kjo ndalesë. Për gibetin kemi shumë çka të flasim dhe ekzistojnë shumë citate nga Kur'ani dhe hadithi ku tregohet se sa i keq është ai.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush me garanton mua qe do ta ruaj atë qe i ka ne mes dy faqeve (gjuhen) dhe atë qe e ka ne mes te dy këmbëve (organin gjenital) unë po ia garantoj atij Xhennetin." (Transmeton Tirmidhiu)

Të folurit është gjëja me e lehtë që mund të bëjë njeriu. Por që lë ndikimin më të madh tek të tjerët. Sa e sa fjalë të mira e kanë ngritur njeriun në grada të larta ose ka ndodhur e kundërta e kanë ulur atë shumë te Allahu i Lartëmadhëruar dhe tek njerëzit.
"Ka shumë njerëz të cilët i sheh se u ruhen të këqijave dhe të ligave, ndërsa gjuha e tyre bën masakër në të gjallët dhe të vdekurit, ndërsa ai aspak nuk vret mendjen se çfarë flet." (Ibn Kajjimi )


- Pasojat e përgojimit

Në kohën Pejgamberit alejhi selam disa munafikë i kishin përgojuar disa musliman, Allahu kishte dhënë një erë kundërmuese, saqë njerëzit nuk mund ta duronin erën e keqe kundërmuese. Pejgamberi alejhi selam kishte thënë kjo erë është shkaktuar si pasojë e përgojimit.
Pasi që kalon një periudhë kohore nga koha e Muhamedit alejhi selam, një dijetar të urtë e kanë pyetur: "A thua ka urtësi ajo që përgojimi ka shkaktuar erë kundërmuese në kohën e Pejgamberit alejhi selam kurse në kohën e sodit dukuri të atilla nuk ka?
Ai tha: "Në kohën tonë bëhen aq shumë përgojime saqë njerëzit janë mësuar me erën e tillë kundërmuese dhe atë më nuk e ndiejnë. Kjo është njëlloj sikur kur njeriu hyn në ndonjë vend ku djegiet lëkura. Atij i pengon era e djegies së lëkurave aq shumë saqë i vjen të vjell, përderisa punëtorët në të aq shumë janë mësuar me të saqë hanë dhe pinë aty dhe nuk e kanë problem, ngase hundët e tyre janë mësuar me atë erë, kështu është edhe me përgojimin. Në kohën e Pejgamberit alejhi selam, rrallë kanë ndodhur dukuri të këtilla dhe menjëherë janë hetuar, mu ashtu si ai personi i cili hyn rrallë në vendet ku djegiet lëkura dhe nuk mundë ta duron erën e keqe, kurse sot përgojimet janë të shumta, saqë ne nuk e hetojmë këtë erë ngase jemi mësuar me atë mu ashtu siç është mësuar ai i cili punon te lëkurat."

Transmetohet se një njeri e kishte patë përgojuar njëherë Hasan El-Basriun. Hasani i kishte dërguar një pjatë me hurma të freskëta dhe e ka porositur: "Kam dëgjuar se më ke dhuruar disa punë të mira të tua, andaj shpreha dëshirë që të ta kthejë këtë dhuratë. Më falë që nuk munda të ta kthej atë më mirë."
Shënohet se Ebu Humame Bhiliu ka thënë: "Ndonjë njeri do të pranojë librin e veprave të tij në Ditën e Kiametit dhe në të do të shohë vepra të mira që ai nuk i ka bërë dhe do të pyes: "O zot kur i kam fituar këto?" Allahu do të i thotë: "Këto janë për atë që të kanë përgojuar njerëzit në mungesën tënde."

Njeriu është një krijesë shumë i çuditshëm saqë ai bëhet aq koprrac (dorështrënguar) me pasurinë e dunjasë ndaj miqve të tij, kurse shumë bamirës dorëdhënës me ahiretin e tij ndaj armikut te vet.
Në Ditën e Kiametit as për njërën e as për tjetrën nuk do të ketë arsye. Nuk mundë të arsyeton koprracin e tij, ngase Allahu ka urdhëruar që me pasurinë të cilën ai na ka dhuruar të jemi bamirës ndaj njëri-tjetrit, por nuk mund të arsyeton bamirësinë e tij me ahiretin ndaj armikut të tij ngase në këtë rast ai duhet të jetë koprrac ndaj ahiretit të tij e të mos ia jap atë armikut të tij shejtanit duke punuar punë të këqija.
Një dijetar islam ka thanë: "Nëse në një ndejë zhvillohet biseda për tre tema nga organizatori i atij takimi ngrihet mëshira e Allahut :
1. Biseda për mallin e dunjasë,
2. Të qeshurit e tepruar dhe
3. Përgojimi i njerëzve.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Musliman i vërtetë është ai, prej dorës dhe gjuhës së të cilit shpëtojnë besimtarët tjerë." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Nga kjo nxjerrim:
• Nëse nuk mund të i ndihmosh apo të i bësh mirë atëherë mos e pengo dhe mos i bën dëm;
• Nëse nuk mund ta gëzosh dhe ta bësh të lumtur atëherë mos e bënë të brengoset dhe të pikëllohet dhe
• Nëse nuk mund ta lëvdosh mos e qorto dhe mos e përgojo.

Njeriu i ka bashkëbisedues melekët, kur e përmend vëllanë e vet për të mirë, melekët i thonë: "Allahu të dhëntë edhe ty edhe atij çdo të mirë."
E kur e përmend vëllanë e vet për të keq, melekët thonë: "O njeri e ke zbuluar mangësinë e tij të fshehtë e të mbuluar, shikoje veten dhe falënderoje Allahun që të i ka fshehur mangësitë e tua."
Një i urtë ka thënë: Nëse nuk je i aftë t'i bësh tri gjëra, atëherë largohu prej tri të tjerave.
a) Nëse nuk je në gjendje të bësh mirë, atëherë largoju nga e keqja,
b) Nëse nuk mund të jesh i dobishëm për njerëzit, atëherë ruaju të mos u bësh dëm dhe kursej nga e keqja jote.
c) Nëse nuk mund të agjërosh, atëherë mos ha mish njeriu.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Nuk e mbulon asnjë rob (njeri) robin tjetër në këtë botë, e të mos e mbulojë atë All-llahu në Ditën e Gjykimit." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
"Vërtet njeriu me një fjalë të folur, me të cilën All-llahu është i kënaqur, kurse të cilës ai nuk i kushtoi kujdes, do të jetë i ngritur nga All-llahu në shkallë (të nderit). Dhe vërtet njeriu me një fjalë të folur, me të cilën All-llahu s'është i kënaqur, kurse të cilës ai nuk i kushtoi kujdes, do të hudhet në xhehennem." (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Përgojimi konsiderohet një ndër mëkatet më të lehta që mund të bëj njeriu, kurse në anën tjetër më e rrezikshmja që manifestohet me anë të gjuhës. Hadithi i lartpërmendur në fillim e sqaron shumë qartë domethënien e përgojimit, pasi shumë nga njerëzit mendojnë se përgojimi është shpifja apo gënjeshtra ndaj të tjerëve.
Dhe kështu, i lejojnë vetës që të flasin gjithçka që dinë rreth të tjerëve. Kurse gjatë tërë kësaj ai krenohet se e thotë të vërtetën. Që do të thotë se përgojimi është që të ia thuash të vërtetën tjetrit, mirëpo me atë të vërtetë që del nga gjuha jote dhe ti e publikon te të tjerët, t'i bënë një mëkat shumë të madh dhe tepër të rrezikshëm.
Përgojimi në Islam konsiderohet kancer, sikurse kanceri që shkatërron organizmin e njeriut, dhe shkakton vdekjen e individit mu ashtu përgojimi shkatërron besimin dhe punët e mira të një muslimani e në disa raste specifike ai shkakton edhe humbjen e besimit të tij.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. All-llahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.” (Ibrahim, 24-26)

Një grua me shtatë të shkurtër kishte ardhur te Pejgamberi alejhi selam, dhe pasi që kishte shkuar Aisheja kishte thënë: "Sa e ulët që ishte". Muhammedi alejhi selam i kishte thënë: "E përgojove oj Ajshe." Ajo ia ktheu: "Asgjë nuk thash që nuk është e vërtetë". I dërguari alejhi selam, i tha: "E ke thënë dhe e ke treguar atë që është më negative tek ajo."
"Është e domosdoshme të dihet se çdo moshërritur është i obliguar ta ruajë gjuhën e tij nga çdo e folur, përveç asaj që tregon dobi. Madje edhe atëherë, nëse është e barabartë të flitet dhe të mos flitet edhe për gjërat e dobishme, sunet është përmbajtja nga të folurit, sepse shpeshherë kuvendimi i lejuar e çon njeriun në të palejuarën apo të papreferuarën. Kjo është praktikë e shpeshtë, prandaj është e nevojshme mbrojtja nga kuvendimet e ndaluara e të papreferuara." (Imam Neveviu )
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush ka heshtur ka shpëtuar." (Transmeton Buhariu)
"Kur më ngritën në Mi'raxh, kam hasur në një popull që kishin thonjtë nga bakri, me të cilët i grithnin fytyrat e tyre dhe kraharorët e tyre. Unë thashë: "Kush janë këta, o Xhibril?" Tha: "Ata janë ata që kanë ngrënë mishin e njerëzve dhe nderin e tyre e kanë dëmtuar." (Transmeton Muslimi)

Ndoshta të bie të pyesësh: "Si mund që njerëzit e mirë të bien pre e këtij mëkati edhe pse ata janë njerëzit më meritor për largimin prej tij?" Të them: Ekzistojnë disa shkaqe, të cilat i kanë bërë të bien në këtë mëkat, në të cilat bashkëpjesëmarrës janë të gjithë njerëzit.
Ato shkaqe janë:
- Pajtimi me shokët dhe lajkatimi (mirësjellja) me bashkudhëtar, te cilëve po t'ua mohonte këtë do të largoheshin prej tij dhe marrëdhëniet ndërmjet vete do të ftoheshin shumë.
- Hakmarrja: çdoherë qe hidhërohet prej dikujt hakmerret duke e përgojuar.
- Ngritja e pozitës se vet duke nënçmuar dhe ulur nderin dhe pozitën e tjerëve.
- Loja dhe epshet (kotësia, bisedat e pa dobishme): Ndoshta ka për qëllim që t'i bëj njerëzit të qeshin ndërsa ai e bën këtë duke përqeshur filanin e filanen.
- Xhelozia: Nëse njerëzit flasin mirë për ndokënd, atëherë ai thotë: "Jo, ai e ka këtë e këtë të metë. Unë e njoh më mirë se ju dhe për ta arritur qëllimin e tij, respektivisht për t'iu ulur nderin atij, nuk ka rrugë tjetër përveç se ta përshkruaj me të meta.
- Papunësia dhe monotonia: Njeriu në rastet e tilla nuk gjen kohë për tjetër përveç se për t'i përmendur të metat e njerëzve. Kjo për faktin se ai nuk e shfrytëzon kohen për ta përkujtuar Allahun pastaj obligimet janë më të shumta se sa koha e lirë dhe siç thonin të parët tanë: "Nëse nuk e vë në punë (kontrollon dhe ve ne shërbim të fesë) nefsin (shpirtin urdhërues për të keq), atëherë ai të vë ty".
- Pajtimi me kryetarin, drejtorin apo shefin për ta nënçmuar atë, që ata nuk e donë prej punëtorëve apo anëtarëve te tyre, ne mënyrë që të arrish gradë dhe pozitë tek ata.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit, le të flet mirë ose le të heshtë." (Transmeton Buhariu)
"O ju që keni besuar me gjuhë, ndërsa besimi akoma nuk ka depërtuar në zemrat e juaja: mos gjurmoni (zbuloni) të fshehtat (turpet) e besimtarëve! Kush zbulon të fshehtat e vëllait të tij, atëherë Allahu xh. sh. ia zbulon turpet qoftë edhe në shtëpinë e tij." (Transmeton Tirmidhiu)


- Bërja e përgojimit dhe mos hetimi i tij

Me të vërtetë djalli i mallkuar i ofrohet njeriut në mënyra të ndryshme që ta nxisë (shtyej) të përgojoi. Një ndër mënyrat që djalli i mallkuar e nxit njeriun të përgojoj është: "Ju thotë disave që personin të cilën po e përmendni i ka këto cilësi edhe pse nuk është i pranishëm".
Enes ibn Maliku transmeton një tregim të vërtetë lidhur me udhëtimin e arabëve në kohën e Pejgamberit alejhi selam, se ata merrnin një shërbëtor që t'iu ndihmonte gjatë udhëtimit (t'i gatuante ushqimin, t'iu lante rrobat etj.). Ebu Bekri dhe Omeri morën një shërbëtor që t'iu ndihmonte. Gjatë udhëtimit ata u lodhën dhe që të tre ranë për të fjetur. Kur u zgjuan njëri prej tyre tha: "Ky shërbëtori po flenë aq gjatë, sikur që njeriu flenë në shtëpi."
Kur shërbëtori u zgjua nga gjumi ata i thanë që të shkonte dhe ta ftonte Pejgamberin alejhi selam e të hanë ushqim të katërt së bashku. Kur shërbëtori arriti tek Pejgamberi alejhi selam, Ai alejhi selami i tha: "Ebu Bekri dhe Omeri veçse kanë ngrënë." Shërbëtori u kthye tek Ebu Bekri dhe Omeri dhe iu transmetoj atë se çka i tha i Dërguari alejhi selam. Ata të habitur, kur erdhi Pejgamberi alejhi selam e pyetën: "Si kemi ngrënë o i Dërguari i Allahut, kur ne ende po të presim ty?"
Pejgamberi alejhi selam u përgjigj: "Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im po e shoh mishin e vëllait të vdekur në mes dhëmbëve tuaj." Ebu Bekri dhe Omeri kuptuan që kanë përgojuar shërbëtorin derisa ai ishte duke fjetur dhe i thanë të Dërguarit alejhi selam ta lus Allahun t'i falë ata, për mëkatin e bërë (përgojimin).


- Përgojimi i lejuar

Përgojimi, në disa çështje të veçanta, mund të jetë i lejuar (xhaiz):
1. Nëse dikush paraqet përshkrimin e një ankese te një zyrtar, me qëllimin që të përfitojë ndihmë për të shpëtuar nga e keqja e një njeriu të lig dhe të marrë prej tij të drejtën që i takon.
2. Nëse dikush dëshiron të kryejë një punë të përbashkët me dikë dhe për këtë vjen të këshillohet me ty. Në këto rrethana, vetëm për punë, pa qëllim të keq, në mënyrë që t'i japësh hakun këshillimit, mund të thuash: "Mos bëj puno me të, sepse do të dëmtohesh."
3. Nëse qëllimi nuk është që të poshtërohet e të turpërohet dikush, por thjesht që ai të përshkruhet apo të dallohet, mund të thuhet, për shembull: "Ai burri lypës e i çalë shkoi në filan vend."
4. Nëse njeriu që përgojohet është një mëkatar i hapur. Pra, dikush që nuk i vjen aspak turp e nuk i skuqet faqja nga ligësia e vet, apo që madje ndihet krenar prej së keqes, që i shijojnë dhuna e mizoria dhe që të gjitha këto i kryen hapur e pa kurrfarë ndrojtjeje. Pikërisht për këto çështje, pa ndonjë qëllim tjetër përveç të drejtës dhe çështjeve të punës, përgojimi mund të jetë i lejuar. Përndryshe, siç e konsumon zjarri drurin, ashtu edhe gibeti i konsumon e i zhduk të gjitha veprat e mira.

Duke pasur parasysh këtë, lejohet përgojimi në disa raste të caktuara me qëllim të përmirësimit, të realizimit të ndonjë dobie apo edhe në disa situata kur përmendja e kësaj vepre nuk shkakton dëm.


Rastet tjera në të cilat lejohet përgojimi janë:

• Dhuna e vazhdueshme: Atij personi që i bëhet dhunë, i lejohet të ankohet te sunduesi, gjyqtari ose ndonjë tjetër që sundon apo që ka mundësi ta zbatojë drejtësinë mbi tiranin. I dëmtuari thotë: "Filani më ka bërë dhunë kështu e kështu."
• Përgojimi duke përmendur mëkatet që i vepron dikush, me qëllim të ndërhyrjes dhe përmirësimit të këtij personi tek ai që e ka mundësi ta bëjë këtë. Apo me qëllim që të çrrënjoset ndonjë punë e shëmtuar dhe që mëkatari të përmirësohet. Lejohet t'i thuhet atij që ka mundësi të pengojë ndonjë të keqe: "Filani punon kështu e kështu, prandaj pengoje atë nga ajo dhe të ngjashme." Synimi i tij duhet të jetë arritja e çrrënjosjes së ndonjë pune të shëmtuar. Nëse synimi i tij është diçka tjetër, atëherë zbulimi i të metave të tjetërkujt është e ndaluar.
• Lejohet zbulimi i të metave të të tjerëve duke kërkuar fetvanë përkatëse. Njeriut të cilit i është bërë e padrejtë i lejohet të thotë: "Më ka bërë padrejtësi babai im, vëllai im, burri im ose dikush tjetër kështu e kështu, prandaj a ka të drejtë ai në këtë? Si do të çlirohem unë nga kjo dhunë, si do ta arrij unë të drejtën time, si do ta pengoj dhunën e të ngjashme?" Kjo është e lejueshme në rast domosdoshmërie. Gjithsesi më e mirë dhe më e pëlqyeshme është t'i thuhet (myftiut): "Ç'thua ti për njeriun, personin ose bashkëshortin, puna e të cilit është kështu e kështu?" Qëllimi mund të arrihet edhe pa përcaktimin dhe emërtimin e saktë, por edhe të përcaktohet saktësisht, të shënohet dhe të emërtohet dikush është e lejuar.
• Rast tjetër është nëse pyetemi për ndonjë person nga dikush që është i interesuar për te, qoftë për martesë, marrëdhënie pune, shoqërim në udhëtim, etj.. Është obligim i personit që pyetet për dikë që mos ta fshehë gjendjen për të, por t'i shtrojë haptas të gjitha të metat që gjenden te personi për të cilin hulumtohet, por me qëllim të mirë që t'i jepet këshillë pyetësit. Pra, të mos jetë qëllim prishja e ndonjë pune për shkak të zilisë, etj.. Kjo është punë ku mund të gabohet lehtë, sepse është e mundshme që folësin ta udhëheqë xhelozia dhe që djalli ta mashtrojë e ta verbojë në atë punë, kurse atij t'i duket se puna e tij është këshillë, prandaj të tillët duhet të jenë të kujdesshëm dhe largpamës.

• Të metat e dikujt zbulohen nëse një person publikisht gabon apo predikon herezinë (risitë), si: pirja publike e alkoolit, tiranët, mashtruesit, plaçkitësit e pasurisë së huaj, ai i cili haptas kryen mëkate etj. Natyrisht se këtu nuk bëjnë pjesë çështjet dhe punët sekrete të njeriut. Është detyrë që t'i zbulohen publikisht mëkatet e një individi personit kompetent apo organit, nëse për këtë realizojmë dobi sikurse përmendëm në rastin e dytë. Prandaj nuk lejohet zbulimi i të metave të tjera të tij, vetëm nëse për këtë ka ndonjë nga shkaqet e theksuara.
• Nëse bëjmë zbulimin e të metave të dikujt me qëllim përkufizimi, njoftimi preciz, p.sh. për një person të njohur me ndonjë ofiq, siç është: lotues, çalaman, shurdh, qorr, vëngërosh dhe emërtime të tjera, atëherë është e lejuar të precizohet edhe kjo. Nuk është e lejuar përgjithësisht të tregohet dikush si i mangët. Nëse është e mundur të shmangen ofiqet e këtilla, kjo është më e mirë dhe më parësore.

Këto janë gjashtë shkaqet kryesore për të cilat është i lejuar zbulimi i të metave për individin jo të pranishëm, shkaqe të cilat i kanë theksuar dijetarët dhe për të cilat ekziston pajtueshmëri e plotë. Të gjitha këto kanë mbështetje në hadithet e njohura dhe të vërteta (Këto raste kryesisht janë marrë nga libri "Rijadu Salihin", f. 370-373).

Rasti dytë ka të bëjë me atë që ju kërkoni sqarim, se a lejohet përgojim në qoftë se ne përmendim ndonjë vepër të keqe të vëllait musliman me qëllim që të ndihmohet ai të largohet nga ajo. Prandaj themi nëse qëllimi i kësaj është kjo dhe nëse besojmë se përcjellja e kësaj do të ndikojë në përmirësimin e tij, atëherë lejohet, mirëpo duhet të kemi kujdes se përmendja e këtyre gjërave në masë të gjerë dhe në prani të shumë njerëzve shpesh do të ketë efekt negativ dhe kjo nuk është e drejtë. Nëse dikush ka përgojuar dikë apo ka dëgjuar se si përgojohet dikush, duhet të lutet duke thënë: "O Allahu im, më fal mua dhe njeriun që unë kam përgojuar!" Pastaj, kur t'i jepet rasti, duhet t'i thotë atij që ka përgojuar: "Ma bëj hallall!"
"Pjesa më e keqe, më e rëndë dhe më mizore e gibetit është përgojimi apo shpifja për nderin e njerëzve të dëlirë. Pra, nëse një njeri që ka parë me sytë e tij, por që nuk sjell katër dëshmitarë për të dëshmuar, se një burrë apo një grua ka kryer zina. Kjo është një ndër mëkatet e mëdha më të liga, porsi vrasja më mizore, që e helmon jetën shoqërore të besimtarëve, që i shkatërron jetën dhe lumturinë një vatre familjare."
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t'i rrihni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm. Me përjashtim të atyre që më vonë pendohen dhe përmirësohen, vërtet All-llahu është që shumë falë e mëshiron. Ndërsa ata të cilët shpifin për gra të veta dhe nuk kanë dëshmitar tjetër pos vetes, dëshmimi i çdonjërit prej tyre është: të betohen katër herë në All-llahun se e thonë të vërtetën. (Nur, 4-6)

Ndërsa fakti se përgojimi bëhet shkak për prishjen e personalitetit, shpjegohet kështu: "Ti, gjatë ditës, duke qenë zgjuar e syçelë, thua një fjalë të bukur; ndonjëherë në ëndërr ushqehesh me diçka në formën e një molle të bukur e të shijshme. Gjatë ditës thua një fjalë të shëmtuar, gjatë natës gëlltit diçka të hidhur. Nëse përgojon, të ushqejnë me një mish të fëlliqur. Atëherë, fjalët e bukura e të shëmtuara që thua në gjumin e kësaj bote do t'i shijosh si fruta në botën e të zgjuarve, që është bota e Ahiretit. Dhe nuk duhet të mendosh se do të jetë e largët dita që do të ushqehesh me frutat e fjalëve të tua."


Zakone e sjellje të tjera të këqija, që kanë kuptime të përafërta me gibetin, shprehen me termat:

a) "hemz",
b) "nemime" dhe
c) "lemz".


-Hemzi:

I pari i këtyre është hemzi, që gjen vend në titullin e sures 104 të Kur'anit (Humeze). Hemzi ka kuptimin e të thumbuarit të dikujt pas krahëve, e të tallurit, të fyerit, të lëndimit të tij.


-Nemime:

Ndërsa me nemime kemi të bëjmë kur tjetri ngacmohet e thumbohet me shprehje të tërthorta. Kur'ani urdhëron që sjellje të tilla të mos ndiqen dhe ata që i kryejnë të mos dëgjohen (Suretu Kalem: 10-12). Duhet shtuar, gjithashtu, se përgojimi është një ndër shkeljet e të drejtave të robit.


-Lemzi:

Lemzi është kryerja e të gjitha këtyre në sy të individit në fjalë, në prani të një publiku të gjerë.

Allahu e bëri përgojimin njëjtë sikur të hash mishin e vëllait tënd të vdekur, dhe të hash mishin e të vdekurit është një ndër mëkatet e mëdha. Kështu pra, përgojimi është një mëkat i madh dhe nëse përgojimi është i madh kjo bëhet edhe më e madhe nëse personi i përfolur është njëri nga shokët e të Dërguarit alejhi selam apo nga dijetarët që cilët e kanë mësuar librin e Allahut dhe Sunnetin e të Dërguarit alejhi selam, apo ndonjë nga njerëzit e shkolluar dhe mbrojtës të Sunnetit.
Përderisa përgojimi është një ndër mëkatet e mëdha, secili që e bën këtë, me anë të lutjeve mëkatet e tij nuk do t'i shlyhen sepse kushti për shlyerjen e mëkateve është të mos bëhen mëkate të mëdha. Kështu, ai që vazhdon në bërjen e këtij mëkati të madh dhe nuk pendohet le të kërkojë falje te Allahu sepse edhe mëkatet e vogla nuk do t'i shlyhen as me anë të namazit, as me agjërim, as me faljen e namazeve sunete, as me Umre e as me Haxh.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë:
"A e dini kush është i falimentuar (muflis)?" (Sahabët) thanë: "I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para e as mall." Tha: "I falimentuar i ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpifë këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahë tjetrin, atëherë i jepen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t'u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t'i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hedhet në zjarr." (Transmeton Buhariu)
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm." (Nisa; 31)

Prandaj, kushti për larjen e mëkateve është që të mos bëhen mëkatet e mëdha. Siç na ka treguar i Dërguari alejhi selam, në Sahihu'l Muslim, ai alejhi selam ka thënë: "Prej një namazi deri te tjetri ka larje të asaj çka është mes tyre përderisa nuk bëhen mëkate të mëdha." (Transmeton Muslimi)
"Namazi deri në namaz, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan shlyejnë mëkatet e atyre që janë ruajtur prej mëkateve të mëdha." (Transmeton Buhariu)

Prandaj, përgojues është ai i cili e përmend vëllanë e tij kur ai mungon me gjëra që ai i urren madje edhe nëse ajo që thuhet për të është e vërtetë.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit, ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë), (Mu'minun, 1-3)

Pa (teube) pendim dhe përmbajtjes në të, ky mëkat i madh akumulohet derisa e shkatërron njeriun si që na ka treguar i Dërguari ynë alejhi selam në hadithin që shpjegon dhe përshkruan mëkatet. Ai ka thënë se kjo është si një shembull i një grupi njerëzish të cilët janë të ndarë në një luginë, secili prej tyre e sjell nga një shkop dhe ato i mbledhin dhe i grumbullojnë nën një tenxhere derisa kanë mundur të ndezin zjarr për të gatuar. Kështu edhe mëkatet veprojnë në këtë mënyrë, grumbullohen, mblidhen dhe akumulojnë derisa ta shkatërrojnë personin.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet." (Furkan; 72)

O besimtarë, është mëshira e Allahut që e ka bërë namazin të jetë për shlyerjen e mëkateve të vogla të cilat janë kryer prej një namazi deri në tjetrin, kështu që ti nëse bën një mëkat të madh si që është përgojimi apo shpifja veçanërisht për njerëzit e dijes, atëherë ti je në një rrezik të madh. Shpëto veten dhe largohu nga njerëzit e prishur. Ata që bëjnë mëkate, ata që i përgojojnë dijetarët e dinë se këta janë ndër njerëzit më të mirë; njerëz të cilët e bartin Kur'anin dhe fjalët e veprat e të Dërguarit alejhi selam në zemrat dhe mendjet e tyre. Çka flasin njerëzit e dijes, flasin vetëm fjalët e Allahut dhe fjalët e të Dërguarit sikur ai të jetë me ne duke na mësuar dhe ndriçuar me dije.
Ata i edukojnë injorantët dhe analfabetët. I udhëzojnë njerëzit drejt vendimeve korrekte, dhe njerëzit do ta kuptojnë efektivitetin e kësaj kur do të ringjallen dhe mblidhen në Ditën e Gjykimit. Nëse ndokush e merr një fjalë nga një dijetarë dhe kjo fjalë rezulton në udhëzimin e tij, është gjë që ai do t'i shohë rezultatet dhe efektet e kësaj në botën e ardhme. Kështu pra, si guxojnë këta njerëz të gënjejnë dhe shpifin dijetarët! Si guxojnë t'i përgojojnë njerëzit e dijes kur ata janë ndër njerëzit më të mirë në tokë. Kushdo që i përmend dijetarët me çfarëdo tjetër përveç fjalëve të mira është ndër njerëzit e prishur dhe nuk është në rrugë të drejtë. Të bësh shpifje për njerëzit e dijes është një ndër mëkatet e mëdha.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Ai i cili thotë gjëra apo bart diçka duke e ditur se kjo mund të jetë gënjeshtër, atëherë ai është njëri nga dy gënjeshtarët." (Transmeton Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe Muslimi)
"Ai është njëri nga gënjeshtarët." (Transmeton Muslimi)
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e All-llahut; të tillët janë ata gënjeshtarët." (Nahl; 105)

Gënjeshtra është përhapur shumë në kohën tonë dhe kjo ka rezultuar në përgojimin dhe shpifjen duke shkaktuar shumë gjëra të këqija mes njerëzve.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm. (Kaf, 17-18)

O besimtarë, feja dhe besimi ju ruajnë nga tradhtia dhe zinaja (kurvëria) po ashtu kjo ju ruan me ndihmën e Allahut nga pijet alkoolike dhe kamata, vjedhja apo bërja e ndonjë nga mëkatet e mëdha si politeizmi, magjia, ikja nga beteja, shpifja e grave besimtare dhe gjitha çështjet që refuzohen dhe urrehen nga besimtari. Sidoqoftë, a të ka ndaluar ty besimi dhe feja nga përgojimi, gënjeshtra apo shpifja?
"Është e rëndomtë që njerëzit e drejtë i largohen prostitucionit, tradhtisë, pirjes së venës, por shumë prej tyre bien në mëkate të mëdha me anë të gjuhës së tyre duke përgojuar. Gjuha bën mëkate të mëdha si është përgojimi, dhe zemra bën mëkate të mëdha si është arrogance dhe syfaqësia." (Ibn Tejjmije )

Me të vërtetë, këtë çka e ka thënë Ibën Tejjmije është e vërtetë, sepse mëkatet e mëdha janë të shumta, dhe Allahu e bëri gjuhën të bëjë mëkat që konsiderohet ndër mëkatet e mëdha. Muadhi e pyeti të Dërguarin alejhi selam në një hadhith të cekur në libirn e Imam Tirmidhiut, transmetuar nga Muadh Ibën Xhebeli. Pejgamberi alejhi selam, i tha Muadhit ta ruajë këtë dhe duke mbajtur gjuhën e tij, kështu Muadhi e pyeti të Dërguarin alejhi selam a do të gjykohemi për atë çka flasim? Ai iu përgjigj: "Çka ka tjetër që mendon se do t'i gjuajë njerëzit me fytyra në zjarr përveç se ajo çka ka bërë gjuha."
Atëherë, çka thonë këta njerëz që mblidhen me shoqëri për të përgojuar dhe shpifur dijetarët, duke mos pasur aspak respekt për fenë dhe atë çka dijetarët kanë në zemrat e tyre nga libri i Allahut dhe i Dërguari. Ata nuk e përmbushin të drejtën e duhur nga feja që i është shpallur njerëzve dhe e përhapur nga dijetarët. Ata bëjnë këtë mëkat të madh duke folur keq për dijetarët dhe këtë e bëjnë sikur janë duke bërë vepra të mira apo lexuar Kur'an.
Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: "Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi." (Isra; 36)
"Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit)." (Humeze; 1)

Nga Ibn Abasi poashtu mësojmë se, i Dërguari alejhi selam kaloi një kopsht nga kopshtet e Medinës dhe dëgjoi zë nga dy njerëz që dënoheshin në varret e tyre dhe tha: "Po dënohen, por nuk po dënohen për mëkat të madh, pastaj tha: Po si jo, njëri prej tyre nuk mbulohej gjatë kryerjes së nevojës së vogël (kryerjes së urinës), kurse tjetri ka bartur fjale..."
Nga format e këqija të kësaj vepre është ndërhyrja e burrit ndaj gruas së tij dhe e kundërta. Ato janë orvatje për prishjen e marrëdhënieve mes tyre. Të njëjtën e bëjnë edhe disa nëpunës kur bartin fjalët e të tjerëve te drejtori apo përgjegjësi për t'u bërë dëm të tjerëve.


- Shembull i dëmit të përgojimit

Vëllai kishte shkuar për të varrosur motrën e tij, dhe rastësisht i kishte rënë diç me vlerë nga xhepi në varrin e së motrës, kur kthehet në shtëpi sheh se nuk e ka, kërko këtej kërko andej, nuk e gjen dot dhe i fiksohet në kokë se vetëm në varrin e së motrës duhet t'i ketë rënë dhe niset direkt tek varri saj për ta hapur (d.m.th pas disa orësh që kishte varrosur të motrën sërish shkon dhe e hapë varrin). Kur hapë varrin e së motrës e gjen brenda në varrë atë që i kishte rënë dhe kthehet sërish në shtëpi me nxitim! Pyet nënën e tij:
Djali thotë: "Oj nënë, çfarë ka bërë të keqe motra ime sa ishte gjallë?"
Nëna thotë: "Po tani o biri im pyet se ç'njeri ishte motra jote, e sa ishte e gjallë ti nuk e vizitove atë kurrë tek burri i saj?"
Djali thotë: "Oj nënë, kështu e kështu më ndodhi mua (i rrëfen nënës si kishte vajtur për t'ia hapur motrës varrin) dhe i thotë, oj nënë, trupi i motrës kur hapa varrin digjej, unë shihja t'i dilte motrës time tymi nga trupi dhe për këtë arsye pyes?!"
Nëna thotë: "Allahu Ekber, Allahu Ekber, dhe i mbushen sytë me lot. Ah mjerë vajza ime, ajo vërtetë qenka duke u ndëshkuar për mëkatet që ka bërë këtë jetë dhe i thotë djalit të saj:
"O biri nënës, motra jote ka qenë njeri shumë shumë i mirë, porse ka pasur dy të këqija ku dhe për ato ndëshkohet...:
1. Motra jote e ka pasur zakon, kur të flejnë fqinjët të shkoj dhe t'i dëgjoj tek dera apo dritarja se ç'flasin dhe
2. Derisa fqinjët janë zgjuar, ajo ua ka shpërndarë fjalët në gjithë lagjen, d.m.th ka shpifur dhe ka bartur fjalë, dhe Allahu është i Madhërishëm siç na ka lajmëruar përmes Librit të Tij, që çdo njeri pasi të vdes do të dënohet që në varrë deri në Ditën e Gjykimit, e Ditën e Gjykimit do i peshohen veprat e tij, nëse ka qenë vepërmirë do shpërblehet me Xhennet, e nëse ka qenë vepërkeq ai do hudhet pa mëshirë në Xhehennem përjetësisht. E kështu vëllezër e motra, Allahu na ruajt nga bartja e fjalëve e përgojimi se me të vërtetë janë veprat më të shëmtuara për njeriun. Gjuha jonë është ajo që na fut në Xhehennem. Andaj heshtja është elokuente nëse vërtetë nuk duam të mëkatojmë. Allahu na ruajt nga dënimi i ashpër i Tij.

"E drejta e çdo besimtari ndaj teje është në këto tri pika: Nëse nuk i bën dobi atëherë mos e dëmto atë, nëse ti nuk e kënaq atëherë mos e mërzit, nëse ti nuk e falënderon atëherë mos e përgojo, dhe mos e ofendo." (Jahja ibn Muadh )
"Sikur të doja ta përgojoja dikë do t'i përgojoja prindërit e mi, sepse e meritojnë më shumë se çdokush tjetër t'ua dhuroj të mirat e mia. E kjo për arsye se me përgojim njeriu hyn në hak të tjetrit dhe s'ka dyshim se ai do t'ia shlyej atë me të mirat e veprave të veta." (Ibn Mubareku )

Duke u nisur nga këto që përmendëm më lartë çdo besimtar nga ne duhet t'i matë mirë fjalët dhe veprat e tij, që mundin dhe shpërblimin e tyre mos t'i çoj kot sikurse hirin që e merr era e s'lë gjurmë.

Gjithashtu Xhabiri radij All-llahu anhu transmeton se ka qenë bashkë me Pejgamberin alejhi selam dhe përballë tyre është ngritur një erë e ndyrë dhe e keqe. I dërguari i Allahut alejhi selam pyeti: "A e dini çfarë ere është kjo, është era e atyre që përgojojnë besimtarët." (Transmeton Ahmedi)

Allahu thotë në Kur'anin famëlartë: “E derisa afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar. Ata lëkurave të tyre u thonë: "Përse dëshmuat kundër nesh?" Ato thonë: "All-llahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurit na dha edhe neve, e Ai është që ju krijoi juve herën e parë dhe vetëm te Ai ktheheni". (Fussilet, 20-21)
"Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar." (Nur, 24)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: "Kush e mbron nderin e vëllait të tij, Allahu do t'ia largojë zjarrin nga fytyra e tij në Ditën e Gjykimit." (Transmeton Ahmedi)

I është thënë Hasan El-Basriut: "Filani po të përgojon."
Ai tha: "Mirë se vinë të mira që nuk i kam punuar, nuk jam lodhur me to dhe nuk ka në të as lëvdatë dhe as syefaqësi."

Prej argumenteve Kur'anore dhe haditheve të vërteta që i cekëm më lartë, kuptojmë se përgojimi është:
"Përmendja e njeriut me atë që e ka (pesodon) me atë që e urren e cila bëhet pas shpinës së tij apo në mospraninë e tij."

Allahu e di më së miri!

Allahu na ruajt prej përgojimit.
AMIN !


Artikulli radhës
Mbështetja te Zoti

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli