Përgojimi, ves i keq

“O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë, pra, e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin”. (El Huxhurat, 12)

Përgojimi është një prej veseve më të shëmtuara dhe më të urryera, por fatkeqësisht shumë i përhapur në mesin e njerëzve, dhe të paktë janë ata që i kanë shpëtuar këtij vesi. Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi a.s. i kishte pyetur shokët: “A e dini ç’është Përgojimi - (gibeti) ”. Dhe dikush tha: “Allahu dhe Pejgamberi i Tij këtë e dinë më së miri”, pastaj ai deklaroi: “Përmendja nga ana juaj e diçkaje për vëllanë tuaj në mungesë të tij, të cilën ai e urren (që të përmendet) ”. Pastaj i thanë: “E çka nëse ajo që them, ekziston te vëllai im?” Muhamedi a.s. tha: “Nëse është ashtu si thua ti (nëse është ajo që thua), atëherë ti e ke përgojuar atë. Ndërsa, nëse nuk është gjetur tek ai ajo që thua, atëherë ti ke shpifur për të”.(1)
Në bazë të këtij hadithi përgojimi është i pranishëm, apo ke përgojuar, kur përmend diçka për një person (në mospraninë e tij), që ai e urren t’i përmendet qoftë për: trupin e tij, punën e tij, veten e tij, pamjen e tij fizike, karakterin e tij, karakteristikat fetare, shëndetin e tij, fëmijët dhe familjen e tij, veshjen e tij, mënyrën e ecjes së tij, buzëqeshjen e tij, ose për çdo gjë tjetër në lidhje me sa u thanë, pa marrë parasysh nëse ti i përmend ato me fjalë, me shkrim, ose duke gjestikuluar me sy, me duar ose me kokë.(2)
Nga kjo që u tha, kuptojmë se njerëzit e pajisur me moral dhe virtyte të larta njerëzore, të edukuar mirë fetarisht, duhet të ruhen dhe të jenë shumë të kujdesshëm gjatë fjalëve dhe bisedave të tyre, të mos ia thonë askujt pas shpine, atë që nuk ia thonë në praninë e tij. Sepse, sipas dispozitave fetare në lidhje me përgojimin, sipas qëndrimeve unanime të dijetarëve muslimanë, përgojimi është i ndaluar-haram. Thotë Allahu xh.sh. në Kur’an: “…As mos përgojoni njëri-tjetrin…” (El Huxhurat,12)
”Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit) ” (El Humeze,1)
“Që është përgojues e banë fjalën ndër njerëz”. (El Kalem, 11)
Besimtari duhet të përmbahet gjithherë nga ky ves. Ai nuk bën të përgojojë tjetrin. Kjo veti urrehet nga feja jonë njësoj sikur ngrënia e mishit të njeriut të vdekur.
Transmeton Enesi r.a. se i Dërguari i Allahu s.a.v.s. ka thënë: “Kur u ngjita (në qiej), takova njerëz të cilët kishin thonj të bakrit, me të cilët gërvishtnin fytyrat e tyre dhe gjokset e tyre. Kështu që unë e pyeta Xhibrilin kush janë këta? Ai tha: Ata janë që kanë ngrënë mishin e njerëzve, duke përgojuar nderet e njerëzve”.(3)
Ishim tek Pejgamberi a.s. dhe aty pranë na rrethoi një erë e rëndë. Pejgamberi a.s. tha: “A e dini se ç’është kjo erë? kjo është era e atyre që përgojojnë besimtarët”.(4)
Tregon Aisheja r.a.: “Unë i thashë të Dërguarit a.s.: “Të mjafton se Safija është kaq e kaq”. Disa nga transmetuesit kanë thënë që ajo nënkupton se ajo ishte e shkurtër, kështu që Ai aljhiselami tha: “Ti ke thënë një fjalë, që, po të përzihej me ujin e detit, me siguri do ta turbullonte atë”. (Sahih, trs. Ebu Davudi (4875)
Përgojimi hyn në radhën e mëkateve të mëdha, sepse, ndër të tjera, shpeshherë shkakton përçarje dhe ngatërresa. Shumë njerëz, kur marrin lajmin për diçka, nuk ndalen ta analizojnë se kush e solli këtë lajm dhe nga erdhi. Nuk e gjykojnë lajmin sipas porosive kur’anore, por marrin hapa të ngutshëm dhe të pakontrolluar, e shumë herë ka ndodhur që kjo të përfundojë tragjikisht, edhe me shuarjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm.
Pejgamberi a.s. thotë:“Musliman i vërtetë është ai (musliman) prej të cilit janë të shpëtuar-(të qetë) muslimanët tjerë, nga gjuha dhe dora e tij”. (Buhariu).
Fatkeqësisht, ky hadith sikur nuk zë vend në jetën tonë të përditshme. Përkundrazi, pjesa dërrmuese e muslimanëve janë të zënë me përgojimin dhe me të metat e të tjerëve, e fare nuk i shohin të metat e veta. Sepse, nëse i eviton të metat e veta, nuk ka kohë të merret me të huajat. Vetia që ruan besimtarin nga fjalët boshe dhe punët pa kurrfarë dobie, si për vete ashtu edhe për të tjerët, ka për qëllim mbrojtjen dhe kujdesin e besimtarit për ruajtjen e tij nga punët e kota për të mos u marrë me gjëra nga të cilat nuk ka dobi. Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Ata të cilët i shmangen së kotës (fjalë a punë), ” (El Mu’minun, 3)
Ky ajet kuranor vë në dukje shumë qartë gjendjen e besimtarit të vërtetë, duke pohuar se ai nuk merret me gjëra prej të cilave nuk sheh kurrfarë dobie, dhe njëherësh është njeri që dëshiron të shfrytëzojë kohën dhe fuqinë e tij intelektuale që ka, për gjëra të dobishme për vete dhe për shoqërinë në përgjithësi.

Detyra e atij që ndodhet në një mexhlis ku përgojohet

Nga detyra dhe e drejta e besimtarit ndaj besimtarit është që ta ndihmojë,nëse i bëhet padrejtësi, e ta mbrojë nderin e tij, nëse cenohet nga ndonjë tjetër që nuk ka frikë dënimin në Ditën e Gjykimit. Allahu në Kuran thotë: “Ndihmohuni në mes jush me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi...” (El Maide, 2).
Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: «Besimtari është pasqyra e besimtarit dhe myslimani është vëlla i muslimanit.”(5)
Ndërkaq, Enesi r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e mbron vëllanë e vet prej përgojimit, Allahu do ta ruajë fytyrën e tij prej zjarrit të xhehenemit Ditën e Gjykimit.”(6)
Në një rast para Pejgamberit a.s. ishte përmendur një njeri për vetitë e tij të këqija. Muhamedi a.s. tha: “Nuk do të doja që dikush të përmendë dikë në një mënyrë të këtillë, edhe nëse si kundërshpërblim do të fitoja këtë apo atë”. (Tirmidhiu).
Ashtu siç ishte i ndaluar përgojimi për përgojuesin, njësoj është i ndaluar edhe për atë që e dëgjon dhe e miraton atë. Muslimani preokupim të vetin kryesor ka detyrën për mbrojtjen e vetvetes dhe të tjerëve nga mëkatet, prandaj si është e mundur që një besimtar ta kalojë kohën e tij në një vend ku merren me përgojim dhe fjalë boshe, e të sillet me papërgjegjësi, sikur asgjë nuk po ndodh në praninë e tij. Prandaj është e detyrueshme për secilin person që dëgjon përgojuesin, ta ndalojë nga ai mëkat i hapur. Prandaj, nëse nuk mundet ta ndalojë, atëherë është i detyruar ta refuzojë përgojimin me gjuhën e tij, ose ta ndërpresë përgojimin duke e ndërruar temën, kjo kërkohet prej tij. As këtë nëse nuk mund ta bëjë, atëherë ta gjykojë me zemër, të mos e pranojë dhe të ngrihet nga ai vend e të mos qëndrojë aty, nëse është në gjendje ta bëjë këtë. Mirëpo, nëse është i detyruar të qëndrojë në atë tubim ku bëhet përgojimi, me gjithë përpjekjet për ta penguar, atëherë të mos i dëgjojë-kushtojë rëndësi dhe vëmendje atij përgojimi. Në të kundërtën, rrugëdalja e tij duhet të jetë kujtimi i Allahut (dhikri) me gjuhën dhe zemrën e tij.

Motivet e përgojimit

Motivet më të shpeshta që e shtyjnë njeriun për përgojim, janë: Shprehja e urrejtjes së një njeriu ndaj një njeriu tjetër, kështu që, sa herë që shtohet urrejtja, shtohet edhe përgojimi i kundërshtarit. Shkaktarë tjetër është edhe dëshira për lartësimin e vetes në llogari të nënçmimit të tjetrit. Kështu ndodh që dikush për tjetrin të pohojë se është injorant, i marrë etj., me qëllim që të dëshmojë se është më i mirë se tjetri dhe më i mençur, para të tjerëve. Po kështu është edhe me smirën ndaj atij që lëvdohet, nderohet dhe respektohet nga njerëzit, e për këtë arsye përgojuesi e qorton atë me qëllim që t’ia humbë respektin. Ndër shkaktarët e përgojimit bëjnë pjesë edhe loja, argëtimi, përqeshja, imitimi dhe të bërët shaka kundër tjetrit, duke synuar që për vete ta bëjë-të përfitojë ndonjërin prej të pranishmëve.(7)

Si ta pengojmë vetveten prej përgojimit

Parandalimi më i mirë dhe rruga më e shkurtër dhe më e lehtë kundër përgojimit, s’ka dyshim jetësimi i Fjalës së Zotit të Lartmadhëruar dhe të Synetit të Pejgamberit a.s.. Çdokush le t’ia kujtojë vetvetes ajetet që u përmendën për ndalimin e përgojimit e pastaj të mendojë mirë, por të ketë parasysh edhe këtë ajet: “Që ai të mos hedhë ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellës i gatshëm”. (Kaf, 18). ( Dhe; “…folëshit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa tek Allahu ajo është e madhe.” (En-Nur,15.)
Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë atë që është e mirë, ose le të heshtë”. (Buhariu.)
Pejgamberi a.s. e shëroi këtë sëmundje me një metodë edukative, respektivisht duke na sqaruar se mosruajtja e gjuhës d.t.th. ngecje dhe dobësi në besim.
Enes ibn Maliku ka thënë: Ka thënë Pejgamberi a.s.: “Besimi njeriut nuk mund të jetë i drejtë derisa të drejtohet (përmirësohet) zemra e tij. Zemra e tij nuk përmirësohet derisa të drejtohet (përmirësohet) gjuha e tij, dhe njeriu nuk mund të hyjë në Xhenet përderisa fqinji i tij të mos jetë i sigurt nga problemet e tij”. (Ahmedi)
Nga ajetet dhe hadithet e sipërshënuara duket qartë se muslimanit nuk i lejohet të flasë aso fjalësh në të cilat nuk ka mirësi. Fjalë e mirë është çdo fjalë nga e cila njerëzit dhe vëllezërit e tij kanë dobi, në të kundërtën nuk i lejohet të flasë. Porositë e Pejgamberit a.s. janë çdoherë aktuale dhe terapi shëruese për besimtarët.
Ruajtja e gjuhës nuk ruan vetëm individin, ajo ruan edhe shoqërinë. Muslimani, para se të flasë, duhet t’i thotë vetvetes: Allahu është me mua, Allahu është dëshmitar, kur ka parasysh edhe këtë ajet: “Sepse Zoti yt është që përcjell (ju rri në pritë) ”. (El Fexhr,14)
Njëherë një njeri i tha Hasan Basriut: “Ti më ke përgojuar”. Atëherë ai i tha: “Kush je ti që ta di se kujt po i shkojnë veprat e mia të mira?”
Kurse Abdullah ibn Mubareku ka thënë: “Nëse do të përgojoja dikë, sigurisht që do t’i përgojoja prindërit e mi, ngase ata kanë më së shumti të drejtë të marrin veprat e mia të mira”.(8)
Në një rast tjetër njëri i tha Hasan Basriut se filani e kishe përgojuar. Hasani i dërgoi një tabaka me hurma të freskëta, dhe i tha: Më kanë thënë se ti më ke dhuruar prej të mirave të tua dhe unë doja të ta shpërbleja, por të kërkoj ndjesë që nuk ta kompensoj dot atë të mirë që më dhe. Ibrahim ibn Ed’hem ftoi disa miq dhe, kur u ulën për të ngrënë, përgojuan një njeri. Ibrahimi tha: Të parët tanë e hanin bukën para mishit, ndërsa ju e filluat mishin para bukës. (Duke pasur për qëllim mëkatin e përgojimit).
Ebu Umame Bahili r.a. thotë: Kur do t’i jepet libri njeriut në Ditën e Gjykimit, do të shohë se ka të mira që nuk i ka bërë, dhe do të thotë: O Zoti im, prej nga i kam këto të mira? I thuhet: Këto i ke nga përgojimi që të kanë bërë njerëzit dhe ti s’e ke ndier.(9)
Kur kemi parasysh të gjitha këto argument, njeriu me logjikë të shëndoshë ado të zhytej vallë, në mëkatin e përgojimit? Me siguri - jo.

Ç’lloj i përgojimit është i lejuar

Edhe pse përgojimi është i ndaluar, ai lejohet në kushte të caktuara, kur bëhet për arsye të dobishme.
Ato janë:

* Tirania (dhuna). Është e lejuar për dikë që është i shtypur të ankohet për situatën e tij tek sunduesi ose gjykatësi, ose te kushdo tjetër që ka autoritet dhe aftësi që t’i garantojë atij drejtësinë kundër shtypësit të tij. Ai duhet të thotë: “Filani më ka bërë padrejtësi” ose “ai ma ka bërë këtë gjë“, ose “ai më ka detyruar në këtë mënyrë” e kështu me radhë.
* Kërkimi ndihmë për të ndryshuar të keqen dhe për ta kthyer mëkatarin në atë që është e drejtë. Dikush duhet t’i thotë personit për të cilin shpreson se ka mundësi të ndalojë të keqen: “Filani e ka bërë këtë, kështu që parandaloje ”, ose diçka si kjo. Synimi i tij duhet të jetë që të gjejë një mënyrë për të ndaluar përfundimisht të keqen. Nëse ai nuk e mendon këtë si qëllim të tijin, atëherë i ndalohet ta përmendë këtë.
* Kërkimi i fetvasë (Vendimit fetar ). Dikush mund t’i thotë myftiut: “Babi im”, “vëllai im”, ose “dikush tjetër më ka bërë keq në këtë mënyrë”, “a ka ai të drejtë të veprojë kështu? ”, “si duhet t’ia bëj që t’i japë fund kësaj, të arrij të drejtën time dhe të largoj dhunën prej meje?” e kështu me radhë. Kjo që u tha, është e lejuar, po është më mirë të thuhet: “Çka thua për një njeri që ka bërë këtë e këtë gjë” pa thënë emrin. Duke vepruar në këtë mënyrë, qëllimi arrihet pa qenë nevoja të specifikohet dikush. Mirëpo, përmendja e emrit të individit është e lejuar (në këtë kusht).
- Paralajmërimi dhe këshillimi i muslimanëve kundër së keqes. Kjo bëhet në disa aspekte. Një aspekt është: denoncimi i dikujt që s’është i besueshëm në fushën e transmetimit dhe dhënies së dëshmisë. Kjo është e lejuar, bazuar në Ixhmanë (pajtimin e dijetarëve muslimanë). Për më tepër, ajo bëhet obligim për shkak të domosdoshmërisë.
Rast tjetër është kur një individ dëshiron të hyjë në marrëdhënie (lidhje) me një person tjetër, qoftë përmes martesës, tregtisë (biznesit), dorëzimit të pronës, dorëzimit të diçkaje ose përmes çdo gjëje tjetër nga punët e përditshme. Është obligim që t’ia përmendim ç’dimë për personin me të cilin ai dëshiron të lidhet, me qëllim të këshillimit të tij. Synimi yt mund të arrihet thjesht duke thënë: “Nuk është mirë për ty të punosh me të”, ose “të hysh në marrëdhënie martesore” ose “ti nuk duhet ta bësh këtë” ose diçka të ngjashme me këtë. Por, t’i shtosh më shumë kësaj, siç është përmendja e karakteristikave të këqija të tij, nuk është e lejuar. Një rast tjetër është kur e sheh dikë (një person të njohur) duke u angazhuar për vjedhje, kurvëri e gjëra të tjera të ndaluara. Atëherë është obligim për ty ta informosh palën, duke e parë se ai nuk është në dijeni për këtë. Po ashtu dhe për mallin që shitet,nëse ke njohuri se ai është me defekte - afat të skaduar, atëherë është obligim për ty që t’ia qartësosh këtë çështje blerësit, nëse ai nuk e di.


Përfundim

Ç’mund të përfitojmë nga kjo temë
- Përgojimi (gibeti) njeriut i sjell vetëm të liga.
- Përgojimi sjell dobësi shpirtërore dhe të shpie në Xhehenem.
- Është sëmundje shpirtërore dhe shoqërore, e cila mund të shërohet vetëm me terapi fetare.
- Përgojuesit nuk ia fal Allahu mëkatin derisa t’ia falë pala dëmtuese.



1) Muslimi, Sahih (2589).
2) Imam Neveviu, Ruajtja e gjuhës. 2004. Prishtinë f. 15.
3) Kështu fliste Muhamedi.a.s. Prishtinë 1994.Kap. Mi’raxhi. Trs.Ahmedi.
4) Samir Bulku. Ahmedi. Melhemet e Zemres l. f. 261. Ahmedi.
5) Buhariu. (kap.mbi Imanin).
6) Tirmidhi.(Hasen).
7) Ahmed Ferid. Deti I kthjellët i Devotshmërisë dhe Suptilitetit. Gjilan. f. 74. (Drita e jetës.
8) Imam Neveviu, Ruajtja e gjuhës. 2004. Prishtinë. f. 24.
9) Samir Bulku. Melhemet e Zemres. l. f. 263.



Isa Tërshani


Artikulli i kaluar
Përgojimi
Artikulli radhës
Mbështetja te Zoti

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dokumentar -IMAMI ATDHETAR- Mulla Mustafë ef.Dervisholli