Vajza e vogël i tha të atit: - Babi, a mund të marrim një banane?

Babai kokulur ia ktheu: - Bija ime, nëse në fund të muajit do më teprojë diçka, të premtoj se do të ta blej. Unë isha pas tyre. Po prisja të blija fruta e perime. Më erdhi shumë rëndë kur i dëgjova. U afrova te shitësi dhe i thashë: -Të lutem, merr një qese dhe pesho dy kile banane. Kur të kalojë këtej babai me vajzën e tij thirri dhe thuaj: - Zotëri, javën që shkoi, kur bleve fruta, unë nuk kisha të vogla dhe nuk ta ktheva dot kusurin. Meri këto banane në vend të kusurit të mbetur.
Shitësi më vështroi i habitur: - Përse t'i them kështu?
I thashë: - Thuaji kështu, sepse ai njeri nuk e meriton të turpërohet në sy të vajzës së vet.
Shitësi fillimisht e mori si me bezdi, por pastaj ra dakord.
Pas pak atypari po kalonin babë e bijë. Babai e mori vajzën dhe e nxori nga krahu tjetër në mënyrë që mos të shikonte bananet. Në atë kohë shitësi i thirri: - Zotëri, të lutem afrohu pak. Babai i vajzës u afrua dhe po priste në heshtje. Shitësi i tha: - Zotëri, javën e kaluar, kur bleve fruta, unë harrova ta kthej kusurin. Të lutem, merri këto banane në vend të kusurit.
Babai e kuptoi qëllimin e shitësit, por nuk e dha veten për të mos i rënë në sy vajzës. Pasi u largua nga tezga e shitësit të frutave, ktheu kokën pas nga shitësi sikur donte t'i thoshte: Zoti të nderoftë!
U drejtova për te shitësi dhe i thashë: - Ja tek i ke lekët e bananeve. Shitësi ma ktheu: - Jo, jam unë ai që duhet të të falënderoj ty që më bëre pjesë të kësaj bamirësie.
Babai me vajzën nuk ishin larguar shumë nga aty. Në rrugë e sipër vajza i thotë të atit: - Babi, të lutem, më jep një banane ta ha rrugës? Babai: - Jo, bijë, do ta jap në shtëpi, se ka njerëz që nuk i blejnë dot. Vajza tundi kokën në shenjë pohimi. Babë e bijë u larguan të lumtur.
U ktheva nga shitësi dhe i thashë me sy të përlotur: - Në fakt, ta bësh tjetrin të lumtur pa e turpëruar është gjëja më e bukur që ne kemi harruar.



Ardit Hoxhllaku


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Intervistë në Tv Syri Vision: Kryetari i KBI Gjakovë, Dr. Valon ef. Myrta