Kaptina Ali-Imran.

Kaptina Ali-Imran është kaptinë medinase, e zbritur pas asaj El-Enfal, numëron gjithsej 200 ajete, është e treta sipas radhitjes në Kuran, pas kaptinës El-Bekare, dhe fillon me të njëjtat shkronja "Elif Lam Mim."

Armë që nuk humbet

Për çudi, të tri kaptinat e para në Kuran - El-Fatiha, El-Bekare dhe Ali-Imran, përmbyllen me dua (lutje). Allahu i Madhëruar thotë: "Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!" (El-Fatiha, 6) deri në fund të kaptinës, dhe: "Zoti ynë, mos na dëno, nëse harrojmë ose gabojmë!.. .. " (El-Bekare, 286) dhe: "Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe, pas vdekjes, na bashko me të mirët!..." (Ali-Imran, 193)

Ajete të shumta që përmbajnë lutje (dua), me të cilat janë përmbyllur të tri kaptinat, nxjerrin në pah rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka ky rit (adhurim) për myslimanin, sepse ajo është armë madhështore që nuk ka kurrfarë pengese në mes njeriut dhe Allahut xh. sh. I Lartësuari thotë: "A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e ju ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ju e kujtoni fare pak." (Neml, 62)

Nga shpallja e shkronjave

Të dy kaptinat El-Bekare dhe Ali Imran fillojnë më shkronjat alegorike "Elif Lam Mim", dhe të gjitha ajetet e dy kaptinave përbëhen të shumtën nga këto shkronja, sikur këto shkronja të jenë çelësi i këtyre kaptinave apo kodi që na mundëson të hyjmë në botën dhe kuptimet e tyre.

Nga pikëpamjet lidhur me fshehtësinë e këtyre shkronjave, është edhe kjo, se këto janë brumi prej të cilit Allahu xh.sh. ka formuar librin e Tij. A thua a munden njerëzit - pasi posedojnë këtë brumë- të bëjnë një Kuran si ky, apo edhe vetëm një ajet?

Në kohën tonë njeriu ka arritur të ndërtojë mjete të sotisfikuara me materialet që posedon. Por, a mund t'u japë shpirt atyre?! Ja fjala e Lartmadhërishmit: "Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kuranin) ..... " (Shura, 52). Allahu xh.sh. sfidon çdonjërin - edhe pse mund të arrijë një nivel të lartë të gjuhësisë (poezisë)- që të krijojë një fjalë nga këto shkronja me të njëjtin nivel të lartë gjuhësor dhe me atë përmbajtje (esencë).

Çelësi hyrës

Lexuesi mund të vërë re se, pas këtyre shkronjave, zakonisht flitet për madhështinë e Kuranit apo diçka rreth tij, si bie fjala: "Elif, Lam, Mim. Ky është libri për të cilin nuk ka dyshim (sepse është prej All-llahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm." Dhe: "Elif, Lam, Mim. All-llahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos Tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës. Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm .... "

Stabilitet në parim

Qëllimi i domethënieve të kësaj kaptine sillet rreth vazhdimësisë për qëllimin (synimin). Më parë, qëllimi i kaptinës El-Bekare ishte lidhur me mëkëmbësinë e njeriut në këtë botë. Kurse, kjo kaptinë flet lidhur me atë që njeriu vendos të veprojë e më pas e lë në harresë pa qenë stabil (i qëndrueshëm) në të, siç është rasti më atë që gjatë Ramazanit shton adhurimin, e pas kalimit të Ramazanit, e mbyll këtë portë, duke lënë xhaminë, leximin e Kuranit, namazin dhe agjërimin (vullnetar). Synimi që trajton kjo kaptinë, është qëndrueshmëria në të vërtetën dhe vazhdimësia e të vepruarit sipas obligimeve, me se arrihet të realizohet edhe mëkëmëbësia në tokë.

Ruajtja e mendjes dhe punës

Kjo kaptinë paraqet shkaqet e mosqëndrueshmërisë në të vërtetën dhe po ashtu e shëron at. Do të shohim se si humbjet dhe prapambetjet kthehen gjithnjë në dyshime që shkatërrojnë mendjen dhe e humbin apo dobësojnë qëllimin dhe pengojnë (ndërpresin) punën.
Do të shohim që kjo kaptinë është e ndarë në dy pjesë: E para nga ajeti 1-120 shëron çështjen e stabilitetit (qëndrueshmërisë) psikike, në të vërtetë, dhe e dyta nga ajeti 121-200 shëron stabilitetin (qëndrueshmërinë) në të vërtetën nga prizmi praktik.

Qëndrueshmëri psikike

Nga rrëfimi i betejës së Uhudit shohim qëndrueshmëri në ballafaqimin me mendimet e jashtme, në polemizimin e ehlu-kitabit dhe delegacionit krishtere të Nexhranit, që kishte ardhur tek Pejgamberi a.s .. Në momentet kur lëvizjet e jetës janë të shumta dhe mendimet të përzihen, në mendjen e myslimanit mund të shfaqet dyshim, dhe kështu gjejmë kaptinën në 120 ajete që shëron këto dyshime të mundshme.

Nevoja jonë për të

Kaptina fillon duke na dhënë ndihmë në çështjen e qëndrueshmërisë (stabilitetit), dhe njëherësh përfundon po me të njëjtin qëllim, I Lartmadhëruari thotë:
"Elif, Lam, Mim. All-llahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos Tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës. Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument .... " Zoti yt është Një, dhe libri është i vërtetë e mos u kthe nga mashtrimet e mashtruesve. Në fund e përmbyll kësisoj: "O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut." O mysliman, bëhu durimtar, i qëndrueshëm dhe fitimtar kundër armikut me durimin tënd, dhe ndihmoji edhe të tjerët në rrafshin e durimit dhe qëndrueshmërisë (stabilitetit) të mendimeve shkatërruese brenda shoqërisë, dhe i përgatitur për t'u ballafaquar me ata që ia duan të keqen ymetit islam .... Ja, siç e shihni, fillimi - qëndrueshmëri (stabilitet), fundi - stabilitet, e ne kemi nevojë të madhe për këtë kaptinë.

Mostra të ndritura

Ajetet nga kjo kaptinë na përkujtojnë qëndrueshmërinë në disa momente të ndryshme, në luftën e Bedrit. I Madhërishmi thotë: "Ju (jehudinj) patët një përvojë të madhe në ato dy grupe që u konfrontuat ndërmjet jush. Njëri grup luftonte në rrugën e All-llahut, e tjetri ishte pabesimtar, dhe me shikimin e syve të tyre i shihnin se ishin dy herë më shumë se besimtarët. Po All-llahu, me ndihmën e Vet, përforcon atë që do. Vërtet, në këtë është një përvojë e madhe për ata që kanë mendje të kthjellët." Apo për havarijunët: "E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta mbysin), tha: "Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të All-llahut"? Havarijunët thanë: "Ne jemi ndihmëtarë të fesë së All-llahut." Kanë qëndruar të fortë në parimin se fitorja është e Allahut dhe e të Dërguarit të tij kundër mohuesve pabesimtarë. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e All-llahut, e mos u përçani! Kujtoni nimetin e All-llahut ndaj jush .... " Dhe thotë: "O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, veçse duke qenë myslimanë (besimtarë.)!"
O mysliman, i qëndrueshëm deri në vdekje, lexoji këto fjalët e të Madhërishmit, i Cili thotë: "E sa pejgamberë që pati, së bashku me të cilët luftuan turma të mëdha besimtarësh dhe për atë që i goditi në rrugën e All-llahut, ata nuk u dobësuan dhe as nuk u përulën. All-llahu i do durimtarët." Dhe: "E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: "Populli (idhujtarët) është tubuar t'ju sulmojë, pra kini frikë!" Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: "Neve na mjafton që kemi All-llahun, Ai është mbrojtësi më i mirë!" Dhe ata, pa i gjetur kurrfarë e keqe, fituan begati e mirësi të mëdha nga All-llahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, All-llahu është dhurues i madh."
Në ajete të shumta u bëhet thirrje myslimanëve që të jenë të qëndrueshëm (të paluhatshëm) e të mos dobësohen dhe të bien në depresion në çfarëdo kushtesh e rrethanash ..... Qëndrueshmëria në nënshtrimin ndaj Allahut xh. sh., në të vërtetën. Kemi gjashtë faktorë që të ndihmojnë në këtë çështje.

Faktorët e qëndrueshmërisë

1- Duaja

Kur dihet se çështja e qëndrueshmërisë nuk është e lehtë, në brendësi të kësaj kaptine mund të gjesh faktorët që të ndihmojnë për qëndrueshmërinë në të vërtetën. E Para: Duaja, është të mbështeturit tek Allahu xh.sh., sepse qëndrueshmëria është dhunti hyjnore, e nuk është angazhim personal i çdonjërit. Në këtë kaptinë mund të lexosh: "Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, sepse vetëm Tije dhuruesi i madh. Zoti ynë, Ti je Ai që në një ditë do t'i tubosh njerëzit, një ditë për të cilën nuk ka dyshim. All-llahu nuk e shkel premtimin e Vet". Më pastaj lexon: "Thuaj: "O All-llah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do? Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë"!
Duaja përsëritet nga gjuhët e shembujve të ndritur në këtë kaptinë, siç është rasti me gruan e Imranit: "(Kujtohu) Kur gruaja e Imranit pati thënë: "Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vërtet Ti je Ai që dëgjon e di"!
Dhe Zekriai: "Aty në atë moment Zekiriai e lut Zotin e tij e thotë: "Zoti im, më fal edhe mua nga ana Juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes". Deri edhe në fund të kaptinës do të gjejmë: "Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët! Zoti ynë, jepna atë që na premtove nëpërmjet të dërguarve të Tu, dhe në Ditën e Kiametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!"

2- Shtimi i adhurimit

Në këtë kaptinë mund të lexojmë: " .... Sa herë që hynte Zekiriai në mihrabin (dhomën) e saj ... " "Mihrabi" që është vendfalje, atëherë kur Allahu ia pranoi duanë Zekeriait, tha: "E duke u falur ai në faltore, engjëjt e thërrasin:
"All-llahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga All-llahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit". Dhe krejt në fund, Allahu xh. sh. thotë: "Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim, kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të Tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove. kot, i lartësuar qofsh, ruajna prej dënimit të zjarrit."

3- Thirrja në fe

Në tru gjendet diçka që është e njohur si vendi i bindjeve dhe hobit dhe pasimeve. Ne jemi të bindur se Islami është fe hyjnore madhështore, por, a thua a i përkasim islamit me veprat tona?!!! A jemi në gjendje të sakrifikojmë çdo gjë në rrugën për të cilën jemi të bindur?
Ajo që na ndihmon të nxjerrim këtë ide nga vendi i bindjeve në vendin e përkatësive dhe ndjekjeve, është thirrja në rrugën e Allahut xh. sh. dhe kuvendimi me njerëzit për Islamin. Kjo e rrit bindjen dhe përkatësinë tonë. Allahu xh.sh. thotë: "Nga ju le të jetë një grup që thërret për atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit." Dhe ajeti tjetër: "Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun .... "
Thinja në rrugën e Allahut xh.sh. ëhtë nga mjetet stabilizuese në parimet dhe veprimet tona.

4- Shoqëria e mirë

Myslimani duhet të ndërtojë për veten e tij ambient të pastër me fetarë të rinj. që e ndihmojnë për të mira. Lidhur me këtë. I Lartmadhëruari ka thënë:
"Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e All-llahut, e mos u përçani ... ; Tërheq vërejtjen për ndasinë duke thënë: "E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh." - Që të njohim rëndësinë e vëllazërisë dhe shoqërisë së mirë.

5- Qëllimi i pastër

Allahu I Lartmadhëruar ka thënë: "Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim, kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të Tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, na ruaj prej dënimit të zjarrit."
Allahu xh.sh. e ka krijuar këtë gjithësi dhe na ka krijuar ne në të me qëllim të qartë, për adhurimin e Tij dhe mëkëmbës të Tij në Tokë: "Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot ... " Qëllimi është i qartë dhe i përcaktuar, dhe kjo na ruan nga humbja e dështimi dhe njëherësh na ndihmon të bëhemi të qëndrueshëm.
Disa ajete nga kjo kaptinë na tërheqin vërejtjen nga gjërat që mund të ndikojnë ta humbim qëndrueshmërinë (stabilitetin), të privohemi nga ajo për shkak të tyre. Të tilla janë mëkatet dhe lëshimet:
"Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë.". Pastaj ajete që na udhëzojnë se ç' është më e mirë se mëkatet dhe lëshimet: "Thuaj: "A t'ju kumtoj për diçka shumë më të mirë se ato (kënaqësitë e dynjasë)? Për ata që janë ruajtur, ata kanë tek Zoti i tyre xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra e gëzojnë edhe kënaqësinë e All-llahut. All-llahu është i kujdesshëm për robërit."
Pas luftës së Uhudit, Allahu xh. sh. ka theksuar se mëkati e humb qëndrueshmërinë dhe sjell ikjen nga fronti i luftës. Ai thotë: "Vërtet, ata që u zmbrapsën prej jush ditën e ndeshjes së dy grupeve (besimtarë e idhujtarë në Uhud), ata vetëm djalli i shtyri të rrëshqasin me disa punë të tyre që i bënë, po All-llahu ua fali gabimin; All-llahu është mëkatfalës dhe i butë." Kanë ikur dhe e kanë lënë Resulullahun s.a.v.s., ndërsa i Madhëruari thotë: "E kur u goditi ju një dështim (në Uhud) e ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedr), thatë: "Prej nga kjo"? Thuaj: "Ajo është nga vetë ju"! S'ka dyshim se All-llahu është i Plotfuqishëm për çdo send." D.m.th. për shkak të mëkateve u kishte ndodhur ajo që pati ndodhur.

Besim i kthjellët

Polemizon pjesa e parë e kaptinës besimin e Ehlu-Kitabit me një polemikë të thellë, por, nuk ka për qëllim nënçmimin. Qëllimi është që t'i përforcojë besimtarët në besimin e tyre dhe t'ua pastrojë mendimet. Allahu xh.sh. thotë: "All-llahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit." Ky është përforcim psikik, dhe njëherësh i Madhëruari thotë: "Feja e pranueshme tek All-llahu është Islami ... "
Nëse ju vijnë Ehlu-Kitabë tek ju, që t'ju futin mëdyshje në fenë tuaj, le ta dimë se Allahu xh. sh. ka urdhëruar Pejgamberin të thotë: "E nëse ata polemizojnë me ty, thuaj: "Unë me tërë qenien time i jam dorëzuar All-llahut, e edhe ithtarët e mi", e pas kësaj e lexojmë edhe këtë: "E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit."

Ndihmë nevojtarit

Pas betejës së Uhudit ashabët e kuptuan gabimin e tyre që e kishin lanë Pejgamberin a.s. vetëm dhe kishin ikur. Atëherë All-llahu xh.sh. filloi t'ua përmendte të mirat e Tij dhe t'ua lehtësonte vështirësitë: "All-llahu ju ndihmoi ju në Bedër kur ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, kini frikë nga Zoti." Dhe kjo është mirësia e Tij: "Kur dy grupe prej jush gati u treguan të dobëta, po All-llahu ishte që u ndihmoi atyre (që të mos largoheshin), andaj besimtarët le t'i mbështeten vetëm All-llahut."
Po të mos ishte ndihma e Allahut xh.sh., ata do të dështonin. Më pas ua hapi atyre dyert e mëshirës dhe shpresës duke u thënë: "Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e Tokës, i përgatitur për të devotshmit. Të cilët japin kur janë çlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit. Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre - e kush i fal mëkatet përveç All-llahut? - dhe që, duke ditur, nuk vazhdojnë me ato që kanë punuar (me të keqen)."

Shërimi i plagëve

Përshkojnë këto ajete me prekje mehleme dhimbjet e ashabëve duke u thënë: "E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartët, po qe se jeni besimtarë të sinqertë. Në qoftë se ju u preku ç 'u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pati prekur dhembje si kjo juaja (në Bedër)", sepse edhe ata kanë ndier dhembje sikur ju dhe kanë humbur jetë sikur ju, përderisa keni besimin, ju jeni më të privilegjuar dhe të fortë, pastaj pason vërejtja e butë: "Muhammedi nuk është tjetër veçse i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t'i shpërblejë mirënjohësit." - "A mos menduat ju se do të hyni në Xhennet pa e ditur All-llahu (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm."
Kurse me vonë ajetet kritikojnë ata për shkak se e lanë Pejgamberin a.s. vetëm: "Dhe kur largoheshit e nuk përfillnit as njëri-tjetrin, ndërsa i dërguari ju thërriste mbrapa ... " Pas kritikave, prapë ajetet përshkojnë plagët me një prekje të lehtë melheme: "Mandej, pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai ju lëshoi sa për qetësim, një kotje (gjumë të lehtë) ..... "

Mësim nga tronditja

Më pas ajetet përmendin shkaqet e dështimit dhe plagëve: "All-llahu përmbushi premtimin e Vet ndaj jush, ngase me vullnetin e Tij i korrët ata (me shpata) ..... ", përmbushjen e premtimit të Tij me fitore duke i luftuar ata më shpata, derisa gjendja ndryshoi: " .... deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet jush, në çështjen e vendit (që ju pat caktuar Pejgamberi) dhe pasi vërejtët atë që e dëshironit (prenë e luftës) ..." Nuk ishit të qëndrueshëm, po u përçatë dhe e thyet urdhrin e Pejgamberit a.s. dhe kjo ishte e mjaftueshme për humbjen e qëndrueshmërisë dhe ardhjen e dënimit.

Dy shenja të çmuara

Përse është emërtuar kjo kaptinë me këtë emër "Ali-Imran"? Çfarë janë lidhjet e gjithë këtyre domethënieve me këtë emër? Ky emër mban dy shenja të çmuara të stabilitetit në të vërtetën teorike dhe praktike, e ato janë: bija e Imranit dhe gruaja e tij. Shenja e parë: Gruaja e Imranit ishte plotësisht e qëndrueshme për atë që mbante në barkun e saj, që të jetë në shërbim të fesë: "(Kujto) Kur gruaja e Imranit pati thënë: "Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vërtet Ti je Ai që dëgjon e di." D.m.th. e pastër vetëm për Ty, o Allah, duke dëshiruar që të jetë çlirimtar i Mesxhidul Aksasë nga pushtuesit romakë. Kjo ishte dëshira e asaj gruaje. A thua çfarë është dëshira dhe ëndrra jote? Edhe pse asaj i lindi vajzë, ajo nuk ra në depresion dhe pesimizëm, por vazhdoi me këmbëngulje në ëndrrën e saj.
Shenja e dytë: është m’u kjo vajzë, Merjemi, e cila ishte e qëndrueshme në adhurim ndaj Allahut xh. sh., ruante nderin dhe pastërtinë e saj. Allahu xh.sh. i dhuroi asaj të mira më shumë sesa e ëma e saj kishte ëndërruar, - ishte shenja më e mirë e familjes Imran, nga ajo lindi Isai a.s.

Ndërlidh të dyja gruaja

Nga dëftimet e këndshme është se nga shenjat e qëndrueshmërisë në këtë kaptinë është gruaja, sepse kaptina në vijim është kaptina Nisa (kaptina e Grave); kjo e tëra që të nxjerrë në pah vlerën e grave. O ju të rinj e të reja, qëndroni të paluhatshëm në të vërtetën teorikisht e praktikisht, sepse vetë femra është paraqitur si shembull në këtë kaptinë, se si ishte e paluhatshme.



Amr Halid
Nga arabishtja:
Jakup Çunaku

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.